Tuesday, November 27, 2018


KAPITULLI II – NË DORË TË SHKESIT
   Në verandën e shtëpisë më ranë menjëherë në sy tri palë këpucë. Një palë rrinin mënjanë, të veçuara. Kisha kujtesë të mirë fotografike. Isha e sigurt se ato këpucë të riparuara disa herë i përkisnin Kolit, një kushëririt të largët të gjyshit tim. Ai na kishte vizituar shpesh kohët e fundit. Arsyen askush s’ma kishte thënë dhe unë sigurisht që s’kisha pyetur. Në fund të fundit ajo shtëpi kishte zot.
   Xhaxhi Koli ishte një njeri i thjeshtë dhe i dashur, kishte pesë fëmijë dhe jetonin në varfëri. Rrobat që s’na bënin më mua dhe vëllait, mamaja së bashku me gjyshen i palosnin me kujdes, i vendosnin në çantën sportive të zezë dhe ia jepnin gjyshit, i cili ia shpinte menjëherë kushëririt të vet. 
   Të tjerat ishin një palë këpucë burrash dhe një palë këpucë grash. Gjyshi kurrë nuk lejonte askënd të hynte në shtëpi me këpucë. Pasi i vëzhgova me vëmendje, arrita në përfundimin se pronarët e tyre duhej të ishin të rinj dhe të pasur. Askush në shtëpinë tonë s’kishte këpucë aq të bukura e të reja. S’di përse rrahjet e zemrës po më shpeshtoheshin. Ç’po më ngjiste?
   Hyra brenda me hap të lehtë dhe pa fjalë. Gjyshi sapo më pa, u ngrit në këmbë dhe m’u afrua. Më ftoi të takoja mysafirët. Çudi! Ai kurrë s’ishte treguar aq i sjellshëm dhe i dashur me mua. U dhashë dorën mysafirëve, i përshëndeta, duke ndjerë se si po zverdhesha në fytyrë për shkak se ndodhesha në një situatë që s’më vinte shpesh. Pavarësisht se doja me shpirt që jeta ime të mbushej me gjëra të reja e të bukura, ndruhesha para tyre. Gjithmonë mendoja se duhej të këmbeja ca bindje, durim dhe përulje që i kisha me tepricë, me grimca guximi. Por, si gjithmonë, as që merrja mundimin të tentoja duke bërë ndonjë përpjekjë, qoftë dhe fare të vogël.  
   Xhaxhi Koli ishte ulur mes gjyshit dhe babait. Ndërsa ata, çifti misterioz, ishin ulur pranë e pranë njëri-tjetrit në divanin tonë të vjetër, i cili kthehej natën në shtrat për mua. 
   Kurrë s’i kisha parë prindrit e mi të uleshin aq pranë, gjyshrit jo e jo. Për moshën e tyre, mund të them me bindje pas vëzhgimit të hollësishëm që u bëra, se ishin të paktën dhjetë vite më të mëdhenj se prindërit e mi. Kujdesi i madh i treguar për pamjen e tyre të jashtme bënte që mosha pothuajse të mos kuptohej.
   Fustani ngjyrë vishnje i gruas dhe kostumi i zi i burrit ishin aq të bukur dhe kishin aq shumë shkëlqim, sikur sapo ua kishin hequr manikinave në vitrinë. Ngjanin aq bukur dhe aq të lumtur ulur ashtu pranë e pranë   njëri-tjetrit, saqë s’po ua ndaja sytë. Dhe kisha të drejtë. Por, ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte se edhe ata ishin duke vepruar në të njëjtën mënyrë. E ç’mund të kishte një vajzë si unë për të tërhequr vëmendjen e tyre?
   Fjalët e gjyshit më sollën në vete. Ai më kërkoi të gostisja miqtë dhe të bëja kafe për të gjithë. Për herë të parë mora lëvdata për kafetë që bëra. Dhe ishte identike me kafen që u bëja dy herë në ditë  gjyshërve të mi.
   Babai më bëri me shenjë që të dilja nga dhoma.  Vetëm atëherë më ra në sy mungesa e gjyshes dhe e mamasë. Sa e hutuar kisha qenë! Nga më kishte buruar gjithë ai hutim? Kot habitesha me veten. Me përjashtim të guximit që më mungonte, të tjerat i kisha me tepri.
   Duke soditur lulet shumëngjyrëshe në kopësht, nisa të mendoja për arsyen e vizitës së çiftit misterioz. Sa për Kolin, diçka dija. Ai kishte shërbyer si shkes për lidhjen e shumë çifteve. A mos vallë? E fshiva menjëherë këtë ide nga koka. S’mund të ishte e vërtetë. Po të qe kështu, brenda shtëpisë duhej të ishte dhëndri, pra Shpëtimtari im. Po mungesa e gjyshes dhe e sime mëje? Ato s’dilnin kurrë në kohën e drekës. Ky rast s’mund të bënte përjashtim.
   As vetë s’di   ç’më shtyu të nisesha menjëherë për në dhomën e gjyshërve. S’kisha gabuar. Gjyshja dhe ime më rrinin pranë e pranë të heshtura në këndin më të fshehtë të dhomës. Atë çast i thashë vetes me bindjen më të plotë se të ishe femër në atë shtëpi ishte mallkim.
   Rrotullova çelësin pas dere dhe iu afrova gjyshes dhe sime mëje me zemër të dridhur. I përqafova të dyja njëherësh. Ne dridheshim të trija në krahët e njëra-tjetrës. I ndjeva aq pranë, sa kurrë më parë. M’u dhimbsën të dyja, por vetvetja më shumë. Ndoshta po tregohesha egoiste, por atë çast as që më ra ndër mend. Unë duhej të zhdukesha sa më parë nga ajo shtëpi. Vetëm martesa do ishte shpëtimi im. Më pas më mbeteshin betejat e vogla të përditshmërisë, të cilat duhet t’i bëjë çdo femër që synon të jetë e pavarur dhe e lumtur.
   I pyeta për arsyen e vizitës së çiftit misterioz dhe posa dyshimi im u konfirmua, dola para pasqyrës me një vendosmëri që as vetë  s’di nga më erdhi. Pashë me kujdes shëmbëllimin tim. Isha e gjatë, elegante, ndoshta shumë elegante. Fytyrën s’e kisha të imtë, por as me atë ngjyrën e bukur trëndafili që kishte Alda. Flokët shumë të gjatë ngjyrë kafe të errët merrnin edhe më tepër volum nga kaçurrelat e vogla e të dendura. Kështu, ajo zbehtësi e lehtë që më kishte shoqëruar gjithë jetën sfumohej disi. Për herë të parë mendova se bëja gabim që i lidhja flokët bisht. Në çast i lëshova dhe nisa t’i kreh me delikatesë, të cilën s’ma merrte mendja se mund të gjendej tek unë.
   Sytë e mi kanë një karakteristikë të veçantë. Zakonisht duken ngjyrë kafe. Nëse kam arsye për t’u ndjerë mirë, ata marrin një shkëlqim të bukur dhe kthehen në jeshile të errët. Vetkuptohet që kjo ndodhte rrallë, shumë rrallë.
     Vetullat i kisha të trasha, shumë të trasha dhe sikur kjo të mos mjaftonte, s’kuptohej ku niste njëra e ku mbaronte tjetra. Alda kishte shprehur shpesh dëshirën për të më futur në dorë e t’mi hollonte, por mbi të gjitha të më bënte me dy vetulla.
   Unë e dija që mamaja s’do më jepte leje për ta bërë këtë, së paku jo derisa të fejohesha. Kjo ishte absurde, por si përherë unë s’gjeja guxim ta thoja me zë të lartë. Në fund të fundit për mua pamja e jashtme s’kishte qenë kurrë një shqetësim në vetvete.
   Qerpikët i kisha pis të zinj, të gjatë e të dendur. Ndërsa buzët të plota dhe të kuqe. Kurrë s’më ishte dukur vetja e bukur, sepse bukuria s’më kishte hyrë në punë për asgjë. Tani po. Bukuria mund të ishte shpëtimi im. Askush s’mund të më shihte thellë në shpirt qysh në takimin e parë, ndërsa hiret po.
   Nisa të masazhoja mollëzat e faqeve me gishta. Ato morën menjëherë ngjyrë të purpurt. Dola nga dhoma pa e kthyer kokën pas. Nëse gjyshja dhe ime më s’ishin kujdesur kurrë për mua, kjo do të thoshte vetëm diçka, që unë duhej të kujdesesha vetë për veten.
   Gjithë edukatë dhe takt, pyeta nëse ishte nevoja për gjësend. Gjyshi më buzëqeshi. Nuk di të them sa vite kishte që kjo s’ndodhte, po në fund të fundit ç’rëndësi kishte tani? Ishte vonë për të ndryshuar, tepër vonë.
   Gruaja më ftoi të ulesha pranë saj. Quhej Vjollca dhe ishte drejtoreshë e gjimnazit më të madh të qytetit tonë. Sa e çuditshme që as e kisha parë, madje as kisha dëgjuar ndonjëherë të flitej për të! Por, fundja s’duhej të më dukej kaq e çuditshme. Për mua mbetej enigmë gjithë sa ndodhte brenda mureve të shtëpisë sime, a mund të ndodhte ndryshe me atë ç’ka ndodhte në qytet?
   Bshkëshorti i saj quhej Ylli dhe ishte mjek pediatër. Këtë emër e kisha dëgjuar. Ishte  idhulli i Aldës. Ajo  më kishte treguar se ai i kishte shpëtuar jetën motrës së saj të vogël para shumë vitesh.
   Një mbrëmje  prindërit i kishin ngarkuar Aldës detyrën që të kujdesej për të.  Ajo  e la të luante me tullumbace ngado nëpër shtëpi dhe vetë ndiqte me vëmendje një film. Papritur, tullumbacja u shpua dhe u shfry. Alda s’e pa momentin kur e motra futi tullumbacen e shfryrë  në gojë dhe mandej i  mbeti në fyt. S’arrinte të merrte frymë dhe menjëherë u nxi në fytyrë.
   Alda s’humbi kohë. Menjëherë trokiti në derën e mjekut pediatër, Yllit, i cili sapo kishte ardhur të banonte në të njëjtin pallat. Brenda pak sekondash, mjeku ia behu në apartamentin e tyre. Ai mundi t’ia nxirrte tullumbacen nga fyti dhe u kujdes për të derisa gjithë parametrat jetësor u kthyen në normalitet. Nga ajo kohë shoqja ime më e mirë vendosi profesionin që do bënte në të ardhmen e vet. Mjeke pediatre.
     Alda kishte edhe një variant plot humor të kësaj historie. Kur e ritregonte teksa ecnim për në shtëpi, apo për në shkollë, rruga jehonte nga e qeshura e saj. Mjeku i kishte shpëtuar jetën të dyja vajzave dhe jo vetëm motrës së vogël. Nëse vogëlushes do t’i kishte ndodhur diçka e keqe për shkak të saj, Alda do kapërdinte një tullumbace të fryrë vetëm e vëtëm për të mos u dënuar me burgim të përjetshëm si dado neglizhente.
   Mamaja e saj ishte shumë e dashur, e kuptueshme dhe tolerante, por kur bëhej fjalë për sigurinë e familjes së saj, në veçanti të vajzave, bëhej një bishë e vërtetë. Në heshtje e kisha adhuruar gjithmonë. Sipas mendjes sime, s’mund të gjendej në botë një mama më e mirë. Sa shumë doja të bëhesha si ajo në të ardhmen!
   Vjollca s’nguroi të më fliste për qëllimin e vizitës së tyre dhe nxori foton e të birit. Ai ishte shumë më i bukur nga sa kisha ëndërruar gjithë këta muajt e fundit. Kishte njësoj si unë atë mungesë ngjyre trëndafili në fytyrë. Ndoshta edhe ai duhej të masazhonte mollëzat në të njëjtën mënyrë si dhe unë më parë. Po qeshja nën buzë me idenë time të çmendur. Plottetë vjet më i madh se unë dhe ishte emigrant në Greqi.
   Për një çast u mendova seriozisht. Unë doja vërtet të ikja larg, por jo kaq shumë. Megjithatë, nuk fola. Në fund të fundit askush s’po kërkonte mendimin tim. Sa për moshën, nuk besoja se kjo përbënte ndonjë problem. Madje, mund ta quaja avantazh. Sikur të ishte më i ri, me siguri s’do mendonte për një fejesë dhe martesë të shpejtë.
   Të nesërmen nuk shkova në shkollë. E shoqëruar nga ime më takuam Vjollcën. Ajo më drejtoi për në laboratorin e spitalit në të cilin do kryheja  analizat. Mamaja ime, e matur si përherë s’bëri ndonjë koment.
   Rrugës më kapi disa herë për dore dhe ma shtërngonte me dashurinë e pamatë të nënës. Ndoshta ajo kishte nisur të ndjente që tani mungesën time. Por, ishte shumë vonë. Sa e sa netë s’më kishte zënë gjumi nga mungesa e një gjesti të tillë! As ajo dhe askush tjetër nuk do më bënin më të vuaja, s’do ua lejoja.
   M’u duk vetja si kavie. Do përfundonin gjithë testet me mua dhe pastaj, nëse rezultonin të suksesshme, do vinte dhëndri. E zbova sakaq këtë ide të beftë e të çmendur nga koka. Në fund të fundit Vjollca s’po më bënte asgjë të keqe. Përkundrazi, po më bënte një nder duke testuar shëndetin tim. Paçka se u mundova me mish e me shpirt të shihja anën pozitive të çështjes, sërish s’munda ta shmangia atë që po më stërmundonte. Ndihesha një kavie.
   Kur më kërkoi ta thërrisja në emër, për mua ishte lehtësim i vërtetë. Ajo s’mund t’ia lejonte vetes ta thërrisja teta Vjollca. Jo pas gjithë atij kujdesi që tregonte për veten. E veshur me një fustan portokalli, i cili gjithashtu dukej i posahequr nga manikina, ngjante më e bukur dhe më e re se me fustanin vishnje një ditë më parë.
   Nga ana ime, s’kisha pikën e dëshirës që në të ardhmen ta thërrisja mama. Nëse ishte diçka për të cilën jeta ime s’kishte aspak nevojë e as vend ishin formalizmat. Sa mirë që ajo s’ishte drejtoreshë në gjimnazin ku studioja! Në të kundërt, do isha e detyruar ta shihja si drejtoreshë  gjithë jetën.
   Vizita te mjekia gjinekologe ishte ngjarja më e papritur dhe njëkohësisht më absurde. Le të mos flasim për atë çfarë përjetova. A kanë edhe kaviet të drejtën e përjetimeve?!
   Sa shumë fjalë do të më duheshin për ta përshkruar! Pashë se si u zverdh ime më. Por, s’kundërshtoi. Nëse e bënte, do t’i duhej të gjente një strehë tjetër nën të cilën të jetonte.
   Në familjen tonë gratë asnjëherë nuk shfaqnin mendimet e tyre, as kundërshtonin. Ato vetëm bindeshin. E kapërdiva me shumë vështirësi këtë situatë dhe në fund u mundova të buzëqeshja me sportivitet. U përpoqa seriozisht, por pa sukses. Thjesht s’munda. Atëherë u mundova të shihja vetëm anën pozitive, siç kisha bërë që në filim. Një vizitë te mjekia gjinekologe, do të thoshte se Bledi donte që shumë shpejt të bëheshim me fëmijë. A s’ishte kjo që dëshiroja dhe unë?
   Të nesërmen u morën të gjitha përgjigjet e analizave. S’kisha absolutisht asnjë problem, me përjashtim të hemoglobinës që kishte dalë më e ulët se norma. Në situatën ekonomike në të cilën ndodheshim, kjo ishte më se normale. Im vëlla kishte dërguar disa dhrahmi,  por gjyshi si gjithmonë kishte qenë i prerë në vendimin e tij. Ato do të vendoseshin mënjanë. Ne mund të vinim dorë mbi to vetëm në ditë të zeza. Ndërsa ne vegjetonim pareshtur në ditët gri, ato qëndronin mënjanë. Nëse do vijonim kështu, s’ishte nevoja të kryenim analizën e hemoglobinës, familjarisht po i nënshtroheshim testit të mbijetesës.
   Ato ditë isha e mbushur me ankth. Sipas Aldës ishte më se normale. Kishim nisur sezonin e provimeve. Ishte në lojë e ardhmja jonë.
   Alda e kishte vërtet në dorë të ardhmen e saj. Shoqja ime mjaftonte të merrte notat maksimale në provime, pikët maksimale në konkurim në Fakultetin e Mjeksisë dhe  në tetor do ishte studente në degën e shumëdëshiruar. Unë isha e sigurt se në fakultet do merrte notat maksimale dhe ashtu si në gjimnaz, kudo  do ishte e para. Pas diplomimit me siguri do fitonte të drejtën e specializimit në pediatri.
   Ëndrra e saj do merrte jetë. Kështu ishte ajo. Ëndërronte, ua bënte të ditur prindërve të vet, merrte miratimin dhe mbështetjen e nevojshme prej tyre dhe më pas përpiqej maksimalisht për t’ia dalë mbanë.
   Po unë? Si isha unë? Ëndërroja në errësirë, s’ia bëja askujt të ditur ëndrrat e mia, të cilat pasi nuk mëkoheshin e as përkundeshin vdisnin po në errësirë. Ndërsa unë... mbetesha aty. Ndihesha e vetmuar, e braktisur, e zbrazët.
   Vetëm një ëndërr mund të më realizohej. Të martohesha dhe të largohesha sa më parë nga shtëpia. Isha e bindur se kudo që të shkoja dhe kushdo të ishte im shoq, situata ime e ardhshme do ishte shumë më e mirë se e tanishmja.
   Alda kishte të drejtë. Ishte vërtet në lojë e ardhmja ime, por ajo ende nuk e dinte se unë s’kisha asgjë në dorë. Ajo ishte në dorën e shkesit, xhaxhi Kolit. 



No comments:

Post a Comment