Thursday, November 29, 2018



KAPITULLI IV – FORCË PËR TË SFIDUAR
   E enjtja nisi me një tmerr të vërtetë, Aldën. Kryefamiljari  dha leje për ta ftuar. Për këtë s’duhej të falënderoja gjyshin, por Vjollcën. Ajo kishte kërkuar që për drekë në shtëpinë e saj të ishte edhe shoqja ime më e mirë, njëkohësisht fqinja e saj.
   Unë s’i thashë asgjë shoqes sime më të mirë përpara takimit me Bledin. Ky ishte një urdhër i prerë i gjyshit, absolutisht askush s’duhej të dinte asgjë para se gjithçka të merrte formën e prerë.
    Alda u hakmorr ndaj meje në mënyrën e vet. M’i holloi vetullat pa mëshirë. Kurrë s’kisha provuar një dhimbje fizike të tillë. Ndjeja sytë teksa lëshonin shkëndija. Por, nuk u ankova. Alda kishte të drejtë të zemërohej me mua, madje edhe të hakmerrej.
   Kur tmerri përfundoi, hapa sytë. Nuk arrija të shihja asgjë. M’u deshën disa minuta para se të shihja qartë, por nuk e shijova shumë qartësimin e pamjes. Alda ia behu me një pambuk me alkool për të më dizifektuar pjesën e vetullës që ishte holluar. Çdo fije vetull kishte lënë pas një pikëz gjak. Sytë më lëshuan sërish shkëndija, këtë herë nga djegia e tmerrshme që më shkaktoi alkooli.
   Pas disa minutash dhimbja dhe diegia u davaritën, sikur të mos kishin qenë kurrë. Fshiva lotët  me një shami letre. Alda rrinte në këmbë, përballë meje me sy të përlotur. M’u afrua dhe më përqafoi fort-fort.
   Më pyeti për Bledin. Si ishte ai? Ngjasonte me gjyshin dhe tim atë? Mos ngjante me të atin, idhullin e saj? Fatmirësisht, bashkëshorti im i ardhshëm ishte krejt ndryshe nga babai dhe gjyshi. Ai dinte të më jepte vendin që më përkiste përkrah tij. E pra, ishte hera e parë në jetën time që unë isha e vetëdijshme për vendimin që kisha marrë. Ndoshta të tjerët e kishin marrë këtë vendim para se unë të pohoja, po ç’rëndësi mund të kishte kjo? E vetmja gjë që kishte vërtet rëndësi ishte mundësia që po më ofronte jeta për të qenë e lumtur, plotësisht e lumtur.
   Pasi Alda përfundoi me flokët dhe grimin, vesha fustanin që zgjodhi Bledi. Ishte i gjatë dhe në ngjyrë të artë. Dekolteja ishte pak e ekzagjeruar, ose së paku  kështu më ngjante mua që s’kisha veshur kurrë diçka tjetër veç xhinsave dhe bluzave sportive. Për sytë e Bledit, Aldës dhe Vjollcës ishte më se normale.  Sandalet ishin gjithashtu në ngjyrë të artë dhe shumë fine. Bizhuteritë e florinjta do të m’i vendosnin më vonë, siç e donte zakoni.
   Kur dola përpara pasqyrës rrëzëllija e tëra, por jo për meritë të veshjes. Isha e lumtur, plotësisht e lumtur. Alda kishte bërë një punë të jashtëzakonshme me flokët. Kaçurrelat s’i kishte lëvizur, thjesht i kishte mbledhur çrregullt, në mënyrë të tillë që ato të dukeshin në plotërinë e tyre. Grimi i lehtë plotësohej  me ngjyra të ngrohta.
   Ishte ndër të paktat herë që shqetësohesha për pamjen time të jashtme dhe kjo jo për vete, por për shokun e jetës sime. Ai duhej të më donte po aq sa e doja unë. Isha e gatshme të bëja gjithçka për t’ia dalë mbanë.
   Para se të dilja në sytë e familjarëve të  mi me pamjen e re, Alda më përqafoi fort. Më uroi fat dhe lumturi. E dija që do merrja një urim të tillë prej saj, siç e dija që s’ishin thjesht fjalë, por ndjenja të vërteta që i vinin prej zemrës.
   Në befasi më zunë lotët që i rigonin faqeve dhe lutja e saj për të mos e harruar kur të gjendeshim larg. Edhe unë e përqafova fort dhe ndjeva sytë të më përloteshin. E si mund ta harroja Aldën?
   Ajo s’kishte qenë vetëm shoqja ime më e mirë, por njeriu që më kishte falur dashuri, që kishte lexuar trishtimin e thellë në sytë e mi dhe e kishte dëgjuar në buzët e mia të mbyllura. Ishte njeriu që depërtonte edhe heshtjen time, që më motivonte, më jepte kurajo.
   Kisha shumë arsye për ta vlerësuar, dashur dhe për të mos e harruar kurrë shoqen time më të mirë. Kurrë s’ia kisha pohuar vetes me zë të lartë, por heshturazi ajo kishte qenë idhulli im. Unë doja shumë të kisha guximin, inisiativën dhe lirinë e saj. Por, mbi të gjitha unë doja të kisha ndër sy po atë shkëlqim që kishte ajo.
   Po Alda, përse kishte zgjedhur të kishte një shoqe si unë? Vetëm ajo mund t’i dinte arsyet e saj. Sa për mua, s’do kisha zgjedhur kurrë një si vetja për të pasur shoqe. Kurrë.
   Me pamjen e re që kisha marrë, s’doja thjesht t’u paraqitesha familjarëve të mi, por edhe t’i sfidoja ata. Në mënyrën time sigurisht. Nuk më kishin vlerësuar kurrë, s’më kishin dhënë as vëmendje dhe as dashuri. Gjithë kohën më kishin qëndruar larg dhe asnjëherë pranë kur kisha nevojë për ta. Tani isha unë që doja të qëndroja larg tyre. Dhe s’bëhej fjalë për hakmarrje, por për sigurinë personale. Nëse u qëndroja larg s’mund të më bënin të vuaja më, kurrë më.
   Askush prej të katërve s’bëri komente për pamjen time, megjithëse unë ndieja mbi trup gjthë ngulmin e vështrimeve. Zgjedhjet e Bledit ishin kryevepër, ndërsa Alda i kishte duart e arta. Tani unë isha tjetër njeri dhe më shumë se pamjes së jashtme ky ndryshim i referohej asaj të brendshme.
   Mamaja mbushi sytë me lotë dhe bëri një hap përpara. Por, e ndali hapin sapo pa gjyshin që po e qortonte me vështrim. S’di të them se ç’më kishte lodhur më shumë përgjatë viteve, ngurtësia dhe ftohtësia e gjyshit, apo dobësia e sime mëje. Babai as lëvizi dhe as tha ndonjë fjalë. Ai vetëm psherëtiu. Unë ndjeva zemrën të më dridhej. Përse dreqi e mori nuk më tha një fjalë? Mos edhe ai kishte frikë nga hija e gjyshit njësoj si ime më? Si është e mundur që edhe burrat të jenë po aq të dobët sa gratë?!
   Unë s’ia uroja vdekjen askujt, por isha kurioze të shihja sjelljen e prindërve të mi kur gjyshi të mos ishte më. A do të më thoshin ndonjë fjalë zemre? A do më përqafonin? A u kishte mbetur peng në zemër që s’më kishin përkëdhelur kurrë? A do pendoheshin që më kishin puthur vetëm dy herë në vit, për ditëlindje dhe për Vitin e Ri? Nuk mund ta  çonin numrin në tre, duke bërë përjashtim në ditën e fejesës sime? Jo e jo, sepse do llastohesha dhe do isha e dobët për jetën e vështirë që më priste. 
   Gjyshja ishte e vetmja që lëvizi, ajo doli prej kuzhinës. Kur erdhi solli diçka të mbështjellë me një shami letre. S’ishte asgjë me vlerë. Në fund të fundit askush në familje s’më kishte dhuruar kurrë diçka me vlerë. Ishte një thelpi hudhër. Mbante larg syrin e keq. Gjyshja më kërkoi ta vendosja në trup.
   Bëra siç më tha dhe pastaj e përqafova fort. Në atë mënyrën e saj, ajo ishte e vetmja prej të katërtve që më kishte thënë se ngjaja bukur, shumë bukur.
   Për herë të parë në jetën time isha e gatshme t’i hapja sfidë gjyshit. S’di nëse ai më kishte parë që kisha mbathur sandale. Dhe as që kisha ndër mend t’i hiqja. Ç’mund të më bënte? Unë tani s’kishe më frikë.
   S’pata kohë të merrja reagimin e tij. Alda na njoftoi se po vinin krushqit.  Nuk dola së bashku me të tjerët në verandën e shtëpisë për t’i pritur. Gjyshja ma kishte shpjeguar mirë këtë pjesë dhe më shumë se e kisha kuptuar, më kishte pëlqyer. Do t’i takoja krushqit vetëm pasi ata të zinin vend. Do kisha rastin të merrja  vëmendjen e të gjithëve. Vëmendje! Ishte koha të provoja një tjetër shije të re në shpirtin tim, një shije të paprovuar kurrë më parë.

Wednesday, November 28, 2018


KAPITULLI III – VENDIMI I DUHUR
   Më në fund Bledi erdhi. Vjollca na sugjeroi të qëndronim dhjetë minuta vetëm për vetëm, në mënyrë që të njiheshim dhe të vendosnim. Unë buzëqesha nën buzë. Të tjerë ishin ata që kishin vendosur për fatin tonë.
   U futëm në dhomën e prindërve të mi. U ulëm mbi shtratin e tyre. Edhe sikur të mos donim të uleshim aty, s’kishim zgjidhje tjetër. Kur u gjenda përballë Bledit, ndjeva të dridhesha e tëra.  Për herë të parë në jetën time isha vetëm për vetëm me një mashkull. Ne ishim aq pranë! Ç’bisedë mund të bënim? Ç’pyetje mund t’i bëja për të kuptuar nëse ishte i duhuri? A ekzistonin ndokund pyetjet e duhura? A kishte përgjigje të duhura për pyetjet që do më drejtonte?  Po fjalët më të përshtatshme për një rast të tillë?
   Gjithmonë kisha menduar se kur mes dy njerëzve është një shkes, s’ka dashuri. Por, zemra po më rrihte,  po më rrihte aq fort! Kisha frikë se mos më dilte nga kraharori. A nuk ishte kjo dashuria?! S’ia ndava vështrimin për asnjë çast. Nuk i dhashë rëndësi përskuqjes në fytyrë. Në fund të fundit edhe ai qe përskuqur i tëri. Më duhej të kuptoja nëse ishte ai Shpëtimtari im.
   Ndoshta s’ishte njeriu i përsosur, por jeta nuk ishte aq bujare me mua, duke më lënë mundësinë të kërkoja dhe të gjeja të përsosurin. Ç’duhej të bëja? A mund të ketë çmenduri më të madhe se kjo? Të vendosësh brenda dhjetë minutave me cilin njeri do jetosh deri në fund të jetës tënde. Vendimi më i rëndësishëm i gjithë jetës, në kohën më të shkurtër të mundshme.  
    Bledi dinte të sillej me një femër. Ishte i edukuar, i matur, serioz, kishte takt dhe dukej më i pjekur për moshën që kishte. Shembulli i gjallë para syve të mi ishte marrëdhënia mes prindërve të tij. Kjo shërbente si një garanci për të ardhmen time. Ishte krejt e kundërta e marrëdhënies mes prindërve të mi. Nuk doja më shumë se aq në jetë. Për mua ishte idealja.
   Fjalët e pakta që i thashë përgjatë atyre dhjetë minutave më janë mjegulluar në mendje. Por diçka më kujtohet shumë qartë, sikur kujtesa ime ta ketë regjistruar të plotë një herë e përgjithmonë, me zë dhe figurë. Kjo ndoshta edhe për shkak të  rrjedhës dramatike që mori jeta jonë pak vite më vonë.
   Nuk më interesonte aspak nëse Bedi do më paragjykonte. Madje nuk më interesonte aq shumë as nëse do merte një vendim negativ. Unë kisha nevojë të ikja një herë e përgjithmonë nga ajo shtëpi. S’mund të kthehesha mbrapsht. Ia thashë qartë se e vetmja gjë që unë nuk mund t’ia falja ishte tradhëtia, e cila do t’i kushtonte shumë shtrenjtë. Nëse kjo ndodhte, gjë që unë s’ia uroja kurrë vetes, ai nuk do më shihte kurrë më, me përjashtim të ditës së divorcit. Veç kësaj, ai duhej të më blinte një shtëpi në Tiranë, por që të ishte në emrin tim.
   Në Tiranë jetonte daja im. Për mua ishte i vetmi  njeri tek i cili mund të mbështetesha në ditë të vështira. I besoja plotësisht. Ai do bënte të pamundurën për të më ndihmuar. Në shtëpi mund të kthehesha vetëm e vdekur. Unë doja të largohesha një orë e më parë që aty, jo se kisha ngut për t’u pajisur me burrë, por ngaqë bashkëjetesa me familjarët e mi ishte shumë rëndë për t’u përballuar. Do ishte shumë më mirë të jetoje fill e vetme.
   Bledi buzëqeshi, duke u përpjekur të më siguronte që nuk do më tradhëtonte kurrë. Po kur pa se isha plotëisht e vendosur në ato që thosha, më tha se nëse diçka e tillë ndodhte, plotësimi i kërkesës time ishte një detyrim minimal për të. Por, kishte dhe ai një kusht për të më vendosur në një rast të tillë. Tradhëtia duhej provuar me fakte dhe jo t’u besoja fjalëve të kota që mund të më vërshëllenin në vesh.
   Për një çast fjalët e tij më erdhën në mendje në këtë mënyrë: Unë do të  të tradhëtoj sa herë të dua dhe me kë të dua. Mund të më shoh kushdo dhe të të thotë ty. Ti nuk ke të drejtë të më thuash, apo të më kërkosh asgjë, me përjashtim të rasteve që do më shohësh me sytë e tu.
    Nisur nga këto mendime duhej të isha stepur në vendimin tim, por as që më shkoi ndër mend diçka e tillë. Kisha nevojë të besoja se Bledi ishte duke më kërkuar që të mos ngutesha të shkatërroja familjen që do krijonim thjesht dhe vetëm për fjalë të kota që mund të dëgjoja.
   Mbylla sytë për pak sekonda dhe iu luta fatit tim. Unë s’mund ta njihja plotësisht njeriun që kisha përballë në dhjetë minutat që më kishin dhënë. Nuk do arrija ta njihja edhe sikur të qëndronim bashkë për dhjetë orë, të cilat s’do m’i kishin dhënë kurrë. Por ai përfaqësonte veç të tjerash, të vetmin rast që kisha për t’u larguar një orë e më parë nga shtëpia. S’kisha për ta çuar dëm.
   Kur hapa sytë ai ishte sërish aty. Vështrimet tona kryqëzoheshin ëmbël. Sikur të mos e kisha parë e të mos më kishte parë aq thellë në sy, nuk do isha dashuruar marrëzisht pas tij. Ne ngjanim fizikisht edhe në diçka tjetër përveç ngjyrës së zbehtë të lëkurës, në ngjyrën e syve. Kur u futëm në dhomë sytë e tij kishin ngjyrë kafe, ndërsa tani jeshilen e errët dhe po atë shkëlqim si sytë e mi në rastet e pakta të gëzimit dhe lumturisë.
   Bledi më mbështolli duart e ftohta me duart e veta dhe unë ndjeva ngrohtësinë e tij. M’u drejtua në emër. Për herë të parë emri im më bëri të ndihesha si një mbretëreshë e vërtetë, Teuta. Në shtëpi ndër vite më kishin përndjekur me një shkurtim të tmerrshëm të emrit tim, Tuta.
     pyeti nëse doja të martohesha me të. Nuk di të them sa reaksione kimike ndodhën në ato pak sekonda në trurin tim, në trupin tim, por di të them se çlirova endorfinë si kurrë më parë. Unë isha e lumtur. 
   Dhe sa pak më qe dashur për t’u ndjerë kështu! Një vështrim i ëmbël, disa fjalë të sinqerta, marrja e vëmendjes së plotë dhe një shtërngim duarsh. Kjo e kishte zgjuar zemrën time nga letargjia e stërzgjatur. Sa e zbrazët kishte qenë gjithë jeta ime! Përse vallë asnjë në familje s’më kishte dhënë dashuri, atë dashuri për të cilën kisha aq shumë nevojë?! 
   Ktheva një përgjigje mekanike, se nuk më takonte mua të merrja një vendim të tillë, por babait dhe gjyshit. Bledi më buzëqeshi me mirëdashje, duke më thënë se nuk do martohej me ndonjërin prej tyre, por me mua.
   Atëherë unë i harrova të gjithë dhe të gjitha. Isha vetëm unë dhe Bledi. Zemra ime rrihte si kurrë më parë. A doja të martohesha me të? Në atë shtëpi askush s’më ishte drejtuar me pyetje, qoftë edhe fare të parëndësishme. Ndërsa tani gjendesha përballë një dileme kaq të madhe. A isha e aftë t’i jepja përgjigjen e duhur një pyetjeje aq të rëndësishme?
   Për diçka isha më se e sigurt. S’ishte një lojë fëmijësh. Nga ajo përgjigje varej rrjedha e jetës sime. Ishte rasti i vetëm që më jepej për të vendosur vetë për fatin tim. Ç’të bëja? Ndoshta duhej thjesht të ndiqja zemrën.
    S’kisha  dashur kurrë diçka, apo dikë më shumë e më fort. A isha duke gabuar? A po bëja zgjedhjen e duhur? E kush mund ta thotë me siguri këtë kur është duke marrë vendimin më të rëndësishëm dhe më të vështirë të të gjithë jetës së vet? Këto mbeten dilema të përhershme të njerëzve.
   Nuk u mendova më asnjë grimë. I thashë se po vendosja zemrën time në duart e tij. Vetëm ai kishte tagrin për të më bërë fatkeqe, apo fatlume. Prita për disa sekonda përgjigjen e tij. Isha aq në ankth, saqë mbylla sytë sërish.
   Në vend të përgjigjes, mora një përqafim. Ishte diçka aq e papritur për mua, saqë në çastin e parë u tremba dhe për pak sekonda qëndrova e mpirë.
   Kur erdha në vete, lëshova kokën mbi supin e tij. Ndjeva atë që s’e kisha ndjerë kurrë në jetën time dhe që aq shumë ia kisha pasur nevojën. Ngrohtësi dhe mbrojtje. S’kërkoja asgjë më shumë. Njeriu që më kishte pëqafuar,  ishte njeriu me të cilin doja të jetoja deri në ditën e fundit të jetës sime. Doja të më pushtonte të tërën, trup e shpirt. Ishte njeriu me të cilin doja të ndërtoja një familje të ngritur mbi baza të forta: respekt dhe dashuri.

   Ishte ditë e martë kur u takuam për herë të parë me Bledin. Fejesa u vendos për të enjten. Duhej të blinim veshjet dhe gjithë sa ishte e nevojshme sipas traditës dhe për këtë kishim vetëm një ditë kohë, të mërkurrën.
    Gjyshi dhe babai na komunikuan se do ishin edhe ata të pranishëm gjatë blerjeve. Vendimi i tyre ra si bombë.  Ne ishim gjithsej pesë, sikur edhe familja e Bledit të vinte e plotë do bëheshim nëntë. Ai kishte ardhur nga Greqia së bashku me vëllain e tij të madh. Takimi ishte në dhjetë paradite, në qendër të qytetit. E ku mund të shkonim nëntë vetë? Do bëheshim qesharak në sytë e kujtdo.
   Por, Vjollca i dha menjëherë zgjidhje situatës. Dukej sikur ajo femër kishte lindur për të drejtuar. Arrinte  ta bënte aq mirë! Burrat do uleshin në një bar dhe do pinin kafen e tyre qetë-qetë. Gratë do dilnin të trija të blinin dorovat. Tri mendje janë më mirë se një, apo jo? Ndërsa ne, do dilnim më vete për të blerë veshjet dhe aksesorët e nevojshëm.
   Kudo ku shkonim për të blerë diçka, shitësit na uronin trashëgime. Si e kuptonin se ne do fejoheshim? Mos vallë nga ngazëllimi që më shfaqej në sy? Koha fluturoi. Unë nuk u lodha aspak në zgjedhje. Bledi kishte më shumë shije se unë, shumë më shumë. Dhe në fund të fundit unë tashmë i përkisja atij dhe e vetmja gjë që kishte me të vërtetë rëndësi ishte të dukesha bukur për të.
   Ankthi i mëparshëm ia kishte lënë vendin emocioneve. Pavarësisht se isha e kapluar prej tyre, për diçka isha e sigurt. Kisha marrë vendimin e duhur për jetën time.






Tuesday, November 27, 2018


KAPITULLI II – NË DORË TË SHKESIT
   Në verandën e shtëpisë më ranë menjëherë në sy tri palë këpucë. Një palë rrinin mënjanë, të veçuara. Kisha kujtesë të mirë fotografike. Isha e sigurt se ato këpucë të riparuara disa herë i përkisnin Kolit, një kushëririt të largët të gjyshit tim. Ai na kishte vizituar shpesh kohët e fundit. Arsyen askush s’ma kishte thënë dhe unë sigurisht që s’kisha pyetur. Në fund të fundit ajo shtëpi kishte zot.
   Xhaxhi Koli ishte një njeri i thjeshtë dhe i dashur, kishte pesë fëmijë dhe jetonin në varfëri. Rrobat që s’na bënin më mua dhe vëllait, mamaja së bashku me gjyshen i palosnin me kujdes, i vendosnin në çantën sportive të zezë dhe ia jepnin gjyshit, i cili ia shpinte menjëherë kushëririt të vet. 
   Të tjerat ishin një palë këpucë burrash dhe një palë këpucë grash. Gjyshi kurrë nuk lejonte askënd të hynte në shtëpi me këpucë. Pasi i vëzhgova me vëmendje, arrita në përfundimin se pronarët e tyre duhej të ishin të rinj dhe të pasur. Askush në shtëpinë tonë s’kishte këpucë aq të bukura e të reja. S’di përse rrahjet e zemrës po më shpeshtoheshin. Ç’po më ngjiste?
   Hyra brenda me hap të lehtë dhe pa fjalë. Gjyshi sapo më pa, u ngrit në këmbë dhe m’u afrua. Më ftoi të takoja mysafirët. Çudi! Ai kurrë s’ishte treguar aq i sjellshëm dhe i dashur me mua. U dhashë dorën mysafirëve, i përshëndeta, duke ndjerë se si po zverdhesha në fytyrë për shkak se ndodhesha në një situatë që s’më vinte shpesh. Pavarësisht se doja me shpirt që jeta ime të mbushej me gjëra të reja e të bukura, ndruhesha para tyre. Gjithmonë mendoja se duhej të këmbeja ca bindje, durim dhe përulje që i kisha me tepricë, me grimca guximi. Por, si gjithmonë, as që merrja mundimin të tentoja duke bërë ndonjë përpjekjë, qoftë dhe fare të vogël.  
   Xhaxhi Koli ishte ulur mes gjyshit dhe babait. Ndërsa ata, çifti misterioz, ishin ulur pranë e pranë njëri-tjetrit në divanin tonë të vjetër, i cili kthehej natën në shtrat për mua. 
   Kurrë s’i kisha parë prindrit e mi të uleshin aq pranë, gjyshrit jo e jo. Për moshën e tyre, mund të them me bindje pas vëzhgimit të hollësishëm që u bëra, se ishin të paktën dhjetë vite më të mëdhenj se prindërit e mi. Kujdesi i madh i treguar për pamjen e tyre të jashtme bënte që mosha pothuajse të mos kuptohej.
   Fustani ngjyrë vishnje i gruas dhe kostumi i zi i burrit ishin aq të bukur dhe kishin aq shumë shkëlqim, sikur sapo ua kishin hequr manikinave në vitrinë. Ngjanin aq bukur dhe aq të lumtur ulur ashtu pranë e pranë   njëri-tjetrit, saqë s’po ua ndaja sytë. Dhe kisha të drejtë. Por, ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte se edhe ata ishin duke vepruar në të njëjtën mënyrë. E ç’mund të kishte një vajzë si unë për të tërhequr vëmendjen e tyre?
   Fjalët e gjyshit më sollën në vete. Ai më kërkoi të gostisja miqtë dhe të bëja kafe për të gjithë. Për herë të parë mora lëvdata për kafetë që bëra. Dhe ishte identike me kafen që u bëja dy herë në ditë  gjyshërve të mi.
   Babai më bëri me shenjë që të dilja nga dhoma.  Vetëm atëherë më ra në sy mungesa e gjyshes dhe e mamasë. Sa e hutuar kisha qenë! Nga më kishte buruar gjithë ai hutim? Kot habitesha me veten. Me përjashtim të guximit që më mungonte, të tjerat i kisha me tepri.
   Duke soditur lulet shumëngjyrëshe në kopësht, nisa të mendoja për arsyen e vizitës së çiftit misterioz. Sa për Kolin, diçka dija. Ai kishte shërbyer si shkes për lidhjen e shumë çifteve. A mos vallë? E fshiva menjëherë këtë ide nga koka. S’mund të ishte e vërtetë. Po të qe kështu, brenda shtëpisë duhej të ishte dhëndri, pra Shpëtimtari im. Po mungesa e gjyshes dhe e sime mëje? Ato s’dilnin kurrë në kohën e drekës. Ky rast s’mund të bënte përjashtim.
   As vetë s’di   ç’më shtyu të nisesha menjëherë për në dhomën e gjyshërve. S’kisha gabuar. Gjyshja dhe ime më rrinin pranë e pranë të heshtura në këndin më të fshehtë të dhomës. Atë çast i thashë vetes me bindjen më të plotë se të ishe femër në atë shtëpi ishte mallkim.
   Rrotullova çelësin pas dere dhe iu afrova gjyshes dhe sime mëje me zemër të dridhur. I përqafova të dyja njëherësh. Ne dridheshim të trija në krahët e njëra-tjetrës. I ndjeva aq pranë, sa kurrë më parë. M’u dhimbsën të dyja, por vetvetja më shumë. Ndoshta po tregohesha egoiste, por atë çast as që më ra ndër mend. Unë duhej të zhdukesha sa më parë nga ajo shtëpi. Vetëm martesa do ishte shpëtimi im. Më pas më mbeteshin betejat e vogla të përditshmërisë, të cilat duhet t’i bëjë çdo femër që synon të jetë e pavarur dhe e lumtur.
   I pyeta për arsyen e vizitës së çiftit misterioz dhe posa dyshimi im u konfirmua, dola para pasqyrës me një vendosmëri që as vetë  s’di nga më erdhi. Pashë me kujdes shëmbëllimin tim. Isha e gjatë, elegante, ndoshta shumë elegante. Fytyrën s’e kisha të imtë, por as me atë ngjyrën e bukur trëndafili që kishte Alda. Flokët shumë të gjatë ngjyrë kafe të errët merrnin edhe më tepër volum nga kaçurrelat e vogla e të dendura. Kështu, ajo zbehtësi e lehtë që më kishte shoqëruar gjithë jetën sfumohej disi. Për herë të parë mendova se bëja gabim që i lidhja flokët bisht. Në çast i lëshova dhe nisa t’i kreh me delikatesë, të cilën s’ma merrte mendja se mund të gjendej tek unë.
   Sytë e mi kanë një karakteristikë të veçantë. Zakonisht duken ngjyrë kafe. Nëse kam arsye për t’u ndjerë mirë, ata marrin një shkëlqim të bukur dhe kthehen në jeshile të errët. Vetkuptohet që kjo ndodhte rrallë, shumë rrallë.
     Vetullat i kisha të trasha, shumë të trasha dhe sikur kjo të mos mjaftonte, s’kuptohej ku niste njëra e ku mbaronte tjetra. Alda kishte shprehur shpesh dëshirën për të më futur në dorë e t’mi hollonte, por mbi të gjitha të më bënte me dy vetulla.
   Unë e dija që mamaja s’do më jepte leje për ta bërë këtë, së paku jo derisa të fejohesha. Kjo ishte absurde, por si përherë unë s’gjeja guxim ta thoja me zë të lartë. Në fund të fundit për mua pamja e jashtme s’kishte qenë kurrë një shqetësim në vetvete.
   Qerpikët i kisha pis të zinj, të gjatë e të dendur. Ndërsa buzët të plota dhe të kuqe. Kurrë s’më ishte dukur vetja e bukur, sepse bukuria s’më kishte hyrë në punë për asgjë. Tani po. Bukuria mund të ishte shpëtimi im. Askush s’mund të më shihte thellë në shpirt qysh në takimin e parë, ndërsa hiret po.
   Nisa të masazhoja mollëzat e faqeve me gishta. Ato morën menjëherë ngjyrë të purpurt. Dola nga dhoma pa e kthyer kokën pas. Nëse gjyshja dhe ime më s’ishin kujdesur kurrë për mua, kjo do të thoshte vetëm diçka, që unë duhej të kujdesesha vetë për veten.
   Gjithë edukatë dhe takt, pyeta nëse ishte nevoja për gjësend. Gjyshi më buzëqeshi. Nuk di të them sa vite kishte që kjo s’ndodhte, po në fund të fundit ç’rëndësi kishte tani? Ishte vonë për të ndryshuar, tepër vonë.
   Gruaja më ftoi të ulesha pranë saj. Quhej Vjollca dhe ishte drejtoreshë e gjimnazit më të madh të qytetit tonë. Sa e çuditshme që as e kisha parë, madje as kisha dëgjuar ndonjëherë të flitej për të! Por, fundja s’duhej të më dukej kaq e çuditshme. Për mua mbetej enigmë gjithë sa ndodhte brenda mureve të shtëpisë sime, a mund të ndodhte ndryshe me atë ç’ka ndodhte në qytet?
   Bshkëshorti i saj quhej Ylli dhe ishte mjek pediatër. Këtë emër e kisha dëgjuar. Ishte  idhulli i Aldës. Ajo  më kishte treguar se ai i kishte shpëtuar jetën motrës së saj të vogël para shumë vitesh.
   Një mbrëmje  prindërit i kishin ngarkuar Aldës detyrën që të kujdesej për të.  Ajo  e la të luante me tullumbace ngado nëpër shtëpi dhe vetë ndiqte me vëmendje një film. Papritur, tullumbacja u shpua dhe u shfry. Alda s’e pa momentin kur e motra futi tullumbacen e shfryrë  në gojë dhe mandej i  mbeti në fyt. S’arrinte të merrte frymë dhe menjëherë u nxi në fytyrë.
   Alda s’humbi kohë. Menjëherë trokiti në derën e mjekut pediatër, Yllit, i cili sapo kishte ardhur të banonte në të njëjtin pallat. Brenda pak sekondash, mjeku ia behu në apartamentin e tyre. Ai mundi t’ia nxirrte tullumbacen nga fyti dhe u kujdes për të derisa gjithë parametrat jetësor u kthyen në normalitet. Nga ajo kohë shoqja ime më e mirë vendosi profesionin që do bënte në të ardhmen e vet. Mjeke pediatre.
     Alda kishte edhe një variant plot humor të kësaj historie. Kur e ritregonte teksa ecnim për në shtëpi, apo për në shkollë, rruga jehonte nga e qeshura e saj. Mjeku i kishte shpëtuar jetën të dyja vajzave dhe jo vetëm motrës së vogël. Nëse vogëlushes do t’i kishte ndodhur diçka e keqe për shkak të saj, Alda do kapërdinte një tullumbace të fryrë vetëm e vëtëm për të mos u dënuar me burgim të përjetshëm si dado neglizhente.
   Mamaja e saj ishte shumë e dashur, e kuptueshme dhe tolerante, por kur bëhej fjalë për sigurinë e familjes së saj, në veçanti të vajzave, bëhej një bishë e vërtetë. Në heshtje e kisha adhuruar gjithmonë. Sipas mendjes sime, s’mund të gjendej në botë një mama më e mirë. Sa shumë doja të bëhesha si ajo në të ardhmen!
   Vjollca s’nguroi të më fliste për qëllimin e vizitës së tyre dhe nxori foton e të birit. Ai ishte shumë më i bukur nga sa kisha ëndërruar gjithë këta muajt e fundit. Kishte njësoj si unë atë mungesë ngjyre trëndafili në fytyrë. Ndoshta edhe ai duhej të masazhonte mollëzat në të njëjtën mënyrë si dhe unë më parë. Po qeshja nën buzë me idenë time të çmendur. Plottetë vjet më i madh se unë dhe ishte emigrant në Greqi.
   Për një çast u mendova seriozisht. Unë doja vërtet të ikja larg, por jo kaq shumë. Megjithatë, nuk fola. Në fund të fundit askush s’po kërkonte mendimin tim. Sa për moshën, nuk besoja se kjo përbënte ndonjë problem. Madje, mund ta quaja avantazh. Sikur të ishte më i ri, me siguri s’do mendonte për një fejesë dhe martesë të shpejtë.
   Të nesërmen nuk shkova në shkollë. E shoqëruar nga ime më takuam Vjollcën. Ajo më drejtoi për në laboratorin e spitalit në të cilin do kryheja  analizat. Mamaja ime, e matur si përherë s’bëri ndonjë koment.
   Rrugës më kapi disa herë për dore dhe ma shtërngonte me dashurinë e pamatë të nënës. Ndoshta ajo kishte nisur të ndjente që tani mungesën time. Por, ishte shumë vonë. Sa e sa netë s’më kishte zënë gjumi nga mungesa e një gjesti të tillë! As ajo dhe askush tjetër nuk do më bënin më të vuaja, s’do ua lejoja.
   M’u duk vetja si kavie. Do përfundonin gjithë testet me mua dhe pastaj, nëse rezultonin të suksesshme, do vinte dhëndri. E zbova sakaq këtë ide të beftë e të çmendur nga koka. Në fund të fundit Vjollca s’po më bënte asgjë të keqe. Përkundrazi, po më bënte një nder duke testuar shëndetin tim. Paçka se u mundova me mish e me shpirt të shihja anën pozitive të çështjes, sërish s’munda ta shmangia atë që po më stërmundonte. Ndihesha një kavie.
   Kur më kërkoi ta thërrisja në emër, për mua ishte lehtësim i vërtetë. Ajo s’mund t’ia lejonte vetes ta thërrisja teta Vjollca. Jo pas gjithë atij kujdesi që tregonte për veten. E veshur me një fustan portokalli, i cili gjithashtu dukej i posahequr nga manikina, ngjante më e bukur dhe më e re se me fustanin vishnje një ditë më parë.
   Nga ana ime, s’kisha pikën e dëshirës që në të ardhmen ta thërrisja mama. Nëse ishte diçka për të cilën jeta ime s’kishte aspak nevojë e as vend ishin formalizmat. Sa mirë që ajo s’ishte drejtoreshë në gjimnazin ku studioja! Në të kundërt, do isha e detyruar ta shihja si drejtoreshë  gjithë jetën.
   Vizita te mjekia gjinekologe ishte ngjarja më e papritur dhe njëkohësisht më absurde. Le të mos flasim për atë çfarë përjetova. A kanë edhe kaviet të drejtën e përjetimeve?!
   Sa shumë fjalë do të më duheshin për ta përshkruar! Pashë se si u zverdh ime më. Por, s’kundërshtoi. Nëse e bënte, do t’i duhej të gjente një strehë tjetër nën të cilën të jetonte.
   Në familjen tonë gratë asnjëherë nuk shfaqnin mendimet e tyre, as kundërshtonin. Ato vetëm bindeshin. E kapërdiva me shumë vështirësi këtë situatë dhe në fund u mundova të buzëqeshja me sportivitet. U përpoqa seriozisht, por pa sukses. Thjesht s’munda. Atëherë u mundova të shihja vetëm anën pozitive, siç kisha bërë që në filim. Një vizitë te mjekia gjinekologe, do të thoshte se Bledi donte që shumë shpejt të bëheshim me fëmijë. A s’ishte kjo që dëshiroja dhe unë?
   Të nesërmen u morën të gjitha përgjigjet e analizave. S’kisha absolutisht asnjë problem, me përjashtim të hemoglobinës që kishte dalë më e ulët se norma. Në situatën ekonomike në të cilën ndodheshim, kjo ishte më se normale. Im vëlla kishte dërguar disa dhrahmi,  por gjyshi si gjithmonë kishte qenë i prerë në vendimin e tij. Ato do të vendoseshin mënjanë. Ne mund të vinim dorë mbi to vetëm në ditë të zeza. Ndërsa ne vegjetonim pareshtur në ditët gri, ato qëndronin mënjanë. Nëse do vijonim kështu, s’ishte nevoja të kryenim analizën e hemoglobinës, familjarisht po i nënshtroheshim testit të mbijetesës.
   Ato ditë isha e mbushur me ankth. Sipas Aldës ishte më se normale. Kishim nisur sezonin e provimeve. Ishte në lojë e ardhmja jonë.
   Alda e kishte vërtet në dorë të ardhmen e saj. Shoqja ime mjaftonte të merrte notat maksimale në provime, pikët maksimale në konkurim në Fakultetin e Mjeksisë dhe  në tetor do ishte studente në degën e shumëdëshiruar. Unë isha e sigurt se në fakultet do merrte notat maksimale dhe ashtu si në gjimnaz, kudo  do ishte e para. Pas diplomimit me siguri do fitonte të drejtën e specializimit në pediatri.
   Ëndrra e saj do merrte jetë. Kështu ishte ajo. Ëndërronte, ua bënte të ditur prindërve të vet, merrte miratimin dhe mbështetjen e nevojshme prej tyre dhe më pas përpiqej maksimalisht për t’ia dalë mbanë.
   Po unë? Si isha unë? Ëndërroja në errësirë, s’ia bëja askujt të ditur ëndrrat e mia, të cilat pasi nuk mëkoheshin e as përkundeshin vdisnin po në errësirë. Ndërsa unë... mbetesha aty. Ndihesha e vetmuar, e braktisur, e zbrazët.
   Vetëm një ëndërr mund të më realizohej. Të martohesha dhe të largohesha sa më parë nga shtëpia. Isha e bindur se kudo që të shkoja dhe kushdo të ishte im shoq, situata ime e ardhshme do ishte shumë më e mirë se e tanishmja.
   Alda kishte të drejtë. Ishte vërtet në lojë e ardhmja ime, por ajo ende nuk e dinte se unë s’kisha asgjë në dorë. Ajo ishte në dorën e shkesit, xhaxhi Kolit. 



Sunday, November 25, 2018




KAPITULLI I – SHTËPIA JONË
    Kisha kaluar një ditë të zakonshme në shkollë dhe po kthehesha në shtëpi si zakonisht me Aldën, shoqen time më të mirë. Ajo rrëfente histori gazmore pa fund dhe i shoqëronte me atë të qeshurën e saj karakteristike, të ëmbël e të shkujdesur, që buçiste në rrugët e qytetit tonë të vogël. Kalimtarët e rastit kthenin kokat drejt nesh dhe vështronin me habi. Por, Alda s’u jepte kurrë rëndësi gjërave të tilla, për të ishin thjesht  çikërrima.
   Ajo ishte e shoqërueshme, e sinqertë, e çiltër, e hapur, e pavarur dhe e pandikuar nga dikush në vendimet që merrte. Plotësisht e vendosur në atë  ç’ka thoshte e ç’ka bënte. Jeta  e vet i përkiste asaj dhe askush s’kishte të drejtë t’i diktonte  sjelljen, apo zgjedhjet që duhej të bënte.  
   Unë isha krejt e kundërta e saj. Vetpërmbahesha në veprime dhe  në të shprehur. Kur më vinte për të qeshur me të madhe, mjaftohesha duke vënë buzën në gaz. Por, as vetë nuk arrija ta kuptoja përse atë ditë edhe buzëqeshja po më ngrinte. Kisha një parandjenjë të çuditshme, e cila po më zinte frymën. Nëse do ia thosha Aldës, ajo me siguri do qeshte me të madhe dhe do më jepte një të shkundur të mirë që të vija në vete.
    Sipas saj, isha fiks si gjyshja ime. Në këtë përfundim arrinte duke u nisur nga jeta që bëja. Këshilla e saj ishte të konsultohesha me fjalorin e gjuhës shqipe dhe më në fund të njihesha me kuptimin e fjalës adoleshente. Ishte një fjalë e ndryshme nga gjyshe.
   Të jetoje në familjen time ishte krejt e kundërta nga të jetuarit në familjen e Aldës. Atje kishte diskutime të gjata e të pafundme edhe për çështje fare të parëndësishme. Gjatë një bisede  çfarëdo, nuk arrije të kuptoje cilët ishin prindërit dhe cilët fëmijët. Alda dhe dy motrat e saj kishin fatin të flisnin dhe të dëgjoheshin.
   Krejt e kundërta ndodhte në familjen tonë. Aty kishte hierarki. Dhe çfarë hierarkie! Gjyshi ishte shtylla e shtëpisë. Ai merrte vendimet dhe thoshte fjalën e fundit pothuajse në gjithçka. Babai i ngjasonte shumë, por s’e kishte forcën e karakterit dhe autoritetin e padiskutueshëm të tij. Për të tjerat edhe ai ishte i prerë.
   Vetëm një herë babai guxoi ta kundërshtonte dhe të ngulte këmbë t’i shkonte e veta. Dajat e mi donin ta merrnin tim vëlla në Greqi. Ishin emigrantë ilegalë prej tri vjet.
   Gjyshi kundërshtonte prerazi. Sipas tij një familje duhej të qëndronte e bashkuar, në të mirë e në të keq. Por, ne ndodheshim në situatën ekonomike më të keqe të mundshme. Fabrika ku punonin prindërit e mi ishte mbyllur një vit më parë dhe tashmë ata s’merrnin më asistencë. Një familje prej gjashtë personash kishte tashmë si burim të vetëm të ardhurash pensionin e gjyshit dhe të gjyshes. E si mund të mbijetonim? Për jetesë as që bëhej fjalë.
   Vëllai im ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç kur iku. U trishtova aq shumë! Ishte gjëja më e dhimbshme që më kishte ndodhur në jetë. Aso kohe mendoja se s’mund të më ndodhte më keq.
   Sa shumë e përjetova largimin e Marios! Më merrte malli për bisedat që bënim. Ato nisnin kur gjithë të tjerët flinin. Më në fund kuzhina, improvizohej si dhomë gjumi. Ishte e gjitha për ne. S’mund të thyenim rregullin duke ndezur dritën. S’mund të shihnim njëri-tjetrin në sy teksa flisnim. Por, në fund të fundit, ç’rëndësi kishte? Ne arrinim të shihnim shpirtin e njëri-tjetrit. Bisedat i bënim nën zë.
   Ato përshpëritje të përnatshme na jepnin mundësinë të shfrynim sadopak nga gjithë sa të tjerët na detyronin pa mëshirë të mbyllnim brenda nesh.
   Askush në familje s’kishte kërkuar ndonjëherë mendimin tonë për gjësend. Ndërsa ne, ne na mungonte plotësisht guximi që nevojitet në të tilla raste për të ndryshuar situatën mjerane në të cilën na kishin degëdisur që prej lindjes sonë.
   Kishin kaluar plot tri muaj nga ikja e tim vëllai. Përgjatë gjithë atyre ditëve dhe netëve, goja ime kishte qëndruar e kyçur. Të  vetmet funksione që luaja në shtëpi ishin pohimi dhe bindja. Nëse kisha nevojë që dikush në familje të më përqafonte, duhej të prisja të vinte Viti i Ri, ose ditëlindja ime.
   Gjyshi këshillonte shpesh gjyshen dhe mamanë që të mos na puthnin e përqafonin rast e pa rast mua dhe vëllain. Rrezikonim të llastoheshim dhe s’mund t’ia dilnim mbanë  jetës së vështirë që na priste kur të rriteshim. Dhe ato si përherë bindeshin, pa e vënë kurrë në diskutim fjalën e tij. Ndërsa ndjenjat dhe nevojat tona, gjithmonë kalonin në plan të dytë. 
   Me Aldën s’mund të hapesha për situatën mbytëse në të cilën ndodhesha. E njihja prej një jete të tërë dhe e dija qysh më parë këshillën që do të më jepte.
  Sipas saj, unë  duhej t’u shprehja familjarëve të mi gjithë sa mendoja dhe ndieja. Kështu, sa hap e mbyll sytë, çdo gjë do shkonte në vendin e vet. Sa të lehtë e kishte të më jepte këshilla! Ajo s’kishte qenë ndonjëherë në shtëpinë time. Gjyshi kurrë s’na kishte lejuar as mua, as vëllain të sillnim shokë, a shoqe në shtëpi. Madje, s’na kishte lejuar as të shkonim për vizitë në shtëpitë e tyre.
   Pak a shumë, kjo ishte jeta ime familjare. As kisha bërë e as do bëja ndonjëherë përpjekje për të ndryshuar gjësend. Kur s’ia kishte dalë gjyshja që ishte aq kryelartë, kur s’ia kishte dalë mamaja që ishte aq e zgjuar e punëtore, ç’mund të bëja unë? Në fund të fundit isha një vajzë e dobët. Përderisa këtë përcaktim e kishin bërë njerëzit që më njihnin më mirë, s’duhej  ta vija në dyshim. 
   Vetëm në kështjellën e ëndrrave të mia ata s’ia dolën të hynin kurrë. Ishte vendi i vetëm në botë, që pavarësisht të qenit ireal, më jepte një strehë të ngrohtë dhe qetësi shpirtërore reale. Vetëm aty isha vetvetja. S’më derigjonte njeri dhe askush s’e kishte autoritetin e nevojshëm për të më dhënë të drejtën e fjalës, apo për të ma hequr atë.
   Kur fikej drita unë s’flija, por nisja të ëndërroja për të ardhmen. E mendoja veten larg prej asaj shtëpie, ku isha ndjerë gjithmonë e huaj dhe e privuar prej vëmendjes së njerëzve të mi më të afërt. Ëndërroja të isha larg prej qytetit tim të vogël, në të cilin isha ndjerë përherë e zënë në grackë. Dhe më në fund, nëse do kisha sadopak fat, mund të isha pranë vetvetes.
   Ëndërroja sikur dikush vinte më merrte dhe më shpinte larg, shumë larg. Një Shpëtimtar. E ndieja që kjo ditë ishte gjithmonë e më pranë. Nëse e do diçka me gjithë forcën e mendjes dhe shpirtit tënd ajo realizohet, medoemos. Dhe unë e doja...
   I kisha mbushur tetëmbëdhjetë vjeçe. Ishte java e fundit e shkollës e mandej më mbeteshin vetëm Provimet. Ëndërroja që sapo të më merrte Shpëtimtari im, të krijonim një familje së bashku.
   Unë do t’u jepja fëmijëve të mi gjithçka për të cilën kisha pasur aq shumë nevojë në jetën time dhe kurrë s’e kisha marrë: vëmendje, mirëkuptim, përkrahje, mbështetje, përkushtim dhe dashuri, shumë-shumë dashuri.
   Kur mbërritëm përpara shtëpisë, Alda më përqafoi fort dhe më puthi në të dyja faqet, siç vepronte zakonisht. Sa herë më kishte qortuar mamaja për këtë! Sipas saj ishte e pahijshme që dikush të më puthte ashtu në mes të rrugës, qoftë edhe shoqja ime më e mirë. Unë qëndroja në heshtje, duke shmangur vështrimin në sy, ose i premtoja se nuk do përsëritej më, kurrë më.
   Kur gjendesha para së njëjtës situatë ditën tjetër, s’bëja asgjë për të shmangur përqafimin dhe puthjet e Aldës. Ishte e vetmja ëmbëlsi që mbartja fshehurazi me vete brenda asaj shtëpie. Pas largimit të tim vëllai, ishte njeriu i vetëm në botë që ia dilte të më jepte dashuri.
    Sapo hapa portën pas meje, u gjenda në kopshtin e mrekullueshëm të shtëpisë. Shumë nga mysafirët tanë e quanin Kopështi i Edenit. Ai ishte rrethuar me mure të larta, për t’u mbajtur larg syve kureshtar.
   Gjyshi  punonte çdo pëllëmbë tokë të kopshtit dhe hiqte barërat e këqija. Nuk ankohej asnjëherë dhe s’e përdorte kurrë fjalën lodhje. Dukej se ishte një punë që e bënte me shumë dëshirë dhe pasion.
   Gjyshja mbillte lulet dhe kujdesej me një përkushtim të admirueshëm për to. Ndërsa në pjesën e pasme të shtëpisë kultivonte gjithë perimet e stinës.
   Kurrë nuk e lejonte time më të merrej me kësi  punësh. Duart e saj duhej të qëndronin gjithmonë të pastra, pasi detyra e saj ishte gatimi dhe higjiena e shtëpisë.
   Im atë kishte sajuar disa stola të këndshëm dhe praktik nën drurët frutorë jogjetherënës. Drurët frutorë gjetherënës ndodheshin në pjesën pas shtëpisë.
   Ky kopësht kishte një efekt magjik mbi mua. Sa herë isha e trishtuar, apo e ngarkuar me ndjenja dhe mendime, të cilat s’mund t’ia shprehja askujt, gjeja qetësi dhe prehje në gjirin e tij. Lexoja ndonjë roman, e rehatuar në stol dhe ishte një mrekulli. Vetmija zhdukej sa hap e mbyll sytë dhe unë bëhesha banore e një tjetër bote. E një bote pa mure, pa kufij.
     Kopështi ishte vendi që më shtynte natyrshëm të meditoja mbi  jetën time. Ndërsa jeta ime më ngjasonte me një palë këpucë të bukura, por që më rrinin të ngushta. Ishte më mirë të ecja zbathur përgjatë rrugës së jetës dhe t’i flakja sa më larg këpucët, të cilat nuk ishin masa ime dhe në vend të këmbëve më shtërngonin shpirtin. Vetëm se nuk kisha guximin e nevojshëm.
   S’di  ç’do kishte ndodhur me brengat e mia nëse do jetoja në ndonjë apartament të ngushtë. Kopshti më kishte falur ngaherë  hapësirë,  për të cilën kisha aq shumë nevojë. Vetëm ai më jepte ndjesinë e lirisë që lakmoja dhe s’mund ta kisha.
   Veranda e shtëpisë ishte e gjerë. E mbushur nga vazo me lule krijonte një ambjent mjaft të këndshëm. Por, kishte një rregull edhe këtu. E si mund të bëhej pa rregulla në shtëpinë tonë? Në vazo s’mund të mbilleshin të njëjtat lule si në kopësht. Përndryshe ç’kuptim do të kishte?
   Në verandë, mes luleve ndodhej një tavolinë dhe disa stola të vegjël. Edhe këto i kishte sajuar im atë nga degët dhe pemët e prera. Bëhej fjalë për të njëjtën mënyrë në të cilën kishte realizuar edhe stolat që ndodheshin në kopësht.
   E pra, kjo ishte shtëpia ku banoja. E rrethuar me mure të larta, me një kopësht të mrekullueshëm me lule shumëngjyrëshe dhe drurë frutorë jogjetherësës para saj, me një kopësht me perime të stinës dhe drurë frutorë gjetherënës pas saj. Në verandë dhe në kopësht kishte stola për t’u shlodhur, ndërsa brenda saj jetonin njerëz të lodhur e të ndrydhur nga rregullat absurde dhe autoriteti i padiskutueshëm i kryefamiljarit, shtyllës së shtëpisë.
      Kurrë s’e kisha quajtur shtëpia ime. Kjo për faktin e thjeshtë, se aty s’kishte asgjë që të më përkiste vetëm mua. Mos gaboja edhe kur e quaja  shtëpia jonë?

Monday, November 19, 2018

KA DATA




Ka data që humbasin kuptimin,
Mizorisht godasin, pa mëshirë.
Ka lotë që kurrë s'shterin...
Lotë të krijuar në shpirt.
Ka plagë që s'gjejnë shërim,
Edhe pse pareshtur i fashon.
Ka zbrazëti që s'i mbush askush,
Me vete do t'i marrim kur të shkojmë.

Elda Gjini
2018

Thursday, November 15, 2018

NEGLIZHENCA



Shqetësohesh për vogëlushen tënde,
sepse lodrat ajo  aspak nuk i do...
Matanë vendos lodrat, këndej ajo.
Ti e gjen zgjidhjen shpejt e shpejt,
me ngut nisesh të tjera për t'i blerë.
Dhe ajo posa i përqafon, i largon,
ti sërish vogëlushen vetëm e gjen.
Mendon që ato lodra s'i do, që s'i do,
ti rend sërish të tjera  t'i blesh...
Vogëlushja modelin prindëror kopjon,
por ti problemin te vetja s'e sheh...
Dhunë psikologjike jo, fizike jo e jo,
por harron që neglizhenca jote,
si edhe dhuna godet po njësoj...

Elda Gjini
2018

Saturday, November 10, 2018

EGOIZËM


Një herë të vetme s'thua "Ne".
Pareshtur  thua vetëm "Unë".
"Unë" dhe "Ti" s'u bëm kurrë "Ne",
Prita e shpresova... sa shumë...

Elda Gjini
2018

Thursday, November 8, 2018

BABAI IM



Ekziston dikush që kurrë s'na ka zhgënjyer.
E shohim e na sheh përherë me admirim.
E duam e na do gjithmonë pa kushte...
Kush është për ty?!
Për mua Babai im. 💞

Elda Gjini
2018


Kapitulli VI



     Amardës as që i kujtohej sa kohë kishte pa qëndruar aq gjatë para pasqyrës. Madje nuk ishte e sigurt nëse kishte qëndruar ndonjëherë aq gjatë. Kishte nevojë ta shihte shëmbëlltyrën e vet drejt e në sy.
     Gjithë jetën ishte përpjekur të bëhej e fortë. E vështirë, tepër e vështirë për një vajzë që në thelb është e brishtë. Prindrit, Arbri, të afërmit, por edhe shoqëria e saj e ngushtë kishin bërë çmos   për t’i qëndruar pranë, për ta përkrahur, të gatshëm të shndërroheshin në koracën e saj mbrojtëse. Ajo ndjente një mirënjohje të thellë për të gjithë, pa përjashtim.
     Por, pesha e mirënjohjes ishte tepër e rëndë për supet e brishta të Amardës. Akoma edhe më e rëndë për shpirtin e saj të ndjeshëm. Sa e sa herë ishte përpjekur për t’i përballuar krejt e vetme vështirësitë, duke mos pranuar, madje edhe duke refuzuar ndihmën e të tjerëve. Nëse ishte diçka të cilën e kishte vërtet zët, kjo ishte brishtësia e saj. E kishte urryer me gjithë shpirt këtë karakteristikë të vetën. Ishte pikërisht brishtësia që e kishte shpënë deri në portat e jetës së përtejme.
     Sot ishte një ditë prove. Në këtë periudhë të vështirë, më të vështirën e krejt jetës së vet, kur lotët për babain e humbur ende nuk i qenë tharë dhe brenga për Arbrin e mbyllur në qeli i këpuste atë fill shpirti të mbetur, ajo do të vinte veten në provë. Ishte një sfidë e vërtetë, në të cilën ajo ishte më se e sigurt se do të dilte fitimtare.
     Nëse ishte nevoja të bënte të marrën, apo kapriçozen, do ta bënte. Nëse ishte nevoja të bënte koketën, ca e vështirë, por edhe këtë do ta bënte. Me çfardolloj mënyre duhej të parandalonte të keqen. Ajo s’duhej kurrsesi të binte mbi kokat e miqve të saj. E ndjente thellë në shpirt që t’ua shpërblente gjithë mirësitë dhe ndihmën që kishte marrë prej tyre ndër vite. Edhe Gerit. Sidomos atij. A nuk ishte ai që i qe gjendur pranë babait të saj në  çastet më të vështira? Sa për marrëdhënien e tyre të mëparshme, kjo për momentin s’kishte aspak rëndësi. Mirësia e Gerit e kishte çbalancuar peshoren e vendosur qyshkur mes tyre.
     Shqisa e saj e gjashtë, e cila ishte e pagabueshme i shërbente si një as nën mëngë. Kishte ardhur koha ta shfrytëzonte. Për vite me radhë e kishte urryer veten për këtë dhunti. Kishte bërë të pamundurën për t’u çliruar prej saj. Ishte koha për ta shfrytëzuar maksimalisht. Ajo duhej t’u demostronte të tjerëve, por mbi të gjitha vetes, se kishte mjaft forcë brenda saj. Pasi kjo të funksiononte më së miri dhe të celebrohej përkujtimorja e të atit, do t’i përkushtohej Arbrit me kohë të plotë. Nuk ishte e largët dita kur ata do ishin bashkë. Përgjithmonë bashkë.
     Sa kohë kishte pa e parë shëmbëlltyrën e saj të vinte buzën në gaz? As që e mbante mend kur kishte ndodhur për herë të fundit. Por, e dinte mirë kur do ishte hera e ardhshme. Pas dreke, kur gjithçka të kishte mbaruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Është me të vërtetë një ndjesi e këndëshme: Të shohësh shëmbëlltyrën tënde drejt e në sy dhe të ndihesh krenare, tepër krenare për atë që ke bërë. Pse jo edhe për atë që je?
     Veshi ngadalë fustanin e saj të zi me mëngë të shkurtra transparente, të gjatë deri në gju. Mlodhi flokët pas me një kapëse të madhe. Vendosi syzat e errëta. Doli nga dhoma për në korridor dhe u vendos para pasqyrës së portmontosë. Askush s’duhej të shihte sytë e saj. Absolutisht askush nuk duhej të dyshonte në planet që kishte thurur me aq kujdes. Përndryshe do të ndodhte ajo që s’duhej kurrësesi të ndodhte ... dhe këtë as që kishte guximin ta çonte nëpër mend.
     Ndjente zemrën t’i rrihte me forcë. Por, kjo nuk e trembte. Mori çantën e vogël në dorë dhe mbathi sandalet e zeza me takë ortopedike. Nën syzat e errëta sytë i kishin marrë ngjyrën blu të thellë. Kështu ndodhte në kësi rastesh. Ishte gati. Kishte bërë maksimumin e saj për t’iu përshtatur rastit.  Ktheu kokën dhe pa të ëmën vetëm pak hapa larg saj. Nuk e dinte sa kohë kishte aty, as që e kishte vënë re. Në fund të fundit kjo s’kishte ndonjë rëndësi të veçantë.
     Soni iu afrua dhe e përqafoi. E shtërngoi fort pas vetes. Sytë i kishte të përlotur që më parë. Edhe sytë e Amardës u përlotën. Sa mirë që kishte vendosur syzat e errëta! Nuk donte që të shfaqej e dobët, as para së ëmës. 
     -Do ia dalësh mbanë zemra ime! Duhet vetëm të mendosh me gjakftohtësi dhe të vësh në jetë gjithë sa ke planifikuar. Do ia dalësh Ami! Unë kam besim te ty.
     Amarda s’e kishte vënë në dijeni për asgjë të ëmën. Por, dhuntitë kishin bërë të vetën. Kjo nuk e pengonte aspak. Përkundrazi, i falte një siguri në vetvete.
     Boria e makinës së Klajdit i shkëputi ëmë e bijë nga ai përqafim, që askush nuk mund ta thoshte sa do të zgjaste po të mos kishte qenë kjo ndërhyrje.
     Klajdi dhe Amarda shkuan të parët në restorantin ku e kishin lënë të hanin drekë së bashku me çiftin e ri. Klajdi parkoi makinën shumë pranë portës hyrëse dhe iu afrua platformës së ambjentit rrethues. Prej aty fshati i tyre dukej aq afër dhe aq i vogël, sikur ta kishe në  pëllëmbë të dorës.
     Gjithmonë e kishte adhuruar pamjen prej aty, por këtë herë i krijonte vetëm  ankth. Ai e donte fshatin e tij të lindjes, qytetin e tij, por kthimi nga Tirana në Lushnjë... Ishte njësoj si të pranonte dështimin e plotë në jetën profesionale, por edhe në atë personale. I dukej sikur papritur ishte zvogëluar, si gjithçka tjetër që shihte atje tej.     
     -Sidoqoftë, mendoi duke shtërnguar fort me të dyja duart kangjellat rrethuese,- unë jam i gatshëm t’ia nis nga e para. Do të shkoj një ditë atje ku dua. Ndoshta shumë më shpejt nga sa e imagjinoj.
      Amarda shëtiti disa herë nga fillimi në fund të parkingut, si të qe gjeometre dhe t’i interesonte të regjistronte përmasat e tij. Askush s’i vuri re kur parkuan dhe zbritën nga makina. Për më tepër, ambjenti nuk survejohej nga kamera sigurie. Arsyeja ishte një e vetme. Ai ishte një vend i qetë dhe kurrë s’kishte pasur probleme. Amarda ishte informuar paraprakisht për këtë.
     Nga Klajdi u shkëput me justifikimin se donte të sodiste lulishten. Ishte me të vërtetë një lulishte e mrekullueshme. Amarda i adhuronte lulet, pemët, gjelbërimin. Dhe aty ishte aq bukur! Të dukej sikur kishe ardhur për vizitë në një kopësht botanik. Megjithëse kishte një kundërsens të vogël, ajo as u hodhi ndonjë sy luleve, apo pemëve, madje as shkarazi.  
     Klajdi u habit kur ajo i tha se qe vonuar duke bërë një telefonatë. I kishte zët telefonatat e gjata. Por, s’mund ta qortonte për asgjë. E ardhura këtu, sot, ishte një sakrificë e vërtetë për Amardën. Ajo kishte respektuar kujtimin e të atit hap pas hapi sipas traditës së vjetër qëmoti. Kjo drekë ishte një përjashtim i madh nga periudha e saj e zisë.
     Por, edhe për Klajdin nuk ishte më e lehtë. Do ulej në një tryezë me Gerin, njeriun të cilin prej vitesh dëshironte t’ia bënte turinjtë përshesh.
     -Mendoj se aty është vendi më i përshtatshëm për t’u ulur e për të ngrënë drekë si njerëz të qytetëruar që jemi, apo jo?- foli Amarda duke bërë shenjë nga një tryezë, e cila ndodhej në një kënd të platformës, pranë kangjellave rrethuese. Prej aty pamja ishte e mrekullueshme. Syri të çlodhej kur vështrimi merrte një shtrirje aq të gjerë. Vija e horizontit dukej e largët, saqë të krijohej përshtypja e mosekzistencës së saj. Nga aty mungonte plotësisht pamja e parkingut dhe portës hyrëse. Në mes qëndronte godina e restorantit. Kjo e bënte një vend edhe më të qetë. Amarda ishte duke parë nga Klajdi për të marrë miratimin e tij. Sipas saj s’kishte vend më të përshtatshëm.
     -Nuk mendon se duhet të zgjedhë çifti?
     -Absolutisht jo,- tha Amarda duke u ulur e duke i bërë me shenjë Klajdit që të ulej edhe ai,- çifti e ka bërë një zgjedhje duke na lënë pa fjalë, tani është radha jonë.
     -Ne u treguam njerëz kaq të vegjël e të pafuqishëm që s’mundëm ta pengojmë Ajlën të bënte gabimin më të madh e më të rëndë të gjithë jetës së vet.
     -Ajo që u bë nuk ç’bëhet më Klajdi. Unë të lutem vetëm për diçka!
     -Më thuaj!
     -Duhet të më japësh fjalën se nuk do kundërshtosh asgjë që unë bëj, apo them. Edhe sikur të të duket budallallëk me brirë. Në fund të fundit bëhet fjalë vetëm për sot. Më duhet mbështetja jote maksimale. Edhe nëse të dukem e çmendur, përsëri më mbështet! Unë e kam një arsye për çdo veprim, duhet vetëm të kesh besim tek unë. Në rregull?- i foli ajo duke e parë ngultas në sy. Sytë e Klajdit i dukeshin të menduar. Koha nuk premtonte për përhumbje në mendime të thella. I duhej patjetër miratimi dhe mbështetja e Klajdit për të vënë në jetë planin e saj, të cilin e kishte detajuar me kujdes maksimal.
     -Unë kam besim të plotë te ty Ami, problemi është se nuk kam besim te vetja ime.
     -A mund të ma përkthesh në një gjuhë më të thjeshtë këtë që the? Nuk është se kuptova ndonjë gjë.
     -Nuk di nëse do të mundem të rezistoj deri në fund të kësaj dreke. Më vjen t’ia përshesh turinjtë Gerit sa herë e shoh para syve. S’di në do mundem të sillem si njeri i qytetëruar deri në fund. S’di në do rezistoj...
     -Sigurisht që do mundesh të rezistosh. Ti je njeri i ligjit dhe jo njeri i rrugës.
     -Edhe njerëzit e ligjit kanë gjak në deje.
     -Më premto se s’do bësh asgjë me kokën tënde të nxehur dhe do më dëgjosh mua që e kam mendjen ca më të freskët. Nuk më mjafton pohimi yt, apo miratimi yt me kokë. Dua të më premtosh. Tani!
     -Dakort Ami. Të premtoj se për sot do jesh ti shefja.
     -Nuk do pendohesh, të jesh i sigurt për këtë. Le të supozojmë se sot jemi dy aktorë që do të ngjiten në një skenë të vogël dhe do të korrin një sukses të madh. Dhe... perdja është duke u hapur pikërisht tani.- tha Ami duke parë nga celulari. Ajla e njoftonte me një zile se ishin pranë restorantit.- Ne do t’i presim ata me shumë dashuri kur të zbresin nga makina. Madje do të bëjmë edhe disa foto të katërt, me fytyra shumë të lumtura, të cilat Ajla me shumë krenari do t’i postojë direkt në facebook. Ky është specialiteti i saj, apo jo?
     -Po kërkon ca si shumë shefe! Po tejkalohen limitet e mija.
     -Sa për limitet, ato i kaluam të gjitha kur pranuam të ishim pjesë e këtij teatri palaçosh. Por, tani që perdja u ngrit, s’ka më kthim pas.
     -Kur e do një njeri siç e duam ne Ajlën, je gati ta mbështesësh në gjithçka. Edhe kur është duke bërë një budallallëk me brirë. E ke përmendur ti e para këtë shprehje, apo jo?
     -Erdhën. Buzëqesh Klajdi! Ajla ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen tonë. Shfaqja filloi.
    Geri dhe Ajla mbetën pa fjalë nga pritja që po i bënin Klajdi dhe Amarda me fytyrat e tyre më të buzëqeshura se kurrë. Parkuan makinën. Sakaq një punonjës i restorantit u vendos menjëherë në dispozicion të tyre. Fotografoi disa herë radhazi dy fytyra të buzëqeshura dhe dy fytyra të hutuara. Edhe ai kishte marrë urdhra nga shefja e asaj dite. Pas një minute ishin ulur të katërt në tryezën që kishte zgjedhur Amarda. Ende pa kaluar hutimi i parë nga pritja dhe fotot e bëra, Amarda me ton të prerë i kërkoi Ajlës të postonte disa prej tyre në facebook.
     Ndërkohë që Ajla ishte përhumbur në përzgjedhjen e fotove më të mira, kamarieri ia behu për të marrë porosinë. Amarda ia la Klajdit në dorë porosinë. Ai nuk bëri ndonjë koment në lidhje me këtë. I kishte premtuar se do bënte si të thoshte ajo. Amarda shfrytëzoi mundësinë ta kishte Gerin të gjithin për vete. Koha në dispozicion të saj ishte me sekonda. Duhej ta shfrytëzonte maksimalisht.
     -Geri, nuk më ke falënderuar ende që jam këtu sot.
     -E bëri Ajla pak më parë. Jeni shoqe të ngushta dhe ajo e vlerëson shumë mbështetjen tënde.
     -Nuk kam ardhur për shoqen time të ngushtë Geri, po për ty. Shumë shpejt do të ta vërtetoj këtë.- kur i tha këto fjalë po e shihte drejt e në sy. Syzat i hoqi menjëherë dhe po i mbante në duar. Donte që edhe ai ta shihte në sy.  I qe afruar si kurrë më parë. Gerit nuk i besohej që kjo po ndodhte vërtetë. Amarda kishte planifikuar të bënte edhe koketën, mjaft të arrinte qëllimin e saj.
     Në atë moment Geri do t’i jepte  edhe shpirtin. Për vite me radhë ishte i gatshëm të jepte gjithçka për një vështrim të tillë. Ajo i kërkoi vetëm çelësat e makinës. Sipas asaj që i tha kishte një dëshirë të çmendur dhe urgjente për të bërë një xhiro të vogël. Gjithmonë e kishte pasur ëndërr të ngiste një makinë të tillë. Geri s’mundi t’i thoshte jo.
     Vetëm një minutë më pas Amarda ishte në parking. Kishte në dorë dy palë çelësa makine. Të makinës së Gerit dhe të Klajdit. Këto të fundit i kishte marrë pa leje nga xhepi i tij. Aty po e priste Olti, ashtu siç e kishin lënë një ditë më parë. Plani ishte thurur deri në detaje. Duhej vetëm ta zbatonin.
     Amarda u kthye në tryezë e buzëqeshur. Ishte larguar nga tryeza me justifikimin për të shkuar në tualet dhe i  kërkoi Ajlës të mos e shoqëronte. S’duhej ta linte të fejuarin e saj vetëm. Celularin e kishte harruar mbi tryezë. Klajdi nuk nguroi për t’i bërë një kontroll të vogël rutinë. Pak më parë Amarda s’kishte kryer asnjë telefonatë, megjithëse i kishte pohuar të kundërtën. Por, arriti të gjente edhe diçka tjetër të çuditshme. Disa thirrje drejt celularit të Oltit përgjatë natës së shkuar dhe mëngjesit të sotëm. Ç’dreqin po ndodhte? Ajo ishte duke thurur diçka. Po çfarë?
     Amarda i bëri shenjë Gerit dhe i kaloi çelësat nën tryezë. I pëshpëriti duke i thënë se tani ishin barazim. Geri s’dinte ku të mbante as sytë e as mendjen. Amarda e kishte trullosur keq. Pas vështrimeve të saj provokuese dhe pëshpëritjeve nën zë s’dinte ç’të mendonte.
     Arsyeja kryesore që ai kishte vendosur të martohej me Ajlën ishte t’i qëndronte pranë Amardës. Por, këtë lloj afrimiteti me të, për më tepër kaq shpejt nuk e kishte imagjinuar.
     Me gjithë vullnetin e mirë të Amardës dhe besimin në vetvete, ngarkesa e situatës ishte tepër e vështirë. Për më tepër Klajdi nuk po ia ndante sytë. Sjellja e saj me Gerin e bënte të ngrihej nga tryeza dhe të kërkonte vërdallë. Me siguri asaj duhej t’i kishte rënë ndonjë vidë.
     Amarda nisi të shfaqte shenjat e zakonshme të nervozizmit. Nuk do kishte asnjë telefonatë mes saj dhe Oltit. Ajo do ishte e qetë kur Olti të hidhte në facebook një foto të mbrëmjes së maturës, shoqëruar me fjalët: “Më të mirë sot, se dje.”
     Kur Amarda pyeti Ajlën sa like kishte marrë deri tani fotoja e tyre, ajo i tregoi foton që sapo kishte postuar Olti. Vetëm atëherë Amarda mori frymë thellë. Ishte gati të niste festimet. Sidoqoftë, syzat e errëta nuk i hoqi. Shfrytëzoi pretekstin se drita e diellit ishte shumë e fortë. Por, shumë më të forta ishin dyshimet që kishin lindur te Klajdi për sjelljen e çuditshme të Amardës. Ai s’po ia ndante sytë.
      Afrimiteti që ajo kishte treguar me Gerin s’mund të ishte i rastësishëm. Amarda e kishte një plan në mendjen e vet. Megjithëse e njihte prej një jete të tërë, s’mund ta dinte ç’bluante në atë kokën e vet enigmatike. Mos donte të ndante Gerin nga Ajla? Mos donte ta bënte këtë pikërisht tani?
     Duhej të ishte i marrë që mendonte gjëra të tilla. S’ishte në natyrën e Amardës të bënte poshtërsira. Ndoshta duhej ta merrte ca më seriozisht atë të parën rreth e rrotull. Kishte përshtypjen se dhe atij vetë i kishin rënë ca vida.
     Vullneti i mirë i të katërtëve bënte që dreka të mbahej në këmbë. Mes bisedave kishte copëza nga e shkuara. Askush nuk përmendi të ardhmen. Klajdi e pa më të udhës të hapte një bisedë të gjatë e të gjerë mbi gatimin në atë restorant dhe për ushqimin në përgjithësi. Ishte shumë më mirë se të kujtonin kohën e gjimnazit. Asnjëri prej tyre s’kishte qenë ndonjëherë shok i Gerit. Aso kohe Geri kishte shok vetëm veten.  Tema e bisedës duket se i çtensionoi disi të gjithë. Në fund të fundit në restorant shkohet për të ngrënë dhe jo për të shpalosur platformën e së ardhmes.
      Por, nuk mund të zgjaste për shumë kohë kjo qetësi e tyre. Në restorant ia behën një numër i madh policësh. Dy prej tyre mbanin prej zinxhiri nga një qen. Ishin nga ata lloj qensh që policia i stërvit për të gjetur drogën e fshehur. Po  flisnin me pronarin e restorantit. Ai kundërshtonte hyrjen e tyre në pronën e vet. Njëri nga policët i tregoi një dokument me firmë dhe vulë. Kishin leje të rregullt dhe nuk ishin duke thyer asnjë ligj.
     Posa u njoh me situatën e re, Geri mori një ngjyrë të zbehtë në fytyrë. Mori celularin për t’i telefonuar avokatit. Ishte njeriu që e nxirrte nga çfardolloj telashi. Sidomos nga ky lloj telashi i madh që po i kanosej. Avokati kishte ngado njerëz të besuar dhe të bindur, ndaj dhe me një telefonatë i jepte zgjidhje gjithçkaje.
     Amarda ia rrëmbeu me të shpejtë celularin nga dora. I shkeli syrin me ëmbëlsi dhe i tha se ajo kishte rregulluar gjithçka. Më pas, me një tonalitet që i lejonte ta dëgjonin të tre, foli me një ndjenjë protagonizmi si kurrë ndonjëherë:
     -Kushdo që të vijë e të na pyesë, ne kemi të njëjtin version. Erdhëm të katërt me makinën e Gerit në orën 13: 15. Çifti i ri bëri një shëtitje romantike në pyll, ndërkohë që unë e Klajdi erdhëm dhe zumë vend këtu. Në orën 13: 30 të katërt u bashkuam dhe bëmë një foto.
     -Po makina ime?-pyeti Klajdi tërësisht i hutuar.- Kontrolloi ngado në xhepa, mbi tryezë, po asgjëkundi nuk po i gjente çelësat e makinës. 
     Geri e pa Amardën me habi. Ajo nuk i ngjallte pikë besimi. U çua me vrik për t’i dalë ndesh policisëve që po vinin drejt tryezës së tyre. Me ç’të drejtë do ta trajtonin si të ishte një kriminel ordiner?
     Amarda sërish veproi shpejt. E shtyu Klajdin fort me bërryl dhe e pa Ajlën në sy në mënyrë urdhëruese.
     -Puthe!- herën e parë e shqiptoi këtë fjalë vetëm Amarda, më pas të dy me Klajdin në një zë,- Puthe! Puthe!
     Ajla e hutuar sa s’ka brofi në këmbë, iu afrua Gerit, i shkoi duart rreth qafës dhe e puthi në buzë. Menjëherë Klajdi dhe Amarda shpërthyen në duartrokitje. Amarda përfitoi nga rasti për të uruar Gerin. Ndërsa Klajdi për të uruar Ajlën. S’kishte ç’të bënte. Ishin urdhrat e shefes. Geri s’dinte ç’të mendonte. Mos vallë Amarda dhe Klajdi e kishin futur në kurth? Mos donin që në këtë mënyrë të hakmerreshin ndaj tij? Po të qe këshu i kishte nënvlerësuar. As që i kishte shkuar në mendje diçka e tillë.
     Pas fjalëve që Amarda i pëshpëriti në vesh, Geri u qetësua dhe nuk u drejtoi asnjë fjalë policëve që ishin ndalur mu para tyre. Ajla dhe Amarda shihnin nga qentë të tmerruara. Që të vogla kishin fobi ndaj qenve. Njëri prej policëve, pikërisht shefi i tyre u kërkoi të katërtve dokumentat identifikuese. Klajdi foli i pari.
     -Unë jam avokat dhe i njoh mirë ligjet. Ju keni të drejtë të na kërkoni dokument identifikimi, por jo të na tmerroni me ata qen. Ne s’jemi kriminel zotërinj. Siç e shihni jemi edhe të shoqëruar.
     Shefi i antidrogës u bëri me shenjë dy policëve që mbanin qentë të largoheshin, por njëri prej qenve s’i shqitej që s’i shqitej Amardës. Edhe tjetri  tentonte të rendte drejt saj. Ajo u bë meit në fytyrë. Geri e njihte mirë fobinë e Amardës. E dinte edhe  çfarë kishte prekur ajo që i bënte qentë të mos shkëputeshin dot prej saj. Ishte gati t’i mbyste me duar ata dy qen, por veproi me qetësi. Sytë e Amardës ishin duke i sugjeruar pikërisht këtë.
     Amarda ishte e para që nxori kartën e identitetit. Pas saj edhe të tjerët. Shefi u kërkoi djemve çelësat e makinave. Sipas tij bëhej fjalë për një kontroll rutinë. Amarda e pa drejt e në sy Klajdin. Ai duhej të heshtte. Geri u drejtoi çelësat. Ata po prisnin Klajdin. Ajla e mblodhi veten e para. Ajo e mbajti mend mirë porosinë e shoqes së vet.
     -Klajdi s’ka ardhur me makinë, ai s’ka pasur kurrë makinë.
     -Ju lutem, mos ndërhyni zonjë!- iu përgjigj shefi pa e kthyer fare vështrimin nga ajo.-Ju jeni parë me makinë, më jepni çelësat ju lutem!- i foli Klajdit me ton autoritar dhe urdhërues në të njëjtën kohë.
     -Makina që ka ngarë ai dje dhe sot është makina ime. Siç e shihni jemi shokë dhe nuk është ndonjë gjë e madhe t’ia lësh makinën xhiro një shoku. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një makinë që kushton aq pak.
     -Makina që jeni parë ju zotëri, Klajdi ... me targë, kërkohet nga policia, sepse me të është kryer një krim.
     -Ne kemi ardhur të katërt me një makinë. Urdhëroni e shihni fotot tona zotërinj!- foli Ajla duke u treguar fotot që kishte postuar në facebook pak më parë. Nëse kishte vendosur të martohej me Gerin, i duhej gjithashtu të përshtatej shpejt me situatat e reja, krejt të ndryshme nga ato që i përkisnin jetës së saj të mëparshme. S’kishte ndonjë zgjidhje tjetër.
     Makina e Gerit u kontrollua disa herë. Po ashtu edhe Klajdit dhe Gerit iu bë disa herë kontrolli fizik. Nga kontrolli nuk shpëtuan as Amarda me Ajlën. Dukej sheshit se policia kishte ardhur aty vetëm për ta. Për të mos rënë në sy, i ranë edhe një herë ambjenteve të restorantit rreth e qark, por dukej se ishte sa për sy e faqe.
     Klajdi ra në mendime të thella. Po të ishte për të nuk do ia kishte dalë mbanë kurrë t’i shpëtonte kësaj situate. Ishte Amarda ajo që foli në vend të tij. Ajo tha se mund të kontrollonin. Asnjë makinë nuk ishte regjistruar në emër të Klajdit dhe nuk kishte dëshmitar që të dëshmonin se e kishin parë me ndonjë makinë të tillë. Ai kishte përdorur vetëm makinën e mikut të tij, Gerit.
     Përse avokati ia kishte dhuruar atë makinë? A mund të arrinte ai deri këtu? Klajdi kishte zbuluar disa çështje delikate me të cilat merrej ai. Kjo ishte edhe arsyeja e vetme që ishte shkëputur prej tij. Ai nuk donte kurrsesi të përfshihej në kësi gjërash.
     Pastaj kishte ardhur dhurimi i makinës. Ajo nuk kishte ndonjë vlerë kush e di se çfarë në treg dhe Klajdi nuk kishte dyshuar aspak se pas saj mund të fshihej diçka. As targat nuk i kishte kontrolluar. Avokati i kishte thënë se makina ishte në emër të një miku të tij dhe brenda pak ditësh do realizonte akt-shitjen. Për momentin Klajdi mund të lëvizte lirisht me të. Nëse e ndalte ndonjë patrullë policie, mjaft të përmendte emrin e avokatit dhe ia hidhte.
     Po Amarda, si kishte mundur të parashikonte se ç’do të ndodhte? Klajdi dhe Geri asnjëherë s’kishin besuar te aftësitë e saj të veçanta, ndërsa Ajla po. Ajo ishte e sigurt se Amarda kishte shfrytëzuar dhuntitë e saj për të nxjerrë dy djemtë nga telashi ku qenë futur.