Aleanca funksionon më së miri. Iliri nuk e lejon doktor Besnikun as t’i afrohet Fatjonit. Kjo vlen për sa kohë ai është i pavetëdijshëm. Më pas ne do tërhiqemi dhe s’do përpiqemi të influencojmë në vendimet dhe zgjedhjet e tij.
Katerina na kundërshton fuqishëm. Ajo e do dhe e vlerëson doktor Besnikun. Arrin deri aty, saqë e akuzon të shoqin se po bën aleanca absurde me një të panjohur, duke i kthyer shpinën së shoqes. Në sytë e Ilirit shoh hidhërim, madje dhimbje.
Katerina e meriton një përgjigje nga unë. I drejtohem me fjalën zonjë, pasi nuk kam afrimitet për ta thirrur në emër. Mama s’kam për ta quajtur kurrë, edhe sikur të bashkohet qielli me tokën. Nënën time s’mund ta zëvendësojë askush, as formalisht.
Ia përplas në fytyrë të vërtetën. Ajo po bën aleanca të fëlliqura me Emën. E lejoi të përvidhej në shtëpi ish-in e të birit ditën e ceremonisë, duke e mbajtur si një ogiç pranë vetes. I hapi derën për të hyrë në dhomën e të birit në spital, madje edhe e gostiti në bar si një mikeshë të vjetër.
Katerina më sheh me urrejtje. Por mua s’më shigjeton urrejtja e saj. Jam imune ndaj njerëzve të tillë. Dikur më kanë shkatërruar jetën, tani jam ndryshe, e rritur dhe e fortë. S’kam frikë nga askush dhe nga asgjë. Jam e zonja t’i dal për zot vetes dhe familjes sime.
Ajo drejton kërcënueshëm gishtin tregues të dorës së djathtë drejt meje. Por, unë nuk i lë kohë të flas. I këshillojë t’ia nis nga vetja. Andej duhet ta drejtojë gishtin.
Ajo përpiqet sërish të më sfidojë. Këtë herë në mënyrë edhe më të ultë. Nëse së pari më quajti të panjohur, tani më quan askush. Sipas Katerinës, unë jam askushi për të ndërhyrë në vendimet që kanë të bëjnë me jetën e Fatjonit.
Përgjigja që i kthej më habit më tepër mua se ata. Askushi që kanë përballë ua do të birin më shumë se veten. Është gati për ta mbrojtur nga gjithkush dhe gjithçka. Për Fatjonin, po të qe nevoja do sakrifikoja edhe jetën.
Zemra sa nuk më del nga kraharori. Jam e marrë që bëj një deklaratë të tillë, për më tepër këtu, në dhomën e Fatjonit. Po sikur ai të më dëgjojë? Atëherë do më duhet t’i them lamtumirë marrëveshjes sonë dhe shansit të fundit që po më ofron jeta për të patur dikë në krah. I ripërsëris vetes, se nuk dua ta ngrysë jetën time e vetme, si një qen i braktisur.
A mos vallë kam rënë në dashuri? Këtë ma tha edhe Silvi në mëngjes. Por, unë jam vërtet shumë rëndë, përderisa sjell ndër mend një absurditet të tillë.
Sërish ndihem fajtore. Jo për sjelljen ndaj Katerinës, por që këtë bisedë po e bëjmë në dhomën e Fatjonit. Jam duke thënë se jam gati të bëjë gjthçka për të, ndërkohë gjithë sa bëj, madje në mënyrë të përsëritur është t’i prish qetësinë.
Dal për në korridor. Nëse prindërit e Fatjonit do shkëmbejnë fjalë mes tyre, nuk dua të jem e pranishme. I urrej zënkat në familje. Kështu jam rritur dhe edukuar. Në familjen tonë s’kishte kurrë të tilla.
Marr frymë thellë. Kanë kaluar vetëm njëzetë e katër orë nga incidenti i Fatjonit dhe unë ndihem e ngarkuar emocionalisht sikur të ketë kaluar së paku një muaj.
Përpiqem t’i bëjë komandë vetes. Detyra ime është të shkojë në laborator dhe të njihem me përgjigjen e analizave dhe jo të humb mendjen mes resh si një çupëlinë naive që thur ëndrra romantike për të ardhmen. Sa shumë kohë ka kaluar ! Herë – herë nuk arrijë ta besojë që kam qenë unë. Dhe çfarë kam fituar prej tyre? Absolutisht asgjë. Vetëm kam dhënë. Kam dhënë shpirtin tim në këmbim të asgjëje.
Në laborator shkoj në kohën e duhur. E përpiktë si një orë zviceriane. Këtë përcaktim më bënte shpesh ime më.
Edlira më thërret pranë saj e alarmuar. Për fat të keq dyshimet e mia janë të vërteta. Në gjakun e Fatjonit ka prani të lartë të substancave narkotike. Pasojat mund të jenë fatale.
Mbahem mbi tryezë për të mos u plandosur mbi dysheme. Po sikur Fatjoni... S’kam as forcë ta mendoj. Ai është kuptimi i vetëm i jetës sime. Gjithë sa vlerësoja më parë është vetëm një gënjeshtër e madhe dhe e shëmtuar.
Puna, suksesi, paraja, fama. Katër shtyllat mbi të cilat isha vendosu prej vitesh nuk ishin asgjë më tepër se flluska sapuni.
Fatjoni. Fatjoni është tashmë kuptimi i jetës sime. Është vet jeta ime. Nëse atij i ndodh diçka, atëherë jeta ime nuk është më një dhuratë nga Zoti, por një dënim.
Edlira më ndihmon të ulem në karrike dhe më vendos pambuk me alkool nën hundë. Por unë jam duke i bërë komandë vetes sime. Jam e fortë, shumë e fortë. Nëse njeriu që dua ka sadopak nevojë për mua, unë do jem aty.
Edlira më përshkruan përmbledhtas ç’duhet të bëjmë. Pjesa ime është të mos e lë Fatjonin vetëm dhe t’i flasë. Kjo do ta ndihmojë.
Për gjithë të tjerat do mendojë ajo. Fatjoni është në duar të sigurta.
Çohem nga karrikja me vrik dhe e përqafoj fort. Jam e çmendur vërtet. Si mund të përqafoj kështu dikë që sapo e kam njohur?
Edhe kur e mendoj më thellë nuk pendohem. Madje mund t’i puth edhe duart. Tashmë fati im është vetëm në duart e saj dhe të Zotit.
Do të lutem ditë e natë për Fatjonin. Është koha që jeta ime të ndryshojë. S’mund të mbështetem mbi flluska sapuni. Jo më.

No comments:
Post a Comment