Sunday, February 18, 2018

 SEKRETI    Kapitulli  XII


    Në timon qëndroj e menduar, por edhe Katerina nuk hap ndonjë bisedë të vërtetë. Duhet vullnet nga të dyja palët që mes nesh të krijohet një marrëdhënie normale. Ende më oshëtijnë në vesh përcaktimet që bëri për mua. E panjohur dhe askush. Sikur unë t’i lë të lira mendimet, kush e di sa përcaktime të tilla do t’i bëja! Por mua s’më intereson të analizojë personalitetin dhe karakterin e saj. Gjithë sa më intereson është Fatjoni. Për hir të tij kam vullnetin e duhur për të krijuar një marrëdhënie të ekuilibruar me Katerinën.
    Në hyrje të fermës shoh një kamion. O Zot! Si më doli nga mendja që sot do transferohet në vilë atelieja ime?! Personave përgjegjës për transferimim u kam dhënë udhëzimet përkatëse deri në detaje. Unë punoj vetëm me njerëz të përgjegjshëm, të pëkushtuar dhe profesionist.
    Habitem me veten. Nuk ndiej asnjë  emocion që atelieja po zhvendoset në ambientet e vilës. Për më tepër që unë s’kisha qenë asnjëherë aty dhe kisha projektuar arredimin vetëm duke u nisur nga skica. As që shqetësohem për të mbikqyrur  punët. Deri dje atelieja ishte jo vetëm vendi ku punoja, por krenaria ime, e vetmja arsye për të jetuar, vetë jeta ime. Ama deri dje.
    Tashmë jeta ime është Fatjoni. Më vjen të vrapojë për tek ai. Nuk dua që  të jem këtu, nuk dua të jem askund tjetër përveçse pranë tij.
    Ulemi në kuzhinë. Dreka është e shtruar për dy persona. Nisur nga sasia që ha zakonisht, mbi tryezë ka ushqime së paku për dhjetë persona.
    Oreksi na mungon të dyjave. Në vend që të hamë, thjesht cumbisim nga pak ushqimin. Vendosim të mos bëjmë më sikur po hamë dhe dalim në ballkon të pijmë kafen. Më kujtohet menjëherë momenti kur pash Katerinën dhe Emën të ulura së bashku duke pirë kafe. Sa e dobët dhe naive u tregova! Humba ndjenjat.
    Ç’rëndësi mund të ketë se kush dhe me kë pi kafe!? Rëndësi ka që Fationi të shërohet dhe të jemi bashkë. Përjetësisht bashkë. Nëse ne i përmbahemi marrëveshjes sonë, askush nuk mund të na ndajë.
    Pamja nga ballkoni është e mrekullueshme. Gjelbërim pafund. Pemë, lule, bar. Në imagjinatën time jam duke ecur mbi tapetin e gjelbërt së bashku me Fatjonin. Pas një shëtitjeje të  gjatë, ai mer një luledele dhe ma vendos mes flokësh. S’jam ndjerë kurrë kaq mirë. Ai është fare pranë meje! Ndjej zemrën t’më rrahë me aq forcë, saqë mend po më del nga kraharori. Është kaq pranë, saqë mund të dëgjoj edhe rrahjet e shpeshta të zemrës së tij. Më ledhaton flokët dhe përkulet drejt meje për të më puthur. Është ajo që dua, por s’mundem. Stepem një hap pas. Nëse lë veten në dorë të ndjenjave, marrëveshja jonë merr fund menjëherë dhe nuk shihemi kurrë më. Si mund të jetoj pa Fatjonin? Thjesht s’mundem.
    E shoh veten duke vrapuar. Duhet të jem sa më larg Fatjonit, përndryshe s’mund ta kontrolloj veten. Duke pirë kafen them me vete se mund të vrapoj dhe të përpiqem seriozisht të largohem prej tij, por pashmangshmërisht, çfardolloj rruge të marr, në krye të saj do jetë Fatjoni.
    Mes meje dhe Katerinës,  ka vetëm copërra bisedash. S’kam guximin ta pyes, ç’ka kundër meje? Përse takohet fshehurazi me Emën? Përse doktor Besniku i dhimbset më shumë se i biri?
    Atëherë kur mendoj se këto pyetje nuk do ia drejtoj kurrë, më vjen një guxim i tillë që më habit edhe mua vetë.
     Thjesht e pyes për ç’ka më shqetëson seriozisht, asgjë më tepër. Për të pastruar ndërgjegjen, i them vetes se e bëj me qëllim të mirë. Për të forcuar mërrëdhënien mes nesh.
    Fillimisht më thotë se s’ka absolutisht asgjë kundër meje, nuk ka pasur kurrë. Por ne jemi takuar për herë të parë vetëm dje.  E megjithatë, kam përshtypjen se e njoh prej shumë kohe. Përpiqem seriozisht për ta kujtuar. Më në fund ia dal. Ajo ishte klientja më e rëndësishme e sime mëje. Ishte duke qepur kostumin e saj mbrëmjen kur solli në jetë Silvin.
    Pra, kostumi që më kishte afruar fillimisht me rrobaqepësinë ishte i Katerinës. Dikur ishte e vetmja grua që adhuroja. Copat që sillte për t’i prerë te ime më ishin të veçanta dhe të mrekullueshme. Kishte linja të përsosura. Për të mos folur për shijet e saj, të cilat ishin gjithmonë të rafinuara.
   Sapo i them që e kuptoj përse u shpreh në atë mënyrë, më sheh me habi. Duket qartë se nuk është mësuar me njerëz të sinqertë. Ka kujtuar se shtiresha sikur nuk e njoha. Gabon. Për mua s’është aspak problem ta pranoj që jo vetëm e kam njohur qysh në fëmijëri, por që së bashku me mamanë vendoseshim të lumtura në shërbim të saj. Ishte profesioni ynë, të cilin e bënim me pasion, jo me përulje.
   Rrëfimi im e bëri të buzëqeshë. Më në fund kam një shpresë. Mes nesh mund të krijohet një marrëdhënie, jo thjesht njerëzore, por edhe shoqërore. Duhet vetëm impenjim, durim dhe vullnet. Edhe nëse nuk i kam këto cilësi, do t’i gjej. Fatjoni është jeta ime. Do bëja gjithçka për ta bërë të lumtur.
    Pasi më pyet për vitet e fundit të jetës së mamasë dhe më dëgjon me vëmendje, më thotë se edhe ajo e vlerësonte shumë time më. Ishte një grua gojëmbël dhe duarartë.  Kujdesej për vajzat e saj në mënyrë të adhurueshme. I vjen keq që pati një jetë kaq të shkurtër.
    Mallëngjehem. Kështu bëhem sa herë që dikush më flet  për mamanë. Ajo ishte e adhurueshme. Në jetën dhe zemrën time do mbetet e pazëvendësueshme. Edhe Katerina përlotet. Më në fund pak vërtetësi dhe sinqeritet nga ana e saj. Më në fund.
    Vijmë aty ku më intereson të ndalem. Ema. Por, Katerina heziton gjatë përpara se të hapet me mua. Nuk i bëj asnjë lloj presioni. Vetëm i them se mund të ketë besim të plotë tek unë. Do bëja gjithçka për të mirën e Fatjonit. E mira e tij është edhe imja. Ta mbanim Emën larg jetës sonë.
    Më në fund Kristina vendos të hapet me mua. Duket qartë që e ka më se të nevojshme të ketë një aleate kundër Emës. Në fund të fundit, ajo është vetëm një ish.
    Ema është duke i bërë shantazh. Po po, shantazh. Për të ruajtur sekretin, Katerina është e detyruar t’i mbajë lojën. S’i mbetet zgjidhje tjetër.
    Duhet të mbrojë të birin. Njohja me këtë sekret do ta shkatërronte atë dhe familjen e tij.
    Përpiqem menjëherë të vendos trurin në punë. Nëse përmend shkatërrim të familjes, atëherë bëhet fjalë patjetër për marrëdhënien e tij me djemtë. Mos në këtë sekret ka lidhje dhe doktor Besniku? Patjetër. Kjo do shpjegonte gjithçka.
    Duke u kthyet për në spital shfajësoj tërësisht Kristinën për sjelljen e vet. Edhe për faktin që s'kishte forcë për të ardhur në spital. Po përpiqej dëshpërimisht të mbronte të birin. Ai nuk duhej kurrësesi të mësonte sekretin, sekretin e tmerrshëm. Njëri prej dy djemve të tij, të cilët studionin për mjeksi në  Alaskë nuk ishte i biri. Babai i tij biologjik ishte doktor Besniku.
    Armatosa Kristinën për kundërsulm me të njëjtat armë. Videon dhe fotot e Emës me Fationin. Me to në dorë bashkëshorti i saj do t’i jepte fund martesës së tyre.  Ema  s’e donte këtë. Ajo nuk mund të jetonte e vetme. Jo pa një mashkull që kujdesej për të. Gjithë sa dinte të bënte ishin intrigat dhe asgjë tjetër.
    Sipas Katerinës, nuk e kishte dashur kurrë Fatjonin. Vetëm e kishte shfrytëzuar dhe ia kishte punuar pas shpine. Për më tepër, kishte kthyer në aleat njerëzit e tij më të afërt për të përmbushur qëllimet e saj të fëlliqura.
    Unë e dua të vërtetën. Sado e rëndë, apo e dhimbshme të jetë ajo është gjithmonë më e mirë se gënjeshtrat. Ose, pothuajse gjithmonë.
    Ky rast bënte pjesë te përjashtimet. Ema duhej mbajtur larg Fatjonit derisa ai të shërohej plotësisht. Deri atëherë, sekreti duhej të mbetej sekret.
 

No comments:

Post a Comment