Jam ulur prej orësh pranë shtratit të Fatjonit. Megjithëse kurimi i tij ndryshoi rrënjësisht, ai ende s’ka reaguar. Është sërish në gjumë të thellë, vetëm s’gërhet më. Nëse gërhima është e bezdisshme, kjo qetësi është e frikshme.
Doktoreshë Edlira më qetëson herë pas here, duke më thënë se parametrat jetësorë janë në rregull.
Iliri më këshillon të dalë për t’u shlodhur. Por, nuk më bën zemra ta lë Fatjonin vetëm. Kam orë të tëra që i rrëfej për jetën time. Nuk kam folur me askënd kështu, qysh prej vdekjes së mamasë.
Unë isha vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe kur u dashurova. Nëse sot gjimnazistët quhen adoleshentë, dikur quheshin fëmijë.
Ai ishte njëzetë e tre vjeç, të paktën kështu më thoshte. S’di si përfundova në krahët e tij. Nga njëra anë dashuria dhe nga ana tjetër naiviteti im. Kjo më sjell ndër mend vargun e biblës: Fali o Zot, se nuk dinë se ç’po bëjnë!
Më vonë e kuptova se ç’bëra. Gabova. Fola me mamanë. E mbaj mend si tani atë skenë. Ajo ishte ulur në karrike, po qepte. Ndërsa unë u ula në dysheme dhe lëshova kokën në prehrin e saj. S’di të them sa zgjati ajo skenë.
Unë ngashërehesha dhe dridhesha e tëra. Prisja nga çasti në çast që mamaja t’më qortonte, t’më bërtiste, t’më qëllonte me shuplakë, t’më shkulte flokët. Por ajo s’bëri absolutisht asnjë nga këto.
I sugjerova t’më jepte dënimin e duhur. Unë e meritoja. Dhe s’do ankohesha që ishte treguar e rreptë me mua. Përkundrazi. Do më bënte të ndihesha mirë. Të merja atë që meritoja.
U soll krejt ndryshe nga ajo që prisja. Më tha që s’ishte askush për të më dhënë dënim. Mos po aludonte se mëkati im ishte aq i madh saqë duhej të merja dënim nga Zoti? S’më vinte çudi. Kishte të drejtë.
Mamaja u çua nga karrikja dhe u ul në dysheme, pranë meje. Më përqafoi fort. I mbaj mend si tani sytë e saj, të zbrazët, të frikshëm. As qante, as dridhej, as më qortonte, madje as më fliste. Sjellja e saj po më trembte. Mos pësoi ndonjë traumë? Ç’duhet të bëja për ta ndihmuar?
Më në fund foli. Unë s’kisha faj. Faji ishte i gjithi i saj. Nuk ishte kujdesur për mua siç i kishte premtuar babait mbi trupin e pajetë pesë vite më parë.
Sytë e saj dukeshin sërish të zbrazët dhe tani e kuptoja përse. Ajo kishte ngrirë në momentin kur u lëshua mbi trupin e pajetë të babait. Tezja u përpoq ta hiqte, duke i thënë se ishte shtatzënë dhe emocionet e mëdha mund ta dëmtonin atë dhe fëmijën. Por, ajo s’denjoi të lëvizte. As tezja dhe askush s’mund ta largonin nga babai.
Më mirë do ndihesha po t’më kishte marrë me shuplaka. S’mund të pranoja që mamaja të fajësonte veten për gabimin tim. Për më tepër brerjen e saj të ndërgjegjes për premtimin e pambajtur s’mund ta pranoja. Nga ajo ditë nuk e pashë të buzëqeshte.
I premtova asaj dhe vetes se nuk do ta përsërisja gabimin, por ishte vonë. Kisha mbetur shtatzënë. Nuk guxoja t’ia thosha mamasë. Ajo sërish do fajësonte veten. Nuk mund ta mbaja këtë peshë mbi ndërgjegjen time.
Për ditë të tëra këtë lajm nuk e ndava me askënd. Më në fund vendosa të flisja me të dashurin tim. Ne duheshim. Po prisnim një fëmijë. Duhej të martoheshim sa më parë. S’kishte aspak rëndësi që të bënim një dasmë të madhe me shumë shpenzime, për mua mjaftonte të vishja fustanin e bardhë të nusërisë dhe të bënim një ceremoni të thjeshtë.
Isha shumë e re për t’u bërë nënë. Por nuk më mungonte instikti mëmësor. Falë motrës sime të vogël, Silvit, instikti im jo vetëm ishte lindur, por edhe kultivuar mirë. Isha e zonja për t’ia dalë mbanë të kujdesesha e vetme për një fëmijë, për fëmijën tim. E ndieja që dija të bëja gjithë sa duhej bërë. E gatshme për të mësuar gjithë sa duhej të mësoja. E zonja për t’i dalë zot shtëpisë dhe familjes sime.
Ne të tre do ishim të lumtur. Shumë të lumtur, së bashku me vajzën tonë. Megjithëse kisha katër motra, nuk dëshiroja të lindja djalë, po vajzë. Ëndërroja t’i krihja flokët, t’i vendosja fjongo, të cilat do ia kombinoja me fustanet e pafund që do stiloja dhe realizoja për të, vetëm për të.
Por, nuk ishte kjo arsyeja e vërtetë. Arsyeja e vërtetë përse doja të kisha një vajzë ishte që të kisha një lidhje të bukur e të fortë me të, si lidhja që kisha me time më. Një ditë mamaja ime do shkonte në qiell, ndërsa unë nuk do mbetesha vetëm. Do mund të bëja për time bijë gjithë sa kishte bërë ime më për mua. Do ndihesha e lumtur dhe krenare.
Vërtet ishim të rinj, por do ia dilnim. Unë mund të blija një makinë qepëse dhe të qepja si mamaja. Isha e zonja. Edhe lekët për makinën i kisha mbledhur duke kursyer nga ato që më jepte ime më që të blija diçka për të ngrënë në shkollë. Na jepte të katërtave njësoj, por unë haja shumë më pak se ato, ndaj lekët gjithmonë më tepronin. Kisha vite që i fusja monedhat që më tepronin në një kuti metalike të vjetër. Kohë pas kohe i shkëmbeja me karmonedha. Jo vetëm makinën qepëse, por mund të blija edhe fustanin e bardhë të nusërisë. Aso kohe nuk isha në gjendje ta realizoja vet.
Edhe i dashuri im mund të gjente një punë. Ai ishte në kërkim të një pune prej kohësh, të paktën kështu më kishte thënë. Mbushesha me optimizëm. Çdo gjë do shkonte mirë. Vetëm atëherë do t’i thosha mamasë, nuk guxoja më parë. Prej ditësh ajo nuk buzëqeshte. Rrinte e ngrysur dhe kishte sy të përskuqur nga dhimbja. Me Silvin nuk merej fare. Me mua sillej shumë ëmbël dhe më përqafonte kohë pas kohe.
Përqafimet e saj kishin efektin e kundërt. Në vend që të më qetësonin, më bënin të ndihesha e keqe, e padenjë për të qenë vajza e saj. Nëse i tregoja që isha shtatzënë, as që e merja guximin të imagjinoja ç’mund t’i ndodhte.
Isha shumë e tensionuar kur më duhej t’i tregoja të dashurit për shtatëzaninë. Si do ta priste ai? Pas hutimit të parë, a do lumturohej? Pas sa minutash do mblidhte veten t'më puthte dhe t'më propozonte martesë?
Më në fund përpara tij. Ndjeva si u përskuqa e tëra. Isha shumë e emocionuar. Ia thashë ç’kisha për t’i thënë dhe prisja përgjigje. Kisha hartuar me dhjetra, madje me qindra variante përgjigjesh në mendjen time. Cilën prej tyre do përdorte?
Asnjërën. Madje nuk ishte përgjigje po pyetje. Pyetja më absurde dhe më mizore që mund të imagjinohet. I kujt është fëmija?
Fillimisht e mora për shaka, por jo. Nuk e kisha parë kurrë aq serioz. Po si mund të më bënte një pyetje të tillë? Ai ishte mashkulli i parë dhe i vetëm në jetën time. Ai e dinte më mirë se kushdo këtë.
M’u morën mendtë dhe pothuajse u rrëzova. Ai as që denjoi të afrohej për të më mbajtur. Nuk po u besoja syve. Më dukej sikur isha brenda një mankthi. Sa do doja të zgjohesha dhe dikush të më thoshte fjalët se asgjë nuk ishte e vërtetë.
Por, nga ai dëgjova krejt të tjera fjalë nga ato që prisja. Në mënyrë shoqërore mund të më çonte te një mjeke gjinekologe që bënte aborte ilegale. Aso kohe s’kishte klinika private dhe aborti ishte i ndaluar me ligj. Me zemërgjerësi po më ofronte edhe pagesën e abortit.
Nuk di ku e gjeta atë forcë dhe guxim. E pështyva në fytyrë dhe e gjuajta me shuplakë. Ishte hera e fundit që e pash. E mallkova me gjithë shpirt. Por, ai sot ka një familje të lumtur dhe tre fëmijë. Kur e shoh ekraneve duke bërë rolin e analistit politik më vjen sërish ta pështyj, t’i gjuaj me shuplakë, ta mallkoj. Madje më vjen ta vras. Më shkatërroi jetën kur isha ende fëmijë. Më rrëmbeu gjithë sa kisha më të shtrenjtë. As ndërgjegjia nuk e vrau dhe as mallkimet nuk e zunë. Nuk u kujtua më kurrë për mua. S'më kërkoi asnjëherë falje për gjithë vuajtjet që më shkaktoi.
Deri atëherë nuk e kisha sjellë ndër mend abortin, por pas një nate pa gjumë arrita në përfundimin se ishte e keqja më e vogël. Nuk mund t’i lejoja vetes ta lindja fëmijën. Do zhgënjeja dhe turpëroja mamanë në sy të të gjithëve. Do damkosja një herë e mirë fatin e keq të motrave.
Unë e doja me gjithë shpirt foshnjën që rritej brenda meje. Në ato pak ditë kisha thurur ëndrra pafund për vajzën që do kisha. Ajo ishte jeta ime, lumturia ime. Isha e zonja të kujdesesha edhe e vetme për të.
Por, unë nuk mund të isha e lumtur mbi dhimbjen dhe turpin e pafund që do ju shkaktoja motrave dhe nënës sime. Ndaj dhe rrugëzgjidhja e vetme ishte aborti.
Ndoshta Fatjoni s’më dëgjon, por rrëfimi i jetës sime është aq i dhimbshëm, saqë s’do t’i rikthehem. Jo më. Ndihem e shkatërruar. Më dhemb çdo skutë e shpirtit. Askush veç meje nuk mund ta dijë mankthin që kam përjetuar. S’di as nëse rrëfimin e nisur do ta shpije deri në fund. Jeta ime private është një dështim i plotë. Duhet guxim për ta rrëfyer, imagjino si është ta jetosh e më pas ta mbartësh pafund brenda teje.
Fatjoni është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë. Shpresoj të jem përkrah tij deri në fund të jetës. Do t'i përmbahem pikë më pikë marrëveshjes sonë. Ai është njeriu më i rëndësishëm për mua. Nuk dua ta humbas për asnjë arsye në botë.
Iliri më sugjeron të marr Katerinën dhe të shkojmë në vilë për të ngrënë drekë. Ndihet e dërrmuar pas asaj që ndodhi. Besnikun e ka dashur si djalin e vet. Nuk mund të përballojë as dhimbjen e dyshimit të të tjerëve. Nëse dyshon edhe vet te ai, aq më keq nëse dyshimet konfirmohen, atëherë për të mund të jetë një goditje fatale. Është e sëmurë kronike nga zemra dhe emocionet e forta është vështirë t’i përballojë.
Vendos pa hezitim të bëjë atë që më thotë Iliri. Katerina s’meriton absolutisht asgjë prej meje. Por është mamaja e njeriut me të cilin do martohem. Dhe unë jam e gatshme të bëj çfardolloj sakrifice për të. Le të themi se kjo është sakrifica e parë.

No comments:
Post a Comment