Sunday, February 25, 2018


ASKUSH NUK ME KUPTON.   Kapitulli XIII



    Korridori i spitalit është pushtuar nga familja ime e madhe. Të katërta motrat, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre. Megjithëse i mbaj vazhdimisht të informuar mbi gjendjen shëndetësore të Fatjonit dhe u lutem të mos shqetësohen duke ardhur, kur i shoh të gjithë bashkë shpirtin e ndiej plot.
    Fati më ka privuar prej vitesh nga të pasurit e një familjeje të vogël krejt  timen,  bashkëshort dhe fëmijë, por më ka bekuar me familjen e madhe. I përqafoj të gjithë me lotë ndër sy.
    Do doja të kisha lajme të mira për t’i ndarë me ta, por doktoreshë Edlira më informon që megjithëse parametrat janë në përmirësim, Fatjoni është ende nën efektin e qetësuesve. Më këshillon të qëndrojë pranë tij dhe t’i flas sërish. Kjo mund ta ndihmojë.
    Xhimi më sheh me sy pyetës. I buzëqesh dhe i them se gjithҫka është në rregull. Më në fund situatën e kam nën kontroll. Eh, sikur të ishte me të vërtetë kështu! Sidoqoftë, tani e kam më të qartë shkakun e disa veprimeve dhe jam e vetëdijshme për pasojat e tyre.
     Por, Xhimi mendon se për sa kohë nuk braktis Fatjonin, nuk kam asgjë nën kontroll. Ai s’ka pikë besimi në bashkëshortin tim të ardhshëm. Adhurimi i dikurshëm, që e ka ndjekur edhe pasi u rrit dhe nuk ishte më nevoja ta ndiqte mjeku  pediatër, tashmë është zhdukur. Vendin e tij e ka zënë neveria.
    I përgjigjem me një buzëqeshje plot dashuri dhe mallëngjim. Nipi im i preferuar më do shumë, shqetësohet për mua, por s’do të më kuptonte edhe sikur t’i shpjegoja gjithҫka deri në detaje. Është tepër i ri dhe fatmirësisht nuk ka marrë asnjë goditje nga jeta.
     As që e ka idenë se përgjatë rrugëtimit jetësor mund të të zhduken nga horizonti të gjitha mundësitë, të të mbyllen gjithë dyert, madje të të përplasen në fytyrë. Të mbetet të ecësh përpara për inertësi.  Thjesht për të mos qëndruar në vend dhe të ndiesh si vdes pak nga pak ҫdo ditë, ҫdo ҫast.
   Ai nuk e di se fama dhe suksesi nuk janë gjithmonë synimi  kryesor në jetë, apo një qëllim tepër i madh në vetvete. Ndonjëherë ato janë thjesht një koracë për t’u mbrojtur. Madje edhe për t’u strukur, por jo ndaj syve të të tjerëve. Kam patur nevojë t’i tregojë vetes se isha ende e aftë për të bërë diҫka siҫ duhet.
    Kështu, stilimi ishte jo vetëm pasioni dhe profesioni im, por streha ime. Tani Zoti po më jep një mundësi. Fatjonin. Krejt papritur gjithë sa më parë ishte jeta ime nuk më shkakton asnjë emocion. Zhvendosja e ateliesë në vilë, as që arriti të më ndillte pranë. Nuk më ngjalli kurrfarë emocioni. Atelieja tashmë përfaqëson vetëm punën.
    Shpirti im është Fatjoni. Nuk do ta humbë për asnjë arsye në botë. E ndiej që ia vlen të bëjë  ҫfardolloj sakrifice për të. Ai s’është thjesht bashkëshorti im i ardhshëm. Ai tashmë është dashuria ime, jeta ime. Pavarësisht se nuk mund të kemi një martesë të vërtetë, ashtu siҫ do doja, sërish falënderojë Zotin për  këtë mundësi. Jam e gatshme ta respektojë pikë për pikë marrëveshjen tonë. Nuk do ndihem më kurrë e pashpresë, duke menduar se do ta mbyll jetën time e vetmuar, si një qen i braktisur.
    Moskuptimi nuk vlen vetëm për tim nip. Jam e sigurt se as familja ime e madhe nuk do i kuptonte kurrë asyet e mia për t’u bërë pjesë e një martese që sipas tyre me siguri do të quhej e shtirur.
    Motrat e mia kanë familjet e tyre, me bashkëshortët dhe fëmijët. Duke më mbajtur pranë, duke më afruar gjithmonë e më tepër me fëmijët e tyre, kujtojnë se më mbyllin plagët, se më lumturojnë.
    I dua me shpirt të nëntë mbesat dhe niprit e mi. Do bëja gjithҫka për t’i parë të rriten të shëndetshëm dhe të lumtur. Madje, po të qe nevoja, do sakrifikoja gjithҫka, edhe jetën. Kanë qenë, janë dhe do të mbeten mbesat dhe niprit e mi. Por, ata nuk janë mishi i mishit tim, gjaku i gjakut tim, shpirti i shpirtit tim.
    Askush veҫ mamasë s’arrinte të kuptonte se lotët që më rrokulliseshin prej syve kur merrja për herë të parë në krahë  ҫdonjërin prej tyre,  nuk ishin vetëm lot dashurie dhe mallëngjimi. Unë gëzohesha kur shihja motrat e mia tek bëheshin për së pari, për së dyti, madje edhe për së treti nëna të lumtura.
    Por, thellë-thellë unë ndieja edhe më shumë zbrazëtinë. Unë kisha hequr dorë nga foshnja ime, pjesërisht edhe për to. Unë e doja atë foshnjë, me gjithë shpirt, por s’doja që emri i familjes sonë të njollosej. Nuk doja që ҫdonjëra prej motrave të mia ta kishte fatin e damkosur. S’doja që mamaja të turpërohej prej meje. S’mund të mbaja mbi supe ndjesitë e saj të fajit. Ajo s’kishte kurrfarë faji. Gjithë jetën nuk i bëri keq askujt.
    Isha ende fëmijë kur m’u desh të përballoja gjithҫka vetëm. Një mëngjes, mora paratë që kisha kursyer, i futa në ҫantën e shkollës dhe dola nga shtëpia në orarin e zakonshëm. Sa do doja që me ato para të paguaja fustanin e bardhë të nusërisë dhe makinën qepëse! Por, ishte e pamundur. Për njeriun që iu dhashë e tëra, me trup e me shpirt, s’kisha më asnjë vlerë.
     Në vend që të shkoja në shkollë, u drejtova për në shtëpinë e një mamije që bënte aborte ilegale. Para njëzetë e tetë vitesh asnjë vajzë nuk guxonte të hynte në maternitet. Ishte tabu.  
    Fizikisht dhe emocionalisht ishte e tmerrshme për t’u përballuar. Mamija s’kishte askënd ta ndihmonte dhe paisjet ishin primitive. Humba ndjenjat pa arritur të shoh  ҫ’bëri për të shkëputur foshnjën prej meje.
    Sapo erdha në vete, kërkova trupin e foshnjës. Asaj foshnjeje që s’munda t’i jepja jetë, së paku t’i jepja një varr. Një varr sekret, në një cep të varrezave. Do t’i vendosja një gur sipër për shenjë. Do mund ta laja me lotë atë gur dhe mandej ta mbuloja me lule.  Mamija më pa me habi. Më vuri dorën në ballë. Po flisja përҫart. Patjetër që kisha temperaturë. Digjesha. Por s’po flisja përҫart.
    Rrëfimi i saj ishte i tmerrshëm. Foshnjat që abortonte ua hidhte qenve. Gjurmët duheshin zhdukur, gjithҫka duhej të mbetej sekret, përndryshe e priste burgu. Ndjeva pranë ëngjëllin e vdekjes. Kishte frikë nga burgu, nga ligji njerëzor. Por nuk i druhej aspak ferrit dhe ligjit hyjnor.
    Ndjeva neveri prej saj. Por më shumë prej vetes. A e kupoja ҫ’kisha bërë?  Për të shpëtuar nderin kisha marrë një jetë të pafajshme. Për të mbyllur gojët e botës kisha shkëputur një herë e përgjithmonë prej vetes mishin e mishit tim, gjakun e gjakut tim, shpirtin e shpirtit tim. Si mund të jetoja pas kësaj? Vallë a do t’ma falte ndonjëherë Zoti këtë mëkat të tmerrshëm?
    Nuk mund të qëndroja asnjë minutë më tepër aty. Për mua ai vend s’ishte gjë tjetër, veҫse foleja e vdekjes. Bëra të ҫohesha, por humba sërish ndjenjat.
   Në shtëpi u ktheva në orarin e zakonshëm. Me arsyetimin se kisha dhimbje koke iu shmanga vaktit të drekës dhe u futa drejt e në shtrat.
     Mund t’i shmangesha drekës, mund t’i shmangesha gjithë botës, por jo mamasë sime.  Ajo më erdhi pranë sapo motrat u shtruan për të ngrënë drekën. Më pa në sy, më vendosi dorën mbi ballë, më ledhatoi flokët. Më pas më përqafoi fort dhe u ngashëryem të dyja në krahët e njëra-tjetrës.
    Ajo sërish fajësonte veten. Por, si gjithmonë s’kishte asnjë faj. Në fund i premtuam njëra-tjetrës që ai sekret do mbetej mes nesh. Kështu vepruam.
    Ditët rrokulliseshin në monotoninë e tyre të zakonshme njëra pas tjetrës. Gjithë ditën komandoja trupin dhe shpirtin për të përmbushur detyrat që më takonin.
    Natën, sapo vendosja kokën mbi jastëk, lotët më rigonin faqeve papushim. Qysh prej njëzetë e tetë vitesh  ҫdo natë është e njëjtë. Jastëku nuk mbetet asnjëherë i thatë. Vetëm kur sfilitem nga të qarët më merr gjumi.
    Dhimbja është po ajo, zbrazëtira ndihet përherë e më e madhe, brerjet e ndërgjegjes më bluajnë shpirtin pareshtur. Ҫfarë bëra? Gjithë jeta nuk do të më mjaftojë për t’u penduar. Gjithë vuajtjet s’do mjaftojnë për të shlyer mëkatin që bëra. Zoti nuk priti të vdisja për të më dënuar përjetësisht në ferr. Ferrin e kam jetuar ҫdo ditë të jetës sime tokësore prej njëzetë e tetë vjetësh.
    Duke përcjellë, përqafuar dhe puthur një për një gjithë anëtarët e familjes sime të madhe jam krenare për mbështetjen e tyre të pakushtëzuar. Por, ndihem sërish e zbrazët dhe e vetmuar. Tmerrësisht e vetmuar. Me vdekjen e mamasë humba të vetmin njeri që më kuptonte. Të vetmin njeri që nuk më gjykoi dhe as më fajësoi kurrë për asgjë. Tanimë askush nuk mund të më kuptojë. Absolutisht askush.

Sunday, February 18, 2018

 SEKRETI    Kapitulli  XII


    Në timon qëndroj e menduar, por edhe Katerina nuk hap ndonjë bisedë të vërtetë. Duhet vullnet nga të dyja palët që mes nesh të krijohet një marrëdhënie normale. Ende më oshëtijnë në vesh përcaktimet që bëri për mua. E panjohur dhe askush. Sikur unë t’i lë të lira mendimet, kush e di sa përcaktime të tilla do t’i bëja! Por mua s’më intereson të analizojë personalitetin dhe karakterin e saj. Gjithë sa më intereson është Fatjoni. Për hir të tij kam vullnetin e duhur për të krijuar një marrëdhënie të ekuilibruar me Katerinën.
    Në hyrje të fermës shoh një kamion. O Zot! Si më doli nga mendja që sot do transferohet në vilë atelieja ime?! Personave përgjegjës për transferimim u kam dhënë udhëzimet përkatëse deri në detaje. Unë punoj vetëm me njerëz të përgjegjshëm, të pëkushtuar dhe profesionist.
    Habitem me veten. Nuk ndiej asnjë  emocion që atelieja po zhvendoset në ambientet e vilës. Për më tepër që unë s’kisha qenë asnjëherë aty dhe kisha projektuar arredimin vetëm duke u nisur nga skica. As që shqetësohem për të mbikqyrur  punët. Deri dje atelieja ishte jo vetëm vendi ku punoja, por krenaria ime, e vetmja arsye për të jetuar, vetë jeta ime. Ama deri dje.
    Tashmë jeta ime është Fatjoni. Më vjen të vrapojë për tek ai. Nuk dua që  të jem këtu, nuk dua të jem askund tjetër përveçse pranë tij.
    Ulemi në kuzhinë. Dreka është e shtruar për dy persona. Nisur nga sasia që ha zakonisht, mbi tryezë ka ushqime së paku për dhjetë persona.
    Oreksi na mungon të dyjave. Në vend që të hamë, thjesht cumbisim nga pak ushqimin. Vendosim të mos bëjmë më sikur po hamë dhe dalim në ballkon të pijmë kafen. Më kujtohet menjëherë momenti kur pash Katerinën dhe Emën të ulura së bashku duke pirë kafe. Sa e dobët dhe naive u tregova! Humba ndjenjat.
    Ç’rëndësi mund të ketë se kush dhe me kë pi kafe!? Rëndësi ka që Fationi të shërohet dhe të jemi bashkë. Përjetësisht bashkë. Nëse ne i përmbahemi marrëveshjes sonë, askush nuk mund të na ndajë.
    Pamja nga ballkoni është e mrekullueshme. Gjelbërim pafund. Pemë, lule, bar. Në imagjinatën time jam duke ecur mbi tapetin e gjelbërt së bashku me Fatjonin. Pas një shëtitjeje të  gjatë, ai mer një luledele dhe ma vendos mes flokësh. S’jam ndjerë kurrë kaq mirë. Ai është fare pranë meje! Ndjej zemrën t’më rrahë me aq forcë, saqë mend po më del nga kraharori. Është kaq pranë, saqë mund të dëgjoj edhe rrahjet e shpeshta të zemrës së tij. Më ledhaton flokët dhe përkulet drejt meje për të më puthur. Është ajo që dua, por s’mundem. Stepem një hap pas. Nëse lë veten në dorë të ndjenjave, marrëveshja jonë merr fund menjëherë dhe nuk shihemi kurrë më. Si mund të jetoj pa Fatjonin? Thjesht s’mundem.
    E shoh veten duke vrapuar. Duhet të jem sa më larg Fatjonit, përndryshe s’mund ta kontrolloj veten. Duke pirë kafen them me vete se mund të vrapoj dhe të përpiqem seriozisht të largohem prej tij, por pashmangshmërisht, çfardolloj rruge të marr, në krye të saj do jetë Fatjoni.
    Mes meje dhe Katerinës,  ka vetëm copërra bisedash. S’kam guximin ta pyes, ç’ka kundër meje? Përse takohet fshehurazi me Emën? Përse doktor Besniku i dhimbset më shumë se i biri?
    Atëherë kur mendoj se këto pyetje nuk do ia drejtoj kurrë, më vjen një guxim i tillë që më habit edhe mua vetë.
     Thjesht e pyes për ç’ka më shqetëson seriozisht, asgjë më tepër. Për të pastruar ndërgjegjen, i them vetes se e bëj me qëllim të mirë. Për të forcuar mërrëdhënien mes nesh.
    Fillimisht më thotë se s’ka absolutisht asgjë kundër meje, nuk ka pasur kurrë. Por ne jemi takuar për herë të parë vetëm dje.  E megjithatë, kam përshtypjen se e njoh prej shumë kohe. Përpiqem seriozisht për ta kujtuar. Më në fund ia dal. Ajo ishte klientja më e rëndësishme e sime mëje. Ishte duke qepur kostumin e saj mbrëmjen kur solli në jetë Silvin.
    Pra, kostumi që më kishte afruar fillimisht me rrobaqepësinë ishte i Katerinës. Dikur ishte e vetmja grua që adhuroja. Copat që sillte për t’i prerë te ime më ishin të veçanta dhe të mrekullueshme. Kishte linja të përsosura. Për të mos folur për shijet e saj, të cilat ishin gjithmonë të rafinuara.
   Sapo i them që e kuptoj përse u shpreh në atë mënyrë, më sheh me habi. Duket qartë se nuk është mësuar me njerëz të sinqertë. Ka kujtuar se shtiresha sikur nuk e njoha. Gabon. Për mua s’është aspak problem ta pranoj që jo vetëm e kam njohur qysh në fëmijëri, por që së bashku me mamanë vendoseshim të lumtura në shërbim të saj. Ishte profesioni ynë, të cilin e bënim me pasion, jo me përulje.
   Rrëfimi im e bëri të buzëqeshë. Më në fund kam një shpresë. Mes nesh mund të krijohet një marrëdhënie, jo thjesht njerëzore, por edhe shoqërore. Duhet vetëm impenjim, durim dhe vullnet. Edhe nëse nuk i kam këto cilësi, do t’i gjej. Fatjoni është jeta ime. Do bëja gjithçka për ta bërë të lumtur.
    Pasi më pyet për vitet e fundit të jetës së mamasë dhe më dëgjon me vëmendje, më thotë se edhe ajo e vlerësonte shumë time më. Ishte një grua gojëmbël dhe duarartë.  Kujdesej për vajzat e saj në mënyrë të adhurueshme. I vjen keq që pati një jetë kaq të shkurtër.
    Mallëngjehem. Kështu bëhem sa herë që dikush më flet  për mamanë. Ajo ishte e adhurueshme. Në jetën dhe zemrën time do mbetet e pazëvendësueshme. Edhe Katerina përlotet. Më në fund pak vërtetësi dhe sinqeritet nga ana e saj. Më në fund.
    Vijmë aty ku më intereson të ndalem. Ema. Por, Katerina heziton gjatë përpara se të hapet me mua. Nuk i bëj asnjë lloj presioni. Vetëm i them se mund të ketë besim të plotë tek unë. Do bëja gjithçka për të mirën e Fatjonit. E mira e tij është edhe imja. Ta mbanim Emën larg jetës sonë.
    Më në fund Kristina vendos të hapet me mua. Duket qartë që e ka më se të nevojshme të ketë një aleate kundër Emës. Në fund të fundit, ajo është vetëm një ish.
    Ema është duke i bërë shantazh. Po po, shantazh. Për të ruajtur sekretin, Katerina është e detyruar t’i mbajë lojën. S’i mbetet zgjidhje tjetër.
    Duhet të mbrojë të birin. Njohja me këtë sekret do ta shkatërronte atë dhe familjen e tij.
    Përpiqem menjëherë të vendos trurin në punë. Nëse përmend shkatërrim të familjes, atëherë bëhet fjalë patjetër për marrëdhënien e tij me djemtë. Mos në këtë sekret ka lidhje dhe doktor Besniku? Patjetër. Kjo do shpjegonte gjithçka.
    Duke u kthyet për në spital shfajësoj tërësisht Kristinën për sjelljen e vet. Edhe për faktin që s'kishte forcë për të ardhur në spital. Po përpiqej dëshpërimisht të mbronte të birin. Ai nuk duhej kurrësesi të mësonte sekretin, sekretin e tmerrshëm. Njëri prej dy djemve të tij, të cilët studionin për mjeksi në  Alaskë nuk ishte i biri. Babai i tij biologjik ishte doktor Besniku.
    Armatosa Kristinën për kundërsulm me të njëjtat armë. Videon dhe fotot e Emës me Fationin. Me to në dorë bashkëshorti i saj do t’i jepte fund martesës së tyre.  Ema  s’e donte këtë. Ajo nuk mund të jetonte e vetme. Jo pa një mashkull që kujdesej për të. Gjithë sa dinte të bënte ishin intrigat dhe asgjë tjetër.
    Sipas Katerinës, nuk e kishte dashur kurrë Fatjonin. Vetëm e kishte shfrytëzuar dhe ia kishte punuar pas shpine. Për më tepër, kishte kthyer në aleat njerëzit e tij më të afërt për të përmbushur qëllimet e saj të fëlliqura.
    Unë e dua të vërtetën. Sado e rëndë, apo e dhimbshme të jetë ajo është gjithmonë më e mirë se gënjeshtrat. Ose, pothuajse gjithmonë.
    Ky rast bënte pjesë te përjashtimet. Ema duhej mbajtur larg Fatjonit derisa ai të shërohej plotësisht. Deri atëherë, sekreti duhej të mbetej sekret.
 

Friday, February 16, 2018

  JO ME      Kapitulli XI


   Jam ulur prej orësh pranë shtratit të Fatjonit. Megjithëse kurimi i tij ndryshoi rrënjësisht, ai ende s’ka reaguar. Është sërish në gjumë të thellë, vetëm s’gërhet më.  Nëse gërhima është e bezdisshme, kjo qetësi është e frikshme.
    Doktoreshë Edlira më qetëson herë pas here, duke më thënë se parametrat jetësorë janë në rregull.
    Iliri më këshillon të dalë për t’u shlodhur. Por, nuk më bën zemra ta lë Fatjonin vetëm. Kam orë të tëra që i rrëfej për jetën time. Nuk kam folur me askënd kështu, qysh prej vdekjes së mamasë.
    Unë isha vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe kur u dashurova. Nëse sot gjimnazistët quhen adoleshentë, dikur quheshin fëmijë.
    Ai ishte njëzetë e tre vjeç, të paktën kështu më thoshte. S’di si përfundova në krahët e tij. Nga njëra anë dashuria dhe nga ana tjetër naiviteti im. Kjo më sjell ndër mend vargun e biblës: Fali o Zot, se nuk dinë se ç’po bëjnë!
   Më vonë e kuptova se ç’bëra. Gabova. Fola me mamanë. E mbaj mend si tani atë skenë.  Ajo ishte ulur në karrike, po qepte. Ndërsa unë u ula në dysheme dhe lëshova kokën në prehrin e saj. S’di të them sa zgjati ajo skenë.
    Unë ngashërehesha dhe dridhesha e tëra. Prisja nga çasti në çast që mamaja t’më qortonte, t’më bërtiste, t’më qëllonte me shuplakë, t’më shkulte flokët. Por ajo s’bëri absolutisht asnjë nga këto.
    I sugjerova t’më jepte dënimin e duhur. Unë e meritoja. Dhe s’do ankohesha që ishte treguar e rreptë me mua. Përkundrazi. Do më bënte të ndihesha mirë. Të merja atë që meritoja.
    U soll krejt ndryshe nga ajo që prisja. Më tha që s’ishte askush për të më dhënë dënim. Mos po aludonte se mëkati im ishte aq i madh saqë duhej të merja dënim nga Zoti? S’më vinte çudi. Kishte të drejtë.
    Mamaja u çua nga karrikja dhe u ul në dysheme, pranë meje. Më përqafoi fort. I mbaj mend si tani sytë e saj, të zbrazët, të frikshëm. As qante, as dridhej, as më qortonte, madje as më fliste. Sjellja e saj po më trembte. Mos pësoi ndonjë traumë? Ç’duhet të bëja për ta ndihmuar?
     Më në fund foli. Unë s’kisha faj. Faji ishte i gjithi i saj. Nuk ishte kujdesur për mua siç i kishte premtuar babait mbi trupin e pajetë pesë vite më parë.
   Sytë e saj dukeshin sërish të zbrazët dhe tani e kuptoja përse. Ajo kishte ngrirë në momentin kur u lëshua mbi trupin e pajetë të babait. Tezja u përpoq ta hiqte, duke i thënë se ishte shtatzënë dhe emocionet e mëdha mund ta dëmtonin atë dhe fëmijën. Por, ajo s’denjoi të lëvizte. As tezja dhe askush s’mund ta largonin nga babai.
    Më mirë do ndihesha po t’më kishte marrë me shuplaka. S’mund të pranoja që mamaja të fajësonte veten për gabimin tim. Për më tepër brerjen e saj të ndërgjegjes për premtimin e pambajtur s’mund ta pranoja. Nga ajo ditë nuk e pashë të buzëqeshte.
     I premtova asaj dhe vetes se nuk do ta përsërisja gabimin, por ishte vonë. Kisha mbetur shtatzënë. Nuk guxoja t’ia thosha mamasë. Ajo sërish do fajësonte veten. Nuk mund ta mbaja këtë peshë mbi ndërgjegjen time.
     Për ditë të tëra këtë lajm nuk e ndava me askënd. Më në fund vendosa të flisja me të dashurin tim. Ne duheshim. Po prisnim një fëmijë. Duhej të martoheshim sa më parë. S’kishte aspak rëndësi që të bënim një dasmë të madhe me shumë shpenzime, për mua mjaftonte të vishja fustanin e bardhë të nusërisë dhe të bënim një ceremoni të thjeshtë.
     Isha shumë e re për t’u bërë nënë. Por nuk më mungonte instikti mëmësor. Falë motrës sime të vogël, Silvit, instikti im jo vetëm ishte lindur, por edhe kultivuar mirë. Isha e zonja për t’ia dalë mbanë të kujdesesha e vetme për një fëmijë, për fëmijën tim. E ndieja që dija të bëja gjithë sa duhej bërë. E gatshme për të mësuar gjithë sa duhej të mësoja. E zonja për t’i dalë zot shtëpisë dhe familjes sime.
    Ne të tre do ishim të lumtur. Shumë të lumtur, së bashku me vajzën tonë. Megjithëse kisha katër motra, nuk dëshiroja të lindja djalë, po vajzë. Ëndërroja t’i krihja flokët, t’i vendosja fjongo, të cilat do ia kombinoja me fustanet e pafund që do stiloja dhe realizoja për të, vetëm për të.
    Por, nuk ishte kjo arsyeja e vërtetë. Arsyeja e vërtetë përse doja të kisha një vajzë ishte që  të kisha një lidhje të bukur e të fortë me të, si lidhja që kisha me time më. Një ditë mamaja ime do shkonte në qiell, ndërsa unë nuk do mbetesha vetëm. Do mund të bëja për time bijë gjithë sa kishte bërë ime më për mua. Do ndihesha e lumtur dhe krenare.
    Vërtet ishim të rinj, por do ia dilnim. Unë mund të blija një makinë qepëse dhe të qepja si mamaja. Isha e zonja. Edhe lekët për makinën i kisha mbledhur duke kursyer nga ato që më jepte ime më që të blija diçka për të ngrënë në shkollë. Na jepte të katërtave njësoj, por unë haja shumë më pak se ato, ndaj lekët gjithmonë më tepronin. Kisha vite që i fusja monedhat që më tepronin në një kuti metalike të vjetër. Kohë pas kohe i shkëmbeja me karmonedha. Jo vetëm makinën qepëse, por mund të blija edhe fustanin e bardhë të nusërisë. Aso kohe nuk isha në gjendje ta realizoja vet.
    Edhe i dashuri im mund të gjente një punë. Ai ishte në kërkim të një pune prej kohësh, të paktën kështu më kishte thënë. Mbushesha me optimizëm. Çdo gjë do shkonte mirë. Vetëm atëherë do t’i thosha mamasë, nuk guxoja më parë. Prej ditësh ajo nuk buzëqeshte. Rrinte e ngrysur dhe kishte sy të përskuqur nga dhimbja. Me Silvin nuk merej fare. Me mua sillej shumë ëmbël dhe më përqafonte kohë pas kohe.
    Përqafimet e saj kishin efektin e kundërt. Në vend që të më qetësonin, më bënin të ndihesha e keqe, e padenjë për të qenë vajza e saj. Nëse i tregoja që isha shtatzënë, as që e merja guximin të imagjinoja  ç’mund t’i ndodhte.
    Isha shumë e tensionuar kur më duhej t’i tregoja të dashurit për shtatëzaninë. Si do ta priste ai? Pas hutimit të parë, a do lumturohej? Pas sa minutash do mblidhte veten t'më puthte dhe t'më propozonte martesë?
    Më në fund përpara tij. Ndjeva si u përskuqa e tëra. Isha shumë e emocionuar. Ia thashë ç’kisha për t’i thënë dhe prisja përgjigje. Kisha hartuar me dhjetra, madje me qindra variante përgjigjesh në mendjen time. Cilën prej tyre do përdorte?
    Asnjërën. Madje nuk ishte përgjigje po pyetje. Pyetja më absurde dhe më mizore që mund të imagjinohet. I kujt është fëmija?
    Fillimisht e mora për shaka, por jo. Nuk e kisha parë kurrë aq serioz. Po si mund të më bënte një pyetje të tillë? Ai ishte mashkulli i parë dhe i vetëm në jetën time. Ai e dinte më mirë se kushdo këtë.
   M’u morën mendtë dhe pothuajse u rrëzova. Ai as që denjoi të afrohej për të më mbajtur. Nuk po u besoja syve. Më dukej sikur isha brenda një mankthi. Sa do doja të zgjohesha  dhe dikush të më thoshte fjalët se asgjë nuk ishte e vërtetë.
    Por, nga ai dëgjova krejt të tjera fjalë nga ato që prisja. Në mënyrë shoqërore mund të më çonte te një mjeke gjinekologe që bënte aborte ilegale. Aso kohe s’kishte klinika private dhe aborti ishte i ndaluar me ligj. Me zemërgjerësi po më ofronte edhe pagesën e abortit.
   Nuk di ku e gjeta atë forcë dhe guxim. E pështyva në fytyrë dhe e gjuajta me shuplakë. Ishte hera e fundit që e pash. E mallkova me gjithë shpirt. Por, ai sot ka një familje të lumtur dhe tre fëmijë. Kur e shoh ekraneve duke bërë rolin e analistit politik më vjen sërish ta pështyj, t’i gjuaj me shuplakë, ta mallkoj. Madje më vjen ta vras. Më shkatërroi jetën kur isha ende fëmijë. Më rrëmbeu gjithë sa kisha më të shtrenjtë. As ndërgjegjia nuk e vrau dhe as mallkimet nuk e zunë. Nuk u kujtua më kurrë për mua. S'më kërkoi asnjëherë falje për gjithë vuajtjet që më shkaktoi.
    Deri atëherë nuk e kisha sjellë ndër mend abortin, por pas një nate pa gjumë arrita në përfundimin se ishte e keqja më e vogël. Nuk mund t’i lejoja vetes ta lindja fëmijën. Do zhgënjeja dhe turpëroja mamanë në sy të të gjithëve. Do damkosja një herë e mirë fatin e keq të motrave.
     Unë e doja me gjithë shpirt foshnjën që rritej brenda meje. Në ato pak ditë kisha thurur ëndrra pafund për vajzën që do kisha.  Ajo ishte jeta ime, lumturia ime. Isha e zonja të kujdesesha edhe e vetme për të.
     Por, unë nuk mund të isha e lumtur mbi dhimbjen dhe turpin e pafund që do ju shkaktoja motrave dhe nënës sime. Ndaj dhe rrugëzgjidhja e vetme ishte aborti.
     Ndoshta Fatjoni s’më dëgjon, por rrëfimi i jetës sime është aq i dhimbshëm, saqë s’do t’i rikthehem. Jo më.  Ndihem e shkatërruar. Më dhemb çdo skutë e shpirtit. Askush veç meje nuk mund ta dijë mankthin që kam përjetuar. S’di as nëse rrëfimin e nisur do ta shpije deri në fund. Jeta ime private është një dështim i plotë. Duhet guxim për ta rrëfyer, imagjino si është ta jetosh e më pas ta mbartësh pafund brenda teje.
    Fatjoni është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë. Shpresoj të jem përkrah tij deri në fund të jetës. Do t'i përmbahem pikë më pikë marrëveshjes sonë. Ai është njeriu më i rëndësishëm për mua. Nuk dua ta humbas për asnjë arsye në botë.
    Iliri më sugjeron të marr Katerinën dhe të shkojmë në vilë për të ngrënë drekë. Ndihet e dërrmuar pas asaj që ndodhi. Besnikun e ka dashur si djalin e vet. Nuk mund të përballojë as dhimbjen e dyshimit të të tjerëve. Nëse dyshon edhe vet te ai, aq më keq nëse dyshimet konfirmohen, atëherë për të mund të jetë një goditje fatale. Është e sëmurë kronike nga zemra dhe emocionet e forta është vështirë t’i përballojë.
    Vendos pa hezitim të bëjë atë që më thotë Iliri. Katerina s’meriton absolutisht asgjë prej meje. Por është mamaja e njeriut me të cilin do martohem. Dhe unë jam e gatshme të bëj çfardolloj sakrifice për të. Le të themi se kjo është sakrifica e parë.

Wednesday, February 14, 2018

 FLLUSKA SAPUNI    Kapitulli  X

    Aleanca funksionon më së miri. Iliri nuk e lejon doktor Besnikun as t’i afrohet Fatjonit. Kjo vlen për sa kohë ai është i pavetëdijshëm. Më pas ne do tërhiqemi dhe s’do përpiqemi të influencojmë në vendimet dhe zgjedhjet e tij.
    Katerina na kundërshton fuqishëm. Ajo e do dhe e vlerëson doktor Besnikun. Arrin deri aty, saqë e akuzon të shoqin se po bën aleanca absurde me një të panjohur, duke i kthyer shpinën së shoqes. Në sytë e Ilirit shoh hidhërim, madje dhimbje. 
    Katerina e meriton një përgjigje nga unë. I drejtohem me fjalën zonjë, pasi nuk kam afrimitet për ta thirrur në emër. Mama s’kam për ta quajtur kurrë, edhe sikur të bashkohet qielli me tokën. Nënën time s’mund ta zëvendësojë askush, as formalisht. 
    Ia përplas në fytyrë të vërtetën. Ajo po bën aleanca të fëlliqura me Emën. E lejoi të përvidhej në shtëpi ish-in e të birit  ditën e ceremonisë, duke e mbajtur si një ogiç pranë vetes. I hapi derën për të hyrë në dhomën e të birit në spital, madje edhe e gostiti në bar si një mikeshë të vjetër.
    Katerina më sheh me urrejtje. Por mua s’më shigjeton urrejtja e saj. Jam imune ndaj njerëzve të tillë. Dikur më kanë shkatërruar jetën, tani jam ndryshe, e rritur dhe e fortë. S’kam frikë nga askush dhe nga asgjë. Jam e zonja t’i dal për zot vetes dhe familjes sime. 
    Ajo drejton kërcënueshëm gishtin tregues të dorës së djathtë drejt meje. Por, unë nuk i lë kohë të flas. I këshillojë t’ia nis nga vetja. Andej duhet ta drejtojë gishtin.
    Ajo përpiqet sërish të më sfidojë. Këtë herë në mënyrë edhe më të ultë. Nëse së pari më quajti të panjohur, tani më quan askush. Sipas Katerinës, unë jam askushi për të ndërhyrë në vendimet që kanë të bëjnë me jetën e Fatjonit. 
    Përgjigja që i kthej më habit më tepër mua se ata. Askushi që kanë përballë ua do të birin më shumë se veten. Është gati për ta mbrojtur nga gjithkush dhe gjithçka. Për Fatjonin, po të qe nevoja do sakrifikoja edhe jetën. 
    Zemra sa nuk më del nga kraharori. Jam e marrë që bëj një deklaratë të tillë, për më tepër këtu, në dhomën e Fatjonit. Po sikur ai të më dëgjojë? Atëherë do më duhet t’i them lamtumirë marrëveshjes sonë dhe shansit të fundit që po më ofron jeta për të patur dikë në krah. I ripërsëris vetes, se nuk dua ta ngrysë jetën time e vetme, si një qen i braktisur.
    A mos vallë kam rënë  në dashuri? Këtë ma tha edhe Silvi në mëngjes. Por, unë jam vërtet shumë rëndë, përderisa sjell ndër mend një absurditet të tillë.
    Sërish ndihem fajtore. Jo për sjelljen ndaj Katerinës, por që këtë bisedë po e bëjmë në dhomën e Fatjonit. Jam duke thënë se jam gati të bëjë gjthçka për të, ndërkohë gjithë sa bëj, madje në mënyrë të përsëritur është t’i prish qetësinë.
    Dal për në korridor. Nëse prindërit e Fatjonit do shkëmbejnë fjalë mes tyre, nuk dua të jem e pranishme. I urrej zënkat në familje. Kështu jam rritur dhe edukuar. Në familjen tonë s’kishte kurrë të tilla.
    Marr frymë thellë. Kanë kaluar vetëm njëzetë e katër orë nga incidenti i Fatjonit dhe unë ndihem e ngarkuar emocionalisht sikur të ketë kaluar së paku një muaj. 
    Përpiqem t’i bëjë komandë vetes. Detyra ime është të shkojë në laborator dhe të njihem me përgjigjen e analizave dhe jo të humb mendjen mes resh si një çupëlinë naive që thur ëndrra romantike për të ardhmen.  Sa shumë kohë ka kaluar ! Herë – herë nuk arrijë ta besojë që kam qenë unë. Dhe çfarë kam fituar prej tyre? Absolutisht asgjë. Vetëm kam dhënë. Kam dhënë shpirtin tim në këmbim të asgjëje.
    Në laborator shkoj në kohën e duhur. E përpiktë si një orë zviceriane. Këtë përcaktim më bënte shpesh ime më.
    Edlira më thërret pranë saj e alarmuar. Për fat të keq dyshimet e mia janë të vërteta. Në gjakun e Fatjonit ka prani të lartë të substancave narkotike. Pasojat mund të jenë fatale. 
    Mbahem mbi tryezë për të mos u plandosur mbi dysheme. Po sikur Fatjoni... S’kam as forcë ta mendoj. Ai është kuptimi i vetëm i jetës sime. Gjithë sa vlerësoja më parë është vetëm një gënjeshtër e madhe dhe e shëmtuar.
    Puna, suksesi, paraja, fama. Katër shtyllat mbi të cilat isha vendosu prej vitesh nuk ishin asgjë më tepër se flluska sapuni. 
    Fatjoni. Fatjoni është tashmë kuptimi i jetës sime. Është vet jeta ime. Nëse atij i ndodh diçka, atëherë jeta ime nuk është më një dhuratë nga Zoti, por një dënim.
    Edlira më ndihmon të ulem në karrike dhe më vendos pambuk me alkool nën hundë. Por unë jam duke i bërë komandë vetes sime. Jam e fortë, shumë e fortë. Nëse njeriu që dua ka sadopak nevojë për mua, unë do jem aty.
    Edlira më përshkruan përmbledhtas ç’duhet të bëjmë. Pjesa ime është të mos e lë Fatjonin vetëm dhe t’i flasë. Kjo do ta ndihmojë.
   Për gjithë të tjerat do mendojë ajo. Fatjoni është në duar të sigurta.
    Çohem nga karrikja me vrik dhe e përqafoj fort. Jam e çmendur vërtet. Si mund të përqafoj kështu dikë që sapo e kam njohur?
    Edhe kur e mendoj më thellë nuk pendohem. Madje mund t’i puth edhe duart. Tashmë fati im është vetëm në duart e saj dhe të Zotit. 
    Do të lutem ditë e natë për Fatjonin. Është koha që jeta ime të ndryshojë. S’mund të mbështetem mbi flluska sapuni. Jo më.

 ALEATI   Kapitulli IX
    Dy orët që i kalova jashtë spitalit më shërbyen për t’u shlodhur, por më bën edhe nervoze. Si mund të mendoj për veten, kur Fatjoni  vijon të jetë i pavetëdijshëm? Kam një parandjenjë të çuditshme. Mos i ka ndodhur diçka e keqe?
     Pasi mora përgjigjen pozitive të  testit për praninë e subsancave narkotike në gjak s’di më ç’të mendoj. Nuk besoj absolutisht që Fatjoni të jetë përdorues i ndonjë substance narkotike. Me siguri dikush e ka droguar ditën e ceremonisë. Si pasojë, jo vetëm ceremonia nuk u krye, por ai pësoi fraktura në të dyja këmbët. Mos është ende në rrezik për jetën?
    Menjëherë qetësoj veten. Katerina s’do ta linte për asnjë sekondë vetëm të birin. Si vjerrë s’ka bërë absolutisht asgjë për të fituar simpatinë time, përkundrazi. Ama për figurën e saj si nënë nuk kam ç’të them.
    Gjendem në korridorin e katit të katërt. Më mbahet fryma. Edhe po t’i kisha ngjitur shkallët më këmbë s’do isha lodhur më tepër.
    Habitem kur shoh Katerinën të ulur në një karrike në fund të korridorit.  Është përqendruar e gjitha mbi celular. Ka marrë pamjen e një adoleshenteje. As që e vë re ardhjen time. Edhe unë s’bëj absolutisht asgjë për t’i tërhequr vëmendjen.  Por, nuk e kuptoj, përse e ka lënë të birin vetëm?
    Nuk jam në pozita t’i kërkoj llogari. Gjithë sa duhet të bëj është të vrapoj për në dhomën e Fatjonit. Ndoshta ka nevojë për mua.
  E hap derën shumë ngadalë dhe përpiqem të bëj hapa sa më të lehtë. Megjithëse ai gjithë kohës fle thellë dhe gërhet me zë të lartë, dua të jem shumë e kujdesshme për të mos i prishur qetësinë.
     Sapo hyj në dhomë, më vret sytë pamja e Emës. Ajo është përkulur e tëra mbi kokën e Fatjonit. I përkëdhel flokët dhe e puth pa u ndalur, ku të mund.
    Kafshoj buzën sa e përgjak, siç bëra në rastin me laboranten, kur thonjtë  mu ngulën në duar, derisa i gjakosa. Përmbaj veten për të mos e bërë pesëqind copa.
    Në vend që të ulëras dhe të ngre gjithë spitalin në këmbë, nxjerr telefonin. Filmoj pamjen pseudo romantike dhe jam gati të regjistroj bisedën që do të zhvillohet mes nesh. Duke përvijuar veprimet e tim nipi, vijoj të mbledh prova qesharake, të cilat as vet s’di përse do të më duhen.
    Nuk është nevoja ta përshëndes. I kërkoj me mirësjellje  të shtirur daljen nga dhoma e Fatjonit.  Ema më vështron e bezdisur. Sytë e saj lëshojnë shkëndija. Më pyet sërish se me ç’të drejtë ia kërkoj këtë.  I lutem sërish, këtë herë me mirësjellje të stërshtirur që të  mos e zgjasë. Koha e saj ka mbaruar.
    Në të njëjtën mënyrë  si edhe një ditë më parë, më pyet se me ç’të drejtë i jap urdhra. Dua të vijoj me mirësjelljen time, por s’mundem. Madje, as me të shtirurën.
    Vendos celularin dhe çantën mbi kolltukun pranë shtratit dhe ia bllokoj të dy krahët me duart që i shtërngoj si darë. Nëse nuk gëzoj ende të drejtën si bashkëshortja e Fatjonit, kam të drejtën si e fejuara e tij. Ndërsa ajo është vetëm një ish. Por, ishi më buzëqesh gjithë ironi e përçmim, pa i dhënë rëndësi faktit që po e shtërngoj dhunshëm.
    Ç’i duket vetja kësaj femre? Le të shkojë ta tregojë veten gjetiu, me mua s’ka për t’i ecur. Jam gati të luftojë me mish e me shpirt për të mbrojtur atë që më përket mua dhe askujt tjetër. Fatjonin.
     Bëj kërcënimin e parë të vërtetë në jetën time. Është e tmerrshme ajo që them. Akoma edhe më e tmerrshme që e kam seriozisht. Nuk më besohet që këto mendime më kërcasin në tru dhe unë s’bëj absolutisht asgjë për t’i shtypur. Përkundrazi, marr guxim si e marrë dhe ligjëroj si e çmendur mu përpara fytyrës së Emës. I kam tejkaluar limitet e mia, kam dal nga vetvetja. Më duket sikur nuk jam unë. Dhe më e keqja është se nuk mund të më ndalë asgjë dhe askush. Nëse do ta kisha parë këtë skenë nga jashtë, do kisha sugjeruar si zgjidhje këmishën e forcës. Jam bërë për t’u lidhur.
    Nëse i afrohet edhe një herë të vetme, do ta bëj të paguajë për gjithë sa i ka punuar pas shpine Fatjonit, së bashku me shumëfytyrshat e tjerë që vijnë vërdallë si korbat. Do ta bëjë të  mallkojë ditë që ka lindur. Dhe ia bëj më se të qartë.
    Kush e di  ç’pamje të frikshme kam marrë? Në sytë e Emës shoh tmerr. Dhe me mendjen time i jap plotësisht të drejtë. Unë e kam seriozisht, nuk jam duke bërë gjasme për ta trembur.
    Më në fund ajo vendos të ikë, ndërsa unë me zor ia lëshoj krahët. Jam ende bishë e tërbuar. Nëse sulmi është e vetmja alternativë për të mbrojtur Fatjonin, nuk do stepem asnjë hap.
    Kur arrin te dera, kthehet me fytyrë nga unë dhe më thotë kërcënueshëm se nuk mbaron me kaq. Ndërsa unë, me sytë që më lëshojnë xixa i drejtohem frikshëm se nuk ka parë ende asgjë.
    Kur ajo mbyll derën lëshohem e tëra mbi kolltuk. As që e vë re se jam ulur mbi çantë dhe mbi telefonin që vijon të regjistrojë. Tani ndoshta jo më, me siguri jo. Kam rënduar me gjithë forcën dhe peshën time. Po as që më intereson se ç’ka ndodhur me të.  Ndiej dridhma në të gjithë trupin. Më duhet patjetër një kafe, por jo në porcionin normal. Një filxhan çaji do t’më bënte punë.
    Dal në korridor dhe çuditërisht nuk shoh as Ilirin, madje as Katerinën. Nëse do ishin aty s’do nguroja t’u kërkoja t’ma sillnin kafen. S’jam aspak mirë.
    Ndihem fajtore që bëra një skenë të tillë para Fatjonit. Ai është nën efektin e qetësuesve dhe fle thellë. Por, sërish më bren ndërgjegja. Sikur ai të dëgjonte gjithçka?
    Me zor arrijë  në ambjentin e barit. Por, marr  një goditje të beftë. Ema është ulur në të njëjtën tryezë me Katerinën. Ndiej se gjithçka po më rrotullohet, derisa pamja zëvendësohet me errësirë.
    Në vend të aromës së kafes ndiej aromën e alkoolit. Hap sytë dhe shoh para meje infermjeren me pamje vogëlusheje. Jam në kolltukun pranë shtratit të Fatjonit. Dhe këtë herë e ulur siç duhet, as mbi telefon e as mbi çantë.  Ç’më ndodhi? Kush më solli këtu?
    S’kam kohë të mendoj. Më duhet të bashkëpunoj për të hequr xhaketën dhe përveshur mëngën e këmishës. Infermjerja do më matë presionin e gjakut.
    Në vend që t’më tregojë rezultatin e matjes, shpejton të bëjë një të dytë. E ndiej krahun të fryrë e të tendosur sikur të mos jetë imi, por nuk ankohem.  Ndërsa në pjesën e pasme të kokës ndjej një dhimbje të tmerrshme, sikur të jem rrëzuar me kokë në dysheme. Ndërkohë më pyet për probleme shëndetësore  personale dhe familjare.
    I tregoj se kam qenë gjithmonë e shëndetshme. I vetmi problem shëndetësor për mua ka qenë gjatë kalimit të menopauzës. Sidoqoftë, ky proces ka përfunduar para një viti e gjysmë dhe nuk kam pasur probleme. Marr rregullisht vitaminat dhe suplementet që më ka këshilluar mjekja gjinekologe dhe asgjë më tepër. Përsa i përket familjes sime, askush s’ka patur  ndonjë sëmundje kronike.
     Infermjerja del me ngut, së bashku me aparatin që e heq shpejt e shpejt nga krahu im, duke më urdhëruar të mos lëviz.
    Ia beh menjëherë dhe më kërkon ta ngre edhe më shumë mëngën e këmishës. Më bën një injeksion. As që e pyes çfarë dhe përse. Intuita më thotë se jam në duar të sigurta.
    Pas disa minutash më bën edhe një matje tjetër të presionit të gjakut. Më ndihmon të vesh xhaketën dhe më këshillon të mos shqetësohem. Tashmë parametrat janë normal. Është emocionale. Duhet vetëm të shlodhem dhe qetësohem. Më sugjeron përsëri t’më shoqërojë në një dhomë dhe të shtrihem, por nuk pranoj. Askund s’kam për t’u ndjerë më mirë se pranë Fatjonit.
    Pas pak ia beh me një filxhan çaji të mbushur me kafe. Buzëqesh sapo e shoh. Kjo vajzë po ma rrëmben  zemrën. Po m’i lexon mendimet. Jo më kot është ajo në shërbim të Fatjonit. Duhet të jetë nga njerëzit e tij më të besuar. Dhe nuk qenka infermiere, por mjeke. E lexoj në bluzën e saj të bardhë. Doktoreshë Edlira.
    E shoh thellë në sy. Ajo rrezaton mirësi dhe çiltërsi. Nuk besoj se është idhtare e doktor Besnikut si laborantia. Për t’u siguruar, e pyes se ç’marrëdhënie ka me Fatjonin.
    Më rrëfen përmbledhtas, se ai është shok fëmijërie me të atin. Para disa vitesh familja e saj ka pësuar një aksident të rëndë automobilistik. Fatjoni ka paguar shpenzimet e kurimit të vëllait të saj në Gjermani, ndërsa prindrit ia ka kuruar në klinikën e vet.
     Edlira s’ka pësuar absolutisht asgjë në atë aksident, mamaja i ka thënë se është lindur me këmishë. Qysh atëherë Fatjoni është idhulli i saj. Zoti u fali jetën për së pari familjarëve të saj, ndërsa Fatjoni për së dyti.
    Megjithëse babai i ka mbetur në karrike me rrota, ajo është e lumtur që e ka. Fatjoni nuk harron që herë pas here ta vizitojë mikun e tij të vjetër.
    Edlira përlotet, por edhe unë s’mbetem pas. Falënderoj Zotin që më solli Fatjonin në rrugëtimin e jetës sime. Jam e gatshme të bëhem e denjë për të.
    Në mendje më shkrepëtin një mendim i beftë. Unë mund të kem besim te doktoreshë Edlira. Ajo nuk mund të jetë kurrësesi idhtare e doktor Besnikut, s’do t’i bënte kurrë keq Fatjonit.
    Nxjerr zarfin nga çanta dhe ia dorëzoj. I shpjegoj përsenë e kryerjes së analizës në një tjetër spital. I rrëfej me hollësi se ç’ka ndodhur në spitalin tonë.
    Sytë e doktoreshë Edlirës egërsohen papritur. E njeh Fatjonin prej një jete të tërë. Ai ka qëndruar gjithmonë larg alkoolit dhe duhanit, ndërsa tani...
    Del menjëherë dhe kthehet pas pak me laboranten e turnit, e cila i merr Fatjonit gjakun për analiza. Do qendrojë me të, duke e monitoruar deri në daljen e rezultatit. Ndërkohë, unë nuk duhet ta lë Fatjonin vetëm. Të mos lejojë t’i afrohet asnjë mjek, apo infermier, kushdo qofshin dhe për asnjë arsye. Pranoj.
    Por, më duhet një aleat. Nuk mundem të bëhem barrikadë për Fatjonin. Nuk më mungon as dëshira dhe as guximi. Më mungon hë për hë autoriteti përpara personelit të spitalit. Nuk jam ende bashkëshortja e tij.
    S’do shumë mend për të kuptuar se aleati më i mirë është Iliri. Çohem menjëherë për t'i kërkuar ndihmë.

Monday, February 12, 2018


     KACAVIRREM      Kapitulli  VIII


    Rikthehem në spital pas dy orësh. Mendoja se kisha nevojë të rrija vetëm, por gaboja. Xhimi jo vetëm më do shumë, por dhe më njeh mirë. Silvi erdhi në apartamentin tim në të njëjtën kohë me ne. E kuptova  kush e  njoftoi, por nuk bëra asnjë vërejtje. E përqafova dhe u ngashëreva në krahët e saj. Përse jeta është gjithmonë e padrejtë dhe mizore me mua?!
    Ulemi për disa minuta në dhomën e ndenjjes. Bisedojmë mbi gjithë sa ka ndodhur. Xhimi, i ulur pak më tej na ndjek në heshtje. Silvi del për t’më përgatitur vaskën, atëherë im nip ulet në vendin e saj. Më pyet se ç’kam ndër mend të bëj. Nuk i  përgjigjem. S’kam vendosur ende.
    Por, pyetja e Xhimit nuk lidhet me dilemat e mia: Të zbulojë nëse Fatjonin e kanë droguar, nëse po kush?  Cilët janë duke e mashtruar dhe përse? Ç’duhet të bëj për ta ndihmuar? Si do t’ua çjerr maskën gjithë shumëfytyrshave që sillen rreth tij si korba?
     Xhimi ma ka thënë tashmë mendimin e vet, bazuar në çfarë pa në vilë ditën e ceremonisë.  Fatjoni nuķ ia vlen. Ose duhet të ndahem përfundimisht prej tij, ose të hakmerrem për atë që më bëri.
    Ç’duhet t’i them Xhimit që të më kuptojë? Edhe sikur të hap zemrën me të, e kotë. Ai është i ri, plot jetë, plot ëndrra dhe shpresa për të ardhmen e lumtur.
    Ndërsa unë jam e zbrazët, e privuar nga gjithçka. Dhe kjo prej shumë kohësh. Xhimi nuk do më kuptonte kurrë. Zbrazëtia ime është më e madhe se ai. Im nip është vetëm njëzetë e një vjeç, ndërsa unë i jam dorëzuar fatit tim të pafat prej çerekshekulli.
    Fatjoni erdhi në jetën time si një rreze shprese, si drita në fund të tynelit. Kurrsesi nuk do ta lë të më shkasë prej duarsh. E kam kuptuar tashmë se ai është shansi i fundit që më ofron jeta. Dhe unë dua të jetoj, jam lodhur duke bërë gjasme. Jam gati të sulmoj për ta mbrojtur, të luftoj për ta marrë, të sakrifikoj për ta patur. Tashmë e konsideroj timin.
    Xhimi pret përgjigjen time. Ndërsa unë pres përgjigjen e analizës. Për të tjerat do vendos më vonë. Ai dorëzohet më në fund. Del duke më thënë se do marr përgjigjen e analizës sapo të dalë dhe do të ma sjellë. E përqafoj dhe ndihem çuditshëm. Kurrë s’e kisha menduar se im nip do bëhej pjesë e problemeve dhe sekreteve të mia. Për më tepër, falas.
    Në vaskë kaloj më pak kohë se zakonisht, megjithëse ia kam nevojën. S’dua ta lë Silvin të pres gjatë. Ka lën impenjimet e saj për mua.
    Ndërkohë, ajo ka shtruar tryezën. Më sugjeron të ham përpara se t’më krehë flokët. S’kam aspak oreks. Por, nëse e mendoj, qysh nga mëngjesi i djeshëm kam pirë vetëm kafe.
    Ham në heshtje. Megjithëse mundohem të mos i jap rëndësi, keqardhja në sytë e motrës sime të vogël më copëton shpirtin. Unë jam e madhja, duhet të vijoj të kujdesem për të gjitha motrat. E kam bërë këtë pa ndërprerje, qysh në moshën dymbëdhjetëvjeçare. S’mund të heq dorë edhe sikur të dua.
    Ndërsa me Silvin është ndryshe. Nuk është vetëm motra vogëlushe, por edhe shpirtushja që më lindi dhe kultivoi instiktin amësor. Ajo mbush zbrazëtinë e shpirtit tim për vajzën që nuk e pata kurrë. E dua pafund motrën time vogëlushe.
    Nuk kam pikën e dëshirës për t’u kujdesur për pamjen e jashtme, por Silvi si gjithmonë ka të drejtë. Tani jam dyfish personazh publik.
    Ajo meret me gjithçka, edhe me përzgjedhjen e veshjes. Kostumi blu me pantallona, këmisha e mëndafshit e bardhë, këpucët e lëkurës ngjyrë uthulle, kompleti i mrekullueshëm i perlave dhe çanta e madhe ngjyrë uthulle, e përshtatshme për të mbajtur gjithçka që më duhet.
    Kur i kërkoj të mos m’i bëj flokët me onde, sepse do dukem si spitullaqe, ma pret shkurt. Nuk duhet të ndërhyj në punën e saj. Dhe fjala onde nuk përdoret më, është demode.
    Mendoj në heshtje, që kjo fjalë qenka si unë. Prandaj më pëlqen. Silvi më sheh me qortim. Jam duke qeshur me vete. Për të mos bërë figurën e së marrës ia tregoj. Ajo qesh hidhur. Sipas saj nuk ia di aspak vlerat vetes.
    Këtu nis një predikim i gjatë, të cilin e dëgjoj për kush e di të satën herë. Duhet të kujdesem më shumë për veten, duhet të pushoj, të flë dhe të ha më tepër. Por mbi të gjitha, duhet të dal më shpesh para pasqyrës.
   Më vjen keq ta pranoj, por Silvi ka të drejtë për këtë të fundit. Pamja ime është mahnitëse. Ngjaj më bukur se dje me fustanin e bardhë. Modeli i flokëve dallgë-dallgë më bën të dukem më e re.
     Pavarësisht asaj që ka më ka ndodhur me shpirtin, pamja ime duket sikur është ruajtur në ngrirje. Asnjë thinjë, asnjë rrudhë, as rrathë poshtë syve, asnjë gram të tepërt në peshë.
    Sërish qesh me vete dhe sërish detyrohem t’ia them arsyen sime motre, vetëm e vetëm që mos të më konsiderojë të marrë. Sapo të më shohë Fatjoni, do njoftojë kryebashkiakun për ceremoninë e martesës civile.  S’jam dukur kurrë kaq bukur. Jam e parezistueshme.
    Por, Silvi nuk pranon falënderime. Sipas saj s’ka asnjë meritë. Unë rrëzëllej, sepse jam e lumtur. S’ka si të ndodhë ndryshe. Sipas saj e kam ngaqë kam rënë në dashuri.
    Sapo dëgjoj këto fjalë dridhem e tëra. Unë jam divorcuar një herë e përgjithmonë nga lumturia. Sa për të qenit e dashuruar, nuk kam forcë të kujtoj ç’kam pësuar prej saj. Jam kthyer në hije të vetvetes.
    Dal para pasqyrës dhe shoh shëmbëllimin tim drejt e në sy. Silvi ka të drejtë. Sytë e mi kanë një shkëlqim vezullues. Kujtoja se ishte zhdukur një herë e përgjithmonë. Sa çudi!
    Silvi ka sërish të drejtë. Këtë herë pjesërisht. Drita në sytë e mi s’ka aspak lidhje me dashurinë. Ama ka lidhje me të rënën. Unë kam rënë prej kohësh në një gropë të thellë me baltë thithëse. Fatjoni është dega drejt së cilës zgjat duar për t’u kacavjerë.
    S’ka as dashuri, as lumturi. Ka vetëm shpresë. Shpresë për të jetuar. Unë dua të jetoj, jo thjesht të bëj gjasme.
    Hap krahët, duke i ngritur lart. Jam në imagjinatën time. Dua të kacavirrem. Fatjoni është shpresa ime e vetme.

Elda Gjini

Saturday, February 10, 2018

         LABORATORI     Kapitulli VII


    Nuk është nata e parë në jetën time që s’vë gjumë në sy. Por, është nata e parë që e bëj këtë për një mashkull. Dhe nuk mërzitem aspak, madje as lodhje nuk ndjej.
     Kam çerekshekulli pa thurur ëndrra për të ardhmen. Pa u emocionuar se ç’do sjellë e nësërmja, pa pyetur veten nëse do të jetë më e bukur se e sotmja.
    Fatjoni solli ndryshimin e madh dhe të papritur në  jetën time. Ligjërisht do jem e martuar me të. Publikisht do shfaqem përkrah tij në eventet më të rëndësishme. Pjesë e marrëveshjes sonë.
    Por,  Fatjoni për mua nuk është thjesht  nënshkrimi në dokumentin martesor, as një dukje eventeve, madje as vetëm një marrëveshje e lidhur me mirëkuptim dhe përfitim të ndërsjelltë.
    Fatjoni është njeriu që më bën të ëndërroj, megjithëse isha e bindur se në qenien time s’kishte më vend romantizmi. Ai më bën të ndihem e gjallë, paçka se  kujtoja se zemra ime ishte ngrirë një herë e përgjithmonë. Është njeriu që më jep shpresë, se jetën nuk do ta mbyll e vetme si një qen i braktisur.
    Jam e gatshme të bëj gjithçka për Fatjonin. Të qëndroj ulur dhe pa vënë  gjumë në sy pranë shtratit të tij gjithë netët që do të jetë e nevojshme, sepse ditën këtë vend më duhet ta ndaj edhe me të tjerët, sidomos me nënën e tij.  Të flas me të, duke e ndihmuar të mos fokusohet vetëm në gjendjen shëndetësore. Ta mbështes mbi supin tim, vetëm e vetëm që të mos torturohet mbi paterica. S’mund të duroj duke e parë të vuaj.
    E di që do jetë e vështirë për të, madje shumë. Ky spital është ideuar dhe ndërtuar prej tij. Mirëfunksionon vetëm falë tij. Po tani? Fatjoni ka fraktura në të dyja këmbët. Si do ta kalojë këtë situatë të vështirë nga ana shëndetësore? Por, mbi të gjitha, si do ta përjetoj nga ana emocionale? Ai s’mund të duroj qëndrimin në shtrat. S’e përballon dot qëndrimin larg spitalit. Ky spital është jeta e tij.
    Unë do jem gjithmonë përkrah tij. Për ta ndihmuar, për ta përkrahur dhe për ta mbrojtur. Po po, për ta mbrojtur. Ish bashkëshortja, Ema dhe Besniku, mjeku që po e kuron, miku i tij më i mirë përbëjnë një rrezik serioz për të. Jam më se e sigurt se ata e kanë një plan kundër tij. Nuk lidhet vetëm me atë që pashë dhe dëgjova në sajë të Xhimit. Intuita më thotë që janë njerëz të ligj dhe përfitues. Vetëm se më duhen prova. Derisa t’i sigurojë ato, nuk duhet të flas me askënd për dyshimet e mia.
     Mëngjesi vjen papritur. Gjithë natën e kalova në kolltukun pranë shtratit të Fatjonit. Pas mesnate lexova nga celulari gjithë shkrimet që ishin bërë për incidentin që ndodhi, për moskryerjen e ceremonisë martesore, madje edhe anullimin e udhëtimit të muajit të mjaltit. Në disa gazeta komentohej gjatë puna ime si stiliste. Fustani i nusërisë kishte marrë, jo vetëm vëmendje maksimale, por edhe vlerësim të tillë.
     Për të mos folur për hiret e mia si nuse dhe rininë e përjetshme. Këta paragrafë duhej t’i prisja nga gazetat dhe t’ia çoja Silvit. Ajo do krenohej pafund me to. Por, më tepër se kremari jam e sigurt që do ndjente lumturi. Ia kishte dalë t’më stilonte për ditën që nuk shpresonte më se do të vinte. Madje, jam e sigurt që kishte nisur të mendonte për ditën që kjo ceremoni do kryhej. Duke e njohur mirë, po priste me padurim që të bija sërish në duart e saj.
     Si gjetje e veçantë dhe origjinale ishte komentuar  stilimi dhe realizimi prej meje i veshjeve për të gjithë të ftuarit. Nuk mungonin as komentet për delen e zezë, Emën. Nga njëra ana prania e saj e pavend dhe nga ana tjetër fakti që nuk mbante veshje të realizuar prej meje.
    Ajo që më bëri më tepër përshtypje në foto, ishte vendndodhja e Emës. Gjendej përkrah mamasë së Fatjonit.  U mundova të mos i jepja shumë rëndësi këtij fakti. Ndoshta ishte thjesht një rastësi.
     Fatjoni ishte nën efektin e qetësueve. Flinte thellë. Nuk pretendoj të kem shumë njohuri në fushën e mjeksisë, por kjo nuk më pëlqen. Mos ndoshta Besniku nuk po e kuron në mënyrën më të mirë? Më duhet e vërteta. Jo hamendësime pafund. Po si të shkoj drejt saj?
    Nuk e mendova dy herë. U nisa drejt e në laborator. I kërkova laborantes t’i bënte një analizë gjaku Fatjonit. Doja të verifikoja nëse ajo që më kishte thënë Xhimi ishte e vërtetë. Mos ndoshta dikush e kishte droguar pa dijeninë e tij? Dyshoja tek Ema. Një njeri si Fatjoni, i cili nuk pinte as cigare, as alkool, që kujdesej maksimalisht për shëndetin,  s’mund të drogohej.
    Laborantja më pyeti ku ishte fleta që  rekomandonte analizën dhe cili mjek e kishte dhënë. I thash se e kishte para syve. Unë isha bashkëshortja e Shefit.  Rrjedhimisht isha edhe fleta edhe rekomandimi, madje edhe rekomanduesja. Ajo ishte thjesht dhe vetëm një zbatuese.
    Më pa ngultas, shtangu nga habia dhe iu përskuqën faqet nga inati për atë që i dëgjoi, por nuk guxoi të kundërshtonte. Madje, as nuk thirri ndonjë infermjere për të marrë kampionin e gjakut. Rrugës për në dhomë i thashë se për kryerjen e asaj analize nuk duhej ta dinte askush veç nesh. Edhe përgjigjen do t’ma dorëzonte mua, pa e shënuar në ndonjë regjistër. Ajo pohoi në heshtje. Ishte e natyrshme. As që prisja ndonjë kundërshtim, apo rebelim.
    Fatjoni nuk reagoi aspak gjatë shpimit me age. Kjo vijonte t’më shqetësonte. Sidoqoftë, nuk e dhash veten në sy të laborantes.  Prita që ajo të dilte dhe shpërtheva në lotë.
    U lehtësova disi. Më ndodhte gjithmonë kur qaja. Madje, më shërbente edhe për të kthjelluar mendimet.  Solla ndërmend sjelljen time me laboranten. Më erdhi turp nga vetja. As në atelienë time nuk kisha treguar ndonjëherë arrogancë të tillë. Ç’po ndodhte me mua?
    Nëse do ta kisha menduar dy herë, me siguri do kisha hequr dorë. Ndaj u nisa drejt e në laborator. Duhej të kërkoja falje. Kjo s’do cënonte figurën time, përkundrazi.
    Dera e laboratorit ishte gjysmë e hapur. Laborantja po fliste në celular. Nuk doja ta shqetësoja. Qëndrova në derë, duke pritur të përfundonte telefonatën.
    Por, ajo që dëgjova më la pa fjalë, madje pa frymë. Laborantja po fliste me doktor Besnikun. Për të ai ishte thjesht Beso. Unë isha ajo e reja e shefit. Ndërsa analiza që kisha kërkuar ishte një absurditet.
    Kampioni i gjakut të Fationit përfundoi në lavaman, para syve të mi. Ndërsa unë qëndrova aty, në derë, pa bërë asgjë për ta ndalur këtë veprim, jo vetëm të gabuar, por të paprecedent. Tërbimi më kërceu në damarë, por e përmbajta veten. Nuk e zura laboranten për flokësh, nuk e shava dhe as e ofendova për të nxjerrë dufin tim.
   Tërhiqem pa zhurmë e bujë. I jap kohë vetes për të qartësuar mendimet dhe për të marrë komandën e plotë mbi qenien time. Nuk mund të toleroj gabime të bëra nga gjaknxehtësia, apo sedra e vrarë. Është koha të veproj si një grua e pjekur, e fortë, e zgjuar e gjakftohtë.  Në mënyrë të pavetëdijshme shtërngoj të dyja duart grusht, derisa ndiej dhimbje. Thonjtë më janë ngulur në mish.
     Duhet të tregohem e zgjuar. Nuk fitoj gjë nëse grindem, as po të ndërhyj te Fatjoni për ta pushuar nga puna.
    Duhet të jem e kënaqur me veten që nisa mbledhjen e provave kundër pabesisë së doktor Besnikut. Nuk do lejoj askënd ta mashtrojë, apo t’i bëj keq Fatjonit.
    Sapo qetësohem thërras infermieren. Është një vajzë shumë e re. I kërkoj t’i marrë gjak Fatjonit për një analizë. Ashpërsoj zërin, por nuk e kaloj masën me fjalët që them.  Jam e sigurt që nuk do t’i tregoj askujt. Sigurinë ma jep vetëm intuita.
    Me kampionin e gjakut në dorë zhytem në mendime të thella. Duhet ta çoj për ta analizuar në një klinikë tjetër. Nuk do të më duhet shumë kohë ta dorëzoj dhe të kthehem.
    Por, unë s’mund të shkoj në një klinikë mjeksore tjetër pa tërhequr vëmendjen e njerëzve të thjeshtë, apo mediave. Mund të pushtoj sërish editorialët e gazetave. Ky do ishte veprimi më i pamatur që kam bërë ndonjëherë. Aq më tepër që po shkoja me flakonin me gjak me vete.
    Kam nevojë për ndihmë. Ndër mend më vjen vetëm Xhimi. S’mund të më thotë jo. Aq më tepër pas ditës të djeshme.
    I telefonoj menjëherë. Ai përgjigjet përgjumësh. Sa të bëhet gati dhe do niset. Edhe unë duhet të shkoj në shtëpi. Kam nevojë urgjente për një dush. Flokët i kam të ngrirë nga një ditë më parë. S’guxoj të dal para pasqyrës. Duhet të kem marrë një pamje të tmerrshme. Edhe veshja. Vërtet rrobat e Silvit janë masa ime, por nuk janë të miat.
    Ndërkohë, nisem për në laborator. Pseudo përgjigja e analizave është gati. Kërkoj të bëj pagesën, por në këmbim marr një buzëqeshje të lodhur nga laborantja. Ajo analizë nuk është regjistruar askund, siç e kisha kërkuar. E falënderoj, duke i thënë se unë nuk harroj. Një ditë do ia shpërblej. Dhe me zor do pres derisa të vijë ajo ditë.
    Përgjigjia e pseudo analizës negative. S'kishte si të ndodhte ndryshe. Këshilla e Besos.
    Në dhomë hyjnë prindërit e Fatjonit dhe doktor Besniku. Përgjatë gjithë natës kishte ardhur çdo dy orë për ta vizituar. A ishte miku i tij më i mirë, apo armikun më i madh?!
    Asgjë e re. Po ato fjalë që kisha dëgjuar çdo dy orë. Përshëndetem me prindërit e Fatjonit dhe shpejtoj për të mos e lënë Xhimin të pres. Do t’më shoqërojë në shtëpi sapo të dorëzojë mostrën e gjakut në një laborator. Më duhet të marr edhe makinën time.
    Do qëndroj gjithë kohën e nevojshme pranë Fatjonit, por duhet të kem një pamje të rregullt. Ndaj do të më duhet të shkoj herë pas here në shtëpi.
    Gjithë vëmendja më rri te laboratori. Për sa kohë do dalë përgjigjjia?

Elda Gjini

Friday, February 9, 2018

     NEN HIJE  kapitulli VI


Stërmundohem të kontrolloj veten për të mos qarë, por s’ia dal. Më është dashur shumë mund për të krijuar imazhin e femrës së fortë.  S’mund ta shemb sa hap e mbyll sytë, s’do ia lejoj vetes.
    Sidoqoftë, arsyetoj dobësinë time. Kushdo që do më shoh me sy të përlotur, do më  justifikojë me shqetësimin për gjendjen shëndetësore të Fatjonit, apo me moskryerjen e ceremonisë martesore.
    Por, unë as që dua t’ia di nëse më justifikojnë.  Askush nuk duhet t’më hetojë dobësitë. Absolutisht askush.
    Ende pa m'u tharë lotët, një grua elegante afrohet pranë derës së dhomës së Fatjonit. E njoh menjëherë. Është Ema, ish bashkëshortja e tij.
    E pash në videon e bërë nga Xhimi. E megjithatë, s’mund të them se e njoha nga veshja. Në video ajo që më tërhoqi vëmendjen nuk ishte veshja, por zhveshja.
   Nuk e kuptoj se ç'po më ndodh. Ndiej se si brenda meje po lind një bishë e egërsuar. Nuk do lejoj më askënd të tallet me mua dhe të më vërë në lojë. Jo më, jo tani, jo në këtë moshë.
   I afrohem me hap të shpejtë. Me një lëvizje të rrufeshme e mbërthej fort nga bërryli i majtë. Të dyja çuditemi njësoj kur dora ime shtërngohet si  darë përreth krahut të saj. E shoh tek i egërsohen sytë. Por sytë e mi ca më keq se të sajët. I ndiej tek më lëshojnë shkëndija. Jam transformuar e gjitha. Por nuk është kjo më e keqja. Më e keqja është se nuk më vjen aspak keq. Përkundrazi.
    I them  të mos  e marrë guximin. Nuk do t'i afrohet as edhe një hap Fatjonit. Ajo më sheh në një mënyrë të çuditshme dhe përçmuese njëkohësisht. Por, aq më bën për përçmimin e saj. Jam gati të bëjë gjithçka për të mos e parë më kurrë.
    Ajo më rrëmbeu edhe grimcat e fundit të shpresës për një familje. Kisha dashur me gjithë shpirt të mos jetoja  vetëm, si një qen. Dhe më në fund ajo që doja më shumë në jetë po realizohej. Si gjithmonë, në jetën time shfaqej diçka, ose dikush dhe unë mbetesha vetëm dhe e pashpresë.
     Duke më parë me shpërfillje,  kërkon se me ç'të drejtë do ta ndaloj. Unë e kam një përgjigje. Por, kjo s’ka lidhje me statusin e bashkëshortes së ardhshme. Unë kam videon e saj me Fatjonin. Nëse  ia jap të shoqit, martesa e tyre merr fund menjëherë. Unë nuk kam si qëllim të shkatërroj familje të tjera, më mjafton të mbroj timen.
    Më pyet sërish me mendjemadhësi dhe vetbesim, si do ia bëj për ta penguar të futet në dhomën e Fatjonit. Mos vallë duke mos ia lëshuar kurrë krahun?!
   Vetpërmbahem. S’dua  ta zbuloj asin tim nën mëngë. Me siguri do  t’më duhet më vonë.
    I them se nuk ka ç'të bëjë më me Fatjonin. Ata e konsumuan takimin e tyre të lamtumirës.
     Kur dëgjoi këto fjalë u përskuq e tëra. Mësova diçka të re, që edhe femrave të tilla u ndodhka. Me siguri nuk ishte nga turpi, dukej që ishte një femër që ishte mësuar t'i ecte gjithmonë e veta. Ishte koha të merrte një mësim të mirë. Isha e sigurt që do ishte interesant.
   Ema u largua, por vështrimi i saj më thoshte se nuk mbaronte me kaq. Me siguri do kisha të bëja sërish me të. As që m'u drodh qerpiku. Kisha duruar mjaft mbi shpinën time, por kishin kaluar plot 25 vjet qysh atëherë.
     Sapo iku ajo, m'u afrua babai i Fatjonit. Më pyeti se ç'i kisha thënë që e largova. Sipas tij ajo ishte një grua që bënte të pamundurën që t'i ecte e veta. E kuptova se ai e urrente. E lexova në sytë e tij. Kush e di nëse do të më duhej që më vonë të bëja ndonjë aleancë me të për ta mbajtur Emën përgjithmonë larg tim shoqi.  Kurrë nuk i dihet. Hë për hë duhej të gjeja një rrugëdalje të shpejtë, që të më nxirrte nga gjendja pothuajse e pashpresë në të cilën ndodhesha..
   E kisha të qartë situatën me ish bashkëshorten, ajo i qe afruar për t'i shkatërruar ditën e martesës, apo edhe vetë martesën. Fationi me siguri s’i kishte rezistuar, por nuk ishte asgjë serioze. Një shfryrje hormonesh dhe kaq.
    Apo ndoshta ai vijonte ta donte ende? Ka një bazë logjike, nisur nga fakti që ajo e braktisi për një tjetër, për mikun e tij më të mirë.
    Mos ndoshta ishte një hakmarrje e vogël për ish mikun e tij? Po ia shpërblente me të njëjtën monedhë.
    Diçka tjetër ishte më e madhe se kapaciteti im mendor për ta kuptuar. Përse Xhimi më kishte thënë se miku i tij më i mirë, doktori ishte duke ia punuar pas shpine? Me eksperiencën time jetësore, nuk do habitesha nga asgjë. Fatjoni kishte gjithçka që mund të ëndërrojë, apo lakmojë njeriu në jetë. Nisur nga pamja e tij e jashtme, mund të them me siguri se ngjan më shumë me një yll kinemaje, se me një mjek.
    Xhelozi profesionale, apo diçka më tepër? Pasi u mendova një grimë, në mendje më shkrepëtiu një mendim i çmendur. Po sikur ish gruaja dhe shoku i ngushtë të bashkëpunonin për t'ia punuar pas shpine? Ka patjetër një prapaskenë, të cilin unë as që e kam idenë se ç'mund të jetë, por me siguri e kam  kapacitetin e mjaftueshëm për ta zbuluar.
   Babai i Fationit mund të më ndihmojë. Do bëj një bisedë të gjatë dhe të shtruar me të. Por, duhet të jem shumë e kujdesshme, për të mos lënë shkas të dyshojë se mes meje dhe të birit premtimi i vetëm martesor do jetë zbatimi i marrëveshjes sonë dhe jo lumturi e përjetshme.
   Rastin e sjell vetë Iliri. Më zgjat një gotë kafe dhe ulemi në kolltukun e paradhomës. Pranë shtratit të Fatjonit është mamaja e tij. Nuk qëndrojmë më tepër se një person brenda në dhomë. Ai është duke fjetur nën efektin e qetësuesve. Më pas do jem unë pranë tij. Gjendem në rrethana ideale për të biseduar qetë – qetë.
    Sipas Ilirit duhet të shkoj në shtëpi për t'u çlodhur. Por, unë nuk kam ndër mend të lëviz prej këtu. Nuk do lë ish bashkëshorten e Fatjonit të hyjë aty për asnjë arsye në botë, si dhe do monitoroj hyrjen e mjekut, mikut më të mirë të tim shoqi.
   Ai më pyet për prindërit dhe unë përpiqem të them  sa më pak fjalë për ta. Nuk më pëlqen të flas për ndjenjat e mia, sidomos me të panjohur, me pothuajse të panjohur.
     Të gjitha janë fjalë zemre. Babai im ishte shofer, gjeti vdekjen në një aksident automobilistik, kur unë ende s’i kisha mbushur 12 vjeç dhe mamaja priste motrën e vogël. Ajo nuk pati fatin të njihte babain. Mamaja ime ishte rrobaqepëse. Punoi shumë për të na rritur dhe shkolluar. Po kaq punoi për të skalitur figurën e babait në zemrat tona. Ajo vdiq papritur pesë vjet më parë nga një tumorr në stomak. Tumori ia mori jetën brenda dy-tri javësh. Vdiq me pengun e madh që nuk po më linte me një familje timen. Ajo nuk ishte vetëm mamaja ime, por edhe shoqja ime më e mirë. E ndiej kaq shumë mungesën e saj! Më bën të ndihem e vetmuar, shumë e vetmuar.
   Mora frymë thellë dhe e pashë në sy Ilirin.  Nuk jam mësuar të flas për veten dhe prindrit e mi. Dita ime është e mbushur me punë, shumë punë. Motrat e mia dhe fëmijët e tyre janë të vetmit që ia dalin të më shkëpusin prej saj.
    Ndihem mirë kur punoj. Sa herë realizoj një veshje, ndihem krenare, më duket se shpirti i nënës sime është aty, pranë meje. Gjithë sa kam arritur në jetë është falë saj.
   Ndërkohë që flas, kafja është ftohur. Gota dridhet në duart e mia në po atë mënyrë që dridhet edhe shpirti im. E kam kaq të vështirë të flas për ndjenjat e mia, për humbjen e prindërve, për vetminë time.
    Sa për kafen, s’mbaj mend ndonjë rast në të cilin e kam pirë të ngrohtë. As ndonjë rast që ta kem pirë duke ju dedikuar tërësisht asaj. Ditët e mia janë të mbushura me punë dhe jo me kafe. Por, është hera e parë që gota me kafe më rrëshket nga dora dhe derdhet e gjitha përtokë.
   Shkëmbyem vështrimet. Me siguri që kisha marrë një pamje që i dhimbsesha. Më tha të mos shqetësohesha.
    Pas dy minutash sanitarja  kishte pastruar gjithçka. Nuk e di përse incidentin e shkaktuar pa dashje nuk e përjetova si sabotim të figurës së femrës së fortë. Ndoshta ngaqë përballë kisha Ilirin. Mishërimin ideal i figurës atërore. Fatjoni ishte me fat që e kishte baba.
     Sapo dëgjoj fjalët e zakonshme të mirësjelljes dhe keqardhje për prindrit që kam humbur, nuk mund të mos e shpije bisedën atje ku më interesonte. Miku më i mirë i Fatjonit. Flas hapur. I them se kam arsye të besoj se ai nuk ka qëllimet më të mira kundrejt Fatjonit. Edhe babai i tij ndan të njëjtin mendim me mua. Më tregon se ata kanë qenë shokë në gjimnaz e më pas kanë studiuar të dy për mjeksi.
     Fationi ishte gjithmonë më i miri, ndërsa atij asnjëherë nuk i ka pëlqyer, madje as pranuar. Për mamanë e Fatjonit ai ishte një djalë i edukuar dhe i dashur. Për Ilirin ishte vetëm një njeri që shtirej. Gjithë jeta i kishte kaluar nën hijen e Fatjonit.

Elda Gjini





Thursday, February 1, 2018

  ME PERKET    Kapitulli V



  Grafia tregon se bëhet fjalë për thyerje në të dyja këmbët. Për fat të mirë, në shtyllën kurrizore ka vetëm shembje dhe asnjë dëmtim  serioz. Të gjitha këto së bashku duhet t’i shkaktojnë dhimbje të tmerrshme. Dhe unë nuk mund të bëjë absolutisht asgjë për ta ndihmuar.
     Pasi u sigurova që gjendja e Fatjonit u stabilizua, vendosa të informoja edhe motrat e mia, që të qetësoheshin. Por, ato erdhën të katërta në klinikë, së bashku me bashkëshortët dhe fëmijët. Klinika dukej e pushtuar prej tyre.
     Pavarësisht kaosit që u krijua në korridor, u ndjeva mirë që familja ime e madhe më mbështeste gjithmonë dhe këtë e bënin me shumë dashuri. Sikur të mundja të krijoja një familje të vogël timen, sipas modelit të familjes së madhe! Sa keq që kjo s’do ndodhte kurrë!
    U larguan vetëm pas lutjeve, madje pas përgjërimeve të mia. Menjëherë pas ikjes së tyre, Katerina, mamaja e Fatjonit ishte e gatshme të më falënderonte. Në korridor s’kishte vend ku të qëndroje më këmbë. Duhej frymarrje e thellë për të mbushur mushkëritë me oksigjen. Por, nuk besoj që kjo e justifikon vështrimin e saj armiqësor. Katerina sillet sikur unë i kam rrëmbyer diçka që i përket. Për fatin tim të mirë, apo të keq, unë s’i kam rrëmbyer askujt gjësend.
    U premtova motrave të mia se do t’i mbaja të informuara për shëndetin e Fatjonit . Këtë do ta bëja përmes grupit tonë në WhatsApp. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të komunikuar të pesta. Na kursen kohë dhe ajo që është më e rëndësishme, na mban edhe më të bashkuara. Gjithçka e ndajmë bashkë.
     E falënderova gjithashtu Silvin për rrobat që më solli në spital. Një palë pantallona xhins, një bluzë të pambuktë me mëngë të gjata, atlete. Ne kemi të njëjtën masë si për veshje, si për këpucë. S’kishte harruar t’më sillte edhe një triko të trashë. Kur kaloj periudha të vështira në jetën time unë kam ftohtë, shumë ftohtë.
       Përpiqem të kujtojë ndonjë periudhë  kur s’kam patur ftohtë, por nuk ia dal. Sidoqoftë, kjo nuk është aspak e rëndësishme tani.
     Më duhet të takojë Xhimin, për të mësuar deri në detaje gjithë sa ai ka parë si të dyshimtë në vilë. Por, për ta takuar duhet të pres. Ai nuk ndodhet në Tiranë.
     Jam penduar që nuk e dëgjova me vëmendje kur më pëshpëriti në vesh. Ai diçka di. Jam e sigurt se do të më hyjnë në punë fjalët e tij.
      Po i bije celularit të Xhimit. Kam shumë nevojë për të folur sa më parë me të. Nuk mund të pres deri nesër. Ai është i vetmi që nuk erdhi me të tjerët në klinikë. Nuk i përgjigjet telefonatës. I telefonoj sërish, por celulari i tij del i zënë. Menjëherë më pas më merr ai.
     Kur i kërkojë të vijë në klinikë, sepse kam nevojë për ndihmën e tij, ai nguron pak para se të më thotë se do niset menjëherë. Ndiej të më shpeshtohen  të rrahurat e zemrës. Si është e mundur që Xhimi të lërë përgjysmë angazhimet e tij të preferuara jashtë Tiranës dhe të rendë për të më takuar? Ose e bën për hir të dashurisë së shtuar së fundmi kundrejt meje, ose ngaqë ajo që ka për të më thënë është vërtet serioze. Gjithë ky seriozitet po më tremb.
     Hyj te Fatjoni. Ndoshta nuk më dëgjon për shkak të qetësuesve, por unë e provoj. E thërras disa herë në emër para se ai të më përgjigjet rëndë-rëndë. I kërkoj të më tregojë sa vetë e dinë të vërtetën për marrëveshjen tonë. Fatjoni më thotë se nuk është koha për këtë. Ngulmoj, duke i thënë se e kam një arsye të fortë, ndaj po këmbëngul.
     Dikush kishte folur. Secili prej nesh po dilte i humbur. I kërkoj të përpiqet të kujtojë diçka, por ai është tepër i lodhur. E pyes se ç'e bëri të rrëshkiste ashtu. Si përgjigje marr një gërrhimë të gjatë e të thellë.
     Nuk di nëse e ka nga qetësuesit, apo në natyrën e vet. Gërhima është diҫka që e urrej. Edhe sikur të qe kjo e fundit, s’do kisha rast të bezdisesha prej saj. Ne nuk do flem kurrë bashkë. Kjo është e sigurt.
     U qetësova plotësisht për gjendjen shëndetësore të Fatjonit. Ai ka në dispozicion mjekët më të mirë ortoped, të cilët i kanë vendosur allçi gjithandej, saqë duket si  statujë. Jam e sigurt se do arrijë të ecë si më parë. Vetëm se deri atëherë i duhet të durojë kush e di sa dhimbje.
      Tani misioni im është një tjetër. Të studiojë gjithë njerëzit që i vijnë për vizitë. Me statusin e pothuajse bashkëshortes, mund të qëndrojë pranë tij pa më qortuar kush. Vetëm nëse ma kërkon Fatjoni do largohem prej këtej pa ia bërë fjalën dy.
     Por, nëse kjo ndodh, a do të jem sërish e gatshme për t'i shkuar deri në fund marrëveshjes sonë? Nëse ai kërkon të më largojë, a do gjejë guximin për të qëndruar pranë tij?
     E njoh mirë Fatjonin në anën profesionale. Ai është mjek pediatër i shkëlqyer. Gjithë familja jonë kurohet në klinikën e tij. Sa e sa herë e kam takuar gjatë vizitave të nipërve dhe mbesave të mia. Gjithmonë është përballur me familjen tonë të madhe, të cilën me shaka ai e quan ekip. Kur është fjala për shëndetin, të gjithë jemi të një mendjeje, se duhet ta merrnim seriozisht.
    Edhe si bisnesmen,- duke qenë se nuk është vetëm mjek, por edhe pronari i spitalit, - ai është mjaft i suksesshëm. Një njeri i pashëm, hijerëndë, autoritar, gjë që nuk e pengon aspak të jetë i vlerësuar dhe i respektuar nga të gjithë. Një menaxher i shkëlqyer, kjo mund të vihet re nga kushdo që vjen në spital. Sipas gjithë pjesëtarëve të ekipit tim, kam goditur në shenjë. Kjo më bën ta marr edhe më seriozisht marrëveshjen. S’mund të ndodhë ndryshe pas bekimit prej gjithë anëtarëve të ekipit.
    Në një dhomë mjaft komode të spitalit qëndroj së bashku me prindërit e Fatjonit. Përgjithësisht mbizotëron heshtja, të cilën herë pas here e thyen Iliri, babai i Fatjonit. Katerina vazhdon të më vështrojë me armiqësi. Mundohem të mos i jap rëndësi këtij fakti. Në të njëjtën kohë përpiqem të mos i jap asnjë shkak për të vepruar kështu. Nëse ajo ka problem me veten, ose me botën, kjo është çështje personale e saj.
     E di se është e vështirë ta bëjë tim nip të flasë. Por, fundja në botë asgjë s'është e pamundur. I lë takim në një pastiçeri aty pranë. Të dy kemi një pikë të dobët të përbashkët. Akulloret. Me një akullore përpara edhe biseda mund të jetë më e ëmbël. Në mos e ëmbël, nisur nga situata, le të themi se janë mundësitë të jetë më pak e hidhur. Mund t'i vendos ҫfardolloj etiketimi, mjaft që Xhimi të flasë.
     Nuk jam në formën time më të mirë për ta bërë siҫ duhet pjesën time. Ndihem e dërrmuar. Xhimi është i zgjuar, shumë i zgjuar. Duhet dhelpëri e madhe për ta bërë të thotë  gjithë sa di, pa i zbuluar në këmbim sekretin tim. Nëse i preken sadopak interesat, apo nuk nxjerr përfitimet e tij, e qep gojën një herë e mirë. Vërtet më do shumë dhe më ka përcaktuar si tezen e tij të preferuar, por nuk i shkel kurrë interesat e veta për askënd në botë.
     Atëherë kur unë nuk e prisja, e lodhur për vdekje nga bisedat monotone që po bënim, ai më bëri një pyetje të drejtpërdrejtë. Përse doja të martohesha me Fatjonin? Askush nuk ma kishte bërë një pyetje të tillë dhe as isha përgatitur të kisha një përgjigje gati.
      Për të dalë nga  situata i drejtoj edhe unë një pyetje: Si do vepronte  po të kishte qenë në vendin tim? Me këtë dua të di deri në ҫ’pikë është i informuar.
     Pres përgjigjen e tij. Dhe nuk nguroj t’i bëj një pyetje të dytë: Si do vepronte po të qe në vendin tim? Më përgjigjet shkurt, se po të qe në vendin tim do ta vriste dhëndërrush Fationin.
     Kujtoj se po tallet me mua. Ndoshta do të më bëjë të flas në lidhje me ndjenjat. Ka zgjedhur njeriun dhe vendin më  të papërshtatshëm.
     S'më lë kohë për replika. Më pyet përse kam zgjedhur të martohem me një burrë të martuar dhe me fëmijë. Pyetje qesharake. Fatjoni nuk është i martuar, por i divorcuar. Sa për djemtë e tij, janë të rritur mjaftueshëm për të mos ndërhyrë në jetën e të atit.
     Edhe unë kam qenë e martuar dhe kjo s'përbënte asnjë lloj problemi për lidhjen tonë. Mos ndoshta në moshën time duhej të kërkoja një burrë që të ishte ende me etiketë? Xhimi më thotë  se e shkuara ime s’përbën problem, përderisa ishi im nuk më futet  në shtrat.
     Mbetem e habitur nga kjo që dëgjoj, nuk mund të artikuloj  asnjë pyetjeje tjetër. Nuk besoja se do bëja ndonjëherë biseda të tilla me tim nip. Ai vijon të rrëfejë.
    E ka parë Fatjonin ditën e dasmës në momente intime me ish gruan e tij. Madje ishte dru, si një adoleshent. Nuk mund të gabojë në këtë aspekt. Përqendroj gjithë vëmendjen në hetimin e mimikës së tij. E shoh  ngultas në sy. Xhimi s'më ka gënjyer kurrë, nuk do ta bëjë tani. Jo për një çështje kaq të rëndësishme.  Duket  e vështirë për ta besuar. Është kaq absurde!
     Xhimi ka filmuar gjithçka me celular. E pyes nëse e ka shpërndarë videon, e ka postuar, apo kopjuar gjëkundi. Më thotë  se nuk ka folur me askënd për këtë. Nuk do guxonte të ndërmerrte asnjë nismë pa u konsultuar më parë me mua. Kurrësesi nuk do më bënte të vuaja, apo të dëmtonte imazhin tim.  E pyes sa para do për telefonin e tij IPHONE X.
     T'i heqë numrin e vet dhe të ma japë. Ai ia heq kartën në  ҫast dhe më jep  telefonin. Më thotë se gjithë sa do është që të mos më shohë  të vuaj. Sipas tij, as që duhet të kthehem e t'ia shoh sytë një njeriu të tillë, nuk vlen dy grosh. Fatjoni nuk më meriton.
     Ndërkohë që unë me sy të përlotur fus telefonin e tij në çantë, më jep një tjetër këshillë, meqenëse është plotësisht i bindur se të parën nuk do ta zbatoj: T'ia punojë pas shpine, siç është duke ia punuar edhe miku i tij më i mirë, doktori që shtiret sikur është gati të japë jetën për të.
     Ndahem nga im nip me një përqafim të gjatë. Kam nevojë t'i them vetes se në këtë botë ka ende njerëz që më duan vërtet. Mendjen e kam shumë të turbulluar. Për gjithë jetën kam qenë një lodër në duart e meshkujve dhe të fatit.
    Përse vetëm gënjehem, tradhëtohem dhe poshtërohem prej tyre? Mos është faji im që nuk di kurrë të zgjedhë njeriun e duhur? Ç'dreqin kam që nuk shkon? Përse vallë pas kaq shumë vitesh nuk di ende të sillem me një mashkull?
     Marr një vendim të rrufeshëm. Është komplet jashtë natyrës sime. Unë s’dorëzohem këtë herë. Fatjoni do ma paguajë shtrenjtë. Ai do paguajë edhe për meshkujt e tjerë që kanë hyrë në jetën time dhe më kanë bërë të vuaj pambarimisht.
     Në hyrje të derës së Fatjonit shoh babain e tij. Ai sërish më kujton tim atë. Kush e di se ç'pamje të tmerrshme duhet të kem marrë! I dhimbsem.  Më përqafon dhe më thotë  se i vjen keq që shkoi kështu. Nuk di ç'ti them. Nuk e di nëse është më mirë, apo më keq që ndodhi kështu. Por, edhe mua më vjen keq. Më vjen keq që Fationi më ka tradhëtuar dhe poshtëruar pikërisht në atë moment të jetës, në të cilin nisa të shpresoja. Pikërisht atëherë, kur zemra ime e akullt dhe e zbrazët po niste të mbushej.
    Në përqafimin e Ilirit, mora një dozë dashurie atërore. Qysh prej vdekjes së babait më mungonte dhe s'e kisha gjetur askund. Sa e zbrazët ka qenë jeta ime! 
    Gjithë gabimet që  kam bërë duhet të më shërbejnë për të zënë mend. Më duhet patjetër të mbroj atë që më përket.