Wednesday, November 28, 2018


KAPITULLI III – VENDIMI I DUHUR
   Më në fund Bledi erdhi. Vjollca na sugjeroi të qëndronim dhjetë minuta vetëm për vetëm, në mënyrë që të njiheshim dhe të vendosnim. Unë buzëqesha nën buzë. Të tjerë ishin ata që kishin vendosur për fatin tonë.
   U futëm në dhomën e prindërve të mi. U ulëm mbi shtratin e tyre. Edhe sikur të mos donim të uleshim aty, s’kishim zgjidhje tjetër. Kur u gjenda përballë Bledit, ndjeva të dridhesha e tëra.  Për herë të parë në jetën time isha vetëm për vetëm me një mashkull. Ne ishim aq pranë! Ç’bisedë mund të bënim? Ç’pyetje mund t’i bëja për të kuptuar nëse ishte i duhuri? A ekzistonin ndokund pyetjet e duhura? A kishte përgjigje të duhura për pyetjet që do më drejtonte?  Po fjalët më të përshtatshme për një rast të tillë?
   Gjithmonë kisha menduar se kur mes dy njerëzve është një shkes, s’ka dashuri. Por, zemra po më rrihte,  po më rrihte aq fort! Kisha frikë se mos më dilte nga kraharori. A nuk ishte kjo dashuria?! S’ia ndava vështrimin për asnjë çast. Nuk i dhashë rëndësi përskuqjes në fytyrë. Në fund të fundit edhe ai qe përskuqur i tëri. Më duhej të kuptoja nëse ishte ai Shpëtimtari im.
   Ndoshta s’ishte njeriu i përsosur, por jeta nuk ishte aq bujare me mua, duke më lënë mundësinë të kërkoja dhe të gjeja të përsosurin. Ç’duhej të bëja? A mund të ketë çmenduri më të madhe se kjo? Të vendosësh brenda dhjetë minutave me cilin njeri do jetosh deri në fund të jetës tënde. Vendimi më i rëndësishëm i gjithë jetës, në kohën më të shkurtër të mundshme.  
    Bledi dinte të sillej me një femër. Ishte i edukuar, i matur, serioz, kishte takt dhe dukej më i pjekur për moshën që kishte. Shembulli i gjallë para syve të mi ishte marrëdhënia mes prindërve të tij. Kjo shërbente si një garanci për të ardhmen time. Ishte krejt e kundërta e marrëdhënies mes prindërve të mi. Nuk doja më shumë se aq në jetë. Për mua ishte idealja.
   Fjalët e pakta që i thashë përgjatë atyre dhjetë minutave më janë mjegulluar në mendje. Por diçka më kujtohet shumë qartë, sikur kujtesa ime ta ketë regjistruar të plotë një herë e përgjithmonë, me zë dhe figurë. Kjo ndoshta edhe për shkak të  rrjedhës dramatike që mori jeta jonë pak vite më vonë.
   Nuk më interesonte aspak nëse Bedi do më paragjykonte. Madje nuk më interesonte aq shumë as nëse do merte një vendim negativ. Unë kisha nevojë të ikja një herë e përgjithmonë nga ajo shtëpi. S’mund të kthehesha mbrapsht. Ia thashë qartë se e vetmja gjë që unë nuk mund t’ia falja ishte tradhëtia, e cila do t’i kushtonte shumë shtrenjtë. Nëse kjo ndodhte, gjë që unë s’ia uroja kurrë vetes, ai nuk do më shihte kurrë më, me përjashtim të ditës së divorcit. Veç kësaj, ai duhej të më blinte një shtëpi në Tiranë, por që të ishte në emrin tim.
   Në Tiranë jetonte daja im. Për mua ishte i vetmi  njeri tek i cili mund të mbështetesha në ditë të vështira. I besoja plotësisht. Ai do bënte të pamundurën për të më ndihmuar. Në shtëpi mund të kthehesha vetëm e vdekur. Unë doja të largohesha një orë e më parë që aty, jo se kisha ngut për t’u pajisur me burrë, por ngaqë bashkëjetesa me familjarët e mi ishte shumë rëndë për t’u përballuar. Do ishte shumë më mirë të jetoje fill e vetme.
   Bledi buzëqeshi, duke u përpjekur të më siguronte që nuk do më tradhëtonte kurrë. Po kur pa se isha plotëisht e vendosur në ato që thosha, më tha se nëse diçka e tillë ndodhte, plotësimi i kërkesës time ishte një detyrim minimal për të. Por, kishte dhe ai një kusht për të më vendosur në një rast të tillë. Tradhëtia duhej provuar me fakte dhe jo t’u besoja fjalëve të kota që mund të më vërshëllenin në vesh.
   Për një çast fjalët e tij më erdhën në mendje në këtë mënyrë: Unë do të  të tradhëtoj sa herë të dua dhe me kë të dua. Mund të më shoh kushdo dhe të të thotë ty. Ti nuk ke të drejtë të më thuash, apo të më kërkosh asgjë, me përjashtim të rasteve që do më shohësh me sytë e tu.
    Nisur nga këto mendime duhej të isha stepur në vendimin tim, por as që më shkoi ndër mend diçka e tillë. Kisha nevojë të besoja se Bledi ishte duke më kërkuar që të mos ngutesha të shkatërroja familjen që do krijonim thjesht dhe vetëm për fjalë të kota që mund të dëgjoja.
   Mbylla sytë për pak sekonda dhe iu luta fatit tim. Unë s’mund ta njihja plotësisht njeriun që kisha përballë në dhjetë minutat që më kishin dhënë. Nuk do arrija ta njihja edhe sikur të qëndronim bashkë për dhjetë orë, të cilat s’do m’i kishin dhënë kurrë. Por ai përfaqësonte veç të tjerash, të vetmin rast që kisha për t’u larguar një orë e më parë nga shtëpia. S’kisha për ta çuar dëm.
   Kur hapa sytë ai ishte sërish aty. Vështrimet tona kryqëzoheshin ëmbël. Sikur të mos e kisha parë e të mos më kishte parë aq thellë në sy, nuk do isha dashuruar marrëzisht pas tij. Ne ngjanim fizikisht edhe në diçka tjetër përveç ngjyrës së zbehtë të lëkurës, në ngjyrën e syve. Kur u futëm në dhomë sytë e tij kishin ngjyrë kafe, ndërsa tani jeshilen e errët dhe po atë shkëlqim si sytë e mi në rastet e pakta të gëzimit dhe lumturisë.
   Bledi më mbështolli duart e ftohta me duart e veta dhe unë ndjeva ngrohtësinë e tij. M’u drejtua në emër. Për herë të parë emri im më bëri të ndihesha si një mbretëreshë e vërtetë, Teuta. Në shtëpi ndër vite më kishin përndjekur me një shkurtim të tmerrshëm të emrit tim, Tuta.
     pyeti nëse doja të martohesha me të. Nuk di të them sa reaksione kimike ndodhën në ato pak sekonda në trurin tim, në trupin tim, por di të them se çlirova endorfinë si kurrë më parë. Unë isha e lumtur. 
   Dhe sa pak më qe dashur për t’u ndjerë kështu! Një vështrim i ëmbël, disa fjalë të sinqerta, marrja e vëmendjes së plotë dhe një shtërngim duarsh. Kjo e kishte zgjuar zemrën time nga letargjia e stërzgjatur. Sa e zbrazët kishte qenë gjithë jeta ime! Përse vallë asnjë në familje s’më kishte dhënë dashuri, atë dashuri për të cilën kisha aq shumë nevojë?! 
   Ktheva një përgjigje mekanike, se nuk më takonte mua të merrja një vendim të tillë, por babait dhe gjyshit. Bledi më buzëqeshi me mirëdashje, duke më thënë se nuk do martohej me ndonjërin prej tyre, por me mua.
   Atëherë unë i harrova të gjithë dhe të gjitha. Isha vetëm unë dhe Bledi. Zemra ime rrihte si kurrë më parë. A doja të martohesha me të? Në atë shtëpi askush s’më ishte drejtuar me pyetje, qoftë edhe fare të parëndësishme. Ndërsa tani gjendesha përballë një dileme kaq të madhe. A isha e aftë t’i jepja përgjigjen e duhur një pyetjeje aq të rëndësishme?
   Për diçka isha më se e sigurt. S’ishte një lojë fëmijësh. Nga ajo përgjigje varej rrjedha e jetës sime. Ishte rasti i vetëm që më jepej për të vendosur vetë për fatin tim. Ç’të bëja? Ndoshta duhej thjesht të ndiqja zemrën.
    S’kisha  dashur kurrë diçka, apo dikë më shumë e më fort. A isha duke gabuar? A po bëja zgjedhjen e duhur? E kush mund ta thotë me siguri këtë kur është duke marrë vendimin më të rëndësishëm dhe më të vështirë të të gjithë jetës së vet? Këto mbeten dilema të përhershme të njerëzve.
   Nuk u mendova më asnjë grimë. I thashë se po vendosja zemrën time në duart e tij. Vetëm ai kishte tagrin për të më bërë fatkeqe, apo fatlume. Prita për disa sekonda përgjigjen e tij. Isha aq në ankth, saqë mbylla sytë sërish.
   Në vend të përgjigjes, mora një përqafim. Ishte diçka aq e papritur për mua, saqë në çastin e parë u tremba dhe për pak sekonda qëndrova e mpirë.
   Kur erdha në vete, lëshova kokën mbi supin e tij. Ndjeva atë që s’e kisha ndjerë kurrë në jetën time dhe që aq shumë ia kisha pasur nevojën. Ngrohtësi dhe mbrojtje. S’kërkoja asgjë më shumë. Njeriu që më kishte pëqafuar,  ishte njeriu me të cilin doja të jetoja deri në ditën e fundit të jetës sime. Doja të më pushtonte të tërën, trup e shpirt. Ishte njeriu me të cilin doja të ndërtoja një familje të ngritur mbi baza të forta: respekt dhe dashuri.

   Ishte ditë e martë kur u takuam për herë të parë me Bledin. Fejesa u vendos për të enjten. Duhej të blinim veshjet dhe gjithë sa ishte e nevojshme sipas traditës dhe për këtë kishim vetëm një ditë kohë, të mërkurrën.
    Gjyshi dhe babai na komunikuan se do ishin edhe ata të pranishëm gjatë blerjeve. Vendimi i tyre ra si bombë.  Ne ishim gjithsej pesë, sikur edhe familja e Bledit të vinte e plotë do bëheshim nëntë. Ai kishte ardhur nga Greqia së bashku me vëllain e tij të madh. Takimi ishte në dhjetë paradite, në qendër të qytetit. E ku mund të shkonim nëntë vetë? Do bëheshim qesharak në sytë e kujtdo.
   Por, Vjollca i dha menjëherë zgjidhje situatës. Dukej sikur ajo femër kishte lindur për të drejtuar. Arrinte  ta bënte aq mirë! Burrat do uleshin në një bar dhe do pinin kafen e tyre qetë-qetë. Gratë do dilnin të trija të blinin dorovat. Tri mendje janë më mirë se një, apo jo? Ndërsa ne, do dilnim më vete për të blerë veshjet dhe aksesorët e nevojshëm.
   Kudo ku shkonim për të blerë diçka, shitësit na uronin trashëgime. Si e kuptonin se ne do fejoheshim? Mos vallë nga ngazëllimi që më shfaqej në sy? Koha fluturoi. Unë nuk u lodha aspak në zgjedhje. Bledi kishte më shumë shije se unë, shumë më shumë. Dhe në fund të fundit unë tashmë i përkisja atij dhe e vetmja gjë që kishte me të vërtetë rëndësi ishte të dukesha bukur për të.
   Ankthi i mëparshëm ia kishte lënë vendin emocioneve. Pavarësisht se isha e kapluar prej tyre, për diçka isha e sigurt. Kisha marrë vendimin e duhur për jetën time.






No comments:

Post a Comment