Mblidhem shpejt e shpejt me robdishambër dhe i hap derën motrës sime të vogël, Silvit. Ajo ka duar të shkathëta dhe sy të mprehtë. Ka një bisnes të vetin. Një qendër parukerie dhe estetike në një nga zonat më të frekuentuara dhe të shtrenjta të Tiranës, te ish Blloku. Punon vetëm me pronotime, sepse klientelën që është e interesuar nuk mund ta përballojë të gjithën, megjithëse ka një staf që mua më duket relativisht i madh në numër, madje i ekzagjeruar.
Sa herë më është lutur Silvi që të shkojë tek ajo për të bërë një trajtim të plotë! Për mua është diçka e kotë, thjesht dhe vetëm humbje kohe. Dhe koha për mua është e çmuar. E shfrytëzoj më së miri, duke u përpjekur të mos çojë dëm asnjë sekondë.
Por, për të qenë e sinqertë, nuk besoj se lidhet vetëm me kohën. Për mendimin tim një femër dëshiron të duket më e bukur dhe më e re nga sa është realisht për dy arsye. E para që të ndihet më mirë para pasqyrës dhe e dyta, që t’u bëjë përshtypje meshkujve në përgjithësi dhe partnerit të saj në veçanti.
Unë nuk përfshihem në asnjërën prej dy kategorive. S’kam pikë interesi të dukem më e bukur as në sytë e mi e as në sytë e dikujt tjetër. Ndoshta është pikërisht kjo arsyeja që kur shkoj në qendrën e sime motre,- thjesht për ta takuar,- e ndiej veten të huaj .
Kjo e sotmja me siguri është një ditë e paharrueshme për motrën time të preferuar. Ajo ka rastin e artë të më transformojë në çfarë të dojë. Nuk kam pikën e dëshirës, por as më duket me interes të imagjinojë deri në detaje se ç’do të bëjnë me mua Silvi dhe stafi i saj. Në fakt i kisha premtuar sime motre vite më parë se do ta lija veten në dorën e saj vetëm në ditën e martesës sime. Premtimi u bë në një periudhë kur e kisha vendosur se nuk do martohesha kurrë. Jam e sigurt se edhe ajo si gjithë të tjerët nuk shpresonte më.
Kur mora vendimin për t’u martuar, ftova katër motrat e mia të dashura në shtëpinë time dhe ua komunikova. Jam e sigurt se ishte gjëja e fundit që prisnin të dëgjonin. Asnjëra s’po fliste, madje nuk po lëshonte qoftë edhe një tingull të vetëm habie. I kisha zënë në befasi.
Silvi ishte e para që e mori veten pas lajmit të shumëpritur e njëherazi të papritur. Më pyeti se cila ishte dita fatlume për të.
Mos ishte më e natyrshme që të interesohej për dhëndrin, siç ndodh rëndom në raste të tilla? Por, mendimet e saj rrihnin diku tjetër. Ishte aq e emocionuar dhe e suprizuar nga lajmi, saqë nuk dinte në ç’mënyrë të shprehej. Ndoshta ngaqë edhe ajo njësoj si unë, i qe dorëzuar mendimit se kjo ditë nuk do vinte kurrë.
Pak nga pak motrat e mia e morën veten nga hutimi i parë. Nisën të më përqafonin të gjitha njëherësh dhe të më bombardonin me pyetje. Flisnin të katërta njëherazi dhe secila prej tyre më kapte për supesh për të më kthyer nga vetja. E di si u ndjeva në ato çaste? Sikur pa dashje i isha afruar një foleje grerëzash dhe po më suleshin pa mëshirë. Mbrojtja ime më e mirë ishte heshtja.
Përgjatë pjesës më të madhe të jetës sime më kishin kërkuar, këshilluar, sugjeruar, më qenë përgjëruar e mandej urdhëruar të martohesha. Më në fund unë po ua plotësoja dëshirën. Duhej të ishin të lumtura. Të paktën ato.
Por, në vend të lumturisë, unë shihja në sytë dhe gjithë qenien e tyre një kuriozitet të pafund e të paanë. S’mund t’u vija faj. Lajmi u kishte ardhur si një rrufe në qiell të kaltër.
S’kisha ndër mend të dilja në konferencë për shtyp. Unë do martohesha më një tetor dhe dhëndrrin do ta takonin vetëm ditën e martesës. Asnjë fjalë nuk do t’u thosha deri atë ditë për të, madje as emrin. Ato as që arrinin ta imagjinonin se ishte dikush që e njihnin të gjitha. Sidoqoftë, nuk u duhej të prisnin gjatë për ta mësuar, bëhej fjalë vetëm për njëzetë e gjashtë ditë.
Që prej asaj dite për mua koha fluturoi. Ajo duhej të më mjaftonte patjetër për të bërë gjithë ç’kisha ndër mend. Nuk bëhet fjalë për përgatitjet rutinë të dasmës. Me to do të merrej bashkëshorti im i ardhshëm, Fatjoni. Në fund të fundit do ishte një ceremoni e thjeshtë me një rreth të ngushtë të afërmish. Ceremonia do zhvillohej në vilën gjigante të prindërve të tij. Ajo gjendej në qendër të një ferme jashtëzakonisht të madhe,- të paktën kështu më kishin thënë. Gjithë ceremonia do niste dhe do përfundonte atje.
Unë kisha një ide, e cila shumkujt fillimisht iu duk absurde. Doja të stiloja dhe realizoja veshjet për të gjithë të ftuarit në dasmë. E vetmja punë në të cilën unë shfaq talent, dëshirë dhe aftësi. S’munda të mos e shfrytëzojë. Kam tridhjetë e tre vjet që s’merrem me asgjë tjetër. Në këtë pikë i ngjaj sime mëje, si të isha një klon i saj.
E gjitha filloi një mbrëmje dimri vonë. Ime më po përfundonte së qepuri një kostum, i cili i përkiste klientes së saj më të rëndësishme. Mamaja ishte rrobaqepëse dhe nga kjo punë merrte një pagë fikse mujore. Pas vdekjes së babait, ajo nisi të punonte edhe në apartamentin tonë. Njërën prej dhomave të tij e adaptoi në rrobaqepësi.
Mamaja u kujdes pareshtur që të na ushqente ndaj kujtimit të babait mirënjohje, respekt dhe dashuri. Të gjitha këto ai i meritonte.
Ajo që mamaja nuk na kërkoi asnjëherë mua dhe motrave të mia ishte diçka për vete. Nuk e mbaj mend të fliste në vetën e parë. Për të ekzistonim vetëm ne, vajzat e saj. Deri në ditën e vdekjes, mamaja na kushtoi ne çdo sekondë të kohës së vet. Përditë e më tepër unë e adhuroja time më. Doja të bëhesha si ajo, në gjithçka.
Adhurimi im nisi një natë dimri të ftohtë. Mamaja punonte deri vonë dhe mua më pëlqente të qëndroja pranë saj. Që bebe flija dhe haja shumë më pak se moshatarët e mi.
Mamaja më kishte treguar se kjo e kishte shqetësuar atë dhe babain. Më kishin vizituar te disa mjekë pediatër. Nga të gjithë kishin marrë pak a shumë të njëjtën përgjigje. Përderisa unë s’qaja, s’grindesha dhe më kryesorja, përderisa kisha një peshë pothuajse normale, s’kishte asgjë për t’u shqetësuar.
Edhe ime më kishte qenë kështu në fëmijërinë e vet. Ajo ende flinte pak dhe nuk konsumonte shumë ushqim. Jam e lumtur që i kam ngjarë në më shumë se një aspekt.
Kur e dëgjova time më të rënkonte nga dhimbjet dhe e pash të vendoste dorën mbi barkun e fryrë si tullumbac, u tremba për vdekje. Ajo më afroi pranë vetes, më përkëdheli flokët lehtë dhe u përpoq të më qetësonte, duke më thënë që s’kishte asgjë për t’u shqetësuar. Ishin dhimbjet e lindjes. Duhej të shkonim urgjentisht në maternitet.
Ajo rimori menjëherë në dorë kostumin që ishte duke qepur. S’do dilte nga apartamenti pa e përfunduar. Vendimi dhe veprimi më absurd në botë. M’u desh ca kohë për të kuptuar domethënien e atij veprimi.
Ime më kishte katër fëmijë, të katërta vajza. Nga çasti në çast priste të lindte fëmijën e pestë. Dëshironim me gjithë shpirt të ishte djalë. Do t’i vendosnim emrin e babait që kishte vdekur tre muaj më parë. Aso kohe tek ne s’kishte aparatura që bënin EKG. Gjinia e fëmijës mësohej vetëm në kohën e lindjes së tij.
Së shpejti do të bëheshim një familje prej gjashtë personash. Gjithë të ardhurat për të mbajtur këtë familje siguroheshin nga gjilpëra dhe duart e sime mëje. Nëse ajo humbiste një kliente, për më tepër, klienten e saj më të rëndësishme, për ekonominë e familjes sonë kjo përkthehej në telashe serioze.
Ç’është e drejta, secila nga ne vajzat merrte një pension, i cili lidhej me statusin e jetimit. Do të vazhdonim ta merrnim deri në përfundim të studimeve. Por, ime më kishte qenë e vendosur për të mos i tërhequr asnjëherë ato para. Ajo kishte hapur llogari bankare për secilën prej nesh. Sipas saj do të vinte një ditë në të cilën paratë do të na duheshin më shumë se sot.
Por, s’ishte vetëm kjo. Atë e kishte tmerruar deri në palcë vdekja e papritur e babait. Me siguri mendonte që po t’i ndodhte e njëjta gjë para se ne të rriteshim, të mos mbeteshim pa para.
Për herë të parë atë natë unë ndihmova mamanë për të përfunduar kostumin. Duart më dridheshin prej emocioneve dhe frikës që më kishte mbushur zemrën. Hoqa penjtë e provës, të cilët ime më gjithmonë i përdorte me ngjyrë të ndryshme nga copa të cilën qepte. Më pas vendosa hekurin e rrobave në prizë dhe me shumë kujdes, duke vendosur një napë të lagur sipër nisa hekurosjen. Aso kohe s’kishte hekur me avull dhe unë e kisha parë që ime më vepronte gjithmonë kështu. Ajo më kishte ndjekur me sy gjithë kohës. Më pëshpëriste fjalë zemre. Fjalë aq të ëmbla, saqë askush s’mi ka thënë veҫ saj.
Në fund mora një varëse rrobash dhe vendosa kostumin. Ishte i përsosur. Ndoshta më i bukuri që kishte qepur ndonjëherë mamaja. Sa do doja që edhe ajo të vishte diçka të tillë! Por, për momentin nuk ishte kjo gjëja më e rëndësishme. Duhej të shkonim sa më shpejt në maternitet dhe kështu bëm.
Kur mësuam se ime më lindi vajzë, të gjitha pësuam një zhgënjim të vërtetë. Mamaja ishte e vetmja që nuk u shqetësua për gjininë e fëmijës. Ajo as që e çonte nëpër mend ta donte një djalë më shumë se një vajzë.
Dhjetë ditë pas lindjes së Silvit, vogëlushes së dashur dhe të ëmbël ëmë e bijë u kthyen në shtëpi. Mamaja kishte probleme shëndetësore serioze. Plaga e operacionit iu infektua. Ajo nuk lëvizte dot nga shtrati. Tezes iu desh të kthehej në shtëpinë e vet në fshat. Nuk mund të rrinte më gjatë te ne. Edhe familja e saj kishte nevojë për të.
Nuk më hiqen nga mendja sytë e trishtuar e të përlotur të sime mëje. Nuk mund të kujdesej as për veten, jo më për pesë vajzat e saj. Kjo për të ishte e papranueshme.
Unë, si më e madhja, thirra një mbledhje të jashtëzakonshme mes motrash. Në këtë mbledhje nuk mungoi as Silvi. Nuk doja që ajo të ndihej e diskriminuar. Në fund të fundit kjo mbledhje ishte thirrur për të gjetur një zgjidhje: Si t’i vinim sa më shumë në ndihmë mamasë.
Pjesa më e vështirë i përkiste më të voglës. Ajo nuk duhej të qante më shumë se ç’duhej. Mamaja nuk e përballonte dot gjithë natën pa gjumë, njëkohësisht dhimbjet e shumta në trupin e saj. Dhe në fakt Silvi ishte e para që bëri pjesën e vet. Në ndryshim nga unë, ajo flinte gjatë dhe hante pa naze. Ndërsa ne, motrat e mëdha i ndamë punët mes nesh.
Xhoana, motra ime më e madhe,- vetëm një vit më e vogël se unë,- aso kohe ishte njëmbëdhjetë vjeçe. Ajo mori në dorë kujdesin e veçantë për Silvin. Tani ajo është mjeke psikiatre. Thotë se pasioni për profesionin e saj lindi pikërisht në kohën kur kujdesej për motrën tonë të vogël dhe mundohej të kuptonte arsyen e veprimeve të saj. Bashkëshorti i saj është gjithashtu mjek psikiatër dhe së bashku krijojnë një çift të mrekullueshëm.
Korniza e përsosur e familjes së tyre plotësohet nga dy vajza të mrekullueshme, të cilat studiojnë për mjeksi. Fobia e dy mbesave të mia janë nëntat. Nëntafobistet janë dy binjake të jashtëzakonshme, të cilat më bëjnë të ndihem krenare që jam tezja e tyre.
Entela, motra ime e dytë, aso kohe vetëm nëntë vjeçe e gjysmë mori përsipër gatimin. Asnjë nga ne nuk e harron gatimin e saj të parë. Kos me sheqer. Me kohën ia mori dorën dhe bëri progres në fushën e gastronomisë. Nga ne merrte gjithmonë vlerësimin maksimal.
Por, ajo për të cilën do të shquhej Entela gjithmonë ishte se gjente mënyrën që me një buxhet shumë të vogël, të blinte përbërësit e duhur dhe bënte që familjes sonë të mos i mungonte asgjë. Sot Entela është një financiere e suksesshme, martuar me një financier po kaq të suksesshëm dhe kanë dy djem. Djemtë janë po kaq të suksesshëm sa prindrit, në mos edhe më tepër.
Talenti i tyre qëndron në një fushë tjetër, mjeshtërinë për të shpenzuar sasi të mëdha parash në kohë rekord. Duke lënë mënjanë dashurinë e pafund që kanë për paranë, ata janë djem të mrekullueshëm. Të komunikueshëm, gazmor, të dashur, të këndshëm, por edhe manipulues të jashtëzakonshëm. Sapo nuhasin dashuri në ajër, shpejtojnë të përfitojnë prej saj. Më i vogli, Xhimi është shumë më finok në këtë aspekt.
Janë miqtë më të mirë të universiteteve private. Çdo vit ndërrojnë mendje në lidhje me universitetet dhe degët që studiojnë. Ndonjëherë më duket se nuk do arrijnë kurrë te diplomimi. Sa për punë, as që bëhet fjalë. Ata s’kanë kurrfarë interesi për të.
Motra ime e tretë, aso kohe vetëm pesë vjeçe për shkak të moshës nuk mund të merrte ndonjë detyrë specifike. Ajo ishte e lirë të bënte atë që donte, pra të luante. Por, nuk ishte mosha ajo që e pengonte. Mirela ndryshon nga ne në dy aspekte: e para i mungon tërësisht iniciativa dhe e dyta, ka qenë aq e dobët në mësime, saqë me zor merte notën pesë.
Por, ja që Mirela ka edhe disa karakteristika, të cilat mungojnë te secila prej nesh. Ajo nuk e lodh kurrë trurin me iniciativa, planifikime, apo projekte. Është tip praktik, pozitive dhe mjaft gazmore. Mirela është një familjare e përsosur. Luan me fëmijët si të qe ende fëmijë. Ishte e vetmja që nuk e trazoi kurrë fëmijërinë për problemet dhe nevojat që kishte familja jonë. Të njëjtën gjë vijon të bëjë edhe sot.
Sytë e tre fëmijëve të saj, dy vajza dhe një djalë, tregojnë qetësi dhe lumturi të pamatë. Bashkëshorti i Mirelës zotëron një kompani ndërtimi dhe ka të ardhura të mjaftueshme për ta bërë familjen e tij të mos i mungojë asgjë në aspektin financiar. Ime motër kujdeset për aspektet e tjera. Familja e tyre është një shembull i mikpritjes, respektit, mirëkuptimit, dashurisë dhe padyshim, lumturisë së vërtetë. Lumturia ka ndërtuar çerdhen në shtëpinë e tyre.
Mirela dhe bashkëshorti i saj kanë karaktere shumë të kundërta. Ndonjëherë mendoj se nuk mund të gjesh dy njerëz që ndryshojnë më tepër. Por, ata e plotësojnë njëri- tjetrin në mënyrë të pabesueshme.
Kunatin tim do ta përcaktoja si njeriun më të lumtur në botë. E adhuron time motër. Ajo i ka dhënë gjithçka për të cilën ka nevojë. Ai urren atë kategori femrash që e kanë mendjen te puna dhe karriera. Sipas tij, ato jo vetëm e lënë pas dore familjen, por janë gati ta braktisin përfundimisht atë. Po sipas tij, kjo është kategoria e femrave të përdala.
Kaq do mjaftonte që të katërta motrat ta urrenim për vdekje kunatin tonë prapanik e maskilist. Por, nuk ndodh kështu. Ai nuk e ka inatin me ne, por me botën moderne. Ndoshta duhej të kishte jetuar në ndonjë epokë tjetër.
Kur shohim sa të lumtur e ka bërë ndër vite motrën tonë, i jemi thellësisht mirënjohës. Me ligjëratat e tij të gjata nuk mërzitemi. Prej kohësh i marim me sportivitet. Ai sjell në familjen tonë të madhe mendimin ndryshe. Le të themi se ai paraqet opozitën.
Dhe e vogla, Silvi. Ajo është tridhjetë e tre vjeçe dhe sërish mbetet vogëlushja jonë. Përveçse si motër, ne e ndjejmë nga pak edhe si vajzë. Në fëmijërinë e saj, veç mamasë, Silvi na kishte të katërta që kujdeseshin për të. Ka gjithë arsyet e botës për ta quajtur veten të përkëdhelur nga fati. Pavarësisht kësaj, e ka një brengë të madhe. Në ndryshim nga ne, ajo nuk e njohu kurrë babain. Thotë se zemra e saj ka një zbrazëtirë, të cilën nuk mund ta mbushë askush.
Silvi ka vetëm një vajzë. Por, pak a shumë mund të thuash se ka edhe një djalë. Bashkëshorti i saj gjithmonë ankohet se në këto kohë në Tiranë nuk gjen punë. Kur gjen punë ankohet se nuk paguhet mjaftueshëm. Kur paguhet mjaftueshëm ankohet se lodhet shumë etj. etj.
Falënderoj fatin që motra jonë nuk vuan nga pagjumësia. Përndryshe do kishte rënë në depresion nga ankesat e tij. Por, Silvi qysh fëmijë, sapo vendoste kokën në jastëk e zinte gjumi. Me bashkëshortin që ka, kjo duhet parë si një dhuratë nga qielli.
Bashkëshortin e Silvit nuk e kemi futur asnjëherë në kategorinë e burrave të këqij. Përveç përtacisë, nuk ka vese të tjera. Megjithëse, në këtë pikë s’mund të jem e sigurt. Duhet të ketë një arsye përse Silvi ia ka ndaluar rreptësisht të shkojë në qendrën e saj të parukerisë dhe estetikës. Sidoqoftë, nuk dua të ndalem më shumë në këtë pikë. Ime motër është aq e zonja, sa po të ketë një problem, ta zgjidhë menjëherë.
Edhe pasi mamaja u shërua plotësisht, ne nuk hoqëm dorë nga ndarja e punëve, megjithëse ajo këmbëngulte të merej vet me gjithҫka dhe ne të studionim.
Detyra ime ishte të merresha me pastrimin dhe higjenizimin e shtëpisë. Detyrë që e përmbushja me shpejtësi të jashtëzakonshme. A e dini përse?
Me zor prisja të shkoja te makina qepëse dhe t’ia nisja punës. U dashurova menjëherë pas rrobaqepësisë. Pasi mësova gjithë sa dinte mamaja, sërish ndieja nevojë të përmirësohesha. Ndoqa një shkollë mode dyvjeҫare. S’di të them në isha më e lumtur unë, apo ime më. Duke punuar së bashku, ne ndjeheshim më pranë njëra-tjetrës. Nuk linte rast pa më thënë se ishte një rrobaqepëse e thjeshtë, ndërsa unë stiliste që më priste një karrierë e ndritur.
Për mua ajo nuk ishte as rrobaqepëse dhe as njeri i thjeshtë. Ajo ka qenë dhe do të mbetet heroina ime, idhulli im. Sa shumë e vuajta dhe vijojë ta vuaj humbjen e saj!
Megjithëse kam katër motra të mrekullueshme, katër kunetër që më gjenden pranë sikur t’i kisha vëllezër, katër nipër dhe katër mbesa që i adhuroj, asnjë prej tyre s’mund të më largojë vetminë. Humbja e mamasë më ka bërë ta ndjej vetminë deri në palcë. Më mungon kaq shumë! Dhe sikur të mos mjaftonte, unë vijoj të jetoj në shtëpinë tonë të vjetër. Ҫdo objekt sikur ka gojë dhe më kujton mamanë, sikur kishte shpirt dhe tani s’e ka më. Mamaja ishte shpirti i kësaj shtëpie. Prej dy vitesh kjo shtëpi ka reshtur së paturi jetë.
Kështu, unë arrita të bëja një analizë të plotë të familjes sime, ndërkohë që Silvi dhe shpura e saj më sulmojnë me qëllimin e vetëm për t’më tjetërsuar.
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment