Gjithçka ishte gati në vilë. Kryebashkiaku i Tiranës priste për të kryer ceremoninë e martesës sonë civile. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Fatjoni i pëkiste njërës prej familjeve më të vjetra e më të rëndësishme në Tiranë. Ai kishte gjithçka: karrierë, sukses, pushtet dhe para.
I mungonte vetëm figura e një bashkëshorteje. Duhej të qe e denjë për ta shoqëruar në pritjet që organizonte, në daljet publike, apo në ftesat e shumta që merrte.
Më kishte zgjedhur mua. Isha një femër e rritur, e pjekur, e matur. Një figurë e thjeshtë, por e pastër. Askund asnjëherë skandale, banalitete, teprime, apo dukje boshe. E pashme, gjithmonë e veshur mirë.
Sikur të bëhej fjalë për dikë tjetër, do kisha renditur shumë më tepër cilësi, por kur bëhet fjalë për veten time, gjithmonë e kam të vështirë.
Nuk më pëlqen të flas për veten. Ndihem shumë më mirë kur flas për punën, për veshjet që realizoj. Kjo është edhe arsyeja që shfaqem rrallë ekraneve. Nuk më pëlqen të dal në ҫdo ekran si stiliste të tjera e të flas për tema si: sporti, gatimi, apo kush e di se ҫfarë tjetër.
Nuk jam njeri që më ka ndritur ylli në shumë fusha. Por, kjo s'ka përbërë ndonjëherë problem për mua. Nuk e ndiej peshën e mangësive. Në fushën profesionale e shoh veten të realizuar.
Në vilë më pritën sikur të isha princeshë. As e kisha menduar ndonjëherë se do gjendesha përballë diҫkaje të tillë. U emocionova. Nuk e dija se edhe një femër në moshën time mund të emocionohet kështu.
Por, ndoshta emocionet s’kanë moshë. Jemi ne që bëjmë vijëzimet ndarëse, të cilat i shohim të nevojshme dhe e privojmë veten pa mëshirë. Kështu, në vend që të lehtësohemi nga fati ynë i keq, e rëndojmë veten edhe më shumë.
Ndodh përherë që dhëndri pret nusen. Por, rasti ynë përbënte përjashtim. Dhëndri ishte me vonesë. Kështu, të pranishmit kishin kohë të mjaftueshme për të më soditur. Me ҫ’kuptova, pamja ime i la pa fjalë. E besoj këtë, sepse edhe me mua kishte ndodhur kështu sapo dola përpara pasqyrës.
Jo vetëm unë, por gjithë të ftuarit ishin kthyer me fytyrë nga shkallët. Pritej Fatjoni. Mbanin veshjet e stiluara prej meje. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të shihja diҫka të këndëshme që e kisha realizuar unë, vetëm unë. Sipas marrëveshjes sonë, kjo ishte një mënyrë e shkëlqyer për të më reklamuar si stiliste.
Në prag të festave të fundvitit do shpërgulim atelienë time në vilë. Krahasuar me hapësirën që ka atelieja aktualish, ambjentet e reja janë shumë më moderne dhe madhështore. Përfitimi do të jetë i ndërsjelltë. Atelieja reklamon vilën dhe fermën gjigante, kjo e fundit i jep ambjentet e saj. Pra, shumë shpejt në planin profesional do kisha githë sa më kishte munguar. Mbështetje dhe reklamë.
Një pjesë të mirë të të pranishmëve s’i njihja. Megjithatë, unë dija shumë mbi shijet dhe përmasat e tyre. Të dhënat i kisha marrë të detajuara në skeda të veҫanta për secilin në adresën time elektronike.
Me siguri që një pjese të mirë prej tyre do t'i qe dukur çmenduri e vërtetë që u mjaftoi të dërgonin përmasat dhe disa prefernca të përgjithshme për të marrë një veshje të përfunduar. Askush nuk bëri provë veshjen e vet. As unë. Por, Fatjoni dinte t'i bindte njerëzit. Edhe këtë herë ia kishte dalë mbanë për mrekulli.
Unë përpiqesha t’i shihja të gjithë me bisht të syrit, sepse shikimin e kisha të përqendruar nga shkallët. Gjithmonë më ka pëlqyer të sodis njerëzit që mbajnë veshjet që kam realizuar. Prej vitesh kjo ka qenë kënaqësia dhe krenaria ime. S’di ҫ’do kishte ndodhur me mua dhe jetën time sikur të isha e privuar nga talenti që kam.
Objektivët e kamerave dhe aparateve fotografik ishin kthyer të gjithë andej. Edhe unë prisja me padurim. Zemra po më dridhej. Më vinte turp nga vetja për atë që ndieja. Si mund të emocionohesha kështu?
Fatjoni nuk po vonohej për t'u dukur i rëndësishëm. Mbesa ime Sara më kishte informuar deri në detaje përmes celularit. Para gjysmë ore ai kishte demostruar kuajt në fushën e re të hipodromit që sapo ishte ndërtuar.
Ishte pjesë e marrëveshjes sonë, që kjo ditë të shërbente edhe për një reklamim të të ashtuquajturës fermë dhe vilë private, por që sipas gjasave, shumë shpejt do të kthehej në një residencë të mirëfilltë, që do të sillte të ardhura të konsiderueshme. Në Tiranë ekzistonin shumë njerëz që do jepnin kush e di sa para për të kaluar një fundjavë në këtë vend të mrekullueshëm.
Unë ndodhesha para altarit të improvizuar, përballë kryebashkiakut. Ishte i vetmi që s’donte t’ia dinte për protokollin e vendosur dhe më shtërngoi dorën fort, më komplimentoi për karrierën time profesionale dhe më uroi për zgjedhjen e bashkëshortit. Sipas tij, s’mund të zgjidhja një më të mirë për faktin e thjeshtë që nuk ekzistonte një i tillë.
Pranë më qëndronte nipi im, Xhimi. Nuk më bënte zemra t’i thosha që sipas protokollit të vendosur, ai nuk duhej të ishte pranë meje, por atje tej, me të ftuarit. Do të mund të më uronte vetëm në fund të ceremonisë.
Pa diskutim, ai dhe vëllai i tij më duan shumë, në po atë mënyrë që i dua edhe unë. Por, jam e sigurt që ka edhe një arsye tjetër për të më qëndruar gjithmonë e më pranë. Nuhatën që bashkëshorti im i ardhshëm është i krimbur në para. Me siguri që mendojnë se këtej e tutje do marrin më shumë prej meje.
Xhimi më shprehu habinë e gjithë familjes sime të madhe për dhëndrin. Nuk ua merte mendja se do ishte dikush që e njihnin prej vitesh. Madje për niprit dhe mbesat e mia ai ishte idhull.
Xhimi më flet dhe komenton pareshtur atë që ndodh rreth e rrotull. Unë pres të shoh dhëndrin, ndërkohë dua të shfrytëzojë sekondat e fundit të beqarisë për të vendosur ca rregull në mendjen dhe në jetën time.
Por, Xhimi nuk më lë që nuk më lë të qetë. Sipas tij është një zonjë, e cila m'i ka ngulur sytë plot ligësi dhe për më tepër nuk ka veshje të stiluar prej meje. E ku e di Xhimi se cilat veshje kam stiluar unë e cilat jo? Si e dallon ai ligësinë në sytë e njerëzve?
Nuk dua të bëhem preh e rrengjeve të tij dhe të humbas momentin më të rëndësishëm. Shfaqjen e Fatjonit. Xhimit i pëlqen të sillet me mua si të jem shoqja e tij. Edhe mua më pëlqen kjo, por jo sot, për më tepër, jo tani. Më duhet të nis përmbushjen e detyrës sime të re, të qenit bashkëshorte e Fatjonit.
Më në fund ai u shfaq. E kisha parë gjithmonë vetëm me bluzën e bardhë të punës. Takimet tona ishin zhvilluar në spital. Tek e shoh që rrëzëllen, ndihem krenare që atë kostum ia kam stiluar dhe realizuar unë. Kisha dyshimet e mia, por tani jo më. Është thjesht i përsosur.
Është i vetmi në ceremoni që nuk mban kostum të zi. Ngjyra e tij e preferuar është grija e errët. Dhe sapo e shoh, i jap plotësisht të drejtë. Nuk besoj se ndonjë ngjyrë tjetër do t’i shkonte më shumë se grija. Është shtatlartë dhe gjithë sharm. Pak esmer dhe me tipare të theksuara të zeza. Nuk më besohet që në moshën e tij nuk ka asnjë thinjë. Sytë i ka gri të thellë dhe sapo i sheh se ҫ’të japin një siguri... Ndoshta kjo lidhet me faktin që është mjek. Nuk më vjen ndër mend ndonjë shpjegim tjetër.
Fatjoni po buzëqesh dhe blicët e aparateve menjëherë marrin zjarr. Po mbështet dorën në parmakun e drunjtë të shkallëve madhështore. Po vendos këmbën në mermerin e magjishëm të shkallëve që kombinon ngjyrën e kuqe dhe të zezë në një vepër arti. I ndriҫuar nga drita natyrale që futet përmes dritareve madhështore, nga blicët e telekamerave dhe aparatëve fotografik, nga abazhuri gjigant i tëri i kristaltë, duket si një vegim. Sa do doja që koha dhe ne të ndaleshin këtu!
Papritur, kam një dëshirë të çmendur të mos i përmbahem marrëveshjes që kemi bërë. Kjo vilë është e mrekullueshme, si një galeri arti konterporan. Por, për mua luksi s’ka aspak rëndësi. Dua ta shohë thellë në sy këtë njeri dhe t'i them ta lëmë veten të lirë për të ndjerë diҫka. S’e kam fjalën për dashuri bashkëshortore, por thjesht dashuri njerëzore. Dhe unë kam kaq shumë nevojë të ndiej që zemra ime e ftohtë dhe e zbrazët të ndryshojë. Kam kaq shumë nevojë të ndihem një njeri si gjithë të tjerët!
Vërtet është pronotuar udhëtimi me avion dhe hoteli, por ato pas pak minutash do anullohen. Fatjoni do shtiret sikur do rrëzohet nga shkallët dhe më pas do vijojë të ndjekë planin, do bëjë sikur është vrarë.
Më pas ceremonia e lidhjes martesore do zhvillohet në version të shkurtuar. S'ka si të ndodhë ndryshe. Madje, kjo pritet të bëjë mjaft përshtypje në sytë e të ftuarve. Edhe në një gjendje të tillë shëndetësore, ai nuk do heqë dorë prej bashkimit në martesë.
Fill pas ceremonisë, do veshë diçka më praktike dhe do shoqërojë tim shoq në ekzaminimin e tij shëndetësor. Kështu, vonesa jonë në klinikë do bëjë që ne të humbasim avionin. Pas disa ditësh kureshtja e medias me siguri do të përqendrohet gjetkë.
Secili prej nesh do t'i kthehet jetës së tij. I vetmi ndryshim nga më parë do jetë të jetuarit nën të njëjtën çati, në vilë. Ndërkohë, të gjithë do ta kenë harruar muajin tonë të mjaltit. Ne të parët. Madje, as që na shkoi ndër mend ta planifikonim.
Nuk ma merr mendja që Xhimi t'ia dilte mbanë të lexonte mendimet e mia. Por as që e vrava mendjen për të mësuar si ia doli. Më pyeti përse nuk do ta bëja udhëtimin dhe nuk do ta konsumoja martesën time në ishujt më të bukur të Spanjës, kur dhëndri sipas tij ishte jo keq.
Sikur ta dijë se tani edhe unë jam e pushtuar nga dilemat! Sapo kam kuptuar që shpirti im s’ka vdekur plotësisht. Zemra ime ndoshta nuk i ka mbyllur një herë e përgjithmonë dyert e saj. S'di cili është reagimi më i natyrshëm. Mos duhet të lumturohem, apo ndoshta të hidhërohem? Sa herë kam përfshirë ndjenjat, në këmbim kam marrë vetëm telashe.
Diçka është e sigurt dhe vetëm të jem e verbër për të mos e pranuar. Ky është shansi i fundit që po më ofron jeta. Le të kem një fizik të përsosur, pamje rrëzëllitëse, karrierë të suksesshme. Ç'do të më mbetet pas disa vitesh? Absolutisht asgjë nëse do vendos të mbyll jetën time e vetmuar. Por, jeta po tregohet bujare me mua. Ç'duhet të bëjë për ta shfrytëzuar këtë shans të fundit?
Me, apo pa rrëzimin e sajuar nga shkallët, ne nuk do bëjmë kurrë muaj mjalti, ndërsa martesa jonë do mbetet thjesht një copëz letër. Thellësisht e trishtueshme. Duhet të sillemi sikur të jemi maninkina dhe jo dy qenie njerëzore. Por, një mendim i rrufeshëm më shkrepëtin në kokë.
Fatjoni më sheh në sy. Se ç'ka në vështrimin e tij! Sikur edhe ai të dojë ta prishë marrëveshjen? Është gjëja që dua më shumë në botë. Nuk mund t'ia fal vetes përsëritjen e gabimeve të dikurshme. Është Shansi i fundit që po më ofron jeta. Nëse nuk do mundem ta shfrytëzojë maksimalisht, së paku të mos e shpërdoroj.
Por, unë nuk do kem kurrë guximin t'i them e para Fatjonit diçka që ka lidhje me ndjenjat e mia. Më mirë vdes se t'i pranojë atë që kam nisur të ndiej për të, një dashuri të thjeshtë njerëzore. Për mua ai është njeri dhe jo maninkini i marrëveshjes sonë.
Po sikur ai vetë t'më propozojë diçka të tillë? Duhet të jem e vendosur të mos bije preh e provokimeve të tij. Nëse dikush përfshin ndjenjat, gjithçka merr fund me divorc.
Nuk pata kohë të mbledh veten dhe ta ndaloja në kohë Fationin. Ne mund të gjenim një pretekst tjetër për ta anulluar muajin e mjaltit. Isha e sigurt për këtë. Kështu të gjithë do të mund të ishin të qetë e të mos na bezdisnin me pyetjet e tyre të pafundme, duke kërkuar shpjegim për gjithçka.
Unë mendoja e mendoja. Çfarë nuk blova në mendjen time brenda atyre pak sekondave. Si përfundim, nuk mund të bëja absolutisht asgjë për t'i ardhur në ndihmë Fatjonit. Ky është një difekt i madh imi. Mendja më fluturon gjithandej dhe truri kurrë nuk e ndal vrullin e tij të zakonshëm. Kjo më bën të ndihem e lodhur. Po të kesh parasysh edhe orët e pakta të gjumit që bëj, e kupton se në ç'gjendje të mjeruar ndodhet truri im.
Ndoshta për shkak të përhumbjes në mendime, apo si pasojë e emocioneve që më kanë pushtuar të tërën, nuk mund të kuptojë se ç'ndodhi që e bëri Fatjonin të rrëshkiste nga shkallët. Secila shkallë po e godet pa mëshirë përgjatë shpinës. Sytë menjëherë po më mbushen me lotë. Nuk më vjen ndër mend as marrëveshja jonë, madje as shansi i fundit i jetës që mund të më shkasë përgjithmonë nga duart sa hap e mbyll sytë.
Ç'do goditje që merr ai në shpinë, e ndiej sikur po më ndodh mua. Shpresoj vetëm që të mos ketë marrë ndonjë goditje në kokë. Shpejtoj pranë tij. Sytë më përloten dhe trupi më dridhet i gjithi prej ankthit. E pushtoj në krahët e mi. Ulem pranë tij dhe ia vendos menjëherë kokën në prehrin tim.
Instiktivisht, afroj buzët dhe e puth në ballë. Ҫ’është ky idiotizëm që po bëj? Mos po e prish marrëveshjen tonë ende pa nisur? Por, tani aq më bën. Shëndeti i Fatjonit është më i rëndësishim se gjithë marrëveshjet e botës të marra së bashku. Dhe në fund të fundit, pasi të nënshkruanim martesën tonë civile, Fatjoni do të më puthte në ballë. Nuk mund të shtireshim më shumë se kaq publikisht. Mjaftonte.
E kuptoj që ai është gjallë. Ka humbur ndjenjat. Thërras menjëherë që të vijë ndonjë mjek. As e kisha vënë re që ai sakaq ishte aty. Nuk vura re as objektivët e kamerave dhe aparateve fotografik, të cilët po shuanin urinë mbi prenë e radhës. Për mua atë çast s'kishte rëndësi asgjë tjetër, veҫ Fatjonit.
Një çast më vonë ishim në autoambulancë. Fatjoni, unë, mjeku i cili ishte i ftuar në dasmë dhe që siç e mësova më vonë ishte miku i tij më i mirë, si dhe mjeku i urgjencës së autoambulancës dhe dy infermiere, siç ishte planifikuar.
Por, kjo do të ndodhte pas martesës sonë civile dhe takimit me gjithë të pranishmit. Ndërkohë që ata shijonin ushqimet e përgatitura enkas, ne do ndërronim veshjen dhe do shkonim në klinikë.
Mamaja e Fatjonit këmbënguli për të hipur në autoambulancë, por i shoqi nuk e la. Sipas tij, më takonte mua të rrija pranë tij. E kuptova menjëherë që mund të bëheshim miq të mirë. Sytë e tij ishin të mbushur me dashamirësi. Më kujtuan sytë e babait.
Mamaja e Fatjonit u bë edhe më e rreptë. Më pa me ca sy të egërsuar. Në një farë mënyre unë mund të përligjjia mërinë e saj. Sapo kisha hyrë në atë shtëpi u kisha sjellë fatkeqsi.
Instikti më thotë se nuk është vetëm kjo. Do jetë mrekulli sikur në të ardhmen të shkëmbejmë në mënyrë të qytetëruar ndonjë fjalë mirësjelljeje me njëra-tjetrën. Meqënëse do jetojmë nën të njëjtën çati, ky përbën problem serioz për mua. Egërsinë vjehrra ime e ardhshme le ta mbajë të gjithën për vete. Unë nuk do t’i jap kurrë shkas të më vërsulet.
Ndoshta ishte pikërisht kjo gruaja që i tërhoqi pak më parë vëmendjen nipit tim Xhimit. Ka vërtet një pamje që dallon nga gjithë të tjerët. Por, ajo ka një kostum vishnje të stiluar prej meje. Sidoqoftë, unë nuk besoj se Xhimi është në gjendje të kuptojë cilat veshje i kam stiluar unë dhe cilat jo. Nuk di nëse i ka interesuar ndonjëherë ky fakt.
Ama, nuk mbaj mend qoftë edhe një rast të vetëm, në të cilin im nip të flasë pa baza. Kush e di? Megjithëse e pashë vetëm për pak kohë fytyrën e vjerrës së ardhshme, pata përshtypjen se nuk ishte hera e parë që e shihja. Unë nuk ngatërrohem kurrë në këtë pikë. Kam një kujtesë fotografike të pagabueshme. Profesioni im ma ka skalitur çdo ditë e më shumë. Me siguri duhej ta kisha parë diku.
Më e mira që mund të bëjë është t'i fshijë një herë e mirë nga koka gjithë budallallëqet e pavlera, të cilat po ma bëjnë mendjen t'më vijë vërdallë. Duhet të fokusohem te ç'ka është më e rëndësishme se gjithça dhe gjithkush tjetër. Fatjoni.
Duket kaq i ëmbël e i pafajshëm, saqë më vjen t'i afrohem. T'i pëshpëris në vesh se duhet të bëhet mirë, për vete dhe për mua. Për realizimin e marrëveshjes sonë. Nuk kam guxim të bëjë asgjë nga këto. Rri e strukur në një cep të autoambulancës dhe dridhem e gjitha. Ajo që dëshiroj tani, me gjithë shpirt, është që ai të hapë sytë dhe të pyesë për mua.
Më në fund ai po vjen në vete. Në autoambulancë ka kaq shumë aparatura, saqë më duket sikur jam në spital. Unë s'di të lexoj asnjërën prej tyre për të dalluar shenjat jetësore. Por, mjekët më kanë qetësuar. Fatjoni është jashtë rrezikut për jetën. Pasi hezitoj, i pyes nëse ka dëmtuar shtyllën kurrizore. Kam frikë për vdekje se mos ai paralizohet. Ata nuk më kthejnë përgjigje. Vetëm shkëmbejnë vështrime mes tyre.
Më në fund Fatjoni foli. Ai pyeti se çfarë ndodhi. Ajo që doja ishte të qëndroja pranë tij. T'i ledhatoja flokët dhe t'i thosha se më vinte keq që gjërat nuk shkuan sipas planit. Unë kisha nisur ta urreja planin, por jo Fatjonin. Nuk doja që atij t'i ndodhte diçka e keqe. Kolegu i tij iu afrua duke i bërë një diagnozë të plotë, por të përmbledhur.
Fatjoni nuk ankohej për dhimbje, por isha e sigurt që nuk bëhej fjalë vetëm për shembje, me siguri gjëkundi duhej t'i qenë thyer ca kocka. Rrëzimi ishte i tmerrshëm.
Fatjoni më thirri në emër, Anjeza. Kurrë emri im s’më kishte tingëlluar aq ëmbël. Më kërkoi që të shkoja pranë tij. Nëse unë do t’i përkëdhelja flokët, siҫ e ndjeva atë ҫast, marrëveshja jonë do të prishej para se të lidhej. Unë e bëra një gabim, e putha në ballë në kohën kur ai ra nga shkallët. Mund të shfajësohesha duke thënë që e bëra për të mos ngjallur dyshime në vërtetësinë e martesës sonë.
Këtë herë ishte ndryshe. Nëse do përsërisja të njëjtin gabim, gjithçka përfundonte në ajër. Unë nuk e dua këtë. As ai. Jam e sigurt. E përsëri, një pjesë e mendimeve më kanë mbetur pas, në vilë. Shumë pyetje pa përgjigje.
Do t’i shqyrtoj të gjitha me qetësi. Ky është temperamenti që e kam skalitur me vështirësi ndër vite. Nuk e lë veten të bëhem preh e debateve, situatave të disfavorshme dhe emocioneve. Aq më tepër tani. Gjithë sa duhej të bëjë është të shfrytëzojë shansin e fundit që po më ofron jeta.

No comments:
Post a Comment