Korridori i spitalit është pushtuar nga
familja ime e madhe. Të katërta motrat, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre.
Megjithëse i mbaj vazhdimisht të informuar mbi gjendjen shëndetësore të
Fatjonit dhe u lutem të mos shqetësohen duke ardhur, kur i shoh të gjithë bashkë
shpirtin e ndiej plot.
Fati më ka privuar prej vitesh nga të
pasurit e një familjeje të vogël krejt
timen, bashkëshort dhe fëmijë, por
më ka bekuar me familjen e madhe. I përqafoj të gjithë me lotë ndër sy.
Do doja të kisha lajme të mira për t’i
ndarë me ta, por doktoreshë Edlira më informon që megjithëse parametrat janë në
përmirësim, Fatjoni është ende nën efektin e qetësuesve. Më këshillon të
qëndrojë pranë tij dhe t’i flas sërish. Kjo mund ta ndihmojë.
Xhimi më sheh me sy pyetës. I buzëqesh dhe
i them se gjithҫka është në rregull.
Më në fund situatën e kam nën kontroll. Eh, sikur të ishte me të vërtetë
kështu! Sidoqoftë, tani e kam më të qartë shkakun e disa veprimeve dhe jam e
vetëdijshme për pasojat e tyre.
Por, Xhimi mendon se për sa kohë nuk
braktis Fatjonin, nuk kam asgjë nën kontroll. Ai s’ka pikë besimi në
bashkëshortin tim të ardhshëm. Adhurimi i dikurshëm, që e ka ndjekur edhe pasi
u rrit dhe nuk ishte më nevoja ta ndiqte mjeku
pediatër, tashmë është zhdukur. Vendin e tij e ka zënë neveria.
I përgjigjem me një buzëqeshje plot dashuri
dhe mallëngjim. Nipi im i preferuar më do shumë, shqetësohet për mua, por s’do
të më kuptonte edhe sikur t’i shpjegoja gjithҫka deri në detaje. Është tepër i ri dhe fatmirësisht
nuk ka marrë asnjë goditje nga jeta.
As që e ka idenë se përgjatë rrugëtimit
jetësor mund të të zhduken nga horizonti të gjitha mundësitë, të të mbyllen
gjithë dyert, madje të të përplasen në fytyrë. Të mbetet të ecësh përpara për
inertësi. Thjesht për të mos qëndruar në
vend dhe të ndiesh si vdes pak nga pak ҫdo ditë, ҫdo ҫast.
Ai nuk e di se fama dhe suksesi nuk janë
gjithmonë synimi kryesor në jetë, apo
një qëllim tepër i madh në vetvete. Ndonjëherë ato janë thjesht një koracë për
t’u mbrojtur. Madje edhe për t’u strukur, por jo ndaj syve të të tjerëve. Kam
patur nevojë t’i tregojë vetes se isha ende e aftë për të bërë diҫka siҫ duhet.
Kështu, stilimi ishte jo vetëm
pasioni dhe profesioni im, por streha ime. Tani Zoti po më jep një mundësi. Fatjonin.
Krejt papritur gjithë sa më parë ishte jeta ime nuk më shkakton asnjë emocion.
Zhvendosja e ateliesë në vilë, as që arriti të më ndillte pranë. Nuk më ngjalli
kurrfarë emocioni. Atelieja tashmë përfaqëson vetëm punën.
Shpirti im është Fatjoni. Nuk
do ta humbë për asnjë arsye në botë. E ndiej që ia vlen të bëjë ҫfardolloj sakrifice për të. Ai s’është thjesht
bashkëshorti im i ardhshëm. Ai tashmë është dashuria ime, jeta ime. Pavarësisht
se nuk mund të kemi një martesë të vërtetë, ashtu siҫ do doja, sërish
falënderojë Zotin për këtë mundësi. Jam e gatshme ta respektojë pikë
për pikë marrëveshjen tonë. Nuk do ndihem më kurrë e pashpresë, duke menduar se
do ta mbyll jetën time e vetmuar, si një qen i braktisur.
Moskuptimi nuk vlen vetëm për tim nip. Jam e
sigurt se as familja ime e madhe nuk do i kuptonte kurrë asyet e mia për t’u bërë
pjesë e një martese që sipas tyre me siguri do të quhej e shtirur.
Motrat e mia kanë familjet e tyre, me bashkëshortët
dhe fëmijët. Duke më mbajtur pranë, duke më afruar gjithmonë e më tepër me fëmijët
e tyre, kujtojnë se më mbyllin plagët, se më lumturojnë.
I dua me shpirt të nëntë mbesat dhe niprit
e mi. Do bëja gjithҫka për t’i parë të rriten të shëndetshëm dhe të lumtur. Madje, po të qe
nevoja, do sakrifikoja gjithҫka, edhe jetën. Kanë qenë, janë dhe do të mbeten
mbesat dhe niprit e mi. Por, ata nuk janë mishi i mishit tim, gjaku i gjakut
tim, shpirti i shpirtit tim.
Askush veҫ mamasë s’arrinte të
kuptonte se lotët që më rrokulliseshin prej syve kur merrja për herë të parë në
krahë ҫdonjërin prej tyre, nuk ishin vetëm lot dashurie dhe mallëngjimi. Unë gëzohesha
kur shihja motrat e mia tek bëheshin për së pari, për së dyti, madje edhe për së
treti nëna të lumtura.
Por, thellë-thellë unë ndieja edhe më shumë
zbrazëtinë. Unë kisha hequr dorë nga foshnja ime, pjesërisht edhe për to. Unë e
doja atë foshnjë, me gjithë shpirt, por s’doja që emri i familjes sonë të
njollosej. Nuk doja që ҫdonjëra prej motrave të mia ta kishte fatin e damkosur. S’doja që mamaja të
turpërohej prej meje. S’mund të mbaja mbi supe ndjesitë e saj të fajit. Ajo s’kishte
kurrfarë faji. Gjithë jetën nuk i bëri keq askujt.
Isha ende fëmijë kur m’u desh të
përballoja gjithҫka vetëm. Një mëngjes, mora paratë që kisha kursyer, i futa në
ҫantën e shkollës dhe dola nga shtëpia në orarin e zakonshëm. Sa do doja që me
ato para të paguaja fustanin e bardhë të nusërisë dhe makinën qepëse! Por,
ishte e pamundur. Për njeriun që iu dhashë e tëra, me trup e me shpirt, s’kisha
më asnjë vlerë.
Në vend që të shkoja në shkollë, u drejtova për
në shtëpinë e një mamije që bënte aborte ilegale. Para njëzetë e tetë vitesh
asnjë vajzë nuk guxonte të hynte në maternitet. Ishte tabu.
Fizikisht dhe emocionalisht ishte
e tmerrshme për t’u përballuar. Mamija s’kishte askënd ta ndihmonte dhe paisjet
ishin primitive. Humba ndjenjat pa arritur të shoh ҫ’bëri për të shkëputur foshnjën prej meje.
Sapo erdha në vete, kërkova
trupin e foshnjës. Asaj foshnjeje që s’munda t’i jepja jetë, së paku t’i jepja
një varr. Një varr sekret, në një cep të varrezave. Do t’i vendosja një gur sipër
për shenjë. Do mund ta laja me lotë atë gur dhe mandej ta mbuloja me lule. Mamija më pa me habi. Më vuri dorën në ballë. Po
flisja përҫart. Patjetër që kisha temperaturë. Digjesha. Por s’po flisja përҫart.
Rrëfimi i saj ishte i tmerrshëm. Foshnjat
që abortonte ua hidhte qenve. Gjurmët duheshin zhdukur, gjithҫka duhej të
mbetej sekret, përndryshe e priste burgu. Ndjeva pranë ëngjëllin e vdekjes. Kishte
frikë nga burgu, nga ligji njerëzor. Por nuk i druhej aspak ferrit dhe ligjit
hyjnor.
Ndjeva neveri prej saj. Por më
shumë prej vetes. A e kupoja ҫ’kisha bërë? Për të shpëtuar nderin kisha marrë një jetë të
pafajshme. Për të mbyllur gojët e botës kisha shkëputur një herë e përgjithmonë
prej vetes mishin e mishit tim, gjakun e gjakut tim, shpirtin e shpirtit tim. Si
mund të jetoja pas kësaj? Vallë a do t’ma falte ndonjëherë Zoti këtë mëkat të
tmerrshëm?
Nuk mund të qëndroja asnjë minutë
më tepër aty. Për mua ai vend s’ishte gjë tjetër, veҫse foleja e vdekjes. Bëra të
ҫohesha, por humba sërish ndjenjat.
Në shtëpi u ktheva në orarin e
zakonshëm. Me arsyetimin se kisha dhimbje koke iu shmanga vaktit të drekës dhe
u futa drejt e në shtrat.
Mund t’i shmangesha drekës, mund t’i
shmangesha gjithë botës, por jo mamasë sime. Ajo më erdhi pranë sapo motrat u shtruan për të
ngrënë drekën. Më pa në sy, më vendosi dorën mbi ballë, më ledhatoi flokët. Më pas
më përqafoi fort dhe u ngashëryem të dyja në krahët e njëra-tjetrës.
Ajo sërish fajësonte veten. Por,
si gjithmonë s’kishte asnjë faj. Në fund i premtuam njëra-tjetrës që ai sekret
do mbetej mes nesh. Kështu vepruam.
Ditët rrokulliseshin në monotoninë
e tyre të zakonshme njëra pas tjetrës. Gjithë ditën komandoja trupin dhe shpirtin
për të përmbushur detyrat që më takonin.
Natën, sapo vendosja kokën mbi
jastëk, lotët më rigonin faqeve papushim. Qysh prej njëzetë e tetë vitesh ҫdo natë është e njëjtë. Jastëku nuk mbetet
asnjëherë i thatë. Vetëm kur sfilitem nga të qarët më merr gjumi.
Dhimbja është po ajo, zbrazëtira
ndihet përherë e më e madhe, brerjet e ndërgjegjes më bluajnë shpirtin
pareshtur. Ҫfarë bëra? Gjithë jeta nuk do të më mjaftojë për t’u penduar. Gjithë
vuajtjet s’do mjaftojnë për të shlyer mëkatin që bëra. Zoti nuk priti të vdisja
për të më dënuar përjetësisht në ferr. Ferrin e kam jetuar ҫdo ditë të jetës
sime tokësore prej njëzetë e tetë vjetësh.
Duke përcjellë, përqafuar dhe
puthur një për një gjithë anëtarët e familjes sime të madhe jam krenare për mbështetjen
e tyre të pakushtëzuar. Por, ndihem sërish e zbrazët dhe e vetmuar. Tmerrësisht
e vetmuar. Me vdekjen e mamasë humba të vetmin njeri që më kuptonte. Të vetmin
njeri që nuk më gjykoi dhe as më fajësoi kurrë për asgjë. Tanimë askush nuk mund
të më kuptojë. Absolutisht askush.

E mrekullueshme
ReplyDelete