Thursday, July 9, 2026

FËMIJËS  BRENDA MEJE


​Falmë! Në mundsh, falmë!

Të kam shpërfillur, tradhtuar, braktisur,

Po kisha frikë të jetoja fillikat.

​Kam bërë kompromise në kurrizin tënd,

Kompromise mbi  shpirtin tim,

Nga frika e të jetuarit në vetmi.

Më tmerronte braktisja, përse-në s'e di.

​Falmë në mundsh! Të përgjërohem!

E sërish, në mundsh... braktismë!

Ti u rëndon kujtimeve të mia,

Gjumin më trazon , ndërsa ëndrrat,

Ëndrrat në makthe i tjetërson.

​Ti më bren ndërgjegjen.

U përpoqa gjatë të mos më braktisnin të tjerët,

sa në atë rrugë, harrova e braktisa veten.

​Ti strukur, kërrusur, duke qarë me dënesë,

në skutat më të errëta të mendjes sime,

në skutat më të thella të shpirtit tim.

​Pastërtia e pranisë tënde gjakos timen mizori.

Ndaj braktismë edhe ti, dhe të lutem falmë!

Ik e më lër në këtë zbrazëti, në timen zbrazëti.

Ndoshta vetëm ajo, do më falë pak lehtësi.

Mos më shih më me ata sy të frikësuar,

unë jam tradhtari që ty të ka mohuar.

e ti je dëshmitari që kurrë s'ka për të harruar.

Nëse zgjas duart e të prek sytë për të të fshirë lotët,

unë vetëm të ndot, ndaj braktismë...

Braktismë para se të të shter edhe ty,

​Ti je dëshmitar i rrënimit tim,

Unë s'dua që ndokush të dëshmojë këtë rrënim.

Dua të harrohem... siç unë të harrova ty.


Elda Gjini

Korrik 2026

TRYEZA E KRISTALTË


Kujtimet e ftuan kohën për një kafe,

Ajo ia behu sakaq, pa u menduar dy herë,

Koha është korrekte, s'vonohet nëpër kafenetë,

Kur lëshohet e shkuara, çdo gjë tjetër e lë.


U ulën këmbëkryq, pa kurrfarë nguti,

Mbi tryezën e heshtur të shpirtit tim,

Nga vrulli i bisedës kafja u bë akull,

Por fjalët vlonin zhur në pafundësi.


E pinë atë lëng të zi e të ftohtë, pa ngut,

Pas të parës, një të dytë e të tretë radhazi,

Mbi atë tryezë të kristaltë me tema madhore,

Ku tryezë ishte shpirti... dhe kafja isha unë.


Përmbysën filxhanin për të parë fatin tim,

Në bardhësinë e porcelanit, veç një dritë e zymtë:

Lexuan se më mungonin ditë, ditë, shumë...

Se koha ikën shpejt, e jeta rrjedh si lumë.


Por kujtimet janë mysafirë që nga e shkuara vijnë,

Ndaj e theva tryezën e kristaltë sakaq, e prerë!

Në këtë shtëpi shpirti ku ato ulen këmbëkryq,

I vetmi zot shtëpie... mbeta unë!


Elda Gjini

Korrik 2026

 

GUFOJ DRITË


Gjithkush ka një hije që pas e ndjek. Ç’është?

Opakësia e tij që dritën kthen në errësirë.

Por në terr të thellë, ajo e braktis...

Unë rrezoj dritën time, ngado e ngaherë,

Krenar që fizikës i përmbys një ligj.

Drita që udhëton në vijë të drejtë më verbon,

S’pranoj të jem përgjysmë dritë e errësirë.

Unë çliroj dritëzën time, ngado e ngaherë,

S’kërkoj  jashtë, por nga  brenda gufoj dritë.

Jo dritë veç në pikën ku dua të mbërrij,

Në gjithë rrugëtimin tim dua një ndriçim.

Krenar pafund që fizikës i përmbysa një ligj.

Nga pas dëgjoj në kor të thonë:

-Rregulli të ka  përmbysur ty!


ELDA GJINI

Korrik 2026

Friday, November 29, 2024

PËRBALLË SHËMBËLLTYRËS


Je njeriu që i druhem ta kem përballë!

Të druhem se s' mund të të gënjej! 

Unë e di pyetjen që do më drejtosh të parën:

Ti s'mund të jesh Ti! Vallë kush je!?

Por edhe Ti e di si do përgjigjesha, e di Ti:

Por Unë jam, Unë... A mundem tjetër të jem!?

Dhe s'guxoj e s'guxoj t'i dalë përballë pasqyrës,

Shëmbëlltyrën time s'kam guxim ta gënjej.


ELDA GJINI

TRIMËRI PËR DOBËSITË

   Më në fund! E gjete kurajon. E gjete më në fund kurajon dhe pranove brishtësitë e tua me zë të lartë. A duhet forcë për të pranuar dobësitë!? Po. Ndoshta kjo është trimëria më e madhe për këdo. 

   Eh! Mes një shtirjeje të përgjithshme dhe të përditshme, mes një gare të pafund dialogësh të çmendur, ku gjithësecili prej nesh shtiret se është më i fortë, se është më i  pasur, se është më i ditur, se është më punëtor, se është më i shëndetshëm, se është më empatik etj, etj... E pra... nuk është thjesht trimëri të pranosh brishtësitë e tua, por është heroizëm. 

   Ato brishtësi që prej vitesh je përpjekur t'i varrosësh, më në fund gjen guximin dhe përballesh me pasqyrën, përballesh me veten. Pranon se nuk je i pathyeshëm, por je i brishtë.  Përpjekja për t'i varrosur nuk ka mundur të reduktojë asnjërën prej tyre. 

 Më lini të jem fëmijë!


Kam endé nevojë të ndihem fëmijë!

Adoleshente? E rritur? Ka kohë të jem.

Por, s'do të jem më kurrë fëmijë, kurrë...

Kërkoj tepër kur të them endé... endé...

Të lutem,  në fëmijërinë time lermë!


E di e shtrenjta nënë që ke nevojë për mua,

Lodhesh aq shumë dhe ndihmë më kërkon,

Por... më lejo të lutem të jem edhe ca fëmijë.

Përkëdhelmë, llastomë dhe përralla tregomë!

Një ditë do jem si ti, ti si unë më jo e jo...


Dhe ty e dashur mësuesja ime, 

Që megjithëse vesh taka për gjatësi ta kaloj.

As ti ende mos më quaj të rritur, s'jam sa ty!

Këshilla?  Kritika? Vërejtje? Stop...

Më shumë fjalë të mira dhe  vështrim të ngrohtë.


Ti kushërira ime bukuroshe, mos më jep

më leksione për qerpikët dhe thonjtë!

As Instagram e as Tik-Tok s'më duhet,

As veshjet më sensuale në garderobë.

Gjithë sa më duhet është edhe ca kohë, veç kohë.


Mos u mërzisni për mua! Mos u shqetësoni!

S'dua të jem një Piter Pan në ishullin Askund.

Kam kohë mjaftueshëm të rritem e të rritem,

Thjesht më lejoni ta shijoj  fëmijërinë kështu.

Do të jem një ditë e rritur, por fëmijë më kurrë.


Elda Gjini

Nëntor 2024


Monday, October 31, 2022


5 VITE PA TY NËNË


Prej kohësh dhimbja disi e heshtur.

Heshtuar... e sërish  ulëret për ty...

Koha s'kthehet pas... kurrë s'kthehet.

Ti mungon si oazi mes shkretisë.

Përqafoj kujtimet, rrëmoj të shkuarën.

Mendja dihat nga udhëtimi në kohë.

Shpirti sfilitet se nuk gjen paqe.

Jetoj pa ty nënë dhe vuaj në qetësi,

Si shkretëtira pa oaz, që mbet po shkreti.


Elda Gjini. 

1 nëntor 2022




Thursday, January 27, 2022



THYERJE

Zhgënjimet në s'vrasin, lëndojnë...
Ëndrrat e thyera të copëtojnë...
Gënjeshtrat pa mëshirë të thërmojnë.
Dhe shpirti i vrarë nis të rënkojë...

Elda Gjini
2022

  HUMBA


Humba zërin në përballjet me jetën.

E humba... apo zgjodha të mos flas!?

Humba buzëqeshjen përballë fallcitetit.

E humba... apo s'doja të shkonte dëm!?

Humba forcën për të shpresuar.

E humba... apo s'doja të gënjeja veten!?

Humba guximin për të ëndërruar.

E humba... apo  s'besova më në ëndrra!?

Humba veten mes turmës laramane.

E humba...  duke u shndërruar në asgjë.


Elda Gjini

2021


 

RRËFIM


Dua t'i rrëfehem sot shpirtit tim,

Për më të madhin, më të madhin mëkat.

Dua t'i rrëfehem për tradhëti... tradhëtinë,

E t'i përgjërohem në gjunjë që t'më falë.

Se tradhëtija është mëkati i mëkateve.

E përbuz veten që kam rënë në grackë.

Falmë o shpirt që të kam tradhëtuar... Falmë!

Gjithë jetën time kam qenë mëkatare dhe jam.

Shpirtin tim nuk e pata shpirt dhe s'e kam.




Elda Gjini

2021


Sunday, October 31, 2021

 

KËMISHA BLU

E hekurosa këmishën blu ma!

Hekuri pa avull, sprucova lot.

Edhe pantallonat blu ... njëlloj...

Hekuros e puth... po s'të gjeta dot...

Ti s'i do lotët... aq më tepër natën...

Por nuk duhem qortuar, jo sot.

E di!? Në shpirt zbrazëtia m'është rritur

Është hapësira jote që askush s'e zë dot.

Ende ndiej aromën tënde, të nënës,

Kokën mbështete mbi kraharorin tim.

Në vesh më buçasin grahmat e fundit,

Dhimbja e pamatë... më ike pa kthim.

E hekurosa këmishën blu ma!

Hekuri pa avull, sprucova lot.

Edhe pantallonat blu... njëlloj.

I hekurosa zemërvrarë. A do t'i vesh sot!?

Ende e ndiej aromën tënde në këto rroba,

Ndjej kokën tënde  mbi prehrin tim...

Përqafimin tim të fundit... të dëshpëruar

Dhe shpirtin tënd në fluturim pa kthim.


Elda Gjini

01.11.2021



Friday, September 10, 2021

 


ZGJEDHJE, APO ZGJIDHJE!?


Dashuria është zgjedhje.

Nëse zgjedh të duash dikë më shumë se veten.

Dashuria është zgjidhje.

Nëse gjen dikë që të zgjidh gjithë problemet.


Elda Gjini

2021


Saturday, November 2, 2019

Me fat

    -E di çfarë... ndonjëherë mendoj se është fat që u njohëm. Por, vetëm ndonjëherë ama,- i tha ajo duke buzëqeshur, fill pasi kishin përfunduar një bisedë të gjatë dhe të vërtetë.
    Po po, një bisedë të vërtetë. Jo nga ato biseda elitare, në të cilat të dyja palët përpiqen me mish e me shpirt që të shpalosin  horizontin intelektual për t'u ngjitur shkallares së horizontit të tjetrit. Një bisedë e vërtetë është ajo ku të dyja palët janë të vërteta.
    Ajo ishte i vetmi njeri në botë me të cilën ai fliste pa drojë. Kurrë s'e kishte gjykuar. Kurrë nuk kishte thyer besimin e tij. Kurrë nuk kishte qenë e pavërtetë.
    -Edhe unë mendoj ndonjëherë që është fat që jemi njohur,- i tha ai duke e parë në sy.  Nuk buzëqeshi si ajo, kishte fytyrë serioze. Ajo s'i kishte parë ndonjëherë një fytyrë të tillë. Për herë të parë u spraps, duke mos e pyetur ç'kishte ndërmend. Druhej mos merrte ndonjë përgjigje të pavërtetë. Nëse ndodhte kështu, raporti i tyre shkatërrohej nga themelet. A s'ishte ngritur raporti i tyre mbi sinqeritetin?!
    Ai udhëtoi në kohë... udhëtoi në kujtime... Mbërriti në kohën kur u njohën... Atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy. Nuk arrinte të mendonte për askënd dhe për asgjë tjetër përveç saj.
    Qysh atëherë ishte ndjerë me fat. Shumë më me fat kur mori dashuri prej saj dhe fatlum që ishte shndërruar në qendrën e botës dhe motivin e jetës së saj.
    Ishte diçka për të cilën ai s'i kishte folur kurrë, së paku jo thellësisht. Por... edhe ajo kishte vepruar pak a shumë në të njëjtën mënyrë. Sikur të ishin të dy të kalbur në bestytëni... sikur të pohoni  sinqerisht sa me fat ishin ndoshta fati i mirë do të zhdukej... ndoshta...

ELDA GJINI
2018