Thursday, November 29, 2018



KAPITULLI IV – FORCË PËR TË SFIDUAR
   E enjtja nisi me një tmerr të vërtetë, Aldën. Kryefamiljari  dha leje për ta ftuar. Për këtë s’duhej të falënderoja gjyshin, por Vjollcën. Ajo kishte kërkuar që për drekë në shtëpinë e saj të ishte edhe shoqja ime më e mirë, njëkohësisht fqinja e saj.
   Unë s’i thashë asgjë shoqes sime më të mirë përpara takimit me Bledin. Ky ishte një urdhër i prerë i gjyshit, absolutisht askush s’duhej të dinte asgjë para se gjithçka të merrte formën e prerë.
    Alda u hakmorr ndaj meje në mënyrën e vet. M’i holloi vetullat pa mëshirë. Kurrë s’kisha provuar një dhimbje fizike të tillë. Ndjeja sytë teksa lëshonin shkëndija. Por, nuk u ankova. Alda kishte të drejtë të zemërohej me mua, madje edhe të hakmerrej.
   Kur tmerri përfundoi, hapa sytë. Nuk arrija të shihja asgjë. M’u deshën disa minuta para se të shihja qartë, por nuk e shijova shumë qartësimin e pamjes. Alda ia behu me një pambuk me alkool për të më dizifektuar pjesën e vetullës që ishte holluar. Çdo fije vetull kishte lënë pas një pikëz gjak. Sytë më lëshuan sërish shkëndija, këtë herë nga djegia e tmerrshme që më shkaktoi alkooli.
   Pas disa minutash dhimbja dhe diegia u davaritën, sikur të mos kishin qenë kurrë. Fshiva lotët  me një shami letre. Alda rrinte në këmbë, përballë meje me sy të përlotur. M’u afrua dhe më përqafoi fort-fort.
   Më pyeti për Bledin. Si ishte ai? Ngjasonte me gjyshin dhe tim atë? Mos ngjante me të atin, idhullin e saj? Fatmirësisht, bashkëshorti im i ardhshëm ishte krejt ndryshe nga babai dhe gjyshi. Ai dinte të më jepte vendin që më përkiste përkrah tij. E pra, ishte hera e parë në jetën time që unë isha e vetëdijshme për vendimin që kisha marrë. Ndoshta të tjerët e kishin marrë këtë vendim para se unë të pohoja, po ç’rëndësi mund të kishte kjo? E vetmja gjë që kishte vërtet rëndësi ishte mundësia që po më ofronte jeta për të qenë e lumtur, plotësisht e lumtur.
   Pasi Alda përfundoi me flokët dhe grimin, vesha fustanin që zgjodhi Bledi. Ishte i gjatë dhe në ngjyrë të artë. Dekolteja ishte pak e ekzagjeruar, ose së paku  kështu më ngjante mua që s’kisha veshur kurrë diçka tjetër veç xhinsave dhe bluzave sportive. Për sytë e Bledit, Aldës dhe Vjollcës ishte më se normale.  Sandalet ishin gjithashtu në ngjyrë të artë dhe shumë fine. Bizhuteritë e florinjta do të m’i vendosnin më vonë, siç e donte zakoni.
   Kur dola përpara pasqyrës rrëzëllija e tëra, por jo për meritë të veshjes. Isha e lumtur, plotësisht e lumtur. Alda kishte bërë një punë të jashtëzakonshme me flokët. Kaçurrelat s’i kishte lëvizur, thjesht i kishte mbledhur çrregullt, në mënyrë të tillë që ato të dukeshin në plotërinë e tyre. Grimi i lehtë plotësohej  me ngjyra të ngrohta.
   Ishte ndër të paktat herë që shqetësohesha për pamjen time të jashtme dhe kjo jo për vete, por për shokun e jetës sime. Ai duhej të më donte po aq sa e doja unë. Isha e gatshme të bëja gjithçka për t’ia dalë mbanë.
   Para se të dilja në sytë e familjarëve të  mi me pamjen e re, Alda më përqafoi fort. Më uroi fat dhe lumturi. E dija që do merrja një urim të tillë prej saj, siç e dija që s’ishin thjesht fjalë, por ndjenja të vërteta që i vinin prej zemrës.
   Në befasi më zunë lotët që i rigonin faqeve dhe lutja e saj për të mos e harruar kur të gjendeshim larg. Edhe unë e përqafova fort dhe ndjeva sytë të më përloteshin. E si mund ta harroja Aldën?
   Ajo s’kishte qenë vetëm shoqja ime më e mirë, por njeriu që më kishte falur dashuri, që kishte lexuar trishtimin e thellë në sytë e mi dhe e kishte dëgjuar në buzët e mia të mbyllura. Ishte njeriu që depërtonte edhe heshtjen time, që më motivonte, më jepte kurajo.
   Kisha shumë arsye për ta vlerësuar, dashur dhe për të mos e harruar kurrë shoqen time më të mirë. Kurrë s’ia kisha pohuar vetes me zë të lartë, por heshturazi ajo kishte qenë idhulli im. Unë doja shumë të kisha guximin, inisiativën dhe lirinë e saj. Por, mbi të gjitha unë doja të kisha ndër sy po atë shkëlqim që kishte ajo.
   Po Alda, përse kishte zgjedhur të kishte një shoqe si unë? Vetëm ajo mund t’i dinte arsyet e saj. Sa për mua, s’do kisha zgjedhur kurrë një si vetja për të pasur shoqe. Kurrë.
   Me pamjen e re që kisha marrë, s’doja thjesht t’u paraqitesha familjarëve të mi, por edhe t’i sfidoja ata. Në mënyrën time sigurisht. Nuk më kishin vlerësuar kurrë, s’më kishin dhënë as vëmendje dhe as dashuri. Gjithë kohën më kishin qëndruar larg dhe asnjëherë pranë kur kisha nevojë për ta. Tani isha unë që doja të qëndroja larg tyre. Dhe s’bëhej fjalë për hakmarrje, por për sigurinë personale. Nëse u qëndroja larg s’mund të më bënin të vuaja më, kurrë më.
   Askush prej të katërve s’bëri komente për pamjen time, megjithëse unë ndieja mbi trup gjthë ngulmin e vështrimeve. Zgjedhjet e Bledit ishin kryevepër, ndërsa Alda i kishte duart e arta. Tani unë isha tjetër njeri dhe më shumë se pamjes së jashtme ky ndryshim i referohej asaj të brendshme.
   Mamaja mbushi sytë me lotë dhe bëri një hap përpara. Por, e ndali hapin sapo pa gjyshin që po e qortonte me vështrim. S’di të them se ç’më kishte lodhur më shumë përgjatë viteve, ngurtësia dhe ftohtësia e gjyshit, apo dobësia e sime mëje. Babai as lëvizi dhe as tha ndonjë fjalë. Ai vetëm psherëtiu. Unë ndjeva zemrën të më dridhej. Përse dreqi e mori nuk më tha një fjalë? Mos edhe ai kishte frikë nga hija e gjyshit njësoj si ime më? Si është e mundur që edhe burrat të jenë po aq të dobët sa gratë?!
   Unë s’ia uroja vdekjen askujt, por isha kurioze të shihja sjelljen e prindërve të mi kur gjyshi të mos ishte më. A do të më thoshin ndonjë fjalë zemre? A do më përqafonin? A u kishte mbetur peng në zemër që s’më kishin përkëdhelur kurrë? A do pendoheshin që më kishin puthur vetëm dy herë në vit, për ditëlindje dhe për Vitin e Ri? Nuk mund ta  çonin numrin në tre, duke bërë përjashtim në ditën e fejesës sime? Jo e jo, sepse do llastohesha dhe do isha e dobët për jetën e vështirë që më priste. 
   Gjyshja ishte e vetmja që lëvizi, ajo doli prej kuzhinës. Kur erdhi solli diçka të mbështjellë me një shami letre. S’ishte asgjë me vlerë. Në fund të fundit askush në familje s’më kishte dhuruar kurrë diçka me vlerë. Ishte një thelpi hudhër. Mbante larg syrin e keq. Gjyshja më kërkoi ta vendosja në trup.
   Bëra siç më tha dhe pastaj e përqafova fort. Në atë mënyrën e saj, ajo ishte e vetmja prej të katërtve që më kishte thënë se ngjaja bukur, shumë bukur.
   Për herë të parë në jetën time isha e gatshme t’i hapja sfidë gjyshit. S’di nëse ai më kishte parë që kisha mbathur sandale. Dhe as që kisha ndër mend t’i hiqja. Ç’mund të më bënte? Unë tani s’kishe më frikë.
   S’pata kohë të merrja reagimin e tij. Alda na njoftoi se po vinin krushqit.  Nuk dola së bashku me të tjerët në verandën e shtëpisë për t’i pritur. Gjyshja ma kishte shpjeguar mirë këtë pjesë dhe më shumë se e kisha kuptuar, më kishte pëlqyer. Do t’i takoja krushqit vetëm pasi ata të zinin vend. Do kisha rastin të merrja  vëmendjen e të gjithëve. Vëmendje! Ishte koha të provoja një tjetër shije të re në shpirtin tim, një shije të paprovuar kurrë më parë.

No comments:

Post a Comment