ESE KRAHASIM - KONTRASTI
POEMA “ILIADA” E HOMERIT DHE POEMA “ENEIDA” E VIRGJILIT
Janë të shumtë elementët e përbashkët të këtyre dy poemave, por të shumta janë edhe veçoritë e secilës prej tyre. Pavarsisht se janë shkruar në kohë dhe vende të ndryshme, çdonjëra ka po atë vlerë për kulturën e vendit që përfaqëson.
Historia e Antikitetit grek nis me një pushtim, në shk. XII pk. Për herë të parë gjithë fiset greke u lidhën në aleancë ushtarake për të nënshtruar dhe për të plaçkitur Trojën. Fitorja zgjoi tek grekët një vetëdije të re, e cila çoi në një identitet të përbashkët, të panjohur më parë prej tyre. Ky proces solli një krijimtari gojore mitologjike e poetike. Lindi kështu cikli mitologjik trojan dhe eposi mbi Luftën e Trojës. Duhej të kalonin rreth tre shekuj, që të vinte Homeri, aedi i cili i këndoi aristokracisë ushtarake dhe shpirtit heroik. Homeri sintetizoi më së miri ndjesinë e vet poetike me krijimtarinë mitologjike. “Iliada” dhe “Odisea” u bënë kështu, jo vetëm veprat e para në kulturën e antikitetit grek, por edhe në atë europian.
Në shk. I pk., atëherë kur Roma zgjerohej dhe shkëlqente nën sundimin e perandorit August, vetë ky i fundit ndjeu nevojën, madje domosdoshmërinë e ekzistencës së një poeme epiko- legjendare, që do të përmblidhte trimërinë romake, zanafillën përrallore të Romës e të familjes Julia të dalë prej trojanit Ene, i cili iku nga Troja në çastin kur grekët ishin duke i vënë zjarrin asaj. Kjo do të ishte poema “Eneida” e Virgjilit. Derisa të arrihej krijimi i saj, disa poetëve romak iu desh të provonin të shkruanin, por rezultonte se asnjë prej tyre nuk ishte në lartësinë e duhur.
Virgjili qe një ndër poetët e vetangazhuar për të shkruar poemën që do të tregonte prejardhjen dhe lavdinë e Romës. Madje ai provoi të ndiqte itinerarin e Eneas. Udhëtoi në Azinë e Vogël e Greqi, studioi histori, gjeografi, filozofi etj. Shpenzoi mbi pesëmbëdhjetë vjet me këtë angazhim letrar. Të gjitha këto, sipas tij, për të arritur në atë nivel që meritonte kjo poemë. Sidoqoftë, derisa mbylli sytë, ai nuk e vlerësoi veprën e vet. Madje la si porosi që ta digjnin.
Nëse pikënisja e krenarisë për të dyja poemat ishte Troja, koha e nevojshme për lindjen e veprave qe e ndryshme, eposit homerik iu deshën rreth tre shekuj, ndërsa “Eneidës” iu deshën së paku njëmbëdhjetë shekuj (nga përfundimi i Luftës së Trojës).
Mes tyre është edhe një tjetër ndryshim, Homeri dhe Virgjili ndoshta patën të njëjtin qëllim kur krijuan, por tek vepra e Virgjilit, një detaj që përmendëm më sipër ia vlen ta nënvizojmë. “Eneida” ishte një vepër, e cila u krijua me një kërkesë, si pasojë e dëshirës së Augustit. Sidoqoftë, kjo nuk ia zbeh aspak vlerat veprës.
Si për ironi të fatit këto dy vepra kanë edhe diçka tjetër të përbashkët, në lidhje me krijimin e tyre. Së pari do të shohim veprën “Iliada”, me të cilën u morën një grup studiuesish, të cilën pasi e mblodhën atë (disa motërzime të saj), e sistemuan në njëzetë e katër libra (ose këngë). Ndërsa Virgjili, i cili ishte i privilegjuar për shkak të epokës në të cilën jetoi, nuk e krijoi gojarisht atë, por e shkroi, sidoqoftë ai nuk mundi ta përfundonte atë (për shkak të vdekjes së tij). Augusti angazhoi në përfundimin e librit miqtë e poetit, Vario dhe Tucca.
Përsa i përket strukturës, Eneida përbëhet nga dymbëdhjetë libra. Ata mund të grupohen në dy pjesë. Në gjashtë librat e parë shohim një ngjashmëri me “Odisenë” e Homerit. Ashtu siç udhëton Odisea, nga Troja për në Itakë, udhëton Enea nga Troja për në brigjet e Lacios. Gjashtë këngët e tjera mund të krahasohen me “Iliadën”.
Pjesa e parë është e mbushur me aventura dhe peripeci.
Enea, prijës trojan, bir i hyjneshës Afërditë dhe Ankizit kthehet, largohet nga Troja, për të ndërtuar Trojën e re në brigjet e Laciumit. Ai është në kërkim të atdheut të tij, por përndiqet rrugës nga hyjnesha Junonë. Stuhitë dhe fati e përplasin Enean në Afrikë, në qytetin e Kartagjenës, ku ndodhej Didona. Të dy kanë një dashuri të zjarrtë për njëri- tjetrin. Vendosin të martohen në një shpellë. Nuk vonon të vijë Afrdita, e cila e detyron të birin të niset për të shkuar drejt fatit të vet. Didona e dëshpëruar i jep fund jetës. Enea arrin në Siçili, shkon nën tokë, për të siguruar fatin e vet. Njihet me madhështinë e ardhshme të Romës.
Gjashtë librat e tjerë të poemës, pra pjesa e dytë, ngjan me “lliadën”.
Enea prek brigjet e Tibrit, për t’u martuar me Lavinjën, vajzën e mbretit Latin dhe të marrë mbretërinë e premtuar. Por, nëna ia kishte premtuar të bijën Turnit, mbretit të rutulëve.
Dhe ja një tjetër e përbashkët me “lliadën”, lufta që ka si shkak, apo si pretekst të saj një femër, në këtë rast Lavinjën. Rivaliteti për të shërben si pikënisje për të shpërthyer një luftë, ku përfshihen të gjitha krahinat e Italisë. Me Enean është Evandri mbret, të cilit po ashtu i është parathënë një fat i lavdishëm.
Lufta, ashtu si edhe në poemën homerike, është e mbushur me humbje në të dyja kampet, e mbushur me episode heroike dhe skena tragjike. Lufta përfundon me duelin mes Eneas dhe Turnit. Natyrisht që Turni vritet nga shpata e trojanit. Pra edhe mbyllja e poemës është pothuajse ajo mënyrë mbylljeje që ka zgjedhur Homeri. Dueli mes Akilit dhe Hektorit dhe vdekja e tij, mandej vajtimi nga njerëzit e dashur.
Virgjili frymëzohet nga Homeri. Sidoqoftë, origjinal është tingëllimi i përgjithshëm i poemës, gjithashtu edhe konceptimi i secilit prej heronjve. Por, origjinaliteti absolut i Virgjilit qëndron në vegimin profetik të madhështisë së ardhshme të Romës. Kjo krijon një kontrast të madh me ëndrrën e madhe që kanë grekët për të shkatërruar Trojën. Ata qëndrojnë nën muret e saj plot dhjetë vjet për të përmbushur qëllimin e tyre.
Enea i Virgjilit, krahasuar me Enean e Homerit del pothuajse një tjetër Ene. Poeti latin e paraqet atë si zbatues të përpiktë të vullnetit të perëndive, pothuajse vegël e Fatit. Enea i Virgjilit është përcaktuar më shumë si një prift sesa një luftëtar. Edhe kur ai lufton, dylufton dhe paraqitet si një hero, çuditemi nga fakti se ai provon tmerr nga gjaku i derdhur. Ndryshe nga Akili, i cili shfaqet i ashpër dhe i tërbuar edhe kundrejt një kufome (sido që fjalët e një prindi ia prekin zemrën). Ndoshta, veç të tjerave në botkuptimin e poetëve ndikon edhe ideali i epokës në të cilën jetoi secili prej tyre.
Në vargjet e Virgjilit, ndjenja e fortë religjoze, varësia e fakteve njerëzore ndaj ndërhyrjes së zotave dhe koncepti shpirtëror i jetës, që shkrihet me elementin fantastik, janë elementet bazë.
Elementët bazë të rrëfimit në të dyja poemat janë: pararendja, perspektiva dhe rimarrja. Vokacioni në hyrje të “lliadës” nuk e gjejmë tek “Eneida”, por njohja me personazhet, mjedisin, ngjarjet në të dyja rastet bëhet qysh në vargjet hyrëse.
Më sipër pamë analogji përsa i përket strukturës së veprës, por edhe në këtë pikë mund të themi me bindje se Virgjili mbetet një poet origjinal. Ai bën që të lulëzojë poezia heroike, brenda një ndërgjegjeje të pjekur e të brumosur me përvojë historike e filozofi.
Dante Aligeri e quante mjeshtër, apo baba të kombit. Vepra e tij ka shërbyer si objekt frymëzimi për shumë autorë të mëvonshëm. Enea është imazhi i njeriut me babain plak mbi supe dhe djalin e vogël për dore që shkon drejt Fatit të vet për të ndërtuar një komb.
Homeri ka krijuar jo thjesht një vepër letrare, por një enciklopedi të jetës, të mënyrës së të jetuarit, menduarit, luftuarit, dashuruarit etj. Akili sjell imazhin e dikujt, të cilit nuk i hyn në punë përjetësia, por heroizmi, lavdia.
Të dyja veprat sjellin veç vlerave të jashtëzakonshme letrare edhe vlera të paçmueshme për letërsinë evropiane e botërore, por veçanërisht krenarinë e natyrshme që ato kanë lindur në kulturat letrare përkatëse.
Elda Gjini
Elda Gjini
No comments:
Post a Comment