Friday, February 9, 2018

     NEN HIJE  kapitulli VI


Stërmundohem të kontrolloj veten për të mos qarë, por s’ia dal. Më është dashur shumë mund për të krijuar imazhin e femrës së fortë.  S’mund ta shemb sa hap e mbyll sytë, s’do ia lejoj vetes.
    Sidoqoftë, arsyetoj dobësinë time. Kushdo që do më shoh me sy të përlotur, do më  justifikojë me shqetësimin për gjendjen shëndetësore të Fatjonit, apo me moskryerjen e ceremonisë martesore.
    Por, unë as që dua t’ia di nëse më justifikojnë.  Askush nuk duhet t’më hetojë dobësitë. Absolutisht askush.
    Ende pa m'u tharë lotët, një grua elegante afrohet pranë derës së dhomës së Fatjonit. E njoh menjëherë. Është Ema, ish bashkëshortja e tij.
    E pash në videon e bërë nga Xhimi. E megjithatë, s’mund të them se e njoha nga veshja. Në video ajo që më tërhoqi vëmendjen nuk ishte veshja, por zhveshja.
   Nuk e kuptoj se ç'po më ndodh. Ndiej se si brenda meje po lind një bishë e egërsuar. Nuk do lejoj më askënd të tallet me mua dhe të më vërë në lojë. Jo më, jo tani, jo në këtë moshë.
   I afrohem me hap të shpejtë. Me një lëvizje të rrufeshme e mbërthej fort nga bërryli i majtë. Të dyja çuditemi njësoj kur dora ime shtërngohet si  darë përreth krahut të saj. E shoh tek i egërsohen sytë. Por sytë e mi ca më keq se të sajët. I ndiej tek më lëshojnë shkëndija. Jam transformuar e gjitha. Por nuk është kjo më e keqja. Më e keqja është se nuk më vjen aspak keq. Përkundrazi.
    I them  të mos  e marrë guximin. Nuk do t'i afrohet as edhe një hap Fatjonit. Ajo më sheh në një mënyrë të çuditshme dhe përçmuese njëkohësisht. Por, aq më bën për përçmimin e saj. Jam gati të bëjë gjithçka për të mos e parë më kurrë.
    Ajo më rrëmbeu edhe grimcat e fundit të shpresës për një familje. Kisha dashur me gjithë shpirt të mos jetoja  vetëm, si një qen. Dhe më në fund ajo që doja më shumë në jetë po realizohej. Si gjithmonë, në jetën time shfaqej diçka, ose dikush dhe unë mbetesha vetëm dhe e pashpresë.
     Duke më parë me shpërfillje,  kërkon se me ç'të drejtë do ta ndaloj. Unë e kam një përgjigje. Por, kjo s’ka lidhje me statusin e bashkëshortes së ardhshme. Unë kam videon e saj me Fatjonin. Nëse  ia jap të shoqit, martesa e tyre merr fund menjëherë. Unë nuk kam si qëllim të shkatërroj familje të tjera, më mjafton të mbroj timen.
    Më pyet sërish me mendjemadhësi dhe vetbesim, si do ia bëj për ta penguar të futet në dhomën e Fatjonit. Mos vallë duke mos ia lëshuar kurrë krahun?!
   Vetpërmbahem. S’dua  ta zbuloj asin tim nën mëngë. Me siguri do  t’më duhet më vonë.
    I them se nuk ka ç'të bëjë më me Fatjonin. Ata e konsumuan takimin e tyre të lamtumirës.
     Kur dëgjoi këto fjalë u përskuq e tëra. Mësova diçka të re, që edhe femrave të tilla u ndodhka. Me siguri nuk ishte nga turpi, dukej që ishte një femër që ishte mësuar t'i ecte gjithmonë e veta. Ishte koha të merrte një mësim të mirë. Isha e sigurt që do ishte interesant.
   Ema u largua, por vështrimi i saj më thoshte se nuk mbaronte me kaq. Me siguri do kisha të bëja sërish me të. As që m'u drodh qerpiku. Kisha duruar mjaft mbi shpinën time, por kishin kaluar plot 25 vjet qysh atëherë.
     Sapo iku ajo, m'u afrua babai i Fatjonit. Më pyeti se ç'i kisha thënë që e largova. Sipas tij ajo ishte një grua që bënte të pamundurën që t'i ecte e veta. E kuptova se ai e urrente. E lexova në sytë e tij. Kush e di nëse do të më duhej që më vonë të bëja ndonjë aleancë me të për ta mbajtur Emën përgjithmonë larg tim shoqi.  Kurrë nuk i dihet. Hë për hë duhej të gjeja një rrugëdalje të shpejtë, që të më nxirrte nga gjendja pothuajse e pashpresë në të cilën ndodhesha..
   E kisha të qartë situatën me ish bashkëshorten, ajo i qe afruar për t'i shkatërruar ditën e martesës, apo edhe vetë martesën. Fationi me siguri s’i kishte rezistuar, por nuk ishte asgjë serioze. Një shfryrje hormonesh dhe kaq.
    Apo ndoshta ai vijonte ta donte ende? Ka një bazë logjike, nisur nga fakti që ajo e braktisi për një tjetër, për mikun e tij më të mirë.
    Mos ndoshta ishte një hakmarrje e vogël për ish mikun e tij? Po ia shpërblente me të njëjtën monedhë.
    Diçka tjetër ishte më e madhe se kapaciteti im mendor për ta kuptuar. Përse Xhimi më kishte thënë se miku i tij më i mirë, doktori ishte duke ia punuar pas shpine? Me eksperiencën time jetësore, nuk do habitesha nga asgjë. Fatjoni kishte gjithçka që mund të ëndërrojë, apo lakmojë njeriu në jetë. Nisur nga pamja e tij e jashtme, mund të them me siguri se ngjan më shumë me një yll kinemaje, se me një mjek.
    Xhelozi profesionale, apo diçka më tepër? Pasi u mendova një grimë, në mendje më shkrepëtiu një mendim i çmendur. Po sikur ish gruaja dhe shoku i ngushtë të bashkëpunonin për t'ia punuar pas shpine? Ka patjetër një prapaskenë, të cilin unë as që e kam idenë se ç'mund të jetë, por me siguri e kam  kapacitetin e mjaftueshëm për ta zbuluar.
   Babai i Fationit mund të më ndihmojë. Do bëj një bisedë të gjatë dhe të shtruar me të. Por, duhet të jem shumë e kujdesshme, për të mos lënë shkas të dyshojë se mes meje dhe të birit premtimi i vetëm martesor do jetë zbatimi i marrëveshjes sonë dhe jo lumturi e përjetshme.
   Rastin e sjell vetë Iliri. Më zgjat një gotë kafe dhe ulemi në kolltukun e paradhomës. Pranë shtratit të Fatjonit është mamaja e tij. Nuk qëndrojmë më tepër se një person brenda në dhomë. Ai është duke fjetur nën efektin e qetësuesve. Më pas do jem unë pranë tij. Gjendem në rrethana ideale për të biseduar qetë – qetë.
    Sipas Ilirit duhet të shkoj në shtëpi për t'u çlodhur. Por, unë nuk kam ndër mend të lëviz prej këtu. Nuk do lë ish bashkëshorten e Fatjonit të hyjë aty për asnjë arsye në botë, si dhe do monitoroj hyrjen e mjekut, mikut më të mirë të tim shoqi.
   Ai më pyet për prindërit dhe unë përpiqem të them  sa më pak fjalë për ta. Nuk më pëlqen të flas për ndjenjat e mia, sidomos me të panjohur, me pothuajse të panjohur.
     Të gjitha janë fjalë zemre. Babai im ishte shofer, gjeti vdekjen në një aksident automobilistik, kur unë ende s’i kisha mbushur 12 vjeç dhe mamaja priste motrën e vogël. Ajo nuk pati fatin të njihte babain. Mamaja ime ishte rrobaqepëse. Punoi shumë për të na rritur dhe shkolluar. Po kaq punoi për të skalitur figurën e babait në zemrat tona. Ajo vdiq papritur pesë vjet më parë nga një tumorr në stomak. Tumori ia mori jetën brenda dy-tri javësh. Vdiq me pengun e madh që nuk po më linte me një familje timen. Ajo nuk ishte vetëm mamaja ime, por edhe shoqja ime më e mirë. E ndiej kaq shumë mungesën e saj! Më bën të ndihem e vetmuar, shumë e vetmuar.
   Mora frymë thellë dhe e pashë në sy Ilirin.  Nuk jam mësuar të flas për veten dhe prindrit e mi. Dita ime është e mbushur me punë, shumë punë. Motrat e mia dhe fëmijët e tyre janë të vetmit që ia dalin të më shkëpusin prej saj.
    Ndihem mirë kur punoj. Sa herë realizoj një veshje, ndihem krenare, më duket se shpirti i nënës sime është aty, pranë meje. Gjithë sa kam arritur në jetë është falë saj.
   Ndërkohë që flas, kafja është ftohur. Gota dridhet në duart e mia në po atë mënyrë që dridhet edhe shpirti im. E kam kaq të vështirë të flas për ndjenjat e mia, për humbjen e prindërve, për vetminë time.
    Sa për kafen, s’mbaj mend ndonjë rast në të cilin e kam pirë të ngrohtë. As ndonjë rast që ta kem pirë duke ju dedikuar tërësisht asaj. Ditët e mia janë të mbushura me punë dhe jo me kafe. Por, është hera e parë që gota me kafe më rrëshket nga dora dhe derdhet e gjitha përtokë.
   Shkëmbyem vështrimet. Me siguri që kisha marrë një pamje që i dhimbsesha. Më tha të mos shqetësohesha.
    Pas dy minutash sanitarja  kishte pastruar gjithçka. Nuk e di përse incidentin e shkaktuar pa dashje nuk e përjetova si sabotim të figurës së femrës së fortë. Ndoshta ngaqë përballë kisha Ilirin. Mishërimin ideal i figurës atërore. Fatjoni ishte me fat që e kishte baba.
     Sapo dëgjoj fjalët e zakonshme të mirësjelljes dhe keqardhje për prindrit që kam humbur, nuk mund të mos e shpije bisedën atje ku më interesonte. Miku më i mirë i Fatjonit. Flas hapur. I them se kam arsye të besoj se ai nuk ka qëllimet më të mira kundrejt Fatjonit. Edhe babai i tij ndan të njëjtin mendim me mua. Më tregon se ata kanë qenë shokë në gjimnaz e më pas kanë studiuar të dy për mjeksi.
     Fationi ishte gjithmonë më i miri, ndërsa atij asnjëherë nuk i ka pëlqyer, madje as pranuar. Për mamanë e Fatjonit ai ishte një djalë i edukuar dhe i dashur. Për Ilirin ishte vetëm një njeri që shtirej. Gjithë jeta i kishte kaluar nën hijen e Fatjonit.

Elda Gjini





No comments:

Post a Comment