Wednesday, February 14, 2018

 ALEATI   Kapitulli IX
    Dy orët që i kalova jashtë spitalit më shërbyen për t’u shlodhur, por më bën edhe nervoze. Si mund të mendoj për veten, kur Fatjoni  vijon të jetë i pavetëdijshëm? Kam një parandjenjë të çuditshme. Mos i ka ndodhur diçka e keqe?
     Pasi mora përgjigjen pozitive të  testit për praninë e subsancave narkotike në gjak s’di më ç’të mendoj. Nuk besoj absolutisht që Fatjoni të jetë përdorues i ndonjë substance narkotike. Me siguri dikush e ka droguar ditën e ceremonisë. Si pasojë, jo vetëm ceremonia nuk u krye, por ai pësoi fraktura në të dyja këmbët. Mos është ende në rrezik për jetën?
    Menjëherë qetësoj veten. Katerina s’do ta linte për asnjë sekondë vetëm të birin. Si vjerrë s’ka bërë absolutisht asgjë për të fituar simpatinë time, përkundrazi. Ama për figurën e saj si nënë nuk kam ç’të them.
    Gjendem në korridorin e katit të katërt. Më mbahet fryma. Edhe po t’i kisha ngjitur shkallët më këmbë s’do isha lodhur më tepër.
    Habitem kur shoh Katerinën të ulur në një karrike në fund të korridorit.  Është përqendruar e gjitha mbi celular. Ka marrë pamjen e një adoleshenteje. As që e vë re ardhjen time. Edhe unë s’bëj absolutisht asgjë për t’i tërhequr vëmendjen.  Por, nuk e kuptoj, përse e ka lënë të birin vetëm?
    Nuk jam në pozita t’i kërkoj llogari. Gjithë sa duhet të bëj është të vrapoj për në dhomën e Fatjonit. Ndoshta ka nevojë për mua.
  E hap derën shumë ngadalë dhe përpiqem të bëj hapa sa më të lehtë. Megjithëse ai gjithë kohës fle thellë dhe gërhet me zë të lartë, dua të jem shumë e kujdesshme për të mos i prishur qetësinë.
     Sapo hyj në dhomë, më vret sytë pamja e Emës. Ajo është përkulur e tëra mbi kokën e Fatjonit. I përkëdhel flokët dhe e puth pa u ndalur, ku të mund.
    Kafshoj buzën sa e përgjak, siç bëra në rastin me laboranten, kur thonjtë  mu ngulën në duar, derisa i gjakosa. Përmbaj veten për të mos e bërë pesëqind copa.
    Në vend që të ulëras dhe të ngre gjithë spitalin në këmbë, nxjerr telefonin. Filmoj pamjen pseudo romantike dhe jam gati të regjistroj bisedën që do të zhvillohet mes nesh. Duke përvijuar veprimet e tim nipi, vijoj të mbledh prova qesharake, të cilat as vet s’di përse do të më duhen.
    Nuk është nevoja ta përshëndes. I kërkoj me mirësjellje  të shtirur daljen nga dhoma e Fatjonit.  Ema më vështron e bezdisur. Sytë e saj lëshojnë shkëndija. Më pyet sërish se me ç’të drejtë ia kërkoj këtë.  I lutem sërish, këtë herë me mirësjellje të stërshtirur që të  mos e zgjasë. Koha e saj ka mbaruar.
    Në të njëjtën mënyrë  si edhe një ditë më parë, më pyet se me ç’të drejtë i jap urdhra. Dua të vijoj me mirësjelljen time, por s’mundem. Madje, as me të shtirurën.
    Vendos celularin dhe çantën mbi kolltukun pranë shtratit dhe ia bllokoj të dy krahët me duart që i shtërngoj si darë. Nëse nuk gëzoj ende të drejtën si bashkëshortja e Fatjonit, kam të drejtën si e fejuara e tij. Ndërsa ajo është vetëm një ish. Por, ishi më buzëqesh gjithë ironi e përçmim, pa i dhënë rëndësi faktit që po e shtërngoj dhunshëm.
    Ç’i duket vetja kësaj femre? Le të shkojë ta tregojë veten gjetiu, me mua s’ka për t’i ecur. Jam gati të luftojë me mish e me shpirt për të mbrojtur atë që më përket mua dhe askujt tjetër. Fatjonin.
     Bëj kërcënimin e parë të vërtetë në jetën time. Është e tmerrshme ajo që them. Akoma edhe më e tmerrshme që e kam seriozisht. Nuk më besohet që këto mendime më kërcasin në tru dhe unë s’bëj absolutisht asgjë për t’i shtypur. Përkundrazi, marr guxim si e marrë dhe ligjëroj si e çmendur mu përpara fytyrës së Emës. I kam tejkaluar limitet e mia, kam dal nga vetvetja. Më duket sikur nuk jam unë. Dhe më e keqja është se nuk mund të më ndalë asgjë dhe askush. Nëse do ta kisha parë këtë skenë nga jashtë, do kisha sugjeruar si zgjidhje këmishën e forcës. Jam bërë për t’u lidhur.
    Nëse i afrohet edhe një herë të vetme, do ta bëj të paguajë për gjithë sa i ka punuar pas shpine Fatjonit, së bashku me shumëfytyrshat e tjerë që vijnë vërdallë si korbat. Do ta bëjë të  mallkojë ditë që ka lindur. Dhe ia bëj më se të qartë.
    Kush e di  ç’pamje të frikshme kam marrë? Në sytë e Emës shoh tmerr. Dhe me mendjen time i jap plotësisht të drejtë. Unë e kam seriozisht, nuk jam duke bërë gjasme për ta trembur.
    Më në fund ajo vendos të ikë, ndërsa unë me zor ia lëshoj krahët. Jam ende bishë e tërbuar. Nëse sulmi është e vetmja alternativë për të mbrojtur Fatjonin, nuk do stepem asnjë hap.
    Kur arrin te dera, kthehet me fytyrë nga unë dhe më thotë kërcënueshëm se nuk mbaron me kaq. Ndërsa unë, me sytë që më lëshojnë xixa i drejtohem frikshëm se nuk ka parë ende asgjë.
    Kur ajo mbyll derën lëshohem e tëra mbi kolltuk. As që e vë re se jam ulur mbi çantë dhe mbi telefonin që vijon të regjistrojë. Tani ndoshta jo më, me siguri jo. Kam rënduar me gjithë forcën dhe peshën time. Po as që më intereson se ç’ka ndodhur me të.  Ndiej dridhma në të gjithë trupin. Më duhet patjetër një kafe, por jo në porcionin normal. Një filxhan çaji do t’më bënte punë.
    Dal në korridor dhe çuditërisht nuk shoh as Ilirin, madje as Katerinën. Nëse do ishin aty s’do nguroja t’u kërkoja t’ma sillnin kafen. S’jam aspak mirë.
    Ndihem fajtore që bëra një skenë të tillë para Fatjonit. Ai është nën efektin e qetësuesve dhe fle thellë. Por, sërish më bren ndërgjegja. Sikur ai të dëgjonte gjithçka?
    Me zor arrijë  në ambjentin e barit. Por, marr  një goditje të beftë. Ema është ulur në të njëjtën tryezë me Katerinën. Ndiej se gjithçka po më rrotullohet, derisa pamja zëvendësohet me errësirë.
    Në vend të aromës së kafes ndiej aromën e alkoolit. Hap sytë dhe shoh para meje infermjeren me pamje vogëlusheje. Jam në kolltukun pranë shtratit të Fatjonit. Dhe këtë herë e ulur siç duhet, as mbi telefon e as mbi çantë.  Ç’më ndodhi? Kush më solli këtu?
    S’kam kohë të mendoj. Më duhet të bashkëpunoj për të hequr xhaketën dhe përveshur mëngën e këmishës. Infermjerja do më matë presionin e gjakut.
    Në vend që t’më tregojë rezultatin e matjes, shpejton të bëjë një të dytë. E ndiej krahun të fryrë e të tendosur sikur të mos jetë imi, por nuk ankohem.  Ndërsa në pjesën e pasme të kokës ndjej një dhimbje të tmerrshme, sikur të jem rrëzuar me kokë në dysheme. Ndërkohë më pyet për probleme shëndetësore  personale dhe familjare.
    I tregoj se kam qenë gjithmonë e shëndetshme. I vetmi problem shëndetësor për mua ka qenë gjatë kalimit të menopauzës. Sidoqoftë, ky proces ka përfunduar para një viti e gjysmë dhe nuk kam pasur probleme. Marr rregullisht vitaminat dhe suplementet që më ka këshilluar mjekja gjinekologe dhe asgjë më tepër. Përsa i përket familjes sime, askush s’ka patur  ndonjë sëmundje kronike.
     Infermjerja del me ngut, së bashku me aparatin që e heq shpejt e shpejt nga krahu im, duke më urdhëruar të mos lëviz.
    Ia beh menjëherë dhe më kërkon ta ngre edhe më shumë mëngën e këmishës. Më bën një injeksion. As që e pyes çfarë dhe përse. Intuita më thotë se jam në duar të sigurta.
    Pas disa minutash më bën edhe një matje tjetër të presionit të gjakut. Më ndihmon të vesh xhaketën dhe më këshillon të mos shqetësohem. Tashmë parametrat janë normal. Është emocionale. Duhet vetëm të shlodhem dhe qetësohem. Më sugjeron përsëri t’më shoqërojë në një dhomë dhe të shtrihem, por nuk pranoj. Askund s’kam për t’u ndjerë më mirë se pranë Fatjonit.
    Pas pak ia beh me një filxhan çaji të mbushur me kafe. Buzëqesh sapo e shoh. Kjo vajzë po ma rrëmben  zemrën. Po m’i lexon mendimet. Jo më kot është ajo në shërbim të Fatjonit. Duhet të jetë nga njerëzit e tij më të besuar. Dhe nuk qenka infermiere, por mjeke. E lexoj në bluzën e saj të bardhë. Doktoreshë Edlira.
    E shoh thellë në sy. Ajo rrezaton mirësi dhe çiltërsi. Nuk besoj se është idhtare e doktor Besnikut si laborantia. Për t’u siguruar, e pyes se ç’marrëdhënie ka me Fatjonin.
    Më rrëfen përmbledhtas, se ai është shok fëmijërie me të atin. Para disa vitesh familja e saj ka pësuar një aksident të rëndë automobilistik. Fatjoni ka paguar shpenzimet e kurimit të vëllait të saj në Gjermani, ndërsa prindrit ia ka kuruar në klinikën e vet.
     Edlira s’ka pësuar absolutisht asgjë në atë aksident, mamaja i ka thënë se është lindur me këmishë. Qysh atëherë Fatjoni është idhulli i saj. Zoti u fali jetën për së pari familjarëve të saj, ndërsa Fatjoni për së dyti.
    Megjithëse babai i ka mbetur në karrike me rrota, ajo është e lumtur që e ka. Fatjoni nuk harron që herë pas here ta vizitojë mikun e tij të vjetër.
    Edlira përlotet, por edhe unë s’mbetem pas. Falënderoj Zotin që më solli Fatjonin në rrugëtimin e jetës sime. Jam e gatshme të bëhem e denjë për të.
    Në mendje më shkrepëtin një mendim i beftë. Unë mund të kem besim te doktoreshë Edlira. Ajo nuk mund të jetë kurrësesi idhtare e doktor Besnikut, s’do t’i bënte kurrë keq Fatjonit.
    Nxjerr zarfin nga çanta dhe ia dorëzoj. I shpjegoj përsenë e kryerjes së analizës në një tjetër spital. I rrëfej me hollësi se ç’ka ndodhur në spitalin tonë.
    Sytë e doktoreshë Edlirës egërsohen papritur. E njeh Fatjonin prej një jete të tërë. Ai ka qëndruar gjithmonë larg alkoolit dhe duhanit, ndërsa tani...
    Del menjëherë dhe kthehet pas pak me laboranten e turnit, e cila i merr Fatjonit gjakun për analiza. Do qendrojë me të, duke e monitoruar deri në daljen e rezultatit. Ndërkohë, unë nuk duhet ta lë Fatjonin vetëm. Të mos lejojë t’i afrohet asnjë mjek, apo infermier, kushdo qofshin dhe për asnjë arsye. Pranoj.
    Por, më duhet një aleat. Nuk mundem të bëhem barrikadë për Fatjonin. Nuk më mungon as dëshira dhe as guximi. Më mungon hë për hë autoriteti përpara personelit të spitalit. Nuk jam ende bashkëshortja e tij.
    S’do shumë mend për të kuptuar se aleati më i mirë është Iliri. Çohem menjëherë për t'i kërkuar ndihmë.

No comments:

Post a Comment