Saturday, February 10, 2018

         LABORATORI     Kapitulli VII


    Nuk është nata e parë në jetën time që s’vë gjumë në sy. Por, është nata e parë që e bëj këtë për një mashkull. Dhe nuk mërzitem aspak, madje as lodhje nuk ndjej.
     Kam çerekshekulli pa thurur ëndrra për të ardhmen. Pa u emocionuar se ç’do sjellë e nësërmja, pa pyetur veten nëse do të jetë më e bukur se e sotmja.
    Fatjoni solli ndryshimin e madh dhe të papritur në  jetën time. Ligjërisht do jem e martuar me të. Publikisht do shfaqem përkrah tij në eventet më të rëndësishme. Pjesë e marrëveshjes sonë.
    Por,  Fatjoni për mua nuk është thjesht  nënshkrimi në dokumentin martesor, as një dukje eventeve, madje as vetëm një marrëveshje e lidhur me mirëkuptim dhe përfitim të ndërsjelltë.
    Fatjoni është njeriu që më bën të ëndërroj, megjithëse isha e bindur se në qenien time s’kishte më vend romantizmi. Ai më bën të ndihem e gjallë, paçka se  kujtoja se zemra ime ishte ngrirë një herë e përgjithmonë. Është njeriu që më jep shpresë, se jetën nuk do ta mbyll e vetme si një qen i braktisur.
    Jam e gatshme të bëj gjithçka për Fatjonin. Të qëndroj ulur dhe pa vënë  gjumë në sy pranë shtratit të tij gjithë netët që do të jetë e nevojshme, sepse ditën këtë vend më duhet ta ndaj edhe me të tjerët, sidomos me nënën e tij.  Të flas me të, duke e ndihmuar të mos fokusohet vetëm në gjendjen shëndetësore. Ta mbështes mbi supin tim, vetëm e vetëm që të mos torturohet mbi paterica. S’mund të duroj duke e parë të vuaj.
    E di që do jetë e vështirë për të, madje shumë. Ky spital është ideuar dhe ndërtuar prej tij. Mirëfunksionon vetëm falë tij. Po tani? Fatjoni ka fraktura në të dyja këmbët. Si do ta kalojë këtë situatë të vështirë nga ana shëndetësore? Por, mbi të gjitha, si do ta përjetoj nga ana emocionale? Ai s’mund të duroj qëndrimin në shtrat. S’e përballon dot qëndrimin larg spitalit. Ky spital është jeta e tij.
    Unë do jem gjithmonë përkrah tij. Për ta ndihmuar, për ta përkrahur dhe për ta mbrojtur. Po po, për ta mbrojtur. Ish bashkëshortja, Ema dhe Besniku, mjeku që po e kuron, miku i tij më i mirë përbëjnë një rrezik serioz për të. Jam më se e sigurt se ata e kanë një plan kundër tij. Nuk lidhet vetëm me atë që pashë dhe dëgjova në sajë të Xhimit. Intuita më thotë që janë njerëz të ligj dhe përfitues. Vetëm se më duhen prova. Derisa t’i sigurojë ato, nuk duhet të flas me askënd për dyshimet e mia.
     Mëngjesi vjen papritur. Gjithë natën e kalova në kolltukun pranë shtratit të Fatjonit. Pas mesnate lexova nga celulari gjithë shkrimet që ishin bërë për incidentin që ndodhi, për moskryerjen e ceremonisë martesore, madje edhe anullimin e udhëtimit të muajit të mjaltit. Në disa gazeta komentohej gjatë puna ime si stiliste. Fustani i nusërisë kishte marrë, jo vetëm vëmendje maksimale, por edhe vlerësim të tillë.
     Për të mos folur për hiret e mia si nuse dhe rininë e përjetshme. Këta paragrafë duhej t’i prisja nga gazetat dhe t’ia çoja Silvit. Ajo do krenohej pafund me to. Por, më tepër se kremari jam e sigurt që do ndjente lumturi. Ia kishte dalë t’më stilonte për ditën që nuk shpresonte më se do të vinte. Madje, jam e sigurt që kishte nisur të mendonte për ditën që kjo ceremoni do kryhej. Duke e njohur mirë, po priste me padurim që të bija sërish në duart e saj.
     Si gjetje e veçantë dhe origjinale ishte komentuar  stilimi dhe realizimi prej meje i veshjeve për të gjithë të ftuarit. Nuk mungonin as komentet për delen e zezë, Emën. Nga njëra ana prania e saj e pavend dhe nga ana tjetër fakti që nuk mbante veshje të realizuar prej meje.
    Ajo që më bëri më tepër përshtypje në foto, ishte vendndodhja e Emës. Gjendej përkrah mamasë së Fatjonit.  U mundova të mos i jepja shumë rëndësi këtij fakti. Ndoshta ishte thjesht një rastësi.
     Fatjoni ishte nën efektin e qetësueve. Flinte thellë. Nuk pretendoj të kem shumë njohuri në fushën e mjeksisë, por kjo nuk më pëlqen. Mos ndoshta Besniku nuk po e kuron në mënyrën më të mirë? Më duhet e vërteta. Jo hamendësime pafund. Po si të shkoj drejt saj?
    Nuk e mendova dy herë. U nisa drejt e në laborator. I kërkova laborantes t’i bënte një analizë gjaku Fatjonit. Doja të verifikoja nëse ajo që më kishte thënë Xhimi ishte e vërtetë. Mos ndoshta dikush e kishte droguar pa dijeninë e tij? Dyshoja tek Ema. Një njeri si Fatjoni, i cili nuk pinte as cigare, as alkool, që kujdesej maksimalisht për shëndetin,  s’mund të drogohej.
    Laborantja më pyeti ku ishte fleta që  rekomandonte analizën dhe cili mjek e kishte dhënë. I thash se e kishte para syve. Unë isha bashkëshortja e Shefit.  Rrjedhimisht isha edhe fleta edhe rekomandimi, madje edhe rekomanduesja. Ajo ishte thjesht dhe vetëm një zbatuese.
    Më pa ngultas, shtangu nga habia dhe iu përskuqën faqet nga inati për atë që i dëgjoi, por nuk guxoi të kundërshtonte. Madje, as nuk thirri ndonjë infermjere për të marrë kampionin e gjakut. Rrugës për në dhomë i thashë se për kryerjen e asaj analize nuk duhej ta dinte askush veç nesh. Edhe përgjigjen do t’ma dorëzonte mua, pa e shënuar në ndonjë regjistër. Ajo pohoi në heshtje. Ishte e natyrshme. As që prisja ndonjë kundërshtim, apo rebelim.
    Fatjoni nuk reagoi aspak gjatë shpimit me age. Kjo vijonte t’më shqetësonte. Sidoqoftë, nuk e dhash veten në sy të laborantes.  Prita që ajo të dilte dhe shpërtheva në lotë.
    U lehtësova disi. Më ndodhte gjithmonë kur qaja. Madje, më shërbente edhe për të kthjelluar mendimet.  Solla ndërmend sjelljen time me laboranten. Më erdhi turp nga vetja. As në atelienë time nuk kisha treguar ndonjëherë arrogancë të tillë. Ç’po ndodhte me mua?
    Nëse do ta kisha menduar dy herë, me siguri do kisha hequr dorë. Ndaj u nisa drejt e në laborator. Duhej të kërkoja falje. Kjo s’do cënonte figurën time, përkundrazi.
    Dera e laboratorit ishte gjysmë e hapur. Laborantja po fliste në celular. Nuk doja ta shqetësoja. Qëndrova në derë, duke pritur të përfundonte telefonatën.
    Por, ajo që dëgjova më la pa fjalë, madje pa frymë. Laborantja po fliste me doktor Besnikun. Për të ai ishte thjesht Beso. Unë isha ajo e reja e shefit. Ndërsa analiza që kisha kërkuar ishte një absurditet.
    Kampioni i gjakut të Fationit përfundoi në lavaman, para syve të mi. Ndërsa unë qëndrova aty, në derë, pa bërë asgjë për ta ndalur këtë veprim, jo vetëm të gabuar, por të paprecedent. Tërbimi më kërceu në damarë, por e përmbajta veten. Nuk e zura laboranten për flokësh, nuk e shava dhe as e ofendova për të nxjerrë dufin tim.
   Tërhiqem pa zhurmë e bujë. I jap kohë vetes për të qartësuar mendimet dhe për të marrë komandën e plotë mbi qenien time. Nuk mund të toleroj gabime të bëra nga gjaknxehtësia, apo sedra e vrarë. Është koha të veproj si një grua e pjekur, e fortë, e zgjuar e gjakftohtë.  Në mënyrë të pavetëdijshme shtërngoj të dyja duart grusht, derisa ndiej dhimbje. Thonjtë më janë ngulur në mish.
     Duhet të tregohem e zgjuar. Nuk fitoj gjë nëse grindem, as po të ndërhyj te Fatjoni për ta pushuar nga puna.
    Duhet të jem e kënaqur me veten që nisa mbledhjen e provave kundër pabesisë së doktor Besnikut. Nuk do lejoj askënd ta mashtrojë, apo t’i bëj keq Fatjonit.
    Sapo qetësohem thërras infermieren. Është një vajzë shumë e re. I kërkoj t’i marrë gjak Fatjonit për një analizë. Ashpërsoj zërin, por nuk e kaloj masën me fjalët që them.  Jam e sigurt që nuk do t’i tregoj askujt. Sigurinë ma jep vetëm intuita.
    Me kampionin e gjakut në dorë zhytem në mendime të thella. Duhet ta çoj për ta analizuar në një klinikë tjetër. Nuk do të më duhet shumë kohë ta dorëzoj dhe të kthehem.
    Por, unë s’mund të shkoj në një klinikë mjeksore tjetër pa tërhequr vëmendjen e njerëzve të thjeshtë, apo mediave. Mund të pushtoj sërish editorialët e gazetave. Ky do ishte veprimi më i pamatur që kam bërë ndonjëherë. Aq më tepër që po shkoja me flakonin me gjak me vete.
    Kam nevojë për ndihmë. Ndër mend më vjen vetëm Xhimi. S’mund të më thotë jo. Aq më tepër pas ditës të djeshme.
    I telefonoj menjëherë. Ai përgjigjet përgjumësh. Sa të bëhet gati dhe do niset. Edhe unë duhet të shkoj në shtëpi. Kam nevojë urgjente për një dush. Flokët i kam të ngrirë nga një ditë më parë. S’guxoj të dal para pasqyrës. Duhet të kem marrë një pamje të tmerrshme. Edhe veshja. Vërtet rrobat e Silvit janë masa ime, por nuk janë të miat.
    Ndërkohë, nisem për në laborator. Pseudo përgjigja e analizave është gati. Kërkoj të bëj pagesën, por në këmbim marr një buzëqeshje të lodhur nga laborantja. Ajo analizë nuk është regjistruar askund, siç e kisha kërkuar. E falënderoj, duke i thënë se unë nuk harroj. Një ditë do ia shpërblej. Dhe me zor do pres derisa të vijë ajo ditë.
    Përgjigjia e pseudo analizës negative. S'kishte si të ndodhte ndryshe. Këshilla e Besos.
    Në dhomë hyjnë prindërit e Fatjonit dhe doktor Besniku. Përgjatë gjithë natës kishte ardhur çdo dy orë për ta vizituar. A ishte miku i tij më i mirë, apo armikun më i madh?!
    Asgjë e re. Po ato fjalë që kisha dëgjuar çdo dy orë. Përshëndetem me prindërit e Fatjonit dhe shpejtoj për të mos e lënë Xhimin të pres. Do t’më shoqërojë në shtëpi sapo të dorëzojë mostrën e gjakut në një laborator. Më duhet të marr edhe makinën time.
    Do qëndroj gjithë kohën e nevojshme pranë Fatjonit, por duhet të kem një pamje të rregullt. Ndaj do të më duhet të shkoj herë pas here në shtëpi.
    Gjithë vëmendja më rri te laboratori. Për sa kohë do dalë përgjigjjia?

Elda Gjini

No comments:

Post a Comment