Gjyshi im vuan prej një sëmundjeje të pashërueshme dhe mamaja na tha se ishte mundësia e fundit për ta takuar. Ne pranuam menjëherë, megjthëse ardhjen në Shqipëri s’e kemi me shumë dëshirë. Lindur dhe rritur në Itali, jeta jonë pothuajse s’ka lidhje me Shqipërinë. Gjithë-gjithë mund të kemi ardhur tre, apo katër herë.
Mamaja na u lut me lot në sy mua dhe tim vëllai të silleshim mirë me gjyshin. Ne pamë njëri-tjetrin në sy. Nuk ishim sjellë ndonjëherë keq me të dhe me askënd. Por, me sjellje të mirë, mamaja donte të thoshte të tregoheshim të dashur, t’i kushtonim vëmendje dhe ta dëgjonim me kujdes. Ai me siguri do na linte porositë e fundit.
Ani më përsëriste fjalën testament. Ai s’mund të mos ishte materialist, madje as në një rast të tillë. Unë kafshova buzën për t’u vetpërmbajtur. Jo vetëm për gjyshin, por edhe për mamanë më vinte tmerrësisht keq. Ajo po e vuante thellësisht humbjen e të atit, megjithëse ai ishte ende gjallë. Gjyshi ishte idhulli i saj. As që arrija ta mendoja mamanë pa të. Ajo e adhuronte, por jo vetëm kaq. Gjyshi kishte shërbyer si busull në jetën e saj. Megjithëse nuk isha aspak dakort me hapësirën e stërmadhe që i kishte lënë ajo vendimarrjeve të gjyshit kundrejt të sajave, e respektoja zgjidhjen e sime mëje. Një nga virtytet më të mira, kultivuar në familjen tonë, është respektimi i tjetrit dhe të qenit ndryshe.
Përkundër atyre që prisnim, gjyshi na u duk mirë fizikisht dhe mendërisht. Mamaja, si për t’u shfajësuar, shpjegoi se ishte efekti i mjekimit të sapomarë, i morfinës. Ani më shihte në sy dhe më thoshte se duhej të kërkonim morfinën e gjyshit. Sigurisht që askush nuk i dëgjoi ato fjalë veç meje. Ne kemi mënyrën tonë të veçantë në komunikim, të cilën e përdorim në prani të të tjerëve, pa u pikasur prej tyre. Njëri prej nesh lëviz buzët, ndërsa tjetri i lexon.
Mamaja e urren këtë komunikim, duke e cilësuar si vesin tonë më të keq. Sipas saj, është shumë ofenduese dhe diskriminuese për njerëzit rreth nesh. Ndërsa babai nuk i hyn debateve mbi veset dhe virtytet. Kjo është një detyrë që ia ka ngarkuar mamasë. Ajo është përgjegjëse për edukimin tonë, kjo edhe për faktin e thjeshtë se babai ka punuar gjithmonë me orar të zgjatur.
Aq sa e dashur, mamaja mund të tregohet edhe e rreptë. Por, kjo nuk na tremb. Zotërojmë mënyrat tona personale të manipulimit, të cilat zakonisht funksionojnë për mrekulli. Nëse përsëri jo, atëherë heqim dorë. Ka edhe raste kur mamaja është e pathyeshme.
Në Shqipëri e ndjejmë veten të huaj. Nga ana tjetër, mamaja na ka folur aq shumë për gjyshin, saqë në vend të qëllimit të saj, për të na ngjallur dashuri dhe respekt, na ka shtënë në kokë një xhelozi absurde. E besoni apo jo, nuk është veç një fiksim idiot adoleshentësh, simptoma të ngjashme kam vërejtur edhe te babai.
Gjyshi na përqafoi të dyve dhe unë vura re si u mallëngjye. Për një çast fajësova veten që s’provova të njëjtën ndjesi. Nuk jam e pandjeshme, por nuk pata po atë ndjeshmëri. Ndoshta ngaqë jam rritur larg dashurisë, larg kujdesit, larg përqafimeve, larg pranisë së tij. Gjyshi rrezatonte mirësi dhe dashuri. Jam e sigurt, se nëse jeta do të na kishte dhënë mundësi për të kaluar kohë bashkë, shpirti im do ishte ngrohur i tëri prej mirësisë dhe dashurisë së tij.
Mamaja i quajti paraprakisht amanete ato që do na thoshte gjyshi, unë do t’i quaja këshilla të mençura e të vlefshme për jetën.
Na këshilloi të donim njëri-tjetrin dhe t’i qëndronim në krahë, pavarësisht vështirësive që do të na sillte fati. Familja është dhurata më e çmuar që kemi në duart tona. Të bënim gjithçka për ta mbajtur të bashkuar dhe të fortë. Të përpiqeshim pareshtur për të ecur përpara në jetë, por asnjëherë të mos shkelnim mbi të tjerët për të arritur qëllimet tona. Të mos fëlliqnim shpirtrat tanë nga zilia dhe lakmia, po t’i gëzoheshim gjithçkaje që ishte jona.
Ndonjëherë, në mënyrë të pavullnetshme, parafytyroj funeralin e gjyshit. Ka shumë njerëz, pjesa dërmuese veshur me të zeza. Të gjithë me sy të përlotur dhe fytyra të pikëlluara. Disa vuajnë humbjen e njeriut të dashur, të tjerë turbullohen teksa mendojnë se herët, a vonë do kenë të njëjtin fund.
Mamaja është personi më i pikëlluar. Qysh nga vdekja e gjyshes, gjyshi është kthyer veç të tjerash edhe në mama të dashur e të kujdesshme ndaj saj, më të voglës së fëmijëve. Ai ka qenë shoku i saj më i mirë, shembull frymëzues dashurie dhe përkushtimi ndaj familjes, busull orientuese në çastet kur duhej të bënte zgjedhje të rëndësishme në jetë. Idhulli i saj nuk ishte më. Ajo ndjente një dhimbje tmerrësisht gërryese.
Edhe unë shfaqem gjithmonë e pikëlluar në funeralin e gjyshit, megjithëse Ani mundohet të më shpërqendrojë me lojën tonë të preferuar. Nuk ka asnjëherë sukses.
Edhe unë jam po aq e pikëlluar sa mamaja, vetëm se shkaku i pikëllimit tonë nuk është i njëjtë.
Ajo vuan thellësisht humbjen e babait. Unë vuaj se humba babain e mamasë, me të cilin jeta nuk më dha mundësi të krijoja lidhjen e natyrshme gjysh-mbesë. Kjo më bën që lotët të mos më ndalen.
Më në fund mbledh veten dhe fshij lotët. Koka më është fryrë nga parafytyrimet e funeralit të gjyshit. Por, ai është ende gjallë.
Ndodhet në çastet e tij më të mira, nën efektin e morfinës, ia del mbanë të mbështetet mbi tre jastëkë. Ani qëndron pranë tij, ulur në karrike. Ai i tregon shtruar për jetën e tij në Itali, shkollën, shoqërinë, kohën e lirë. Kur gjyshi ia doli të zbusë zemrën e materialistit më të madh që njoh, me mua do ta ketë shumë më të lehtë.
Pas rreth një ore bisedë të hapur dhe të çiltër mes të treve, gjyshi na përqafoi të dyve. Ai stërmundohej të na pushtonte me forcën e madhe të dashurisë.
Për herë të parë ndjeva se njeriu që mallëngjehej deri në kufijtë e mbijetesës për të na përqafuar së paku edhe një herë tjetër, nuk ishte thjesht babai i sime mëje. Ai ishte gjyshi im. Edhe unë u mallëngjeva.
Jam e vetëdijshme që gjyshit i ka mbetur edhe shumë pak jetë. Por, nuk e shoh të friksuar nga vdekja. Ai është rrethuar me dashurinë që e ka mbjellë përgjatë jetës së vet. Nuk ndiej më xhelozi që mamaja e do dhe e çmon aq shumë. Ai është babai i saj i dashur. Ai është gjyshi im i shtrenjtë, megjithëse jeta në mënyrë të pamëshirshme na ka privuar nga të qenurit bashkë.
Pikërisht në çastet që mendoja se do ta humbja, unë e gjeta gjyshin dhe kuptova sa shumë nevojë kisha pasur për dashurinë e tij. Në jetë, asnjë dashuri, sado e madhe qoftë ajo, nuk mund të eklipsojë dashuritë e tjera.

No comments:
Post a Comment