Grafia tregon se bëhet fjalë për thyerje në të dyja këmbët. Për fat të mirë, në shtyllën kurrizore ka vetëm shembje dhe asnjë dëmtim
serioz. Të gjitha këto së bashku duhet t’i shkaktojnë dhimbje të tmerrshme. Dhe unë nuk mund të bëjë absolutisht asgjë për ta ndihmuar.
Pasi u sigurova që gjendja e Fatjonit u stabilizua, vendosa të informoja edhe motrat e mia, që të qetësoheshin. Por, ato erdhën të katërta në klinikë, së bashku me bashkëshortët dhe fëmijët. Klinika
dukej e pushtuar prej tyre.
Pavarësisht kaosit që u krijua në korridor, u ndjeva mirë që familja ime e madhe më mbështeste gjithmonë dhe këtë e bënin me shumë dashuri. Sikur të mundja të krijoja një familje të vogël timen,
sipas modelit të familjes së madhe! Sa keq që kjo s’do ndodhte kurrë!
U larguan vetëm pas lutjeve, madje pas përgjërimeve të mia. Menjëherë pas ikjes së tyre, Katerina, mamaja e Fatjonit ishte e gatshme të më falënderonte. Në korridor s’kishte vend ku të qëndroje
më këmbë. Duhej frymarrje e thellë për të mbushur mushkëritë me oksigjen. Por, nuk besoj që kjo e justifikon vështrimin e saj armiqësor. Katerina sillet sikur unë i kam rrëmbyer diçka që i përket. Për fatin tim të mirë, apo të keq, unë s’i kam rrëmbyer askujt
gjësend.
U premtova motrave të mia se do t’i mbaja të informuara për shëndetin e Fatjonit . Këtë do ta bëja përmes grupit tonë në WhatsApp. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të komunikuar të pesta. Na kursen kohë dhe ajo që është më e rëndësishme, na mban edhe më të bashkuara.
Gjithçka e ndajmë bashkë.
E falënderova gjithashtu Silvin për rrobat që më solli në spital. Një palë pantallona xhins, një bluzë të pambuktë me mëngë të gjata, atlete. Ne kemi të njëjtën masë si për veshje, si për këpucë.
S’kishte harruar t’më sillte edhe një triko të trashë. Kur kaloj periudha të vështira në jetën time unë kam ftohtë, shumë ftohtë.
Përpiqem të kujtojë ndonjë periudhë
kur s’kam patur ftohtë, por nuk ia dal. Sidoqoftë, kjo nuk është aspak e rëndësishme tani.
Më duhet të takojë Xhimin, për të mësuar deri në detaje gjithë sa ai ka parë si të dyshimtë në vilë. Por, për ta takuar duhet të pres. Ai nuk ndodhet në Tiranë.
Jam penduar që nuk e dëgjova me vëmendje kur më pëshpëriti në vesh. Ai diçka di. Jam e sigurt se do të më hyjnë në punë fjalët e tij.
Po i bije celularit të Xhimit. Kam shumë nevojë për të folur sa më parë me të. Nuk mund të pres deri nesër. Ai është i vetmi që nuk erdhi me të tjerët në klinikë. Nuk i përgjigjet telefonatës.
I telefonoj sërish, por celulari i tij del i zënë. Menjëherë më pas më merr ai.
Kur i kërkojë të vijë në klinikë, sepse kam nevojë për ndihmën e tij, ai nguron pak para se të më thotë se do niset menjëherë. Ndiej të më shpeshtohen
të rrahurat e zemrës. Si është e mundur që Xhimi të lërë përgjysmë angazhimet e tij të preferuara jashtë Tiranës dhe të rendë për të më takuar? Ose e bën për hir të dashurisë së shtuar së fundmi kundrejt meje, ose ngaqë ajo që ka për të më thënë është
vërtet serioze. Gjithë ky seriozitet po më tremb.
Hyj te Fatjoni. Ndoshta nuk më dëgjon për shkak të qetësuesve, por unë e provoj. E thërras disa herë në emër para se ai të më përgjigjet rëndë-rëndë. I kërkoj të më tregojë sa vetë e dinë të vërtetën
për marrëveshjen tonë. Fatjoni më thotë se nuk është koha për këtë. Ngulmoj, duke i thënë se e kam një arsye të fortë, ndaj po këmbëngul.
Dikush kishte folur. Secili prej nesh po dilte i humbur. I kërkoj të përpiqet të kujtojë diçka, por ai është tepër i lodhur. E pyes se ç'e bëri të rrëshkiste ashtu. Si përgjigje marr një gërrhimë
të gjatë e të thellë.
Nuk di nëse e ka nga qetësuesit, apo në natyrën e vet. Gërhima është diҫka që e urrej.
Edhe sikur të qe kjo e fundit, s’do kisha rast të bezdisesha prej saj. Ne nuk do flem kurrë bashkë. Kjo është e sigurt.
U qetësova plotësisht për gjendjen shëndetësore të Fatjonit. Ai ka në dispozicion mjekët më të mirë ortoped, të cilët i kanë vendosur allçi gjithandej, saqë duket si
statujë. Jam e sigurt se do arrijë të ecë si më parë. Vetëm se deri atëherë i duhet të durojë kush e di sa dhimbje.
Tani misioni im është një tjetër. Të studiojë gjithë njerëzit që i vijnë për vizitë. Me statusin e pothuajse bashkëshortes, mund të qëndrojë pranë tij pa më qortuar kush. Vetëm nëse ma kërkon
Fatjoni do largohem prej këtej pa ia bërë fjalën dy.
Por, nëse kjo ndodh, a do të jem sërish e gatshme për t'i shkuar deri në fund marrëveshjes sonë? Nëse ai kërkon të më largojë, a do gjejë guximin për të qëndruar pranë tij?
E njoh mirë Fatjonin në anën profesionale. Ai është mjek pediatër i shkëlqyer. Gjithë familja jonë kurohet në klinikën e tij. Sa e sa herë e kam takuar gjatë vizitave të nipërve dhe mbesave të
mia. Gjithmonë është përballur me familjen tonë të madhe, të cilën me shaka ai e quan ekip. Kur është fjala për shëndetin, të gjithë jemi të një mendjeje, se duhet ta merrnim seriozisht.
Edhe si bisnesmen,- duke qenë se nuk është vetëm mjek, por edhe pronari i spitalit, - ai është mjaft i suksesshëm. Një njeri i pashëm, hijerëndë, autoritar, gjë që nuk e pengon aspak të jetë i
vlerësuar dhe i respektuar nga të gjithë. Një menaxher i shkëlqyer, kjo mund të vihet re nga kushdo që vjen në spital. Sipas gjithë pjesëtarëve të ekipit tim, kam goditur në shenjë. Kjo më bën ta marr edhe më seriozisht marrëveshjen. S’mund të ndodhë ndryshe
pas bekimit prej gjithë anëtarëve të ekipit.
Në një dhomë mjaft komode të spitalit qëndroj së bashku me prindërit e Fatjonit. Përgjithësisht mbizotëron heshtja, të cilën herë pas here e thyen Iliri, babai i Fatjonit. Katerina vazhdon të më
vështrojë me armiqësi. Mundohem të mos i jap rëndësi këtij fakti. Në të njëjtën kohë përpiqem të mos i jap asnjë shkak për të vepruar kështu. Nëse ajo ka problem me veten, ose me botën, kjo është çështje personale e saj.
E di se është e vështirë ta bëjë tim nip të flasë. Por, fundja në botë asgjë s'është e pamundur. I lë takim në një pastiçeri aty pranë. Të dy kemi një pikë të dobët të përbashkët. Akulloret. Me
një akullore përpara edhe biseda mund të jetë më e ëmbël. Në mos e ëmbël, nisur nga situata, le të themi se janë mundësitë të jetë më pak e hidhur. Mund t'i vendos
ҫfardolloj etiketimi, mjaft që Xhimi të flasë.
Nuk jam në formën time më të mirë për ta bërë siҫ duhet pjesën time. Ndihem e dërrmuar.
Xhimi është i zgjuar, shumë i zgjuar. Duhet dhelpëri e madhe për ta bërë të thotë
gjithë sa di, pa i zbuluar në këmbim sekretin tim. Nëse i preken sadopak interesat, apo nuk nxjerr përfitimet e tij, e qep gojën një herë e mirë. Vërtet më do shumë dhe më ka përcaktuar si tezen e tij të preferuar, por nuk i shkel kurrë interesat e veta
për askënd në botë.
Atëherë kur unë nuk e prisja, e lodhur për vdekje nga bisedat monotone që po bënim, ai më bëri një pyetje të drejtpërdrejtë. Përse doja të martohesha me Fatjonin? Askush nuk ma kishte bërë një
pyetje të tillë dhe as isha përgatitur të kisha një përgjigje gati.
Për të dalë nga
situata i drejtoj edhe unë një pyetje: Si do vepronte po të kishte qenë në vendin tim? Me këtë dua të di deri në
ҫ’pikë është i informuar.
Pres përgjigjen e tij. Dhe nuk nguroj t’i bëj një pyetje të dytë: Si do vepronte po të qe në vendin tim? Më përgjigjet shkurt, se po të qe në vendin tim do ta vriste dhëndërrush Fationin.
Kujtoj se po tallet me mua. Ndoshta do të më bëjë të flas në lidhje me ndjenjat. Ka zgjedhur njeriun dhe vendin më
të papërshtatshëm.
S'më lë kohë për replika. Më pyet përse kam zgjedhur të martohem me një burrë të martuar dhe me fëmijë. Pyetje qesharake. Fatjoni nuk është i martuar, por i divorcuar. Sa për djemtë e tij, janë
të rritur mjaftueshëm për të mos ndërhyrë në jetën e të atit.
Edhe unë kam qenë e martuar dhe kjo s'përbënte asnjë lloj problemi për lidhjen tonë. Mos ndoshta në moshën time duhej të kërkoja një burrë që të ishte ende me etiketë? Xhimi më thotë
se e shkuara ime s’përbën problem, përderisa ishi im nuk më futet në shtrat.
Mbetem e habitur nga kjo që dëgjoj, nuk mund të artikuloj
asnjë pyetjeje tjetër. Nuk besoja se do bëja ndonjëherë biseda të tilla me tim nip. Ai vijon të rrëfejë.
E ka parë Fatjonin ditën e dasmës në momente intime me ish gruan e tij. Madje ishte dru, si një adoleshent. Nuk mund të gabojë në këtë aspekt. Përqendroj gjithë vëmendjen në hetimin e mimikës së
tij. E shoh ngultas në sy. Xhimi s'më ka gënjyer kurrë, nuk do ta bëjë tani. Jo për një çështje kaq të rëndësishme.
Duket e vështirë për ta besuar. Është kaq absurde!
Xhimi ka filmuar gjithçka me celular. E pyes nëse e ka shpërndarë videon, e ka postuar, apo kopjuar gjëkundi. Më thotë
se nuk ka folur me askënd për këtë. Nuk do guxonte të ndërmerrte asnjë nismë pa u konsultuar më parë me mua. Kurrësesi nuk do më bënte të vuaja, apo të dëmtonte imazhin tim.
E pyes sa para do për telefonin e tij IPHONE X.
T'i heqë numrin e vet dhe të ma japë. Ai ia heq kartën në
ҫast dhe më jep
telefonin. Më thotë se gjithë sa do është që të mos më shohë
të vuaj. Sipas tij, as që duhet të kthehem e t'ia shoh sytë një njeriu të tillë, nuk vlen dy grosh. Fatjoni nuk më meriton.
Ndërkohë që unë me sy të përlotur fus telefonin e tij në çantë, më jep një tjetër këshillë, meqenëse është plotësisht i bindur se të parën nuk do ta zbatoj: T'ia punojë pas shpine, siç është duke
ia punuar edhe miku i tij më i mirë, doktori që shtiret sikur është gati të japë jetën për të.
Ndahem nga im nip me një përqafim të gjatë. Kam nevojë t'i them vetes se në këtë botë ka ende njerëz që më duan vërtet. Mendjen e kam shumë të turbulluar. Për gjithë jetën kam qenë
një lodër në duart e meshkujve dhe të fatit.
Përse vetëm gënjehem, tradhëtohem dhe poshtërohem prej tyre? Mos është faji im që nuk di kurrë të zgjedhë njeriun e duhur? Ç'dreqin kam që nuk shkon? Përse vallë pas kaq shumë vitesh nuk di ende
të sillem me një mashkull?
Marr një vendim të rrufeshëm. Është komplet jashtë natyrës sime. Unë s’dorëzohem këtë herë. Fatjoni do ma paguajë shtrenjtë. Ai do paguajë edhe për meshkujt e tjerë që kanë hyrë në jetën time
dhe më kanë bërë të vuaj pambarimisht.
Në hyrje të derës së Fatjonit shoh babain e tij. Ai sërish më kujton tim atë. Kush e di se ç'pamje të tmerrshme duhet të kem marrë! I dhimbsem.
Më përqafon dhe më thotë se i vjen keq që shkoi kështu. Nuk di ç'ti them. Nuk e di nëse është më mirë, apo më keq që ndodhi kështu. Por, edhe mua më vjen keq. Më vjen keq që Fationi më ka tradhëtuar dhe poshtëruar pikërisht në atë moment
të jetës, në të cilin nisa të shpresoja. Pikërisht atëherë, kur zemra ime e akullt dhe e zbrazët po niste të mbushej.
Në përqafimin e Ilirit, mora një dozë dashurie atërore. Qysh prej vdekjes së babait më mungonte dhe s'e kisha gjetur askund. Sa e zbrazët ka qenë jeta ime!
Gjithë gabimet që kam bërë duhet të më shërbejnë për të zënë mend. Më duhet patjetër të mbroj atë që më përket.
Gjithë gabimet që kam bërë duhet të më shërbejnë për të zënë mend. Më duhet patjetër të mbroj atë që më përket.

No comments:
Post a Comment