KERKESE PER DIVORC Kapitulli I
Me lumturinë jam përpjekur dëshpërimisht të takohem shumë vite më parë. Ia them pareshtur vetes, se rrugët tona qysh atëherë u ndanë përgjithmonë.
Së paku, unë isha gati të bëja kërkesën time zyrtare për divorc. S’di nëse lumturia do firmoste pa u përpjekur të kalonim përmes ndonjë seance të panevojshme pajtimi. Nëse s’firmoste menjëherë, mund të kishte një të papritur të madhe. Shpirti im, i cili ndodhej në agoni, mund të vdiste nga dhimbja para përfundimit të të gjithë burokracirave në procedura të stërzgjatura.
Prej kohës që pranova se jeta ime s’kishte më gjasa të ishte e lumtur, gjithҫka ka qenë shumë më e thjeshtë. Reshta së thururi ëndrra, të cilat më pas do të ktheheshin të gjitha në zhgënjime.
Martesa ime, e cila do të celebrohet sot, nuk më emocionon aspak. Ajo është thjesht dhe vetëm një marrëveshje. Si në gjithë marrëveshjet e kësaj bote, është detajuar me shumë kujdes përfitimi i dyanshëm. Jam plotësisht e sigurt se do funksionojë. Nëse ka sadopak skepticizëm, jam gati ta zhduk sakaq nga horizonti.
Më në fund jam e sigurt për hapin që po hedh. Jam duke kthyer plotësisht fletën e jetës sime. Po hap një kapitull të ri. Më e bukura e gjithë kësaj është se nuk ka më të papritura. E ardhmja ime qysh sot do të jetë e qetë dhe e sigurt. E ҫ’mund t’i kërkojë më tepër fatit? Asgjë. Kam shumë kohë që nuk i kërkoj asgjë. Po prej kaq kohe as e falënderojë për gjësend. Sot do ta thyej heshtjen mes nesh. Do ta falënderojë që pikërisht atëherë kur nuk shpresoja më se jeta ime do të ndryshonte, thjesht ndodhi. Ndryshoi.
Duke bërë një banjë të ngrohtë, sjell ndër mend gjithë sa duhet të bëjë sot. Kjo është mënyra si e nis ditën, me qetësi. Gjithçka e planifikoj deri në detaje. Më pas i vihem me mish e me shpirt zbatimit. Nëse është diçka që e urrej me gjithë shpirt, kjo është rastësia. Vetëm planifikimi i mirë dhe realizimi deri në detaje më jep ndjesinë e kontrollit të plotë mbi jetën time.
Nuk kam arsye për ta fshehur moshën, madje s’e kam bërë kurrë diçka të tillë. Jam dyzetë e pesë vjeçe, por shumica e njerëzve nuk më përcaktojnë kurrë më shumë se tridhjetë, apo maksimumi tridhjetë e pesë.
Më ka ardhur në majë të hundës që njerëzit nuk i vënë re vitet e mia. Nga brenda ndihem e kërrusur prej peshës së tyre. Dhe është plotësisht e vërtetë. Unë s’gënjej kurrë, aq më tepër në këtë aspekt, i cili për mua është fare i parëndësishëm. Pamja e jashtme s’më ka sjellë kurrë dobi, vetëm telashe. Nejse, këtë nuk dua ta kujtoj. Sidomos tani.
Jam përpjekur gjatë të lë pas kujtimet e hidhura dhe të dhimbshme në të shkuarën, së bashku me ëndrra të tjera romantike vajzërore. Që të gjitha gjepura. Dhe ta mendosh se dikur i çmoja si gjënë më të bukur dhe më të rëndësishme në botë. Mendoja se pamja do t’më ndihmonte për të gjetur dikë që të më donte për gjithë jetën dhe do jetonim të lumtur.
Kam ndryshuar aq shumë me kohën, saqë ndonjëherë mendoj se jam bërë tjetër njeri. Dikur me kokën mes reve, ndërsa sot me këmbë në tokë.
Po të mos kishte qenë për zilen e derës, kush e di sa do më zgjaste përhumbja në mendime! Sidoqoftë, në ditën time të dasmës mund t’ia falja vetes ndonjë udhëtim jonostalgjik në të shkuarën, apo ndonjë udhëtim joromantik në të ardhmen. Mjaft të mos devijojë programin e vendosur me shumë kujdes dhe përpikmëri. Të paktën kësaj radhe mund të jem më pak e rreptë me veten.
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment