Monday, February 12, 2018
KACAVIRREM Kapitulli VIII
Rikthehem në spital pas dy orësh. Mendoja se kisha nevojë të rrija vetëm, por gaboja. Xhimi jo vetëm më do shumë, por dhe më njeh mirë. Silvi erdhi në apartamentin tim në të njëjtën kohë me ne. E kuptova kush e njoftoi, por nuk bëra asnjë vërejtje. E përqafova dhe u ngashëreva në krahët e saj. Përse jeta është gjithmonë e padrejtë dhe mizore me mua?!
Ulemi për disa minuta në dhomën e ndenjjes. Bisedojmë mbi gjithë sa ka ndodhur. Xhimi, i ulur pak më tej na ndjek në heshtje. Silvi del për t’më përgatitur vaskën, atëherë im nip ulet në vendin e saj. Më pyet se ç’kam ndër mend të bëj. Nuk i përgjigjem. S’kam vendosur ende.
Por, pyetja e Xhimit nuk lidhet me dilemat e mia: Të zbulojë nëse Fatjonin e kanë droguar, nëse po kush? Cilët janë duke e mashtruar dhe përse? Ç’duhet të bëj për ta ndihmuar? Si do t’ua çjerr maskën gjithë shumëfytyrshave që sillen rreth tij si korba?
Xhimi ma ka thënë tashmë mendimin e vet, bazuar në çfarë pa në vilë ditën e ceremonisë. Fatjoni nuķ ia vlen. Ose duhet të ndahem përfundimisht prej tij, ose të hakmerrem për atë që më bëri.
Ç’duhet t’i them Xhimit që të më kuptojë? Edhe sikur të hap zemrën me të, e kotë. Ai është i ri, plot jetë, plot ëndrra dhe shpresa për të ardhmen e lumtur.
Ndërsa unë jam e zbrazët, e privuar nga gjithçka. Dhe kjo prej shumë kohësh. Xhimi nuk do më kuptonte kurrë. Zbrazëtia ime është më e madhe se ai. Im nip është vetëm njëzetë e një vjeç, ndërsa unë i jam dorëzuar fatit tim të pafat prej çerekshekulli.
Fatjoni erdhi në jetën time si një rreze shprese, si drita në fund të tynelit. Kurrsesi nuk do ta lë të më shkasë prej duarsh. E kam kuptuar tashmë se ai është shansi i fundit që më ofron jeta. Dhe unë dua të jetoj, jam lodhur duke bërë gjasme. Jam gati të sulmoj për ta mbrojtur, të luftoj për ta marrë, të sakrifikoj për ta patur. Tashmë e konsideroj timin.
Xhimi pret përgjigjen time. Ndërsa unë pres përgjigjen e analizës. Për të tjerat do vendos më vonë. Ai dorëzohet më në fund. Del duke më thënë se do marr përgjigjen e analizës sapo të dalë dhe do të ma sjellë. E përqafoj dhe ndihem çuditshëm. Kurrë s’e kisha menduar se im nip do bëhej pjesë e problemeve dhe sekreteve të mia. Për më tepër, falas.
Në vaskë kaloj më pak kohë se zakonisht, megjithëse ia kam nevojën. S’dua ta lë Silvin të pres gjatë. Ka lën impenjimet e saj për mua.
Ndërkohë, ajo ka shtruar tryezën. Më sugjeron të ham përpara se t’më krehë flokët. S’kam aspak oreks. Por, nëse e mendoj, qysh nga mëngjesi i djeshëm kam pirë vetëm kafe.
Ham në heshtje. Megjithëse mundohem të mos i jap rëndësi, keqardhja në sytë e motrës sime të vogël më copëton shpirtin. Unë jam e madhja, duhet të vijoj të kujdesem për të gjitha motrat. E kam bërë këtë pa ndërprerje, qysh në moshën dymbëdhjetëvjeçare. S’mund të heq dorë edhe sikur të dua.
Ndërsa me Silvin është ndryshe. Nuk është vetëm motra vogëlushe, por edhe shpirtushja që më lindi dhe kultivoi instiktin amësor. Ajo mbush zbrazëtinë e shpirtit tim për vajzën që nuk e pata kurrë. E dua pafund motrën time vogëlushe.
Nuk kam pikën e dëshirës për t’u kujdesur për pamjen e jashtme, por Silvi si gjithmonë ka të drejtë. Tani jam dyfish personazh publik.
Ajo meret me gjithçka, edhe me përzgjedhjen e veshjes. Kostumi blu me pantallona, këmisha e mëndafshit e bardhë, këpucët e lëkurës ngjyrë uthulle, kompleti i mrekullueshëm i perlave dhe çanta e madhe ngjyrë uthulle, e përshtatshme për të mbajtur gjithçka që më duhet.
Kur i kërkoj të mos m’i bëj flokët me onde, sepse do dukem si spitullaqe, ma pret shkurt. Nuk duhet të ndërhyj në punën e saj. Dhe fjala onde nuk përdoret më, është demode.
Mendoj në heshtje, që kjo fjalë qenka si unë. Prandaj më pëlqen. Silvi më sheh me qortim. Jam duke qeshur me vete. Për të mos bërë figurën e së marrës ia tregoj. Ajo qesh hidhur. Sipas saj nuk ia di aspak vlerat vetes.
Këtu nis një predikim i gjatë, të cilin e dëgjoj për kush e di të satën herë. Duhet të kujdesem më shumë për veten, duhet të pushoj, të flë dhe të ha më tepër. Por mbi të gjitha, duhet të dal më shpesh para pasqyrës.
Më vjen keq ta pranoj, por Silvi ka të drejtë për këtë të fundit. Pamja ime është mahnitëse. Ngjaj më bukur se dje me fustanin e bardhë. Modeli i flokëve dallgë-dallgë më bën të dukem më e re.
Pavarësisht asaj që ka më ka ndodhur me shpirtin, pamja ime duket sikur është ruajtur në ngrirje. Asnjë thinjë, asnjë rrudhë, as rrathë poshtë syve, asnjë gram të tepërt në peshë.
Sërish qesh me vete dhe sërish detyrohem t’ia them arsyen sime motre, vetëm e vetëm që mos të më konsiderojë të marrë. Sapo të më shohë Fatjoni, do njoftojë kryebashkiakun për ceremoninë e martesës civile. S’jam dukur kurrë kaq bukur. Jam e parezistueshme.
Por, Silvi nuk pranon falënderime. Sipas saj s’ka asnjë meritë. Unë rrëzëllej, sepse jam e lumtur. S’ka si të ndodhë ndryshe. Sipas saj e kam ngaqë kam rënë në dashuri.
Sapo dëgjoj këto fjalë dridhem e tëra. Unë jam divorcuar një herë e përgjithmonë nga lumturia. Sa për të qenit e dashuruar, nuk kam forcë të kujtoj ç’kam pësuar prej saj. Jam kthyer në hije të vetvetes.
Dal para pasqyrës dhe shoh shëmbëllimin tim drejt e në sy. Silvi ka të drejtë. Sytë e mi kanë një shkëlqim vezullues. Kujtoja se ishte zhdukur një herë e përgjithmonë. Sa çudi!
Silvi ka sërish të drejtë. Këtë herë pjesërisht. Drita në sytë e mi s’ka aspak lidhje me dashurinë. Ama ka lidhje me të rënën. Unë kam rënë prej kohësh në një gropë të thellë me baltë thithëse. Fatjoni është dega drejt së cilës zgjat duar për t’u kacavjerë.
S’ka as dashuri, as lumturi. Ka vetëm shpresë. Shpresë për të jetuar. Unë dua të jetoj, jo thjesht të bëj gjasme.
Hap krahët, duke i ngritur lart. Jam në imagjinatën time. Dua të kacavirrem. Fatjoni është shpresa ime e vetme.
Elda Gjini
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

No comments:
Post a Comment