Na dogji malli e nderuar!
Megjthëse shihemi rregullisht çdo katër vjet, unë pafundësisht shpresoj se një ditë gjithë kjo rregullsi absurde do ndryshojë. Kam çerekshekulli që pres, por nuk ndodh.
Ti vjen te ne, pikërisht në ditët më të vështira të jetës tënde. Një herë në katër vjet jemi Zoti. S’po e ekzagjerojë! Përderisa shkruajmë fatin tënd e meritojmë këtë përcaktim.
Jam gati të mbledhë sërish e sërish turmën e njerëzve dhe të ta shtrojë nën këmbë, duke nisur nga vetja.
Unë nuk jam prijësi i turmës, Zoti mos e dhëntë kurrë të shtirem si më i zgjuari. Unë jam më i devotshmi, më naivi, më ëndërrimtari.
A e mban mend kur u takuam për herë të parë? Mua më kujtohet si të kishte ndodhur dje. Ti ishe një vajzë e re, e ëmbël, e qeshur, me ato gropëzat e faqeve që ta shtonin hijeshinë. Shtatlartë, me trupin e drejtë dhe vështrimin krenar. Plot vullnet për të ndryshuar botën.
Nuk ishte hera e parë që shihja një vajzë të bukur. Edhe në fshat ka pasur dhe ka të tilla. Sa e sa herë më kanë bërë të ëndërrojë me sy hapur!
Unë u magjepsa nga fjalët e tua. Në sajin tënd ëndërrova, jo si zakonisht për t’u ndukur qosheve, si me vajzat e tjera.
Për mua ti ishe Perëndeshë, që jo vetëm më bëre të ëndërroja, por edhe të shpresoja në realizimin e dëshirave të mia.
Pas çerekshekulli jam përsëri përballë teje. Këtë herë virtualisht. Ti ke sërish atë magjepsje vajzërore, po ato premtime që më hipnotizojnë, sikur koha për ty të ishte ndalur. Edhe unë kam po ato ëndrra.
Por, tani nuk jam më ai çunaku çapkën dhe i shpenguar, plot besim te e ardhmja. Jam një kryefamiljar i dështuar. Vajzën e dërgova te bashkëshorti, pa i bërë dasmë dhe pa veshur fustanin e bardhë të nusërisë. Djalin e kam në emigracion, megjithëse mbaroi gjimnazin shkëlqyeshëm, nuk munda ta çojë në universitet. Ndërsa ime shoqe ha vetëm përshesh. Nuk kam para t’i vendos proteza.
Jam bërë bjond, nuk njihem më. S’më ka thinjur mosha. Ne jemi moshatarë.
Çmallem kur të shoh përmes ekranit të televizorit e nderuar, sa herë të dëgjojë duke folur për platforma të reja për të më realizuar ëndrrat e vjetra.
Të shoh dhe trishtohem kur mendoj se ndoshta nuk do shihemi më, kurrë më. Kam probleme serioze me shëndetin dhe ndoshta nuk do jetojë mjaftueshëm për t’u parë edhe një herë të fundit.
Por, ti mos u trishto e nderuar! Edhe në varr do marr me vete imazhin tënd, duke i tregëtuar ëndrrat në paketë.
Por, trishtohem kur mendojë se nuk do të të të kujtohet fytyra ime. Ka shumë fytyra të ngjashme, që të kanë paguar me çerekshekulli nga jeta e tyre.

No comments:
Post a Comment