Monday, January 29, 2018

SHANSI I FUNDIT  kapitulli IV


     Gjithçka ishte gati në vilë. Kryebashkiaku i Tiranës priste për të kryer ceremoninë e martesës sonë civile. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Fatjoni i pëkiste njërës prej familjeve më të vjetra e më të rëndësishme në Tiranë. Ai kishte gjithçka: karrierë, sukses, pushtet dhe para.
     I mungonte vetëm figura e një bashkëshorteje. Duhej të qe e denjë për ta shoqëruar në pritjet që organizonte, në daljet publike, apo në ftesat e shumta që merrte.
     Më kishte zgjedhur mua. Isha një femër e rritur, e pjekur, e matur. Një figurë e thjeshtë, por e pastër. Askund asnjëherë skandale, banalitete, teprime, apo dukje boshe. E pashme, gjithmonë e veshur mirë.
     Sikur të bëhej fjalë për dikë tjetër, do kisha renditur shumë më tepër cilësi, por kur bëhet fjalë për veten time, gjithmonë e kam të vështirë.
     Nuk më pëlqen të flas për veten. Ndihem shumë më mirë kur flas për punën, për veshjet që realizoj. Kjo është edhe arsyeja që shfaqem rrallë ekraneve. Nuk më pëlqen të dal në ҫdo ekran si stiliste të tjera e të flas për tema si: sporti, gatimi, apo kush e di se ҫfarë tjetër.
     Nuk jam njeri që më ka ndritur ylli në shumë fusha. Por, kjo s'ka përbërë ndonjëherë problem për mua. Nuk e ndiej peshën e mangësive. Në fushën profesionale e shoh veten të realizuar.
     Në vilë më pritën sikur të isha princeshë. As e kisha menduar ndonjëherë se do gjendesha përballë diҫkaje të tillë. U emocionova. Nuk e dija se edhe një femër në moshën time mund të emocionohet kështu.
     Por, ndoshta emocionet s’kanë moshë. Jemi ne që bëjmë vijëzimet ndarëse, të cilat i shohim të nevojshme dhe e privojmë veten pa mëshirë. Kështu, në vend që të lehtësohemi nga fati ynë i keq, e rëndojmë veten edhe më shumë.
     Ndodh përherë që dhëndri pret nusen. Por, rasti ynë përbënte përjashtim. Dhëndri ishte me vonesë. Kështu, të pranishmit kishin kohë të mjaftueshme për të më soditur. Me ҫ’kuptova, pamja ime i la pa fjalë. E besoj këtë, sepse edhe me mua kishte ndodhur kështu sapo dola përpara pasqyrës.
     Jo vetëm unë, por gjithë të ftuarit ishin kthyer me fytyrë nga shkallët. Pritej Fatjoni. Mbanin veshjet e stiluara prej meje.  Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të shihja diҫka të këndëshme që e kisha realizuar unë, vetëm unë. Sipas marrëveshjes sonë, kjo ishte një mënyrë e shkëlqyer për të më reklamuar si stiliste.
     Në prag të festave të fundvitit do shpërgulim atelienë time në vilë. Krahasuar me hapësirën që ka atelieja aktualish, ambjentet e reja janë shumë më moderne dhe madhështore. Përfitimi do të jetë i ndërsjelltë. Atelieja reklamon vilën dhe fermën gjigante,  kjo e fundit i jep ambjentet e saj. Pra, shumë shpejt në planin profesional do kisha githë sa më kishte munguar. Mbështetje dhe reklamë.
     Një pjesë të mirë të të pranishmëve s’i njihja. Megjithatë, unë dija shumë mbi shijet dhe përmasat e tyre. Të dhënat i kisha marrë të detajuara në skeda të veҫanta për secilin në adresën time elektronike.
     Me siguri që  një pjese të mirë prej tyre do t'i qe dukur çmenduri e vërtetë që u mjaftoi të dërgonin përmasat dhe disa prefernca të përgjithshme për të marrë një veshje të përfunduar. Askush nuk bëri provë veshjen e vet. As unë. Por, Fatjoni dinte t'i bindte njerëzit. Edhe këtë herë ia kishte dalë mbanë për mrekulli.
     Unë përpiqesha t’i shihja të gjithë me bisht të syrit, sepse shikimin e kisha të përqendruar nga shkallët. Gjithmonë më ka pëlqyer të sodis njerëzit që mbajnë veshjet që kam realizuar. Prej vitesh kjo ka qenë kënaqësia dhe krenaria ime. S’di ҫ’do kishte ndodhur me mua dhe jetën time sikur të isha e privuar nga talenti që kam.
     Objektivët e kamerave dhe aparateve fotografik ishin kthyer të gjithë andej. Edhe unë  prisja me padurim. Zemra po më dridhej. Më vinte turp nga vetja për atë që ndieja. Si mund të emocionohesha kështu?
    Fatjoni nuk po vonohej për t'u dukur i rëndësishëm. Mbesa ime Sara më kishte informuar deri në detaje përmes celularit. Para gjysmë ore ai kishte demostruar kuajt në fushën e re të hipodromit që sapo ishte ndërtuar.
      Ishte pjesë e marrëveshjes sonë, që kjo ditë të shërbente edhe për një reklamim të të ashtuquajturës fermë dhe vilë private, por që sipas gjasave, shumë shpejt do të kthehej në një residencë të mirëfilltë, që do të sillte të ardhura të konsiderueshme. Në Tiranë ekzistonin shumë njerëz që do jepnin kush e di sa para për të kaluar një fundjavë në këtë vend të mrekullueshëm.
     Unë ndodhesha para altarit të improvizuar, përballë kryebashkiakut. Ishte i vetmi që s’donte t’ia dinte për protokollin e vendosur dhe më shtërngoi dorën fort, më komplimentoi për karrierën time profesionale dhe më uroi për zgjedhjen e bashkëshortit. Sipas tij, s’mund të zgjidhja një më të mirë për faktin e thjeshtë që nuk ekzistonte një i tillë.
     Pranë më qëndronte nipi im, Xhimi. Nuk më bënte zemra t’i thosha që sipas protokollit të vendosur, ai nuk duhej të ishte pranë meje, por atje tej, me të ftuarit. Do të mund të më uronte vetëm në fund të ceremonisë.  
     Pa diskutim, ai dhe vëllai i tij më duan shumë, në po atë mënyrë që i dua edhe unë. Por, jam e sigurt që ka edhe një arsye tjetër për të më qëndruar gjithmonë e më pranë. Nuhatën që bashkëshorti im i ardhshëm është i krimbur në para. Me siguri që mendojnë se këtej e tutje do marrin më shumë prej meje.
     Xhimi më shprehu habinë e gjithë familjes sime të madhe për dhëndrin. Nuk ua merte mendja se do ishte dikush që e njihnin prej vitesh. Madje për niprit dhe mbesat e mia ai ishte idhull.
     Xhimi më flet dhe komenton pareshtur atë që ndodh rreth e rrotull. Unë pres të shoh dhëndrin, ndërkohë dua të shfrytëzojë sekondat e fundit të beqarisë për të vendosur ca rregull në mendjen dhe në jetën time.
     Por, Xhimi nuk më lë që nuk më lë të qetë. Sipas tij është një zonjë, e cila m'i ka ngulur sytë plot ligësi dhe për më tepër nuk ka veshje të stiluar prej meje. E ku e di Xhimi se cilat veshje kam stiluar unë e cilat jo? Si e dallon ai ligësinë në sytë e njerëzve?
     Nuk dua të bëhem preh e rrengjeve të tij dhe të humbas momentin më të rëndësishëm. Shfaqjen e Fatjonit. Xhimit i pëlqen të sillet me mua si të jem shoqja e tij. Edhe mua më pëlqen kjo, por jo sot, për më tepër, jo tani. Më duhet të nis përmbushjen e detyrës sime të re, të qenit bashkëshorte e Fatjonit.
          Më në fund ai u shfaq. E kisha parë gjithmonë vetëm me bluzën e bardhë të punës. Takimet tona ishin zhvilluar në spital. Tek e shoh që rrëzëllen, ndihem krenare që atë kostum ia kam stiluar dhe realizuar unë. Kisha dyshimet e mia, por tani jo më. Është thjesht i përsosur.
     Është i vetmi në ceremoni që nuk mban kostum të zi. Ngjyra e tij e preferuar është grija e errët. Dhe sapo e shoh, i jap plotësisht të drejtë. Nuk besoj se ndonjë ngjyrë tjetër do t’i shkonte më shumë se grija. Është shtatlartë dhe gjithë sharm. Pak esmer dhe me tipare të theksuara të zeza. Nuk më besohet që në moshën e tij nuk ka asnjë thinjë. Sytë i ka gri të thellë dhe sapo i sheh se ҫ’të japin një siguri... Ndoshta kjo lidhet me faktin që është mjek. Nuk më vjen ndër mend ndonjë shpjegim tjetër.
     Fatjoni po buzëqesh dhe blicët e aparateve menjëherë marrin zjarr. Po mbështet dorën në parmakun e drunjtë të shkallëve madhështore. Po vendos këmbën në mermerin e magjishëm të shkallëve që kombinon ngjyrën e kuqe dhe të zezë në një vepër arti. I ndriҫuar nga drita natyrale që futet përmes dritareve madhështore, nga blicët e telekamerave dhe aparatëve fotografik, nga abazhuri gjigant i tëri i kristaltë, duket si një vegim. Sa do doja që koha dhe ne  të ndaleshin këtu!
    Papritur, kam një dëshirë të çmendur të mos i përmbahem marrëveshjes që kemi bërë. Kjo vilë është e mrekullueshme, si një galeri arti konterporan. Por, për mua luksi s’ka aspak rëndësi. Dua ta shohë thellë në sy këtë njeri dhe t'i them  ta lëmë veten të lirë për të ndjerë diҫka. S’e kam fjalën për dashuri bashkëshortore, por thjesht dashuri njerëzore. Dhe unë kam kaq shumë nevojë të ndiej që zemra ime e ftohtë dhe e zbrazët të ndryshojë. Kam kaq shumë nevojë të ndihem një njeri si gjithë të tjerët!
      Vërtet është pronotuar udhëtimi me avion dhe hoteli, por ato pas pak minutash do anullohen. Fatjoni do shtiret sikur  do rrëzohet nga shkallët dhe më pas do vijojë të ndjekë planin, do bëjë sikur është vrarë.
     Më pas ceremonia e lidhjes martesore do zhvillohet në version të shkurtuar. S'ka si të ndodhë ndryshe.  Madje, kjo pritet të bëjë mjaft përshtypje në sytë e të ftuarve. Edhe në një gjendje të tillë shëndetësore, ai nuk do heqë dorë prej bashkimit në martesë.
      Fill pas ceremonisë, do veshë diçka më praktike dhe do shoqërojë tim shoq në ekzaminimin e tij shëndetësor. Kështu, vonesa jonë në klinikë do bëjë që ne të humbasim avionin. Pas disa ditësh kureshtja e medias me siguri do të përqendrohet gjetkë.
     Secili prej nesh do t'i kthehet jetës së tij. I vetmi ndryshim nga më parë do jetë të jetuarit nën të njëjtën çati, në vilë. Ndërkohë, të gjithë do ta kenë harruar muajin tonë të mjaltit. Ne të parët. Madje, as që na shkoi ndër mend ta planifikonim.
      Nuk ma merr mendja që Xhimi t'ia dilte mbanë të lexonte mendimet e mia. Por as që e vrava mendjen për të mësuar si ia doli. Më pyeti përse nuk do ta bëja udhëtimin dhe nuk do ta konsumoja martesën time në ishujt më të bukur të Spanjës, kur dhëndri sipas tij ishte jo keq.
     Sikur ta dijë se tani edhe unë jam e pushtuar nga dilemat! Sapo kam kuptuar që shpirti im s’ka vdekur plotësisht. Zemra ime ndoshta nuk i ka mbyllur një herë e përgjithmonë dyert e saj. S'di cili është reagimi më i natyrshëm. Mos duhet të lumturohem, apo ndoshta të hidhërohem?  Sa herë kam përfshirë ndjenjat, në këmbim kam marrë vetëm telashe.
     Diçka është e sigurt dhe vetëm të jem e verbër për të mos e pranuar. Ky është shansi i fundit që po më ofron jeta. Le të kem një fizik të përsosur, pamje rrëzëllitëse, karrierë të suksesshme. Ç'do të më mbetet pas disa vitesh? Absolutisht asgjë nëse do vendos të mbyll jetën time e vetmuar. Por, jeta po tregohet bujare me mua. Ç'duhet të bëjë për ta shfrytëzuar këtë shans të fundit?
    Me, apo pa rrëzimin e sajuar nga shkallët, ne nuk do bëjmë kurrë muaj mjalti, ndërsa martesa jonë do mbetet thjesht një copëz letër. Thellësisht e trishtueshme. Duhet të sillemi sikur të jemi maninkina dhe jo dy qenie njerëzore. Por, një mendim i rrufeshëm më shkrepëtin në kokë.
     Fatjoni më sheh në sy. Se ç'ka në vështrimin e tij! Sikur edhe ai të dojë ta prishë marrëveshjen? Është gjëja që dua më shumë në botë.  Nuk mund t'ia fal vetes përsëritjen e gabimeve të dikurshme. Është Shansi i fundit që po më ofron jeta. Nëse nuk do mundem ta shfrytëzojë maksimalisht, së paku të mos e shpërdoroj.
     Por, unë nuk do kem kurrë guximin t'i them e para Fatjonit diçka që ka lidhje me ndjenjat e mia. Më mirë vdes se t'i pranojë atë që kam nisur të ndiej për të, një dashuri të thjeshtë njerëzore. Për mua ai është njeri dhe jo maninkini i marrëveshjes sonë.
     Po sikur ai vetë t'më propozojë diçka të tillë? Duhet të jem e vendosur të mos bije preh e provokimeve të tij. Nëse dikush përfshin ndjenjat, gjithçka merr fund me divorc.
     Nuk pata kohë të mbledh veten dhe ta ndaloja në kohë Fationin. Ne mund të gjenim një pretekst tjetër për ta anulluar muajin e mjaltit. Isha e sigurt për këtë. Kështu të gjithë do të mund të ishin të qetë e të mos na bezdisnin me pyetjet e tyre të pafundme, duke kërkuar shpjegim për gjithçka.
     Unë mendoja e mendoja. Çfarë nuk blova në mendjen time brenda atyre pak sekondave. Si përfundim, nuk mund të bëja absolutisht asgjë për t'i ardhur në ndihmë Fatjonit. Ky është një difekt i madh imi. Mendja më fluturon gjithandej dhe truri kurrë nuk e ndal vrullin e tij të zakonshëm. Kjo më bën të ndihem e lodhur. Po të kesh parasysh edhe orët e pakta të gjumit që bëj, e kupton se në ç'gjendje të mjeruar ndodhet truri im.
     Ndoshta për shkak të përhumbjes në mendime, apo si pasojë e emocioneve që më kanë pushtuar të tërën, nuk mund të kuptojë se  ç'ndodhi që e bëri Fatjonin të rrëshkiste nga shkallët. Secila shkallë po e godet pa mëshirë përgjatë shpinës. Sytë menjëherë po më mbushen me lotë. Nuk më vjen ndër mend as marrëveshja jonë, madje as shansi i fundit i jetës që mund të më shkasë përgjithmonë nga duart sa hap e mbyll sytë.
     Ç'do goditje që merr ai në shpinë, e ndiej sikur po më ndodh mua. Shpresoj vetëm që të mos ketë marrë ndonjë goditje në kokë. Shpejtoj pranë tij. Sytë më përloten dhe trupi më dridhet i gjithi prej ankthit. E pushtoj në krahët e mi. Ulem pranë tij dhe ia vendos menjëherë kokën në prehrin tim.
     Instiktivisht, afroj buzët dhe e puth në ballë. Ҫ’është ky idiotizëm që po bëj? Mos po e prish marrëveshjen tonë ende pa nisur? Por, tani aq më bën. Shëndeti i Fatjonit është më i rëndësishim se gjithë marrëveshjet e botës të marra së bashku. Dhe në fund të fundit, pasi të nënshkruanim martesën tonë civile, Fatjoni do të më puthte në ballë. Nuk mund të shtireshim më shumë se kaq publikisht. Mjaftonte.
     E kuptoj që ai është gjallë. Ka humbur ndjenjat. Thërras menjëherë që të vijë ndonjë mjek. As e kisha vënë re që ai sakaq ishte aty. Nuk vura re as objektivët e kamerave dhe aparateve fotografik, të cilët po shuanin urinë  mbi prenë e radhës. Për mua atë çast s'kishte rëndësi asgjë tjetër, veҫ Fatjonit.
     Një çast më vonë ishim në autoambulancë. Fatjoni, unë, mjeku i cili ishte i ftuar në dasmë dhe që siç e mësova më vonë ishte miku i tij më i mirë, si dhe mjeku i urgjencës së autoambulancës dhe dy infermiere, siç ishte planifikuar.
     Por, kjo do të ndodhte pas martesës sonë civile dhe takimit me gjithë të pranishmit. Ndërkohë që ata shijonin ushqimet e përgatitura enkas, ne do ndërronim veshjen dhe do shkonim në klinikë.
    Mamaja e Fatjonit këmbënguli për të hipur në autoambulancë, por i shoqi nuk e la. Sipas tij, më takonte mua të rrija pranë tij. E kuptova menjëherë që mund të bëheshim miq të mirë. Sytë e tij ishin të mbushur me dashamirësi. Më kujtuan sytë e babait.
     Mamaja e Fatjonit u bë edhe më e rreptë. Më pa me ca sy të egërsuar.  Në një farë mënyre unë mund të përligjjia mërinë e saj. Sapo kisha hyrë në atë shtëpi u kisha sjellë fatkeqsi.
      Instikti më thotë se nuk është vetëm kjo. Do jetë mrekulli sikur në të ardhmen të shkëmbejmë në mënyrë të qytetëruar ndonjë fjalë mirësjelljeje me njëra-tjetrën. Meqënëse do jetojmë nën të njëjtën çati,  ky përbën  problem serioz për mua. Egërsinë vjehrra ime e ardhshme le ta mbajë të gjithën për vete. Unë nuk do t’i jap kurrë shkas të më vërsulet.
     Ndoshta ishte pikërisht kjo gruaja që i tërhoqi pak më parë vëmendjen nipit tim Xhimit. Ka vërtet një pamje që dallon nga gjithë të tjerët. Por, ajo ka një kostum vishnje të stiluar prej meje.  Sidoqoftë, unë nuk besoj se Xhimi është në gjendje të kuptojë cilat veshje i kam stiluar unë dhe cilat jo. Nuk di nëse i ka interesuar ndonjëherë ky fakt.
     Ama, nuk mbaj mend qoftë edhe një rast të vetëm, në të cilin im nip të flasë pa baza. Kush e di?  Megjithëse e pashë vetëm për pak kohë fytyrën e vjerrës së ardhshme, pata përshtypjen se nuk ishte hera e parë që e shihja. Unë nuk ngatërrohem kurrë në këtë pikë. Kam një kujtesë fotografike të pagabueshme. Profesioni im ma ka skalitur çdo ditë e më shumë. Me siguri duhej ta kisha parë diku.
     Më e mira që mund të bëjë është t'i fshijë një herë e mirë nga koka  gjithë budallallëqet e pavlera, të cilat po ma bëjnë mendjen t'më vijë vërdallë.  Duhet të fokusohem te ç'ka është më e rëndësishme se gjithça dhe gjithkush tjetër. Fatjoni.
     Duket kaq i ëmbël e i pafajshëm, saqë më vjen t'i afrohem. T'i pëshpëris në vesh se duhet të bëhet mirë, për vete dhe për mua. Për realizimin e marrëveshjes sonë. Nuk kam guxim të bëjë asgjë nga këto. Rri e strukur në një cep të autoambulancës dhe dridhem e gjitha. Ajo që dëshiroj tani, me gjithë shpirt, është që ai të hapë sytë dhe të pyesë për mua.
     Më në fund ai po vjen në vete. Në autoambulancë ka kaq shumë aparatura, saqë më duket sikur jam në spital. Unë s'di të lexoj asnjërën prej tyre për të dalluar shenjat jetësore. Por, mjekët më kanë qetësuar. Fatjoni është jashtë rrezikut për jetën. Pasi hezitoj, i pyes nëse ka dëmtuar shtyllën kurrizore. Kam frikë për vdekje se mos ai paralizohet. Ata nuk më kthejnë përgjigje. Vetëm shkëmbejnë vështrime mes tyre.
     Më në fund Fatjoni foli. Ai pyeti se çfarë ndodhi. Ajo që doja ishte të qëndroja pranë tij. T'i ledhatoja flokët dhe t'i thosha se më vinte keq që gjërat nuk shkuan sipas planit. Unë kisha nisur ta urreja planin, por jo Fatjonin. Nuk doja që atij t'i ndodhte diçka e keqe. Kolegu i tij iu afrua duke i bërë një diagnozë të plotë, por të përmbledhur.
     Fatjoni nuk ankohej për dhimbje, por isha e sigurt që nuk bëhej fjalë vetëm për shembje, me siguri gjëkundi duhej t'i qenë thyer ca kocka. Rrëzimi ishte i tmerrshëm.
      Fatjoni më thirri në emër, Anjeza. Kurrë emri im s’më kishte tingëlluar aq ëmbël. Më kërkoi që të shkoja pranë tij. Nëse unë do t’i përkëdhelja flokët, siҫ e ndjeva atë ҫast, marrëveshja jonë do të prishej para se të lidhej. Unë e bëra një gabim, e putha në ballë në kohën kur ai ra nga shkallët. Mund të shfajësohesha duke thënë që e bëra për të mos ngjallur dyshime në vërtetësinë e martesës sonë.
      Këtë herë ishte ndryshe. Nëse do përsërisja të njëjtin gabim, gjithçka përfundonte në ajër. Unë nuk e dua këtë. As ai. Jam e sigurt.  E përsëri, një pjesë e mendimeve më kanë mbetur pas, në vilë. Shumë pyetje pa përgjigje.
     Do t’i shqyrtoj të gjitha me qetësi. Ky është temperamenti që e kam skalitur me vështirësi ndër vite. Nuk e lë veten të bëhem preh e debateve, situatave të disfavorshme dhe emocioneve. Aq më tepër tani. Gjithë sa duhej të bëjë është të shfrytëzojë shansin e fundit që po më ofron jeta.

KALVARI  kapitulli III



     Thonj fallco, qerpik fallco, fije flokësh fallco. Po trembem për vdekje nga mendimi që Silvi mund të më shndërrojnë në një nuse fallco.
     Por, në thelb a s'jam një nuse fallco, për aq kohë sa edhe martesa ime është e tillë? Nëse më duhet të ngërthej me patjetër ndonjë mendim pozitiv, a s'është mirë të mendoj se së paku sot pamja ime e brendshme dhe e jashtme janë në harmoni?
    Kur i sugjerova Silvit të mos më bënte një makiazh të rëndë, më tha se nuk bëhej fjalë për një makiazh të rëndë, por për një makiazh të thellë. Nuk arrija të kuptoja sadopak ndryshimin.
     Fytyra ime kishte marrë aq shumë shtresa kozmetike njëra mbi tjetrën, saqë isha lodhur dhe më në fund isha dorëzuar. Kisha ndalur numërimin. Duhej të shihesha patjetër në pasqyrë. Kush e di si isha transformuar!
     Ime motër ma ndaloi. Në fund të fundit ajo mund ta bëjë këtë. Marrëveshja jonë e dikurshme i jep asaj të drejta të plota. S'duhet të bëjë gjë tjetër, përveçse të kem besim tek ajo dhe te dashuria e saj.
     Për hir të dashurisë që ka për mua, nuk do të më kthente në palaҫo. Veҫ dashurisë, është në lojë karriera, madje edhe krenaria e saj profesionale. Sidoqoftë,  asnjëra nga këto nuk arrin të më qetësojë plotësisht.
     Po më ndihmon të vesh fustanin e bardhë. Sa frikë kam mos dukem qesharake me fustan nusërie. Në moshën time ka shumë femra që janë bërë gjyshe, ndërsa unë...
      Më ngushëllon fakti që Fatjoni këmbënguli për këtë. Të paktën s'do dukem qesharake në sytë e tij.
     Kam stiluar një fustan nusërie të thjeshtë e të këndshëm. Në material mëndafshi të bardhë, një fustan në stil sirenë, bust.
     Fustani është i shoqëruar me mëngë të gjata dhe pjesën e dekoltesë tyl.  Meqenëse nuk isha e sigurt cili material do ishte më i përshtatshëm, kam realizuar të njëjtin model në dy materiale të ndryshme, një në tyl francez dhe tjetrën në tyl spanjoll. Ende nuk e kam zgjidhur dilemën që më ka munduar javët e fundit. Cili është më i përshtatshmi?
     Sa për vellon, as që dua ta vendos, megjithëse e kam realizuar në dy modele dhe materiale të ndryshme. E para  e shkurtër, në tyl francez. Po ai tyl që kam përdorur edhe për pjesën e sipërme të fustanit. Tyli Chantilli, i cili ka të theksuar motive floreale vetëm në konture.
      Varianti i dytë është realizuar në tyl spanjoll, ka qëndisje dhe dekor floreal në gjithë sipërfaqen. Po ai tyl që kam realizuar një variant të pjesës së sipërme të fustanit. Është e gjatë, në stil pelerine. Do kombinonte më tepër sikur fustani të kishte nga pas një bisht jo shumë të theksuar. Por, druhesha mos dukesha qesharake. Nuk mund t’ia falja vetes.
     Të dyja vellot janë punuar me shumë finesë dhe nuk kanë ngarkesa të tepërta për shijen time, siҫ ndodh rëndom me vendosjen e gurëve, apo perlave. Janë ideale për t’i kombinuar me fustanin e mëndafshit, i cili është në stil minimalist dhe elegant dhe pjesën e sipërme të fustanit me po atë material si velloja.
     Silvi po këmbëngul. Sipas saj, velloja u jep nuseve një nur hyjnor. Unë kundërshtoj sërish, këtë radhë edhe më e vendosur se më parë. Mjafton të vesh një prej pjesëve të sipërme të fustanit, të vendos vathët me perla të bardha që i kam kujtim nga mamaja dhe jam gati.
     Por, Silvi më thotë diçka që më bën ta kyç gojën dhe të zhytem në mendime.  Nëse s’do ta doja vellon, nuk do ta kisha stiluar e realizuar me aq kujdes. Dhe kjo është e vërtetë. Që kur isha ҫupëlinë ëndërroja një vello të gjatë, në stil pelerinë, si ajo që kam realizuar me tyl spanjoll. Dy meshkujt që hynë në jetën time nuk më lejuan të realizoja as këtë ëndërr, as ndonjë ëndërr tjetër. Përkundrazi, ata m’i morën të gjitha dhe unë mbeta si një trup i pajetë.
     Pra, unë doja vello, përderisa ato qëndronin aty…  Silvi më këshilloi të jem e sinqertë, të paktën me veten time. Por, është kaq e vështirë! Sidomos sot. Vellon e shkurtër në tyl francez e realizova vetëm e vetëm se mos e teproja me vellon e gjatë dhe më figuarante.  Por ishte kjo e fundit që doja. E kisha dashur gjithmonë.
     E gjeta më në fund guximin t’ia pranoja Silvit dhe vetes atë që doja në të vërtetë. Ajo më ndihmoi për të veshur pjesën e sipërme të fustanit dhe më vendosi vellon. Më përgëzoi për zgjedhjen. Sipas saj, do kishte bërë të njëjtën zgjedhje.
     Mbatha këpucët e lëkurës ngjyrë bezhë me takë të lartë dhe fine. I kishte realizuar një këpucar mjeshtër, punuar plotësisht me dorë. Për mua nuk ishin thjesht këpucë, por një vepër arti.
     Pasi mposhta frikën dhe ankthin që më mbushën zemrën përgjatë orëve më të gjata të jetës sime,- kohë në të cilën isha nën kthetrat e Silvit dhe shpurës së saj, të cilët nisën punën nga thembrat e këmbëve- mora guximin të dilja para pasqyrës. Edhe sikur të kisha dalë nusja më e shëmtuar në botë, time motër nuk do ta qortoja për asgjë.
     Në fund të fundit për Fatjonin bukuria ime s'kishte pikë rëndësie. Martesa jonë ishte vetëm një marrëveshje. Asnjë nga motrat e mia nuk dinte gjë për këtë. Dhe s'kisha në plan t'ua tregoja. Ato do ma bënin jetën të pamundur me ndërhyrjet, pyetjet, sugjerimet dhe këshillat e tyre të pafundme. Kur bëheshin të katërta së bashku ishin një uragan i vërtetë.
     Më në fund para pasqyrës. Sy më sy me shëmbëlltyrën time. Silvi pret në heshtje dhe me zemër të ngrirë reagimin tim. Unë mbetem pa fjalë. Nuk është e mundur që në moshën dyzetë e pesë vjeçe të kem një pamje të tillë!
     Dukem e mrekullueshme, e magjishme. Mos ndoshta koha është kthyer pas? Zgjas duart për të prekur shëmbëllimin tim. Duket aq real. Në vend të tij shoh vetëm duart e mia. Asgjë s'është e vërtetë dhe koha s'mund të lëvizë për t'u kthyer ndokund. Unë jam këtu, tani, me trupin që më dridhet dhe me zemrën e zbrazët.
      Fatjoni, i cili pas një ore do të bëhet bashkëshorti im, është mashkulli i tretë që do të futet në jetën time. I pari më rrëmbeu pafajësinë dhe ëndrrat. I dyti më privoi një herë e mirë nga lumturia dhe shpresat. Për Fatjonin nuk ka mbetur më asgjë. As për mua.
     Silvi më fshin lotët me një delikatesë të jashtëzakonshme. Po kujdeset për kryeveprën e saj. Pres t’ia nis me një breshëri qortimesh . nuk duhet të qaj sepse prishet makiazhi.
     Për habinë time nuk më qorton. E pushtoj fort mes krahëve të mi. Ajo është motrushja ime e vogël. Njeriu më i dashur në botë. Por, mua s'mund të më ngushëllojë askush.
     I them se do doja me gjithë shpirt që mamaja të ishte aty me ne. Silvi përpiqet të më bindë që mamaja jonë është e lumtur. Shpirti i saj më në fund sot do të gjejë prehje. Ajo u nda nga kjo botë me një peng në zemër. E dinte mirë që unë s'mund të bëhesha nënë, por më këshillonte çdo ditë që të gjeja një njeri me të cilin të kaloja jetën. Vetmia ime e tmerronte.
     S'kisha dashur të flisja për një temë të tillë me askënd, as me time më, e cila ishte njeriu më i shtrenjtë dhe më i besuar për mua. Ajo e dinte më mirë se kushdo sa shumë kisha vuajtur për shkak të meshkujve. Asnjëra nga ne s'mund ta thoshte me siguri nëse kisha gabuar në zgjedhje, apo kisha qenë preh e fatit të keq.
     Mamaja nuk reshti së shpresuari se unë do gjeja një ditë dikë që të më vlerësonte e të më donte siç e meritoja. Sipas saj, megjithëse s'mund të kisha fëmijë, sërish mund të jetoja e qetë dhe e sigurt pranë tim shoqi. Ajo nuk e përdorte fjalën lumturi, sepse unë i qeshë përgjëruar të mos e shqiptonte kurrë atë fjalë në praninë time.
     Isha vetprivuar prej vitesh nga shpresa për të qenë e lumtur. Kishte qenë ekstremisht e dhimbshme. As që doja ta kujtoja atë kohë e as të dëgjoja të flitej për të.
     Por, Silvi gabon. Mamaja nuk mund të jetë e lumtur, ajo s’mund të gjejë prehje, as sot dhe as ndonjë ditë tjetër. Asaj s'kam mundur t'i fsheh kurrë asgjë. Ishte shoqja ime më e mirë.
     Zemra do t'i bëhej copë e thërrime po të mësonte se martesa ime është thjesht dhe vetëm një marrëveshje. Por, unë dua që shpirti i saj të mos trazohet nga zgjedhjet e mia.
     Tani unë s'kam më frikë nga askush, as nga Fatjoni, madje edhe sikur ai të qe mashkulli më maskara i planetit. Nëse s'arrij të fitojë asgjë nga kjo martesë, diçka është e sigurt. Unë s'kam ç'të humbas.

     Jam pranë dritares dhe po shoh jashtë. Një limuzinë e bardhë më pret poshtë pallatit. E ka dërguar Fatjoni. Luksi brenda saj më vë në mendime. Ka gjëra, të cilat i ëndërrojmë gjatë, shumë gjatë. Tepër.
     Një ditë, papritur i shohim të realizohen. Po a e di çfarë? Nuk kanë më asnjë vlerë. Ka shumë gjëra, të cilave koha ua zbeh shijen, madje ua shuan përgjithmonë.
     Vetëm hiret e mia nuk i kishte venitur koha. I isha mirënjohës fatit tim të pafat së paku për këtë. Nëse pamja ime do kishte ndryshuar në po atë mënyrë që ishte tkurrur, shëmtuar, madje gjymtuar shpirti im, me siguri që nuk do mundesha të dilja në rrugë pa tmerruar njerëzit.
     Për vilën në të cilën do zhvillohet ceremonia, di vetëm që ndodhet diku në periferi të Tiranës, asgjë më tepër. Duke folur në telefon me mbesën time Sarën, njërën prej nëntafobisteve, mësoj se tani gjithë familja ime e madhe ndodhet atje.
      Nga zëri Sara duket tepër e emocionuar. Nëse asaj i kanë pëlqyer njerëzit, vendi, ambjenti, arredimi dhe gjithçka tjetër, do të thotë se është me të vërtetë një mrekulli. Sara ka shije të rafinuara.
    Më pas vërshon një lumë i tërë me përgëzime dhe komplimenta për dhëndrin në emër të  familjes sime të madhe. Sipas tyre ishte më i miri që mund të gjendej. Edhe me porosi s’mund të bëhej më i mirë. E kishin kuptuar tashmë përse nuk ua prezantova dhëndrin më parë, sepse ata e njihnin, madje mjaft mirë.
     Silvi nuk lejoi askënd të më shihte para ceremonisë. Duhej të ishte surprizë për të gjithë. Dhe kështu do jetë. Në limuzinë jemi vetëm unë dhe shoferi. Nëse më duhet të them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, ndihem e vetmuar, për vdekje. Por, nuk është hera e parë që ndihem kështu dhe sigurisht, nuk do të jetë as e fundit. S'është aspak e lehtë ta shpërfillësh vetminë, e cila të buron ngado dhe të mbush gjithë qënien.
   Sidoqë nga brenda jam gërryer e zgavëruar, jam sërish në këmbë. Ime më thoshte shpesh se jam kockë e fortë. Unë s'e kam besuar ndonjëherë. Nuk jam aspak kockë e fortë. Jam një njeri si gjithë të tjerët. Vetëm se me mua jeta është tallur sa ka dashur dhe kur ka dashur. Më është dashur shumë mund për të qëndruar në këmbë.
      Në vend që të kaloja ditët e mia të vetmuara duke qarë, kam punuar. Kam punuar aq shumë, saqë një pjesë e mirë e njerëzve më kanë përcaktuar si një njeri që i ka shitur shpirtin djallit për të bërë karrierë dhe para. Unë thjesht kam buzëqeshur dhe u kam thënë se besoj në zot e jo në djall. Realisht unë nuk besoj më askund.
     Sikur të ekzistonte zoti diku, kisha vetëm një pyetje për t'i drejtuar. Unë s’i kisha bërë kurrë keq njeriu në jetën time. Përse atëherë ai ishte tallur me mua? Sa për shitjen e shpirtit djallit, apo kujtdo tjetër, nuk kisha si ta bëja, sepse nuk mund të shesësh diҫka që nuk e ke.
     Dy meshkujt që kishin hyrë më parë në jetën time ishin kujdesur mirë të më shkulnin zemrën vendit. Mora frymë thellë dhe u përpoqa seriozisht të largoja këto kujtime tmerrësisht të trishta nga mendja. Nëse s'mund të kisha asnjë shans për të qenë e lumtur, kisha së paku detyrë të lija veten time të qetë, së paku sot.
     Babai nuk jeton dhe unë nuk dua t'ia jap askujt privilegjin për të më shoqëruar. Im atë është i pazëvendësueshëm. Mamaja nuk u përpoq kurrë ta zëvendësonte në tridhjetë  vitet e gjatë e të vështirë të mungesës së tij. Edhe unë nuk kam përse ta zëvendësoj. Bëhet fjalë thjesht për një shoqërim, asgjë më tepër.
     Në fund të fundit ky gjest ka edhe një domethënie të veçantë. Babai i nuses ia dorëzon të bijën dhëndrit. Unë nuk po i dorëzohem Fatjonit.    Mes nesh s'ka e nuk do të ketë ndonjëherë asgjë më tepër përveç një marrëveshjeje.
     Unë nuk po i dorëzohem, as atij dhe as do t'i dorëzohesha ndokujt tjetër në jetën time. Vetëm fatit i jam dorëzuar. Ai më ka lënë pa bashkëshort, pa fëmijë, pa një familje timen.
     Mësova se ishte e kotë të rebelohesha kundër fatit. Kjo s'kishte për të më shpënë askund. Nejse, kjo nuk është koha më e përshtatshme për të menduar në këtë mënyrë. I premtova vetes se së paku sot do ta lë të qetë.
     Po kështu jam unë, ose së paku kështu më kanë shndërruar vitet. Në vend që të shijoja udhëtimin e parë me limuzinë, sillja ndër mend kalvarin e gjatë dhe të mundimshëm të jetës sime. Po tani mjaft më! Më duhet të dal prej së shkuarës, për t’u zhytur e tëra në të tashmen.          

FAMILJA             Kapitulli II



     Mblidhem shpejt e shpejt me robdishambër dhe i hap derën motrës sime të vogël, Silvit. Ajo ka duar të shkathëta dhe sy të mprehtë. Ka një bisnes të vetin. Një qendër parukerie dhe estetike në një nga zonat më të frekuentuara dhe të shtrenjta të Tiranës, te ish Blloku. Punon vetëm me pronotime, sepse klientelën që është e interesuar nuk mund ta përballojë të gjithën, megjithëse ka një staf që mua më duket relativisht i madh në numër, madje i ekzagjeruar.
     Sa herë më është lutur Silvi që të shkojë tek ajo për të bërë një trajtim të plotë! Për mua është diçka e kotë, thjesht dhe  vetëm humbje kohe. Dhe koha për mua është e çmuar. E shfrytëzoj më së miri, duke u përpjekur të mos çojë dëm asnjë sekondë.
      Por, për të qenë e sinqertë, nuk besoj se lidhet vetëm me kohën. Për mendimin tim një femër dëshiron të duket më e bukur dhe më e re nga sa është realisht për dy arsye. E para që të ndihet më mirë para pasqyrës dhe e dyta, që t’u bëjë përshtypje meshkujve në përgjithësi dhe partnerit të saj në veçanti.
     Unë nuk përfshihem në asnjërën prej dy kategorive. S’kam pikë interesi të dukem më e bukur as në sytë e mi e as në sytë e dikujt tjetër. Ndoshta është pikërisht kjo arsyeja që kur shkoj në qendrën e sime motre,- thjesht për ta takuar,- e ndiej veten të huaj .  
    Kjo e sotmja me siguri është një ditë e paharrueshme për motrën time të preferuar. Ajo ka rastin e artë të më transformojë në çfarë të dojë. Nuk kam pikën e dëshirës, por as më duket me interes të imagjinojë deri në detaje se ç’do të bëjnë me mua Silvi dhe stafi i saj. Në fakt i kisha premtuar sime motre vite më parë se do ta lija veten në dorën e saj vetëm në ditën e martesës sime. Premtimi u bë në një periudhë kur e kisha vendosur se nuk do martohesha kurrë. Jam e sigurt se edhe ajo si gjithë të tjerët nuk shpresonte më.
     Kur mora vendimin për t’u martuar, ftova katër motrat e mia të dashura në shtëpinë time dhe ua komunikova. Jam e sigurt se ishte gjëja e fundit që prisnin të dëgjonin. Asnjëra s’po fliste, madje nuk po lëshonte qoftë edhe një tingull të vetëm habie. I kisha zënë  në befasi.
     Silvi ishte e para që e mori veten pas lajmit të shumëpritur e njëherazi të papritur. Më pyeti se cila ishte dita fatlume për të.
     Mos  ishte më e natyrshme që të interesohej për dhëndrin, siç ndodh rëndom në raste të tilla? Por, mendimet e saj rrihnin diku tjetër. Ishte aq e emocionuar dhe e suprizuar nga lajmi, saqë nuk dinte në ç’mënyrë të shprehej. Ndoshta ngaqë edhe ajo njësoj si unë, i qe dorëzuar mendimit se kjo ditë nuk do vinte kurrë.
     Pak nga pak motrat e mia e morën veten nga hutimi i parë. Nisën të më përqafonin të gjitha njëherësh dhe të më bombardonin me pyetje. Flisnin të katërta njëherazi dhe secila prej tyre më kapte për supesh për të më kthyer nga vetja. E di si u ndjeva në ato çaste? Sikur pa dashje i isha afruar një foleje grerëzash dhe po më suleshin pa mëshirë. Mbrojtja ime më e mirë ishte heshtja.
     Përgjatë pjesës më të madhe të jetës sime më kishin kërkuar, këshilluar, sugjeruar, më qenë përgjëruar e mandej urdhëruar të martohesha. Më në fund unë po ua plotësoja dëshirën. Duhej të ishin të lumtura. Të paktën ato.
     Por, në vend të lumturisë, unë shihja në sytë dhe gjithë qenien e tyre një kuriozitet të pafund e të paanë. S’mund t’u vija faj. Lajmi u kishte ardhur si një rrufe në qiell të kaltër.
     S’kisha ndër mend të dilja në konferencë për shtyp. Unë do martohesha më një tetor dhe dhëndrrin do ta takonin vetëm ditën e martesës. Asnjë fjalë nuk do t’u thosha deri atë ditë për të, madje as emrin. Ato as që arrinin ta imagjinonin se ishte dikush që e njihnin të gjitha. Sidoqoftë, nuk u duhej të prisnin gjatë për ta mësuar, bëhej fjalë vetëm për njëzetë e gjashtë ditë.
     Që prej asaj dite për mua koha fluturoi. Ajo duhej të më mjaftonte patjetër për të bërë gjithë ç’kisha ndër mend. Nuk bëhet fjalë për përgatitjet rutinë të dasmës. Me to do të merrej bashkëshorti im i ardhshëm, Fatjoni. Në fund të fundit do ishte një ceremoni e thjeshtë me një rreth të ngushtë të afërmish. Ceremonia do zhvillohej në vilën gjigante të prindërve të tij. Ajo gjendej në qendër të një ferme jashtëzakonisht të madhe,- të paktën kështu më kishin thënë. Gjithë ceremonia  do niste dhe do përfundonte atje.
     Unë kisha një ide, e cila shumkujt fillimisht iu duk absurde. Doja të stiloja dhe realizoja veshjet për të gjithë të ftuarit në dasmë. E vetmja punë në të cilën unë shfaq talent, dëshirë dhe aftësi. S’munda të mos e shfrytëzojë. Kam tridhjetë e tre vjet që s’merrem me asgjë tjetër. Në këtë pikë i ngjaj sime mëje, si të isha një klon i saj.
     E gjitha filloi një mbrëmje dimri vonë. Ime më po përfundonte së qepuri një kostum, i cili i përkiste klientes së saj më të rëndësishme. Mamaja ishte rrobaqepëse dhe nga kjo punë merrte një pagë fikse mujore. Pas vdekjes së babait, ajo nisi të punonte edhe në apartamentin tonë. Njërën prej dhomave të tij e adaptoi në rrobaqepësi.
     Mamaja u kujdes pareshtur që të na ushqente ndaj kujtimit të babait  mirënjohje, respekt dhe dashuri. Të gjitha këto ai i meritonte.
     Ajo që mamaja nuk na kërkoi asnjëherë mua dhe motrave të mia ishte diçka për vete. Nuk e mbaj mend të fliste në vetën e parë. Për të ekzistonim vetëm ne, vajzat e saj. Deri në ditën e vdekjes, mamaja na kushtoi ne çdo sekondë të kohës së vet. Përditë e më tepër unë e adhuroja time më. Doja të bëhesha si ajo, në gjithçka.
     Adhurimi im nisi një natë dimri të ftohtë. Mamaja punonte deri vonë dhe mua më pëlqente të qëndroja pranë saj. Që bebe flija dhe haja shumë më pak se moshatarët e mi.
     Mamaja më kishte treguar se kjo e kishte shqetësuar atë dhe babain. Më kishin vizituar te disa mjekë pediatër. Nga të gjithë kishin marrë pak a shumë të njëjtën përgjigje. Përderisa unë s’qaja, s’grindesha dhe më kryesorja, përderisa kisha një peshë pothuajse normale, s’kishte asgjë për t’u shqetësuar.  
    Edhe ime më kishte qenë kështu në fëmijërinë e vet. Ajo ende flinte pak dhe nuk konsumonte shumë ushqim. Jam e lumtur që i kam ngjarë në më shumë se një aspekt.
     Kur e dëgjova time më të rënkonte nga dhimbjet dhe e pash të vendoste dorën mbi barkun e fryrë si tullumbac, u tremba për vdekje. Ajo më afroi pranë vetes, më përkëdheli flokët lehtë dhe u përpoq të më qetësonte, duke më thënë që s’kishte asgjë për t’u shqetësuar. Ishin dhimbjet e lindjes. Duhej të shkonim urgjentisht në maternitet.
     Ajo rimori menjëherë në dorë kostumin që ishte duke qepur. S’do dilte nga apartamenti pa e përfunduar. Vendimi dhe veprimi më absurd në botë. M’u desh ca kohë për të kuptuar domethënien e atij veprimi.  
    Ime më kishte katër fëmijë, të katërta vajza. Nga çasti në çast priste të lindte fëmijën e pestë. Dëshironim me gjithë shpirt të ishte djalë. Do t’i vendosnim  emrin e babait që kishte vdekur tre muaj më parë. Aso kohe tek ne s’kishte aparatura që bënin EKG. Gjinia e fëmijës mësohej vetëm në kohën e lindjes së tij.
     Së shpejti do të bëheshim një familje prej gjashtë personash. Gjithë të ardhurat për të mbajtur këtë familje siguroheshin nga gjilpëra dhe duart e sime mëje. Nëse ajo humbiste një kliente, për më tepër, klienten e saj më të rëndësishme, për ekonominë e familjes sonë kjo përkthehej në telashe serioze.
     Ç’është e drejta, secila nga ne vajzat merrte një pension, i cili lidhej me statusin e jetimit. Do të vazhdonim ta merrnim deri në përfundim të studimeve. Por, ime më kishte qenë e vendosur për të mos i tërhequr asnjëherë ato para. Ajo kishte hapur llogari bankare për secilën prej nesh. Sipas saj do të vinte një ditë në të cilën paratë do të na duheshin më shumë se sot.
     Por, s’ishte vetëm kjo. Atë e kishte tmerruar deri në palcë  vdekja e papritur e babait. Me siguri mendonte që po t’i ndodhte e njëjta gjë para se ne të rriteshim, të mos mbeteshim pa para.
     Për herë të parë atë natë unë ndihmova mamanë për të përfunduar kostumin. Duart më dridheshin prej emocioneve dhe frikës që më kishte mbushur zemrën. Hoqa penjtë e provës, të cilët ime më gjithmonë i përdorte me ngjyrë të ndryshme nga copa të cilën qepte. Më pas vendosa hekurin e rrobave në prizë dhe me shumë kujdes, duke vendosur një napë të lagur sipër nisa hekurosjen. Aso kohe s’kishte hekur me avull dhe unë e kisha parë që ime më vepronte gjithmonë kështu. Ajo më kishte ndjekur me sy gjithë kohës. Më pëshpëriste fjalë zemre. Fjalë aq të ëmbla, saqë askush s’mi ka thënë veҫ saj.
     Në fund mora një varëse rrobash dhe vendosa kostumin. Ishte i përsosur. Ndoshta më i bukuri që kishte qepur ndonjëherë mamaja. Sa do doja që edhe ajo të vishte diçka të tillë! Por, për momentin nuk ishte kjo gjëja më e rëndësishme. Duhej të shkonim sa më shpejt në maternitet dhe kështu bëm.
   Kur mësuam se ime më lindi vajzë, të gjitha pësuam një zhgënjim të vërtetë.  Mamaja ishte e vetmja që nuk u shqetësua për gjininë e fëmijës. Ajo as që e çonte nëpër mend ta donte një djalë më shumë se një vajzë.
     Dhjetë ditë pas lindjes së Silvit, vogëlushes së dashur dhe të ëmbël ëmë e bijë u kthyen në shtëpi. Mamaja kishte probleme shëndetësore serioze. Plaga e operacionit iu infektua. Ajo nuk lëvizte dot nga shtrati. Tezes iu desh të kthehej në shtëpinë e vet në fshat. Nuk mund të rrinte më gjatë te ne. Edhe familja e saj kishte nevojë për të.
     Nuk më hiqen nga mendja sytë e trishtuar e të përlotur të sime mëje. Nuk mund të kujdesej as për veten, jo më për pesë vajzat e saj. Kjo për të ishte e papranueshme.
     Unë, si më e madhja, thirra një mbledhje të jashtëzakonshme mes motrash. Në këtë mbledhje nuk mungoi as Silvi. Nuk doja që ajo të ndihej e diskriminuar. Në fund të fundit kjo mbledhje ishte thirrur për të gjetur një zgjidhje: Si t’i vinim sa më shumë në ndihmë mamasë.
     Pjesa më e vështirë i përkiste më të voglës. Ajo nuk duhej të qante më shumë se ç’duhej. Mamaja nuk e përballonte dot gjithë natën pa gjumë, njëkohësisht dhimbjet e shumta në trupin e saj. Dhe në fakt Silvi ishte e para që bëri pjesën e vet. Në ndryshim nga unë, ajo flinte gjatë dhe hante pa naze. Ndërsa ne, motrat e mëdha i ndamë punët mes nesh.
     Xhoana, motra ime më e madhe,- vetëm një vit më e vogël se unë,- aso kohe ishte njëmbëdhjetë vjeçe. Ajo mori në dorë  kujdesin e veçantë për Silvin. Tani ajo është mjeke psikiatre. Thotë se pasioni për profesionin e saj lindi pikërisht në kohën kur kujdesej për motrën tonë të vogël dhe mundohej të kuptonte arsyen e veprimeve të saj. Bashkëshorti i saj është gjithashtu mjek psikiatër dhe së bashku krijojnë një çift të mrekullueshëm.
     Korniza e përsosur e familjes së tyre plotësohet nga dy vajza të mrekullueshme, të cilat studiojnë për mjeksi. Fobia e dy mbesave të mia janë nëntat. Nëntafobistet janë dy binjake të jashtëzakonshme, të cilat më bëjnë të ndihem krenare që jam tezja e tyre.
     Entela, motra ime e dytë, aso kohe vetëm nëntë vjeçe e gjysmë mori përsipër gatimin. Asnjë nga ne nuk e harron gatimin e saj të parë. Kos me sheqer. Me kohën ia mori dorën dhe bëri progres në fushën e gastronomisë. Nga ne merrte gjithmonë vlerësimin maksimal.
     Por, ajo për të cilën do të shquhej Entela gjithmonë ishte se gjente mënyrën që me një buxhet shumë të vogël, të blinte përbërësit e duhur dhe bënte që familjes sonë të mos i mungonte asgjë. Sot Entela është një financiere e suksesshme, martuar me një financier po kaq të suksesshëm dhe kanë dy djem. Djemtë janë po kaq të suksesshëm sa prindrit, në mos edhe më tepër.
     Talenti i tyre qëndron në një fushë tjetër, mjeshtërinë për të shpenzuar sasi të mëdha parash në kohë rekord. Duke lënë mënjanë  dashurinë e pafund që kanë për paranë, ata janë djem të mrekullueshëm. Të komunikueshëm, gazmor, të dashur, të këndshëm, por edhe manipulues të jashtëzakonshëm. Sapo nuhasin dashuri në ajër, shpejtojnë të përfitojnë prej saj. Më i vogli, Xhimi është shumë më finok në këtë aspekt.
     Janë miqtë më të mirë të universiteteve private. Çdo vit ndërrojnë mendje në lidhje me universitetet dhe degët që studiojnë. Ndonjëherë më duket se nuk do arrijnë kurrë te diplomimi. Sa për punë, as që bëhet fjalë. Ata s’kanë kurrfarë interesi për të.
     Motra ime e tretë, aso kohe vetëm pesë vjeçe për shkak të moshës nuk mund të merrte ndonjë detyrë specifike. Ajo ishte e lirë të bënte atë që donte, pra të luante. Por, nuk ishte mosha ajo që e pengonte. Mirela ndryshon nga ne në dy aspekte: e para i mungon tërësisht iniciativa dhe e dyta, ka qenë aq e dobët në mësime, saqë me zor merte notën pesë.
     Por, ja që Mirela ka edhe disa karakteristika, të cilat mungojnë te secila prej nesh. Ajo nuk e lodh kurrë trurin me iniciativa,  planifikime, apo projekte. Është tip praktik, pozitive dhe mjaft gazmore. Mirela është një familjare e përsosur. Luan me fëmijët si të qe ende fëmijë. Ishte e vetmja që nuk e trazoi kurrë fëmijërinë për problemet dhe nevojat që kishte familja jonë. Të njëjtën gjë vijon të bëjë edhe sot.
     Sytë e tre fëmijëve të saj, dy vajza dhe një djalë, tregojnë qetësi dhe lumturi të pamatë. Bashkëshorti i Mirelës zotëron një kompani ndërtimi dhe ka të ardhura të mjaftueshme për ta bërë familjen e tij të mos i mungojë asgjë në aspektin financiar. Ime motër kujdeset për aspektet e tjera. Familja e tyre është një shembull i mikpritjes, respektit, mirëkuptimit, dashurisë dhe padyshim, lumturisë së vërtetë. Lumturia ka ndërtuar çerdhen në shtëpinë e tyre.
     Mirela dhe bashkëshorti i saj kanë karaktere shumë të kundërta. Ndonjëherë mendoj se nuk mund të gjesh dy njerëz që ndryshojnë më tepër. Por, ata e plotësojnë njëri- tjetrin në mënyrë të pabesueshme.                                
     Kunatin tim do ta përcaktoja si njeriun më të lumtur në botë. E adhuron time motër. Ajo i ka dhënë gjithçka për të cilën ka nevojë. Ai urren atë kategori femrash që e kanë mendjen te puna dhe karriera. Sipas tij, ato jo vetëm e lënë pas dore familjen, por janë gati ta braktisin përfundimisht atë. Po sipas tij, kjo është kategoria e femrave të përdala.
     Kaq do mjaftonte që të katërta  motrat ta urrenim për vdekje kunatin tonë prapanik e maskilist. Por, nuk ndodh kështu. Ai nuk e ka inatin me ne, por me botën moderne. Ndoshta duhej të kishte jetuar në ndonjë epokë tjetër.
     Kur shohim sa të lumtur e ka bërë ndër vite motrën tonë, i jemi thellësisht mirënjohës. Me ligjëratat e tij të gjata nuk mërzitemi. Prej kohësh i marim me sportivitet. Ai sjell në familjen tonë të madhe mendimin ndryshe. Le të themi se ai paraqet opozitën.
     Dhe e vogla, Silvi. Ajo është tridhjetë e tre vjeçe dhe sërish mbetet vogëlushja jonë. Përveçse si motër, ne e ndjejmë nga pak edhe si vajzë. Në fëmijërinë e saj, veç mamasë, Silvi na kishte të katërta që kujdeseshin për të. Ka gjithë arsyet e botës për ta quajtur veten të përkëdhelur nga fati. Pavarësisht kësaj, e ka një brengë të madhe. Në ndryshim nga ne, ajo nuk e njohu kurrë babain. Thotë se zemra e saj ka një zbrazëtirë, të cilën nuk mund ta mbushë askush.
     Silvi ka vetëm një vajzë. Por, pak a shumë mund të thuash se ka edhe një djalë. Bashkëshorti i saj gjithmonë ankohet se në këto kohë në Tiranë nuk gjen punë. Kur gjen punë ankohet se nuk paguhet mjaftueshëm. Kur paguhet mjaftueshëm ankohet se lodhet shumë etj. etj.
     Falënderoj fatin që motra jonë nuk vuan nga pagjumësia. Përndryshe do kishte rënë në depresion nga ankesat e tij. Por, Silvi qysh fëmijë, sapo vendoste kokën në jastëk e zinte gjumi. Me bashkëshortin që ka, kjo duhet parë si një dhuratë nga qielli.
     Bashkëshortin e Silvit nuk e kemi futur asnjëherë në kategorinë e burrave të këqij. Përveç përtacisë, nuk ka vese të tjera. Megjithëse, në këtë pikë s’mund të jem e sigurt. Duhet të ketë një arsye përse Silvi ia ka ndaluar rreptësisht të shkojë në qendrën e saj të parukerisë dhe estetikës. Sidoqoftë, nuk dua të ndalem më shumë në këtë pikë. Ime motër është aq e zonja, sa po të ketë një problem, ta zgjidhë menjëherë.
     Edhe pasi mamaja u shërua plotësisht, ne nuk hoqëm dorë nga ndarja e punëve, megjithëse ajo këmbëngulte të merej vet me gjithҫka dhe ne të studionim.      
     Detyra ime ishte të merresha me pastrimin dhe higjenizimin e shtëpisë. Detyrë që e përmbushja me shpejtësi të jashtëzakonshme. A e dini përse?
     Me zor prisja të shkoja te makina qepëse dhe t’ia nisja punës. U dashurova menjëherë pas rrobaqepësisë. Pasi mësova gjithë sa dinte mamaja, sërish ndieja nevojë të përmirësohesha. Ndoqa një shkollë mode dyvjeҫare. S’di të them në isha më e lumtur unë, apo ime më. Duke punuar së bashku, ne ndjeheshim më pranë njëra-tjetrës. Nuk linte rast pa më thënë se ishte një rrobaqepëse e thjeshtë, ndërsa unë stiliste që më priste një karrierë e ndritur.
     Për mua ajo nuk ishte as rrobaqepëse dhe as njeri i thjeshtë. Ajo ka qenë dhe do të mbetet heroina ime, idhulli im. Sa shumë e vuajta dhe vijojë ta vuaj humbjen e saj!
     Megjithëse kam katër motra të mrekullueshme, katër kunetër që më gjenden pranë sikur t’i kisha vëllezër, katër nipër dhe katër mbesa që i adhuroj, asnjë prej tyre s’mund të më largojë vetminë. Humbja e mamasë më ka bërë ta ndjej vetminë deri në palcë. Më mungon kaq shumë! Dhe sikur të mos mjaftonte, unë vijoj të jetoj në shtëpinë tonë të vjetër. Ҫdo objekt sikur ka gojë dhe më kujton mamanë, sikur kishte shpirt dhe tani s’e ka më. Mamaja ishte shpirti i kësaj shtëpie. Prej dy vitesh kjo shtëpi ka reshtur së paturi jetë.
     Kështu, unë arrita të bëja një analizë të plotë të familjes sime, ndërkohë që Silvi dhe shpura e saj më sulmojnë me qëllimin e vetëm për t’më tjetërsuar.

Elda Gjini
2018



KERKESE PER DIVORC      Kapitulli I


     Me lumturinë jam përpjekur dëshpërimisht  të takohem shumë vite më parë. Ia them pareshtur vetes, se rrugët tona qysh atëherë u ndanë përgjithmonë.
     Së paku, unë isha gati të bëja kërkesën time zyrtare për divorc. S’di nëse lumturia do firmoste pa u përpjekur të kalonim përmes ndonjë seance të panevojshme pajtimi. Nëse s’firmoste menjëherë, mund të kishte një të papritur të madhe. Shpirti im, i cili ndodhej në agoni,  mund të vdiste nga dhimbja para përfundimit të të gjithë burokracirave në procedura të stërzgjatura.
     Prej  kohës që pranova se jeta ime s’kishte më gjasa të ishte e lumtur, gjithҫka ka qenë shumë më e thjeshtë. Reshta së thururi ëndrra, të cilat më pas do të ktheheshin të gjitha në zhgënjime.
     Martesa ime, e cila do të celebrohet sot, nuk më emocionon aspak. Ajo është thjesht dhe vetëm një marrëveshje. Si në gjithë marrëveshjet e kësaj bote, është detajuar me shumë kujdes përfitimi i dyanshëm. Jam plotësisht e sigurt se do funksionojë. Nëse ka sadopak skepticizëm, jam gati ta zhduk sakaq nga horizonti.
     Më në fund jam e sigurt për hapin që po hedh. Jam duke kthyer plotësisht fletën e jetës sime. Po hap një kapitull të ri. Më e bukura e gjithë kësaj është se nuk ka më të papritura. E ardhmja ime qysh sot do të jetë e qetë dhe e sigurt. E ҫ’mund t’i kërkojë më tepër fatit? Asgjë. Kam shumë kohë që nuk i kërkoj asgjë. Po prej kaq kohe as e falënderojë për gjësend. Sot do ta thyej heshtjen mes nesh. Do ta falënderojë që pikërisht atëherë kur nuk shpresoja më se jeta ime do të ndryshonte, thjesht ndodhi. Ndryshoi.
     Duke bërë një banjë të ngrohtë, sjell ndër mend gjithë sa duhet të bëjë sot. Kjo është mënyra si e nis ditën, me qetësi. Gjithçka e planifikoj deri në detaje. Më pas i vihem me mish e me shpirt zbatimit. Nëse është diçka që e urrej me gjithë shpirt, kjo është rastësia. Vetëm planifikimi i mirë dhe realizimi deri në detaje më jep ndjesinë e kontrollit të plotë mbi jetën time.
     Nuk kam arsye për ta fshehur moshën, madje s’e kam bërë kurrë diçka të tillë. Jam dyzetë e pesë vjeçe, por shumica e njerëzve nuk më përcaktojnë kurrë më shumë se tridhjetë, apo maksimumi tridhjetë e pesë.
      Më ka ardhur në majë të hundës që njerëzit nuk i vënë re vitet e mia. Nga brenda ndihem e kërrusur prej peshës së tyre. Dhe është plotësisht e vërtetë. Unë s’gënjej kurrë, aq më tepër në këtë aspekt, i cili për mua është fare i parëndësishëm. Pamja e jashtme s’më ka sjellë kurrë dobi, vetëm telashe. Nejse, këtë nuk dua ta kujtoj. Sidomos tani.
     Jam përpjekur gjatë të lë pas kujtimet e hidhura dhe të dhimbshme në të shkuarën, së bashku me ëndrra të tjera romantike vajzërore. Që të gjitha gjepura. Dhe ta mendosh se dikur i çmoja si gjënë më të bukur dhe më të rëndësishme në botë. Mendoja se pamja do t’më ndihmonte për të gjetur dikë që të më donte për gjithë jetën dhe do jetonim të lumtur.
     Kam ndryshuar aq shumë me kohën, saqë ndonjëherë mendoj se jam bërë tjetër njeri. Dikur me kokën mes reve, ndërsa sot me këmbë në tokë.
     Po të mos kishte qenë për zilen e derës, kush e di sa do më zgjaste përhumbja në mendime! Sidoqoftë, në ditën time të dasmës mund t’ia falja vetes ndonjë udhëtim jonostalgjik në të shkuarën, apo ndonjë udhëtim joromantik në të ardhmen. Mjaft të mos devijojë programin e vendosur me shumë kujdes dhe përpikmëri. Të paktën kësaj radhe mund të jem më pak e rreptë me veten.

Elda Gjini
2018
 

Sunday, January 28, 2018

KOHA SHERON CDO PLAGE

    A shëron koha çdo plagë? Po. Por duhet të kesh parasysh, që bëhet fjalë për plagët e trupit.
   Po plagët e shpirtit? Ato i fashon. Nga jasht duket sikur gjithçka e ke nën kontroll. Dhe nis të shpresosh seriozisht në shërimin e tyre.
    Atëherë ti u jep plotësisht të drejtë personave të tu të afërt, njerëzve të tu të dashur. A nuk të thanë se  gjithë sa ke nevojë është koha?
    Por, sapo merr një tjetër goditje nga jeta, ndjen fashat të të shkëputen prej plagës. Dhe plaga s’ka kurrëfarë përmirësimi, përkundrazi, kupton që po gangrenizohet.
    Më në fund pajtohesh me të vërtetën, ajo s’do shërohet kurrë. Dhe s'ke më kurrfarë shprese se në jetën tënde do të ketë një të ardhme të qetë. Ajo do të jetë gjithmonë aty, e fjetur, por e gatshme për t'u zgjuar rast e pa rast. Gati për të të trazuar kohë e pa kohë.
     Atëherë pyet veten, mos vallë kjo po të ndodh vetëm ty? Sheh në sy personat e tu të afërt, njerëzit e tu të dashur. Vallë, si ia kanë dalë!?
    Por, në sytë e tyre njeh reflektimin e së njëjtës plagë shpirti, të gangrenizuar prej kohësh.
     Të vjen të ulërish. Deri tani s'e kishe vënë re. Përse të gënjyen!? Përse të thanë se koha shëron çdo plagë!?
    Të mjafton vetëm pak reflektim për t’i kuptuar. Gjithë sa donin të të jepnin, nuk ishte shpresë e kotë, por kohë.
    Jo kohë për të shëruar plagët, por kohë për t’u mësuar të jetosh bashkë me to.
    Në këtë simbiozë të stisur, ti kupton se në jetë nuk të plakin dhe kërrusin vitet, por plagët e shpirtit.
    Mizorisht dhe pandalshmërisht, na kujtojnë gjithë sa kemi humbur, apo gjithë sa nuk patëm kurrë në jetë.
 
 

Thursday, January 25, 2018

TRAJNUESJA


    Përsëri trajnim.
     Zgjohem më herët. Merem një copëz herë me planfikimin e asaj që duhet të bëj para se të iki në punë. Asnjëherë nuk veproj kuturu, sepse do të thotë të shpërdoroj kohën,por unë s'e kam këtë luks.
    Vendos rrobat në lavatriçe me programin më të shkurtër. Menjëherë nis të përgatis drekën, tasqebap dhe pilaf. Laj enët, të cilat në darkë i kam ngjeshur pa kujdes në lavaman. Dhe mirë bëra.  Përralla që u tregova vajzave para gjumit dhe bisedat e sinqerta me to ishin më të rëndësishme se larja e enëve.
    Heq pilafin nga zjarri. Pastroj atletet gjithë baltë të vajzave. Zakonisht i pastroj pasditeve, por dje vajza e vogël m'u lut të luaja me to dhe unë s'pata zemër t'ia prishja. Së fundmi  kam kaluar shumë pak kohë me vajzat.
    Më kujtohet që vajza e madhe më ka kërkuar të paktën tri herë biskota dhe  unë akoma s'ia kam bërë. Do i përgatisja dje pas dreke, por im shoq m'u ankua se gjej kohë për gjithçka, përveçse për të. I harrova biskotat dhe u vesha shpejt e shpejt. Dolëm për një kafe, ndërkohë që vajzat bënin mësimet.
     Shoh orën. Nëse nxitoj mund t'ia dal. Duke ngjeshur brumin, mendoj sa punë  më kanë mbetur ende.
    Sapo fus biskotat në furrë, mar ujitësen. Të gjitha lulet qëndrojnë kokëulur, sikur përgjërohen për ujë.  Njëra prej vazove ka lule më të bukura. Do t'ia çoj mamasë. Vëllai më tha që kohët e fundit ka qenë e trishtuar. Duhet të gjejë kohë dhe të shkoj më dendur. Ajo ka nevojë për mua.
     Tani jam te puna më e vështirë e mëngjesit. Zgjimi i bashkëshortit dhe vajzave. Sa herë u prish gjumin, më duket sikur mëkatoj.
     Nis e lumtur të përgatis tost për të marë vajzat në shkollë dhe unë në punë. Sot jam me fat. Im shoq zgjohet me thirrjen e parë. Edhe mëngjesin do ta përgatisë ai si rrallëherë. Heq biskotat nga furra dhe vrapoj të nder rrobat.
    Shpejtoj të ha mëngjes, por si gjithmonë veza e zier më ngec në fyt. Kështu ndodh kur do ta heqësh qafësh me dy kafshata. Vajza e madhe i ka paraprirë situatës, ndaj  më zgjat gotën me ujë që e ka mbushur qysh më parë.
    Heq tasqebapin nga zjarri dhe shpejtoj të lajë dhëmbët e të bëhem gati. Sot pas pune kam trajnim. Duhet t'i kushtojë më tepër vëmendje pamjes sime.
    Por, vajza e vogël më lutet t'ia bëj flokët gërsheta. Si gjithmonë, harroj veten dhe shpejtoj t'i plotësoj dëshirën.
     Në ato shumë pak minuta që më kanë mbetur për vete, mundohem të bëjë më të mirën e mundshme. Krihem, vesh pantallonat, pallton dhe bëj një tualet të shpejtë.
    Parfumos flokët, që në punë të mos e kuptojnë si zakonisht menunë time të drekës. Por, me sa duket është një tentativë e dështuar. Bleva parfumin më të lirë në market dhe ai në vend që të mbulojë aromën e tasqebapit, i shton atij edhe aromën e alkoolit. Ngushëlloj veten me një shaka pa kripë: Të paktën tani menuja është e plotë.
      Ulem në sediljen e makinës, më duket mrekulli që jam sërish në orar. Më duhet t'i them si zakonisht vetes me qesëndi "Marshallah!" për të mos e marë më sysh.
    Në punë më del shkuma. Tostin që kam marë me vete as që gjej kohë  ta hap. Kush e di në ç'orë do ha!
    Trajnuesja është me vonesë. Gjysmë ore. Sikur të kisha ngrënë para se të vija! Por ku ta dija se do vonohej. Shumë shpejt do t'më nisë dhimbja e stomakut. Është e padurueshme. Por s'ka faj. Veza e zier ka kohë që është tretur.
    Nis trajnimi, si zakonisht me videoprojektor. Në sallë janë të pranishme disa televizione. Trajnimi është i një rëndësie të veçantë. Edhe unë i kam kushtuar vëmendjen e duhur. Mbrëmë, pasi im shoq fjeti, mora celularin dhe hulumtova në internet mbi temën që do trajnohesha. Lexova derisa u përgjuma dhe celulari më ra nga dora.
     Hap bllokun dhe mar stilolapsin. Gati për të shkruar. Jam ulur si zakonisht në radhën e parë. Qëndroj pjesën më të madhe të kohës kokëulur, sepse kam zët të dal ekraneve. Ulen në radhën e parë, sepse dua të përfitoj maksimumin nga trajnimi.  Televizionet  nuk ikin si zakonish, por qëndrojnë deri në fund. Çudi!
    Trajnimi qe i gjatë dhe kur shkova në shtëpi ishte natë. Nuk dija nga t'ia nisja me punët.
    Vajzat donin ndihmë për detyrat. Im shoq si zakonisht kërkonte të mos e lija pas dore. Më sugjeroi si përherë të ndërroja punë. S'kishte problem se paga do  ishte më e ulët, së paku nuk do më duhej të vija natën nga trajnimet dhe do kaloja më shumë kohë me të.
    Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, të nesërmen, në të gjitha rrjetet sociale ishte një video e bllokut tim të shënimeve. Aty s'kishte asnjë fjalë, vetëm vizatime, sipas gjithë faqeve që e kishin shpërndarë  pa asnjë idhje me temën e trajnimit. Komentet shoqëruese ishin të tmerrshme. E përgjithshmja: Në poste të rëndësishme vendosen njerëz të paaftë. Emërimet janë politike; Vendet e punës fitohen në këmbim të ndereve seksuale me eprorët.
    Unë nuk jam e paaftë. Vendin e punës e kam fituar me konkurs dhe kurrë në jetën time nuk jam marrë me politikë, as kam ndër mend të merrem. Sa për ato nderet e tjera... mjaft që nderoj tim shoq.
    Im shoq më sheh me qortim. Është fat që s'kanë nxjerrë edhe fytyrën time bashkë me bllokun dhe dorën vizatuese. Ai do patjetër t'i japi të drejtë vetes. Jam e lodhur, e mbingarkuar. Duhet që urgjentisht të ndërroj punë.
    Nuk i kthej përgjigje. Kam aq vjet që punoj dhe kualifikohem për të marrë këtë detyrë. Mos duhet të tërhiqem pikërisht tani që ia kam dalë? Është ende mëngjes dhe s'dua ta nis ditën duke u grindur me tim shoq.
    Sapo shkoj në punë, i them sekretares se nuk jam për askënd. Për herë të parë mbyll derën me çelës nga brenda dhe nis të qajë me dënesë. Kjo punë po më sfilit, po më merr shpirtin, po unë s'i jam ankuar askujt, as tim shoqi. Sidomos atij. Kam egon time dhe s'mund ta shkel vetëm e vetëm se ndihem e lodhur.
    Ndez komputerin, por nuk jam në gjendje të punoj. Marr telefonin dhe shfletoj rrjetet sociale. Blloku im po thyen çdo rekord në shikueshmëri, komente e shpërndarje. Sipas gjasave, shumë shpejt mund të bëhet edhe lidhja mes bllokut dhe të zonjës...
      Ndalem te vizatimet në bllokun tim të shënimeve. Gjithë rrjetet sociale i kanë etiketuar si të një fëmije parashkollor, madje kanë bërë edhe intetpretime pafund. Por, as që i qenë afruar së vërtetës: Dy flamujt  janë çizmet e trajnueses. Unë nuk kam dorë në vizatim, ama i kam paraqitur saktë. I adhuroj çizmet me taka të larta, por nuk mund t'i vesh sepse lodhja e tepërt më shkakton dhimbje shpine.
      Drejtëkëndëshi është fundi i trajnueses. Edhe fundet i adhuroj, por vesh pantallona për t'u ndjerë më lirshëm në punë.
     Pikat e shiut, janë qimet në peliçen origjinale të trajnueses. Është hera e parë që shoh nga kaq pranë një peliçe origjinale. Sa për të pasur një të tillë, s'jam orvatur ndonjëherë të ëndërroj.
       Tri trekëndorët janë përkatësisht vathët dhe varsja e trajnueses.  Edhe unë kam një set të ngjashëm, por në mëngjes nuk gjej kohë për t'i vendosur.
     Rrethi i kuq nuk është dielli,  siç komentuan shumica, por unaza e trajnueses me gurë rubin. E kam ëndërruar një të tillë, por kurrë s'më kanë  tepruar para për ta blerë.
     Spiralet nuk janë susta, por ondet në flokët e trajnueses. E kam ëndërr t'i bëjë flokët si ajo. Vet nuk mund t'i realizojë, ndërsa te parukierja nuk mbajë mend sa kohë kam që nuk shkoj.
    Ato vijat e drejta nuk janë segmente, por peneli në sytë e trajnueses. Unë nuk kam mundur ta bëjë kurrë  bukur. Jam gjithmonë aq e lodhur dhe me ngut, saqë duart më dridhen.
    Ylli, nuk tregon aspak se  jam pasardhëse e komunistëve, siç u komentua në gjithandej. Ylli do të thotë se trajnuesja është yll. Një model për t'u ndjekur  jo vetëm nga unë, por nga çdo femër.
    E pra, të gjthë gabojnë. Unë isha shumë e vëmendshme në trajnim, nuk humba asnjë detaj nga trajnuesja.
    Por askush nuk më pyeti: Përse në katër orë trajnim nuk shkrove asnjë radhë, asnjë fjalë?
    Përgjigja është fare e thjeshtë. Në katër orë trajnim, trajnuesja nuk tha asgjë që ia vlente për t'u shkruar në bllokun tim të shënimeve.

Tuesday, January 23, 2018

TREGETARE ENDRRASH

    Na dogji malli e nderuar!
    Megjthëse shihemi rregullisht çdo katër vjet, unë pafundësisht shpresoj se një ditë gjithë kjo rregullsi absurde do ndryshojë. Kam çerekshekulli që pres, por  nuk ndodh.
    Ti vjen te ne, pikërisht në ditët më të vështira të jetës tënde. Një herë në katër vjet jemi Zoti. S’po e ekzagjerojë!  Përderisa shkruajmë fatin tënd e meritojmë këtë përcaktim. 
     Jam gati të mbledhë sërish e sërish turmën e njerëzve dhe të ta shtrojë nën këmbë, duke nisur nga vetja. 
    Unë nuk jam prijësi i turmës,  Zoti mos e dhëntë kurrë të shtirem si më i zgjuari. Unë jam më i devotshmi, më naivi, më ëndërrimtari.
    A e mban mend kur u takuam për herë të parë? Mua më kujtohet si të kishte ndodhur dje. Ti ishe një vajzë e re, e ëmbël, e qeshur, me ato gropëzat e faqeve që ta shtonin hijeshinë.  Shtatlartë, me trupin e drejtë dhe vështrimin krenar. Plot vullnet për të ndryshuar botën.
    Nuk ishte hera e parë që shihja një vajzë të bukur. Edhe në fshat ka pasur dhe ka të tilla. Sa e sa herë më kanë bërë të ëndërrojë  me sy hapur!
    Unë u magjepsa nga fjalët e tua. Në sajin tënd ëndërrova, jo si zakonisht për t’u ndukur qosheve, si me vajzat e tjera. 
    Për mua ti ishe Perëndeshë, që jo vetëm më bëre të ëndërroja, por edhe të shpresoja në realizimin e dëshirave të mia.
    Pas çerekshekulli jam përsëri përballë teje. Këtë herë virtualisht. Ti ke sërish atë   magjepsje vajzërore, po ato premtime që më hipnotizojnë, sikur koha për ty të ishte ndalur. Edhe unë kam po ato ëndrra. 
     Por, tani nuk jam më ai çunaku çapkën dhe i shpenguar, plot besim te e ardhmja. Jam një kryefamiljar i dështuar. Vajzën e dërgova te bashkëshorti, pa i bërë dasmë dhe pa veshur fustanin e bardhë të nusërisë. Djalin e kam në emigracion, megjithëse mbaroi gjimnazin shkëlqyeshëm, nuk munda ta çojë në universitet. Ndërsa ime shoqe ha vetëm përshesh. Nuk kam para t’i vendos proteza. 
     Jam bërë bjond, nuk njihem më. S’më ka thinjur mosha. Ne jemi moshatarë.
    Çmallem kur të shoh përmes ekranit të televizorit e nderuar,  sa herë të dëgjojë duke folur për platforma të reja për të më realizuar ëndrrat e vjetra. 
    Të shoh dhe trishtohem kur mendoj se ndoshta nuk do shihemi më, kurrë më. Kam probleme serioze me shëndetin dhe ndoshta nuk do jetojë mjaftueshëm për t’u parë edhe një herë të fundit.
     Por, ti mos u trishto e nderuar! Edhe në varr do marr me vete imazhin tënd, duke i tregëtuar ëndrrat në paketë. 
    Por, trishtohem kur mendojë se nuk do të të të kujtohet fytyra ime. Ka shumë fytyra të ngjashme, që të kanë paguar me çerekshekulli nga jeta e tyre.

Friday, January 19, 2018

DORE  PER  DORE

    Sot çova tim bir në shkollë. Ndodh aq rrallë, saqë të dy e përjetojmë si diçka shumë të rëndësishme.
    Më duhet të dalë para tij nga shtëpia për të arritur orarin në punë, ndaj jam e privuar nga kjo kënaqësi në dukje e vogël, por që është në të vërtetë shumë e rëndësishme për mua.
    Kam hedhur në supin tim të djathtë shkujdesur çantën e tij të madhe e të rëndë dhe timen, shumë më të vogël dhe të lehtë.
    Duke më shtërnguar dorën e majtë me dorën e tij të djathtë më ekuilibron këndshëm peshën që kam në supin tjetër. Jam e lumtur.
    Më tregon për mësuesen, për shokët, mësimet dhe lojrat. Por, nuk harron t’i rikthehet asaj që më ka thënë disa herë. Kënaqësisë që ndjen ngaqë sot po e çoj në shkollë. Edhe unë nuk lë rast pa i shprehur ndjenjat e mia. Jam shumë e lumtur që po e nisim ditën bashkë.
     Më ka mbetur ende peng në zemër, që nuk ishim bashkë në ditën e parë të shkollës, në klasën e parë. Jeta është e mbushur me kaq shumë pengje të vogla, por që kur bëhen së bashku formojnë një peng të madh. S’mund t’i shijojmë gjithë çastet e bukura dhe të rëndësishme me fëmijët tanë.
    Papritur, im bir më lëshoi dorën dhe e futi në xhep.
    -Përse e hoqe dorën zemër!?
    -Kam ftohtë ma... E futa në xhep.
    Hodha sytë përpara. Atje tej rruga kishte njerëz. Dhe nuk ishte në të vërtetë ftohtë sa ç’thoshte im bir.
    -Kur kishe ftohtë, përse nuk e fute dorën në xhep sapo dolëm nga shtëpia?
    Ai nuk më ktheu përgjigje. I kërkova t’më shihte në sy dhe të ishte i sinqertë me mua.
    -Unë të dua shumë ma. Më pëlqen shumë të rrimë dorë për dorë, por nuk dua t’më shohin shokët...
    U sforcova për të mbajtur lotët që më mbushën sytë. Im bir sapo ka nisur klasën e tretë.
    Unë kam shpenzuar aq shumë kohë dhe energji me përpjekjet e mia shpesh të parakohshme për ta rritur dhe bërë të pavarur. Një zinxhir i gjatë me përpjekje dhe arritje të lumtura: të buzëqeshte, të afrohej me njerëzit, të belbëzonte, të ecte, të fliste, të pinte me gotë, të shkonte në tualet, të lante dhëmbët, të mësohej me përralla para gjumit, të vizatonte, të shkruante, të vishej vet, të flinte në dhomën e tij, të bënte dush, të notonte...
    Atëherë, përse vallë nuk u lumturova kur ai shkëputi dorën prej meje? Përse ndjeva një shtërngim të beftë në zemër? Përse më vjen të qajë me dënesë?
    Unë thjesht duhet të jem e lumtur që ai është rritur, apo së paku ndihet i tillë.  Im bir është mish nga mishi im, gjak nga gjaku im, shpirt nga shpirti im. Por, ai nuk është unë. Unë e di mirë këtë.
    Mar frymë thellë dhe e shoh tim bir drejt e në sy.
    -Çfarë tjetër nuk duhet të bëjë më shpirti im?
    -Nuk duhet t’më puthësh para shkollës.
    Kishim mbërritur para shkollës. Nuk mund ta përqafoja, as ta puthja, madje as t’i shtërngoja dorën të voglit tim.
    I dhashë çantën dhe i thashë se e doja shumë. Edhe ai më tha të njëjtën gjë, me tonin e zërit më të ulët.



   
KUR HUMB NËNËN

    Kur humb nënën i harron gjithë ëndërrat e mëparshme, gjithë dëshirat, madje edhe nevojat.
    Gjithçka që tani ëndërron, dëshiron dhe të nevojitet është një përqafim i saj.
    Dhe ndjen një vetmi të paprovuar më parë, edhe pse ke mjaftueshëm njerëz të afërm e të dashur.
    Ndjen veten të vogël, fare të vogël, pavarësisht moshës që ke.
    Je plot pengje karshi saj, paçka se je përpjekur pafund që ta bëje të lumtur.
    Ndihesh bosh, megjithëse përpiqesh seriozisht për të mbushur  ditën dhe jetën tënde.
    S’ka pikë rëndësie se në ç’ngjyrë janë rrobat që vesh, në trurin tënd perceptohen të zeza.
    Do t’u japësh dashuri njerëzve të dashur, por thjesht nuk mundesh. Je kthyer në një njeri të mpirë dhe s’e ke idenë sa mund të zgjasë.
    Në morinë e festave, qofshin ato madje festat e fundvitit dhe mer dhurata pa fund, nuk të bëjnë punë.
    Kur humb nënën, gjithë sa ke nevojë  është vetëm një përqafim i saj.

Elda Gjini
2017
  PUSHIME FALAS

     Sapo u celebrua martesa jonë civile, mora mbiemrin e bashkëshortit dhe pashmangshmërisht më priste një jetë e re, kryekëput e ndryshme nga e mëparshmja.
   Kur avioni i vogël turistik u shkëput nga toka, fillimisht përjetova ankthin e fluturimit për herë të parë, më pas shkëputjen nga jeta e mëparshme. Do doja të ishim gjithmonë kaq të lumtur. Po shkonim në Antalia për muaj mjalti.
   Më dukej si ëndërr. Sikur të isha duke jetuar një jetë që s’ishte imja. Kisha arritur shumë më tepër nga sa  ëndërroja.
    Brenda vitit isha diplomuar, nisa punë, isha dashuruar, martuar, madje ishim duke pritur edhe një fëmijë. S’mund të mos isha e lumtur dhe t’i isha mirënjohëse fatit  për gjithë zemërgjerësinë e treguar ndaj meje.
    E shtrirë në krevatin e plazhit, isha buzë pishinës, duke marë rrezet e para të diellit e njëkohësisht shijoja ambjentet e mrekullueshme të kompleksit turistik me pesë yje. Çdo gjë e mrekullueshme. Sidomos ushqimi. Isha dashuruar menjëherë me kuzhinën turke.
    E kishim dashur shumë këtë udhëtim, muajin tonë të mjaltit. Më saktë javën e mjaltit. Me paratë që kishim vetëm kaq mund të paguanim.
    Ndërsa nga një dasmë e vërtetë me fustanin e bardhë të nusërisë që kisha ëndërruar qysh fëmijë, me tortën gjigante dhe gjithë të tjerat që janë të domosdoshme në një rast të tillë kisha hequr dorë përfundimisht.
    Vendosa dorën mbi bark, për të ledhatuar gjënë tonë më të shtrenjtë. Të tjerat s’kishin kurrfarë rëndësie. Im shoq që po më ndiqte me sy më buzëqeshi. Ai me zor priste që barku im të fryhej si  tullumbac dhe fëmija t’i gjuante me shkelma sapo të vendoste dorën mbi të.
    Ai e adhuron detin. Po priste të vinte dikush tjetër, për të mos qenë vetëm.  Ishim një grup jo i vogël nga Shqipëria. Sa për mua, as që bëhej fjalë të hyja në ujë para mesditës.
    Sapo dëgjoi të flitej shqip u çua me vrik nga krevati i plazhit. Ishte një familje e mrekullueshme prej katër anëtarësh.
    Por, tim shoqi i shkoi huq. Çifti i ri i bashkëshortëve, të cilët mbanin secili nga një aparat fotografik profesional në dorë, menjëherë pasi na  përshëndetën nisën njëkohësisht të fotografonin djemtë e tyre. Po i shihja me vëmendje. Edhe mua më pëlqejnë fotot, i adhuroj, por pamja që kisha përballë më vriste sytë.
    Djemtë, që për hir të së vërtetës duhet të them se ngjanin si dy yje, vetëm pozonin, ndërsa prindërit e tyre vetëm i fotografonin pareshtur. Asnje tablo familjare. Përse?
    Im shoq e kapi hutimin tim dhe m’u afrua duke më pëshpëritur.
    -Pushimet e tyre dyjavore janë falas. Gjithçka e paguar nga kompleksi turistik. Dy djemtë kanë një blog me shumë ndjekës. Detyra e tyre është të reklamojnë çdo ambjent të këtij vendi.
    Pas pak të dy djemtë u zhytën në pishinë. Me siguri uji ishte shumë i ftohtë. Dielli sapo kishte lindur. E pash tim shoq në sy. Djemtë po dridheshin nga uji i akullt, ndërsa prindërit e tyre, në vend që t’u jepnin urdhër të dilnin menjëherë nga pishina dhe t’i mblidhnin mirë me robdishambër që të mos ftoheshin, i nxisnin për të pozuar.
    -Lindja dhe perëndimi i diellit është koha më e mirë për të bërë foto. Ka ndriçim fantastik,- më përshpëriti im shoq.
    U ktheva përmbys në krevatin e plazhit. Nuk duroja ta shihja atë pamje më gjatë. Po më dhembnin sytë. M’u kujtuan kohët kur puna e fëmijëve shfrytëzohej në miniera. Kishin ndryshuar vetëm format, thelbi ishte po ai. Shfrytëzimi.
    Im shoq u dorëzua duke pritur dikë si vetja, të marrosur pas detit dhe të gatshëm në çdo kohë për not. Para se të nisej më pëshpëriti duke çuar buzët vesh më vesh nga e qeshura.
    -Mos rri shumë përmbys e dashur! Mund t’i shtrembërohet ndonjë pjesë e trupit fëmijës dhe ne nuk mund të përfitojmë kurrë pushime falas.






    NOTI

   Fëmijët i gjetëm duke luajtur në parkun e lojrave. Sapo panë të atin fluturuan drejt tij dhe i mbërthyen duart përreth qafës, si të ishin unaza metalike. Mamaja më pa me keqardhje. Kisha dhjetë vjet e martuar dhe e takoja tim shoq vetëm dy herë në vit. Për festat e fundvitit dhe në muajin gusht. Ndihesha e dërrmuar nga lodhja dhe nga tallazet e vazhdueshme të jetës.  
   Para martese im shoq kishte marrë një kredi të madhe në bankë, për të hapur një bisnes të fuqishëm. Bisnesi falimentoi posa u hap. Ajo që na mbeti ishte vetëm kredia bankare. Pikërisht atëherë mësova se kisha mbetur shtatzënë. Në kohën më të papërshtatshme.
   U martuam shpejt e shpejt. Më pas im shoq u largua për në Itali. Një shok i kishte gjetur punë atje. Unë kalova periudhën e shtatëzënisë dhe gjthë këto vite në shtëpinë e prindërve. Sa shumë dhimbje ndiej kur jeta më kalon para syve dhe nuk shoh aty tim shoq...
   Më pas fëmijët më përqafuan edhe mua. Sigurisht të dytën, të atin kishin pesë muaj pa e parë, mua vetëm një orë. Aq sa m’u desh për ta pritur në Portin e Durrësit dhe për t’u rikthyer në hotel ku po kalonim pushimet. Unë nuk isha bërë barrë vetëm për prindërit, por edhe për tim vëlla, i cili kishte paguar veҫ të tjerave edhe pushimet tona.
   Gjithë këto vite s’kisha bërë asgjë tjetër veҫse isha kujdesur për fëmjët e mi, për fëmjët e tim vëllai dhe punët e shtëpisë. Të meresha me lulet ishte një terapi shlodhëse për mua, ndaj nuk e quaja punë. Sikur të mos jetonim në vilën e bukur me kopësht, do të më dukej vetja e burgosur.  
    Pas disa minutash im shoq ishte në pishinë me djemtë. Ata e donin ujin dhe nuk dilnin prej tij pa iu regjur mirë e mirë lëkura. I madhi nuk dinte not, ndaj dhe qëndronin të dy në pishinën për fëmijë. Nëse vogëlushi do notonte në pishinën e të rriturve, kush e di ҫ’do ndodhte me vetvlerësimin e djalit të madh.
     -Unë nuk dal prej asaj pishine pa i mësuar tim biri notin,- më pëshpëriti im shoq i vendosur. Në fillim e perceptova si sfidë. Unë nuk ia kisha dalë. Por, kur i qetësova dhe qartësova mendimet, m’u duk gjëja më e bukur në botë.
     Mori dy djemtë në pishinën e të rriturve. I madhi më pa me krenari, s’e kisha parë kurrë atë shkëlqim në sytë e tij. Mbante vënë krahët e gomës që e ndihmonin të qëndronte mbi ujë. Ai nuk ndihej mirë vetëm se po hynte në pishinën e të rriturve. Gjithsecili prej nesh, po të kthehet pas në kohë, do kujtojë se me zor ka pritur për të hyrë në botën e të rriturve. Për të mos folur për figurën atërore që të jep ndjesinë e mbrojtjes dhe sigurisë.
     S’di të them sa herë i ranë pishinës kryq e tërthor. Ndërsa unë ngazëllehesha duke i parë të tre së bashku. Isha gati të lidhja veten pas ҫadrës për të mos u bërë preh e tundimit për të hyrë në pishinë. Nuk doja të prishja këtë ҫast magjik mes tyre.
     Pata përshtypjen se tashmë po lëvizte mjaftueshëm mirë. Im shoq ia hoqi krahët e gomës dhe unë u afrova për t’i marë. Më buzëqeshi. Rrezëllinte i tëri. Nuk mund të them kush po e shijonte më tepër. Im bir që po mësonte notin, im shoq krenar, apo unë e lumtur që i shihja bashkë. Ah, edhe ime më që rrinte në heshtje dhe herë pas here u bënte foto dhe video. Ndërsa babai kishte marë të voglin dhe kishin dalë shëtitje buzë detit. Nuk mund të qëndronte më gjatë në ujë, i qe regjur lëkura mjaftueshëm.
     Sapo u zhvendos vetëm pak centimetra në mënyrë të pavarur, thirri aq fort, saqë ҫdokush e dëgjoi se kishte mësuar notin. Ia kishte dalë mbanë. Ia kishin dalë mbanë. Tashmë i binte pishinës kryq e tërthor pa pasur nevojën e dikujt pranë tij.
     Kur doli nga uji, me buzët e mavijosura vrapova për ta mbledhur me peshqir. Më shtërngoi fort dhe shprehu lumturinë dhe krenarinë e tij që kishte mësuar notin. Tani ndihej i pavarur.
     Im shoq ishte edhe më i lumtur edhe më krenar se djali. Sytë e tij shkëlqenin kur më tha se ia kishte dalë. I zuri gjumi menjëherë sapo u shtrinë në krevatet e plazhit, nën diellin e mrekullueshëm. Ishin të dërrmuar nga lodhja.
    Unë i shihja dhe lotët më rigonin pareshtur nga sytë, nën xhamat e errët të syzave të diellit. Sa shumë privime nga jeta! Deri kur do jetonim larg?

    

Thursday, January 18, 2018

GJYSHI

                       Gjyshi im vuan prej një sëmundjeje të pashërueshme dhe mamaja na tha se  ishte mundësia e fundit për ta takuar. Ne pranuam menjëherë, megjthëse ardhjen në Shqipëri s’e kemi me shumë dëshirë. Lindur dhe rritur në Itali, jeta jonë pothuajse s’ka lidhje me Shqipërinë. Gjithë-gjithë mund të kemi ardhur tre, apo katër herë.
  Mamaja na u lut me lot në sy mua dhe tim vëllai të silleshim mirë me gjyshin. Ne pamë njëri-tjetrin në sy. Nuk ishim sjellë ndonjëherë keq me të dhe me askënd. Por, me sjellje të mirë, mamaja donte të thoshte të tregoheshim të dashur, t’i kushtonim vëmendje dhe ta dëgjonim me kujdes. Ai me siguri do na linte porositë e fundit.
   Ani më përsëriste fjalën testament. Ai s’mund të mos ishte materialist, madje as në një rast të tillë.  Unë kafshova buzën për t’u vetpërmbajtur. Jo vetëm për gjyshin, por edhe për mamanë më vinte tmerrësisht keq. Ajo po e vuante thellësisht humbjen e të atit, megjithëse ai ishte ende gjallë. Gjyshi ishte idhulli i saj. As që arrija ta mendoja mamanë pa të. Ajo e adhuronte, por jo vetëm kaq. Gjyshi kishte shërbyer si busull në jetën e saj. Megjithëse nuk isha aspak dakort me hapësirën e stërmadhe që i kishte lënë ajo vendimarrjeve të gjyshit kundrejt të sajave, e respektoja zgjidhjen e sime mëje. Një nga virtytet më të mira, kultivuar në familjen tonë, është respektimi i tjetrit dhe të qenit ndryshe.
   Përkundër atyre që prisnim, gjyshi na u duk mirë fizikisht dhe mendërisht. Mamaja, si për t’u shfajësuar, shpjegoi se ishte efekti i mjekimit të sapomarë, i morfinës. Ani më shihte në sy dhe më thoshte se duhej të kërkonim morfinën e gjyshit. Sigurisht që askush nuk i dëgjoi ato fjalë veç meje. Ne kemi mënyrën tonë të veçantë në komunikim, të cilën e përdorim në prani të të tjerëve, pa u pikasur prej tyre. Njëri prej nesh lëviz buzët, ndërsa tjetri i lexon.
    Mamaja e urren këtë  komunikim, duke e cilësuar si vesin tonë më të keq. Sipas saj, është shumë ofenduese dhe diskriminuese për njerëzit rreth nesh. Ndërsa babai nuk i hyn debateve mbi veset dhe virtytet. Kjo është një detyrë që ia ka ngarkuar mamasë. Ajo është përgjegjëse për edukimin tonë, kjo edhe për faktin e thjeshtë se babai ka punuar gjithmonë me orar të zgjatur.
   Aq sa e dashur, mamaja mund të tregohet edhe e rreptë. Por, kjo nuk na tremb. Zotërojmë mënyrat tona personale të manipulimit, të cilat zakonisht funksionojnë për mrekulli. Nëse përsëri jo, atëherë heqim dorë. Ka edhe raste kur mamaja është e pathyeshme.
    Në Shqipëri e ndjejmë veten të huaj. Nga ana tjetër, mamaja na ka folur aq shumë për gjyshin, saqë në vend të qëllimit të saj, për të na ngjallur dashuri dhe respekt, na ka shtënë në kokë një xhelozi absurde. E besoni apo jo, nuk është veç një fiksim idiot adoleshentësh, simptoma të ngjashme kam vërejtur edhe te babai.
   Gjyshi na përqafoi të dyve dhe unë vura re si u mallëngjye. Për një çast fajësova veten që s’provova të njëjtën ndjesi. Nuk jam e pandjeshme, por nuk pata  po atë ndjeshmëri. Ndoshta ngaqë jam rritur larg dashurisë, larg kujdesit, larg përqafimeve, larg pranisë së tij. Gjyshi rrezatonte mirësi dhe dashuri. Jam e sigurt, se nëse jeta do të na kishte dhënë  mundësi për të kaluar kohë bashkë, shpirti im do ishte ngrohur i tëri prej mirësisë dhe dashurisë së tij.
   Mamaja i quajti paraprakisht amanete ato që do na thoshte gjyshi, unë do t’i quaja këshilla të mençura e të vlefshme për jetën.
   Na këshilloi të donim njëri-tjetrin dhe t’i qëndronim në krahë, pavarësisht vështirësive që do të na sillte fati. Familja është dhurata më e çmuar që kemi në duart tona. Të bënim gjithçka për ta mbajtur të bashkuar dhe të fortë. Të përpiqeshim pareshtur për të ecur përpara në jetë, por asnjëherë të mos shkelnim mbi të tjerët për të arritur qëllimet tona. Të mos fëlliqnim shpirtrat tanë nga zilia dhe lakmia, po t’i gëzoheshim gjithçkaje që ishte jona.

  Ndonjëherë, në mënyrë të pavullnetshme, parafytyroj funeralin e gjyshit. Ka shumë  njerëz, pjesa dërmuese veshur me të zeza. Të gjithë me  sy të  përlotur dhe fytyra të pikëlluara. Disa vuajnë humbjen e njeriut të dashur, të tjerë turbullohen teksa mendojnë se herët, a vonë do kenë të njëjtin fund.
   Mamaja është personi më i pikëlluar. Qysh nga vdekja e gjyshes, gjyshi është kthyer veç të tjerash edhe në mama të dashur e të kujdesshme ndaj saj, më të voglës së fëmijëve. Ai ka qenë shoku i saj më i mirë, shembull frymëzues dashurie dhe përkushtimi ndaj familjes, busull orientuese në çastet kur duhej të bënte zgjedhje të rëndësishme në jetë. Idhulli i saj nuk ishte më. Ajo ndjente një dhimbje tmerrësisht gërryese.
   Edhe unë shfaqem gjithmonë e pikëlluar në funeralin e gjyshit, megjithëse Ani mundohet të më  shpërqendrojë me lojën tonë të preferuar. Nuk ka asnjëherë sukses.
   Edhe unë jam po aq e pikëlluar sa mamaja, vetëm se shkaku i pikëllimit tonë nuk është i njëjtë.
   Ajo vuan thellësisht humbjen e babait. Unë vuaj  se humba babain e mamasë, me të cilin jeta nuk më dha mundësi të krijoja lidhjen e natyrshme gjysh-mbesë.  Kjo më bën që lotët të mos më ndalen.
   Më në fund mbledh veten dhe fshij lotët. Koka më është fryrë nga parafytyrimet e funeralit të gjyshit. Por, ai është ende gjallë.
   Ndodhet në çastet e tij më të mira, nën efektin e morfinës, ia del mbanë të mbështetet mbi tre jastëkë. Ani qëndron pranë tij, ulur në karrike. Ai i tregon shtruar për jetën e tij në Itali, shkollën, shoqërinë, kohën e lirë. Kur gjyshi ia doli të zbusë zemrën e materialistit më të madh që njoh, me mua do ta ketë shumë më të lehtë.
   Pas rreth një ore bisedë të hapur dhe të çiltër mes të treve, gjyshi na përqafoi të dyve. Ai stërmundohej të na pushtonte me forcën e madhe të dashurisë.
   Për herë të parë ndjeva se njeriu që mallëngjehej deri në kufijtë e mbijetesës për të na përqafuar së paku edhe një herë tjetër, nuk ishte thjesht babai i sime mëje. Ai ishte gjyshi im. Edhe unë u mallëngjeva.
   Jam e vetëdijshme që gjyshit i ka mbetur edhe shumë pak jetë. Por, nuk e shoh të friksuar nga vdekja. Ai është rrethuar me dashurinë që e ka mbjellë përgjatë jetës së vet. Nuk ndiej më xhelozi që mamaja e do dhe e çmon aq shumë. Ai është babai i saj i dashur. Ai është gjyshi im i shtrenjtë, megjithëse jeta në mënyrë të pamëshirshme na ka privuar nga të qenurit bashkë.
   Pikërisht në çastet që mendoja se do ta humbja, unë e gjeta gjyshin dhe kuptova sa shumë nevojë kisha pasur për dashurinë e tij. Në jetë, asnjë dashuri, sado e madhe qoftë ajo, nuk mund të eklipsojë dashuritë e tjera.