Thonj fallco, qerpik fallco, fije flokësh fallco. Po trembem për vdekje nga mendimi që Silvi mund të më shndërrojnë në një nuse fallco.
Por, në thelb a s'jam një nuse fallco, për aq kohë sa edhe martesa ime është e tillë? Nëse më duhet të ngërthej me patjetër ndonjë mendim pozitiv, a s'është mirë të mendoj se së paku sot pamja ime e brendshme dhe e jashtme janë në harmoni?
Kur i sugjerova Silvit të mos më bënte një makiazh të rëndë, më tha se nuk bëhej fjalë për një makiazh të rëndë, por për një makiazh të thellë. Nuk arrija të kuptoja sadopak ndryshimin.
Fytyra ime kishte marrë aq shumë shtresa kozmetike njëra mbi tjetrën, saqë isha lodhur dhe më në fund isha dorëzuar. Kisha ndalur numërimin. Duhej të shihesha patjetër në pasqyrë. Kush e di si isha transformuar!
Ime motër ma ndaloi. Në fund të fundit ajo mund ta bëjë këtë. Marrëveshja jonë e dikurshme i jep asaj të drejta të plota. S'duhet të bëjë gjë tjetër, përveçse të kem besim tek ajo dhe te dashuria e saj.
Për hir të dashurisë që ka për mua, nuk do të më kthente në palaҫo. Veҫ dashurisë, është në lojë karriera, madje edhe krenaria e saj profesionale. Sidoqoftë, asnjëra nga këto nuk arrin të më qetësojë plotësisht.
Po më ndihmon të vesh fustanin e bardhë. Sa frikë kam mos dukem qesharake me fustan nusërie. Në moshën time ka shumë femra që janë bërë gjyshe, ndërsa unë...
Më ngushëllon fakti që Fatjoni këmbënguli për këtë. Të paktën s'do dukem qesharake në sytë e tij.
Kam stiluar një fustan nusërie të thjeshtë e të këndshëm. Në material mëndafshi të bardhë, një fustan në stil sirenë, bust.
Fustani është i shoqëruar me mëngë të gjata dhe pjesën e dekoltesë tyl. Meqenëse nuk isha e sigurt cili material do ishte më i përshtatshëm, kam realizuar të njëjtin model në dy materiale të ndryshme, një në tyl francez dhe tjetrën në tyl spanjoll. Ende nuk e kam zgjidhur dilemën që më ka munduar javët e fundit. Cili është më i përshtatshmi?
Sa për vellon, as që dua ta vendos, megjithëse e kam realizuar në dy modele dhe materiale të ndryshme. E para e shkurtër, në tyl francez. Po ai tyl që kam përdorur edhe për pjesën e sipërme të fustanit. Tyli Chantilli, i cili ka të theksuar motive floreale vetëm në konture.
Varianti i dytë është realizuar në tyl spanjoll, ka qëndisje dhe dekor floreal në gjithë sipërfaqen. Po ai tyl që kam realizuar një variant të pjesës së sipërme të fustanit. Është e gjatë, në stil pelerine. Do kombinonte më tepër sikur fustani të kishte nga pas një bisht jo shumë të theksuar. Por, druhesha mos dukesha qesharake. Nuk mund t’ia falja vetes.
Të dyja vellot janë punuar me shumë finesë dhe nuk kanë ngarkesa të tepërta për shijen time, siҫ ndodh rëndom me vendosjen e gurëve, apo perlave. Janë ideale për t’i kombinuar me fustanin e mëndafshit, i cili është në stil minimalist dhe elegant dhe pjesën e sipërme të fustanit me po atë material si velloja.
Silvi po këmbëngul. Sipas saj, velloja u jep nuseve një nur hyjnor. Unë kundërshtoj sërish, këtë radhë edhe më e vendosur se më parë. Mjafton të vesh një prej pjesëve të sipërme të fustanit, të vendos vathët me perla të bardha që i kam kujtim nga mamaja dhe jam gati.
Por, Silvi më thotë diçka që më bën ta kyç gojën dhe të zhytem në mendime. Nëse s’do ta doja vellon, nuk do ta kisha stiluar e realizuar me aq kujdes. Dhe kjo është e vërtetë. Që kur isha ҫupëlinë ëndërroja një vello të gjatë, në stil pelerinë, si ajo që kam realizuar me tyl spanjoll. Dy meshkujt që hynë në jetën time nuk më lejuan të realizoja as këtë ëndërr, as ndonjë ëndërr tjetër. Përkundrazi, ata m’i morën të gjitha dhe unë mbeta si një trup i pajetë.
Pra, unë doja vello, përderisa ato qëndronin aty… Silvi më këshilloi të jem e sinqertë, të paktën me veten time. Por, është kaq e vështirë! Sidomos sot. Vellon e shkurtër në tyl francez e realizova vetëm e vetëm se mos e teproja me vellon e gjatë dhe më figuarante. Por ishte kjo e fundit që doja. E kisha dashur gjithmonë.
E gjeta më në fund guximin t’ia pranoja Silvit dhe vetes atë që doja në të vërtetë. Ajo më ndihmoi për të veshur pjesën e sipërme të fustanit dhe më vendosi vellon. Më përgëzoi për zgjedhjen. Sipas saj, do kishte bërë të njëjtën zgjedhje.
Mbatha këpucët e lëkurës ngjyrë bezhë me takë të lartë dhe fine. I kishte realizuar një këpucar mjeshtër, punuar plotësisht me dorë. Për mua nuk ishin thjesht këpucë, por një vepër arti.
Pasi mposhta frikën dhe ankthin që më mbushën zemrën përgjatë orëve më të gjata të jetës sime,- kohë në të cilën isha nën kthetrat e Silvit dhe shpurës së saj, të cilët nisën punën nga thembrat e këmbëve- mora guximin të dilja para pasqyrës. Edhe sikur të kisha dalë nusja më e shëmtuar në botë, time motër nuk do ta qortoja për asgjë.
Në fund të fundit për Fatjonin bukuria ime s'kishte pikë rëndësie. Martesa jonë ishte vetëm një marrëveshje. Asnjë nga motrat e mia nuk dinte gjë për këtë. Dhe s'kisha në plan t'ua tregoja. Ato do ma bënin jetën të pamundur me ndërhyrjet, pyetjet, sugjerimet dhe këshillat e tyre të pafundme. Kur bëheshin të katërta së bashku ishin një uragan i vërtetë.
Më në fund para pasqyrës. Sy më sy me shëmbëlltyrën time. Silvi pret në heshtje dhe me zemër të ngrirë reagimin tim. Unë mbetem pa fjalë. Nuk është e mundur që në moshën dyzetë e pesë vjeçe të kem një pamje të tillë!
Dukem e mrekullueshme, e magjishme. Mos ndoshta koha është kthyer pas? Zgjas duart për të prekur shëmbëllimin tim. Duket aq real. Në vend të tij shoh vetëm duart e mia. Asgjë s'është e vërtetë dhe koha s'mund të lëvizë për t'u kthyer ndokund. Unë jam këtu, tani, me trupin që më dridhet dhe me zemrën e zbrazët.
Fatjoni, i cili pas një ore do të bëhet bashkëshorti im, është mashkulli i tretë që do të futet në jetën time. I pari më rrëmbeu pafajësinë dhe ëndrrat. I dyti më privoi një herë e mirë nga lumturia dhe shpresat. Për Fatjonin nuk ka mbetur më asgjë. As për mua.
Silvi më fshin lotët me një delikatesë të jashtëzakonshme. Po kujdeset për kryeveprën e saj. Pres t’ia nis me një breshëri qortimesh . nuk duhet të qaj sepse prishet makiazhi.
Për habinë time nuk më qorton. E pushtoj fort mes krahëve të mi. Ajo është motrushja ime e vogël. Njeriu më i dashur në botë. Por, mua s'mund të më ngushëllojë askush.
I them se do doja me gjithë shpirt që mamaja të ishte aty me ne. Silvi përpiqet të më bindë që mamaja jonë është e lumtur. Shpirti i saj më në fund sot do të gjejë prehje. Ajo u nda nga kjo botë me një peng në zemër. E dinte mirë që unë s'mund të bëhesha nënë, por më këshillonte çdo ditë që të gjeja një njeri me të cilin të kaloja jetën. Vetmia ime e tmerronte.
S'kisha dashur të flisja për një temë të tillë me askënd, as me time më, e cila ishte njeriu më i shtrenjtë dhe më i besuar për mua. Ajo e dinte më mirë se kushdo sa shumë kisha vuajtur për shkak të meshkujve. Asnjëra nga ne s'mund ta thoshte me siguri nëse kisha gabuar në zgjedhje, apo kisha qenë preh e fatit të keq.
Mamaja nuk reshti së shpresuari se unë do gjeja një ditë dikë që të më vlerësonte e të më donte siç e meritoja. Sipas saj, megjithëse s'mund të kisha fëmijë, sërish mund të jetoja e qetë dhe e sigurt pranë tim shoqi. Ajo nuk e përdorte fjalën lumturi, sepse unë i qeshë përgjëruar të mos e shqiptonte kurrë atë fjalë në praninë time.
Isha vetprivuar prej vitesh nga shpresa për të qenë e lumtur. Kishte qenë ekstremisht e dhimbshme. As që doja ta kujtoja atë kohë e as të dëgjoja të flitej për të.
Por, Silvi gabon. Mamaja nuk mund të jetë e lumtur, ajo s’mund të gjejë prehje, as sot dhe as ndonjë ditë tjetër. Asaj s'kam mundur t'i fsheh kurrë asgjë. Ishte shoqja ime më e mirë.
Zemra do t'i bëhej copë e thërrime po të mësonte se martesa ime është thjesht dhe vetëm një marrëveshje. Por, unë dua që shpirti i saj të mos trazohet nga zgjedhjet e mia.
Tani unë s'kam më frikë nga askush, as nga Fatjoni, madje edhe sikur ai të qe mashkulli më maskara i planetit. Nëse s'arrij të fitojë asgjë nga kjo martesë, diçka është e sigurt. Unë s'kam ç'të humbas.
Jam pranë dritares dhe po shoh jashtë. Një limuzinë e bardhë më pret poshtë pallatit. E ka dërguar Fatjoni. Luksi brenda saj më vë në mendime. Ka gjëra, të cilat i ëndërrojmë gjatë, shumë gjatë. Tepër.
Një ditë, papritur i shohim të realizohen. Po a e di çfarë? Nuk kanë më asnjë vlerë. Ka shumë gjëra, të cilave koha ua zbeh shijen, madje ua shuan përgjithmonë.
Vetëm hiret e mia nuk i kishte venitur koha. I isha mirënjohës fatit tim të pafat së paku për këtë. Nëse pamja ime do kishte ndryshuar në po atë mënyrë që ishte tkurrur, shëmtuar, madje gjymtuar shpirti im, me siguri që nuk do mundesha të dilja në rrugë pa tmerruar njerëzit.
Për vilën në të cilën do zhvillohet ceremonia, di vetëm që ndodhet diku në periferi të Tiranës, asgjë më tepër. Duke folur në telefon me mbesën time Sarën, njërën prej nëntafobisteve, mësoj se tani gjithë familja ime e madhe ndodhet atje.
Nga zëri Sara duket tepër e emocionuar. Nëse asaj i kanë pëlqyer njerëzit, vendi, ambjenti, arredimi dhe gjithçka tjetër, do të thotë se është me të vërtetë një mrekulli. Sara ka shije të rafinuara.
Më pas vërshon një lumë i tërë me përgëzime dhe komplimenta për dhëndrin në emër të familjes sime të madhe. Sipas tyre ishte më i miri që mund të gjendej. Edhe me porosi s’mund të bëhej më i mirë. E kishin kuptuar tashmë përse nuk ua prezantova dhëndrin më parë, sepse ata e njihnin, madje mjaft mirë.
Silvi nuk lejoi askënd të më shihte para ceremonisë. Duhej të ishte surprizë për të gjithë. Dhe kështu do jetë. Në limuzinë jemi vetëm unë dhe shoferi. Nëse më duhet të them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, ndihem e vetmuar, për vdekje. Por, nuk është hera e parë që ndihem kështu dhe sigurisht, nuk do të jetë as e fundit. S'është aspak e lehtë ta shpërfillësh vetminë, e cila të buron ngado dhe të mbush gjithë qënien.
Sidoqë nga brenda jam gërryer e zgavëruar, jam sërish në këmbë. Ime më thoshte shpesh se jam kockë e fortë. Unë s'e kam besuar ndonjëherë. Nuk jam aspak kockë e fortë. Jam një njeri si gjithë të tjerët. Vetëm se me mua jeta është tallur sa ka dashur dhe kur ka dashur. Më është dashur shumë mund për të qëndruar në këmbë.
Në vend që të kaloja ditët e mia të vetmuara duke qarë, kam punuar. Kam punuar aq shumë, saqë një pjesë e mirë e njerëzve më kanë përcaktuar si një njeri që i ka shitur shpirtin djallit për të bërë karrierë dhe para. Unë thjesht kam buzëqeshur dhe u kam thënë se besoj në zot e jo në djall. Realisht unë nuk besoj më askund.
Sikur të ekzistonte zoti diku, kisha vetëm një pyetje për t'i drejtuar. Unë s’i kisha bërë kurrë keq njeriu në jetën time. Përse atëherë ai ishte tallur me mua? Sa për shitjen e shpirtit djallit, apo kujtdo tjetër, nuk kisha si ta bëja, sepse nuk mund të shesësh diҫka që nuk e ke.
Dy meshkujt që kishin hyrë më parë në jetën time ishin kujdesur mirë të më shkulnin zemrën vendit. Mora frymë thellë dhe u përpoqa seriozisht të largoja këto kujtime tmerrësisht të trishta nga mendja. Nëse s'mund të kisha asnjë shans për të qenë e lumtur, kisha së paku detyrë të lija veten time të qetë, së paku sot.
Babai nuk jeton dhe unë nuk dua t'ia jap askujt privilegjin për të më shoqëruar. Im atë është i pazëvendësueshëm. Mamaja nuk u përpoq kurrë ta zëvendësonte në tridhjetë vitet e gjatë e të vështirë të mungesës së tij. Edhe unë nuk kam përse ta zëvendësoj. Bëhet fjalë thjesht për një shoqërim, asgjë më tepër.
Në fund të fundit ky gjest ka edhe një domethënie të veçantë. Babai i nuses ia dorëzon të bijën dhëndrit. Unë nuk po i dorëzohem Fatjonit. Mes nesh s'ka e nuk do të ketë ndonjëherë asgjë më tepër përveç një marrëveshjeje.
Unë nuk po i dorëzohem, as atij dhe as do t'i dorëzohesha ndokujt tjetër në jetën time. Vetëm fatit i jam dorëzuar. Ai më ka lënë pa bashkëshort, pa fëmijë, pa një familje timen.
Mësova se ishte e kotë të rebelohesha kundër fatit. Kjo s'kishte për të më shpënë askund. Nejse, kjo nuk është koha më e përshtatshme për të menduar në këtë mënyrë. I premtova vetes se së paku sot do ta lë të qetë.
Po kështu jam unë, ose së paku kështu më kanë shndërruar vitet. Në vend që të shijoja udhëtimin e parë me limuzinë, sillja ndër mend kalvarin e gjatë dhe të mundimshëm të jetës sime. Po tani mjaft më! Më duhet të dal prej së shkuarës, për t’u zhytur e tëra në të tashmen.

No comments:
Post a Comment