Amardës as që i kujtohej sa kohë kishte pa
qëndruar aq gjatë para pasqyrës. Madje nuk ishte e sigurt nëse kishte qëndruar
ndonjëherë aq gjatë. Kishte nevojë ta shihte shëmbëlltyrën e vet drejt e në sy.
Gjithë jetën ishte përpjekur të bëhej e
fortë. E vështirë, tepër e vështirë për një vajzë që në thelb është e brishtë.
Prindrit, Arbri, të afërmit, por edhe shoqëria e saj e ngushtë kishin bërë
çmos për t’i qëndruar pranë, për ta
përkrahur, të gatshëm të shndërroheshin në koracën e saj mbrojtëse. Ajo ndjente
një mirënjohje të thellë për të gjithë, pa përjashtim.
Por, pesha e mirënjohjes ishte tepër e
rëndë për supet e brishta të Amardës. Akoma edhe më e rëndë për shpirtin e saj
të ndjeshëm. Sa e sa herë ishte përpjekur për t’i përballuar krejt e vetme vështirësitë,
duke mos pranuar, madje edhe duke refuzuar ndihmën e të tjerëve. Nëse ishte
diçka të cilën e kishte vërtet zët, kjo ishte brishtësia e saj. E kishte urryer
me gjithë shpirt këtë karakteristikë të vetën. Ishte pikërisht brishtësia që e
kishte shpënë deri në portat e jetës së përtejme.
Sot ishte një ditë prove. Në këtë periudhë
të vështirë, më të vështirën e krejt jetës së vet, kur lotët për babain e
humbur ende nuk i qenë tharë dhe brenga për Arbrin e mbyllur në qeli i këpuste
atë fill shpirti të mbetur, ajo do të vinte veten në provë. Ishte një sfidë e
vërtetë, në të cilën ajo ishte më se e sigurt se do të dilte fitimtare.
Nëse ishte nevoja të bënte të marrën, apo
kapriçozen, do ta bënte. Nëse ishte nevoja të bënte koketën, ca e vështirë, por
edhe këtë do ta bënte. Me çfardolloj mënyre duhej të parandalonte të keqen. Ajo
s’duhej kurrsesi të binte mbi kokat e miqve të saj. E ndjente thellë në shpirt
që t’ua shpërblente gjithë mirësitë dhe ndihmën që kishte marrë prej tyre ndër
vite. Edhe Gerit. Sidomos atij. A nuk ishte ai që i qe gjendur pranë babait të
saj në çastet më të vështira? Sa për
marrëdhënien e tyre të mëparshme, kjo për momentin s’kishte aspak rëndësi.
Mirësia e Gerit e kishte çbalancuar peshoren e vendosur qyshkur mes tyre.
Shqisa e saj e gjashtë, e cila ishte e
pagabueshme i shërbente si një as nën mëngë. Kishte ardhur koha ta
shfrytëzonte. Për vite me radhë e kishte urryer veten për këtë dhunti. Kishte
bërë të pamundurën për t’u çliruar prej saj. Ishte koha për ta shfrytëzuar
maksimalisht. Ajo duhej t’u demostronte të tjerëve, por mbi të gjitha vetes, se
kishte mjaft forcë brenda saj. Pasi kjo të funksiononte më së miri dhe të
celebrohej përkujtimorja e të atit, do t’i përkushtohej Arbrit me kohë të
plotë. Nuk ishte e largët dita kur ata do ishin bashkë. Përgjithmonë bashkë.
Sa kohë kishte pa e parë shëmbëlltyrën e
saj të vinte buzën në gaz? As që e mbante mend kur kishte ndodhur për herë të
fundit. Por, e dinte mirë kur do ishte hera e ardhshme. Pas dreke, kur gjithçka
të kishte mbaruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Është me të vërtetë një
ndjesi e këndëshme: Të shohësh shëmbëlltyrën tënde drejt e në sy dhe të ndihesh
krenare, tepër krenare për atë që ke bërë. Pse jo edhe për atë që je?
Veshi ngadalë fustanin e saj të zi me
mëngë të shkurtra transparente, të gjatë deri në gju. Mlodhi flokët pas me një
kapëse të madhe. Vendosi syzat e errëta. Doli nga dhoma për në korridor dhe u
vendos para pasqyrës së portmontosë. Askush s’duhej të shihte sytë e saj. Absolutisht
askush nuk duhej të dyshonte në planet që kishte thurur me aq kujdes.
Përndryshe do të ndodhte ajo që s’duhej kurrësesi të ndodhte ... dhe këtë as që
kishte guximin ta çonte nëpër mend.
Ndjente zemrën t’i rrihte me forcë. Por,
kjo nuk e trembte. Mori çantën e vogël në dorë dhe mbathi sandalet e zeza me
takë ortopedike. Nën syzat e errëta sytë i kishin marrë ngjyrën blu të thellë.
Kështu ndodhte në kësi rastesh. Ishte gati. Kishte bërë maksimumin e saj për
t’iu përshtatur rastit. Ktheu kokën dhe
pa të ëmën vetëm pak hapa larg saj. Nuk e dinte sa kohë kishte aty, as që e
kishte vënë re. Në fund të fundit kjo s’kishte ndonjë rëndësi të veçantë.
Soni iu afrua dhe e përqafoi. E shtërngoi
fort pas vetes. Sytë i kishte të përlotur që më parë. Edhe sytë e Amardës u
përlotën. Sa mirë që kishte vendosur syzat e errëta! Nuk donte që të shfaqej e
dobët, as para së ëmës.
-Do ia dalësh mbanë zemra ime! Duhet vetëm
të mendosh me gjakftohtësi dhe të vësh në jetë gjithë sa ke planifikuar. Do ia
dalësh Ami! Unë kam besim te ty.
Amarda s’e kishte vënë në dijeni për asgjë
të ëmën. Por, dhuntitë kishin bërë të vetën. Kjo nuk e pengonte aspak.
Përkundrazi, i falte një siguri në vetvete.
Boria e makinës së Klajdit i shkëputi ëmë
e bijë nga ai përqafim, që askush nuk mund ta thoshte sa do të zgjaste po të
mos kishte qenë kjo ndërhyrje.
Klajdi dhe Amarda shkuan të parët në
restorantin ku e kishin lënë të hanin drekë së bashku me çiftin e ri. Klajdi
parkoi makinën shumë pranë portës hyrëse dhe iu afrua platformës së ambjentit
rrethues. Prej aty fshati i tyre dukej aq afër dhe aq i vogël, sikur ta kishe
në pëllëmbë të dorës.
Gjithmonë e kishte adhuruar pamjen prej
aty, por këtë herë i krijonte vetëm
ankth. Ai e donte fshatin e tij të lindjes, qytetin e tij, por kthimi
nga Tirana në Lushnjë... Ishte njësoj si të pranonte dështimin e plotë në jetën
profesionale, por edhe në atë personale. I dukej sikur papritur ishte
zvogëluar, si gjithçka tjetër që shihte atje tej.
-Sidoqoftë, mendoi duke shtërnguar fort me
të dyja duart kangjellat rrethuese,- unë jam i gatshëm t’ia nis nga e para. Do
të shkoj një ditë atje ku dua. Ndoshta shumë më shpejt nga sa e imagjinoj.
Amarda shëtiti disa herë nga fillimi në
fund të parkingut, si të qe gjeometre dhe t’i interesonte të regjistronte
përmasat e tij. Askush s’i vuri re kur parkuan dhe zbritën nga makina. Për më
tepër, ambjenti nuk survejohej nga kamera sigurie. Arsyeja ishte një e vetme.
Ai ishte një vend i qetë dhe kurrë s’kishte pasur probleme. Amarda ishte
informuar paraprakisht për këtë.
Nga Klajdi u shkëput me justifikimin se
donte të sodiste lulishten. Ishte me të vërtetë një lulishte e mrekullueshme.
Amarda i adhuronte lulet, pemët, gjelbërimin. Dhe aty ishte aq bukur! Të dukej
sikur kishe ardhur për vizitë në një kopësht botanik. Megjithëse kishte një
kundërsens të vogël, ajo as u hodhi ndonjë sy luleve, apo pemëve, madje as
shkarazi.
Klajdi u habit kur ajo i tha se qe vonuar
duke bërë një telefonatë. I kishte zët telefonatat e gjata. Por, s’mund ta
qortonte për asgjë. E ardhura këtu, sot, ishte një sakrificë e vërtetë për
Amardën. Ajo kishte respektuar kujtimin e të atit hap pas hapi sipas traditës
së vjetër qëmoti. Kjo drekë ishte një përjashtim i madh nga periudha e saj e
zisë.
Por, edhe për Klajdin nuk ishte më e
lehtë. Do ulej në një tryezë me Gerin, njeriun të cilin prej vitesh dëshironte
t’ia bënte turinjtë përshesh.
-Mendoj se aty është vendi më i
përshtatshëm për t’u ulur e për të ngrënë drekë si njerëz të qytetëruar që
jemi, apo jo?- foli Amarda duke bërë shenjë nga një tryezë, e cila ndodhej në
një kënd të platformës, pranë kangjellave rrethuese. Prej aty pamja ishte e
mrekullueshme. Syri të çlodhej kur vështrimi merrte një shtrirje aq të gjerë.
Vija e horizontit dukej e largët, saqë të krijohej përshtypja e mosekzistencës
së saj. Nga aty mungonte plotësisht pamja e parkingut dhe portës hyrëse. Në mes
qëndronte godina e restorantit. Kjo e bënte një vend edhe më të qetë. Amarda
ishte duke parë nga Klajdi për të marrë miratimin e tij. Sipas saj s’kishte
vend më të përshtatshëm.
-Nuk mendon se duhet të zgjedhë çifti?
-Absolutisht jo,- tha Amarda duke u ulur e
duke i bërë me shenjë Klajdit që të ulej edhe ai,- çifti e ka bërë një zgjedhje
duke na lënë pa fjalë, tani është radha jonë.
-Ne u treguam njerëz kaq të vegjël e të
pafuqishëm që s’mundëm ta pengojmë Ajlën të bënte gabimin më të madh e më të
rëndë të gjithë jetës së vet.
-Ajo që u bë nuk ç’bëhet më Klajdi. Unë të
lutem vetëm për diçka!
-Më thuaj!
-Duhet të më japësh fjalën se nuk do
kundërshtosh asgjë që unë bëj, apo them. Edhe sikur të të duket budallallëk me
brirë. Në fund të fundit bëhet fjalë vetëm për sot. Më duhet mbështetja jote
maksimale. Edhe nëse të dukem e çmendur, përsëri më mbështet! Unë e kam një
arsye për çdo veprim, duhet vetëm të kesh besim tek unë. Në rregull?- i foli
ajo duke e parë ngultas në sy. Sytë e Klajdit i dukeshin të menduar. Koha nuk
premtonte për përhumbje në mendime të thella. I duhej patjetër miratimi dhe
mbështetja e Klajdit për të vënë në jetë planin e saj, të cilin e kishte
detajuar me kujdes maksimal.
-Unë kam besim të plotë te ty Ami,
problemi është se nuk kam besim te vetja ime.
-A mund të ma përkthesh në një gjuhë më të
thjeshtë këtë që the? Nuk është se kuptova ndonjë gjë.
-Nuk di nëse do të mundem të rezistoj deri
në fund të kësaj dreke. Më vjen t’ia përshesh turinjtë Gerit sa herë e shoh
para syve. S’di në do mundem të sillem si njeri i qytetëruar deri në fund. S’di
në do rezistoj...
-Sigurisht që do mundesh të rezistosh. Ti
je njeri i ligjit dhe jo njeri i rrugës.
-Edhe njerëzit e ligjit kanë gjak në deje.
-Më premto se s’do bësh asgjë me kokën
tënde të nxehur dhe do më dëgjosh mua që e kam mendjen ca më të freskët. Nuk më
mjafton pohimi yt, apo miratimi yt me kokë. Dua të më premtosh. Tani!
-Dakort Ami. Të premtoj se për sot do jesh
ti shefja.
-Nuk do pendohesh, të jesh i sigurt për
këtë. Le të supozojmë se sot jemi dy aktorë që do të ngjiten në një skenë të
vogël dhe do të korrin një sukses të madh. Dhe... perdja është duke u hapur
pikërisht tani.- tha Ami duke parë nga celulari. Ajla e njoftonte me një zile
se ishin pranë restorantit.- Ne do t’i presim ata me shumë dashuri kur të
zbresin nga makina. Madje do të bëjmë edhe disa foto të katërt, me fytyra shumë
të lumtura, të cilat Ajla me shumë krenari do t’i postojë direkt në facebook.
Ky është specialiteti i saj, apo jo?
-Po kërkon ca si shumë shefe! Po
tejkalohen limitet e mija.
-Sa për limitet, ato i kaluam të gjitha
kur pranuam të ishim pjesë e këtij teatri palaçosh. Por, tani që perdja u
ngrit, s’ka më kthim pas.
-Kur e do një njeri siç e duam ne Ajlën,
je gati ta mbështesësh në gjithçka. Edhe kur është duke bërë një budallallëk me
brirë. E ke përmendur ti e para këtë shprehje, apo jo?
-Erdhën. Buzëqesh Klajdi! Ajla ka nevojë
më shumë se kurrë për mbështetjen tonë. Shfaqja filloi.
Geri dhe Ajla mbetën pa fjalë nga pritja që
po i bënin Klajdi dhe Amarda me fytyrat e tyre më të buzëqeshura se kurrë.
Parkuan makinën. Sakaq një punonjës i restorantit u vendos menjëherë në
dispozicion të tyre. Fotografoi disa herë radhazi dy fytyra të buzëqeshura dhe
dy fytyra të hutuara. Edhe ai kishte marrë urdhra nga shefja e asaj dite. Pas
një minute ishin ulur të katërt në tryezën që kishte zgjedhur Amarda. Ende pa
kaluar hutimi i parë nga pritja dhe fotot e bëra, Amarda me ton të prerë i
kërkoi Ajlës të postonte disa prej tyre në facebook.
Ndërkohë që Ajla ishte përhumbur në përzgjedhjen
e fotove më të mira, kamarieri ia behu për të marrë porosinë. Amarda ia la
Klajdit në dorë porosinë. Ai nuk bëri ndonjë koment në lidhje me këtë. I
kishte premtuar se do bënte si të thoshte ajo. Amarda shfrytëzoi mundësinë ta
kishte Gerin të gjithin për vete. Koha në dispozicion të saj ishte me sekonda.
Duhej ta shfrytëzonte maksimalisht.
-Geri, nuk më ke falënderuar ende që jam
këtu sot.
-E bëri Ajla pak më parë. Jeni shoqe të
ngushta dhe ajo e vlerëson shumë mbështetjen tënde.
-Nuk kam ardhur për shoqen time të ngushtë
Geri, po për ty. Shumë shpejt do të ta vërtetoj këtë.- kur i tha këto fjalë po
e shihte drejt e në sy. Syzat i hoqi menjëherë dhe po i mbante në duar. Donte
që edhe ai ta shihte në sy. I qe afruar
si kurrë më parë. Gerit nuk i besohej që kjo po ndodhte vërtetë. Amarda kishte
planifikuar të bënte edhe koketën, mjaft të arrinte qëllimin e saj.
Në atë moment Geri do t’i jepte edhe shpirtin. Për vite me radhë ishte i
gatshëm të jepte gjithçka për një vështrim të tillë. Ajo i kërkoi vetëm çelësat
e makinës. Sipas asaj që i tha kishte një dëshirë të çmendur dhe urgjente për
të bërë një xhiro të vogël. Gjithmonë e kishte pasur ëndërr të ngiste një
makinë të tillë. Geri s’mundi t’i thoshte jo.
Vetëm një minutë më pas Amarda ishte në
parking. Kishte në dorë dy palë çelësa makine. Të makinës së Gerit dhe të
Klajdit. Këto të fundit i kishte marrë pa leje nga xhepi i tij. Aty po e priste
Olti, ashtu siç e kishin lënë një ditë më parë. Plani ishte thurur deri në detaje.
Duhej vetëm ta zbatonin.
Amarda u kthye në tryezë e buzëqeshur.
Ishte larguar nga tryeza me justifikimin për të shkuar në tualet dhe i kërkoi Ajlës të mos e shoqëronte. S’duhej ta
linte të fejuarin e saj vetëm. Celularin e kishte harruar mbi tryezë. Klajdi
nuk nguroi për t’i bërë një kontroll të vogël rutinë. Pak më parë Amarda
s’kishte kryer asnjë telefonatë, megjithëse i kishte pohuar të kundërtën. Por,
arriti të gjente edhe diçka tjetër të çuditshme. Disa thirrje drejt celularit
të Oltit përgjatë natës së shkuar dhe mëngjesit të sotëm. Ç’dreqin po ndodhte?
Ajo ishte duke thurur diçka. Po çfarë?
Amarda i bëri shenjë Gerit dhe i kaloi
çelësat nën tryezë. I pëshpëriti duke i thënë se tani ishin barazim. Geri
s’dinte ku të mbante as sytë e as mendjen. Amarda e kishte trullosur keq. Pas
vështrimeve të saj provokuese dhe pëshpëritjeve nën zë s’dinte ç’të mendonte.
Arsyeja kryesore që ai kishte vendosur të
martohej me Ajlën ishte t’i qëndronte pranë Amardës. Por, këtë lloj afrimiteti
me të, për më tepër kaq shpejt nuk e kishte imagjinuar.
Me gjithë vullnetin e mirë të Amardës dhe
besimin në vetvete, ngarkesa e situatës ishte tepër e vështirë. Për më tepër
Klajdi nuk po ia ndante sytë. Sjellja e saj me Gerin e bënte të ngrihej nga
tryeza dhe të kërkonte vërdallë. Me siguri asaj duhej t’i kishte rënë ndonjë
vidë.
Amarda nisi të shfaqte shenjat e zakonshme
të nervozizmit. Nuk do kishte asnjë telefonatë mes saj dhe Oltit. Ajo do ishte
e qetë kur Olti të hidhte në facebook një foto të mbrëmjes së maturës,
shoqëruar me fjalët: “Më të mirë sot, se dje.”
Kur Amarda pyeti Ajlën sa like kishte
marrë deri tani fotoja e tyre, ajo i tregoi foton që sapo kishte postuar Olti.
Vetëm atëherë Amarda mori frymë thellë. Ishte gati të niste festimet.
Sidoqoftë, syzat e errëta nuk i hoqi. Shfrytëzoi pretekstin se drita e diellit
ishte shumë e fortë. Por, shumë më të forta ishin dyshimet që kishin lindur te
Klajdi për sjelljen e çuditshme të Amardës. Ai s’po ia ndante sytë.
Afrimiteti që ajo kishte treguar me Gerin
s’mund të ishte i rastësishëm. Amarda e kishte një plan në mendjen e vet.
Megjithëse e njihte prej një jete të tërë, s’mund ta dinte ç’bluante në atë
kokën e vet enigmatike. Mos donte të ndante Gerin nga Ajla? Mos donte ta bënte
këtë pikërisht tani?
Duhej të ishte i marrë që mendonte gjëra
të tilla. S’ishte në natyrën e Amardës të bënte poshtërsira. Ndoshta duhej ta
merrte ca më seriozisht atë të parën rreth e rrotull. Kishte përshtypjen se dhe
atij vetë i kishin rënë ca vida.
Vullneti i mirë i të katërtëve bënte që dreka
të mbahej në këmbë. Mes bisedave kishte copëza nga e shkuara. Askush nuk
përmendi të ardhmen. Klajdi e pa më të udhës të hapte një bisedë të gjatë e të
gjerë mbi gatimin në atë restorant dhe për ushqimin në përgjithësi. Ishte shumë
më mirë se të kujtonin kohën e gjimnazit. Asnjëri prej tyre s’kishte qenë
ndonjëherë shok i Gerit. Aso kohe Geri kishte shok vetëm veten. Tema e bisedës duket se i çtensionoi disi të
gjithë. Në fund të fundit në restorant shkohet për të ngrënë dhe jo për të
shpalosur platformën e së ardhmes.
Por, nuk mund të zgjaste për shumë kohë
kjo qetësi e tyre. Në restorant ia behën një numër i madh policësh. Dy prej
tyre mbanin prej zinxhiri nga një qen. Ishin nga ata lloj qensh që policia
i stërvit për të gjetur drogën e fshehur. Po
flisnin me pronarin e restorantit. Ai kundërshtonte hyrjen e tyre në
pronën e vet. Njëri nga policët i tregoi një dokument me firmë dhe vulë. Kishin
leje të rregullt dhe nuk ishin duke thyer asnjë ligj.
Posa u njoh me situatën e re, Geri mori
një ngjyrë të zbehtë në fytyrë. Mori celularin për t’i telefonuar avokatit.
Ishte njeriu që e nxirrte nga çfardolloj telashi. Sidomos nga ky lloj telashi i
madh që po i kanosej. Avokati kishte ngado njerëz të besuar dhe të bindur, ndaj
dhe me një telefonatë i jepte zgjidhje gjithçkaje.
Amarda ia rrëmbeu me të shpejtë celularin
nga dora. I shkeli syrin me ëmbëlsi dhe i tha se ajo kishte rregulluar
gjithçka. Më pas, me një tonalitet që i lejonte ta dëgjonin të tre, foli me një
ndjenjë protagonizmi si kurrë ndonjëherë:
-Kushdo që të vijë e të na pyesë, ne kemi
të njëjtin version. Erdhëm të katërt me makinën e Gerit në orën 13: 15. Çifti i
ri bëri një shëtitje romantike në pyll, ndërkohë që unë e Klajdi erdhëm dhe
zumë vend këtu. Në orën 13: 30 të katërt u bashkuam dhe bëmë një foto.
-Po makina ime?-pyeti Klajdi tërësisht i
hutuar.- Kontrolloi ngado në xhepa, mbi tryezë, po asgjëkundi nuk po i gjente
çelësat e makinës.
Geri e pa Amardën me habi. Ajo nuk i
ngjallte pikë besimi. U çua me vrik për t’i dalë ndesh policisëve që po vinin
drejt tryezës së tyre. Me ç’të drejtë do ta trajtonin si të ishte një kriminel
ordiner?
Amarda sërish veproi shpejt. E shtyu
Klajdin fort me bërryl dhe e pa Ajlën në sy në mënyrë urdhëruese.
-Puthe!- herën e parë e shqiptoi këtë
fjalë vetëm Amarda, më pas të dy me Klajdin në një zë,- Puthe! Puthe!
Ajla e hutuar sa s’ka brofi në këmbë, iu
afrua Gerit, i shkoi duart rreth qafës dhe e puthi në buzë. Menjëherë Klajdi
dhe Amarda shpërthyen në duartrokitje. Amarda përfitoi nga rasti për të uruar
Gerin. Ndërsa Klajdi për të uruar Ajlën. S’kishte ç’të bënte. Ishin urdhrat e
shefes. Geri s’dinte ç’të mendonte. Mos vallë Amarda dhe Klajdi e kishin futur
në kurth? Mos donin që në këtë mënyrë të hakmerreshin ndaj tij? Po të qe këshu
i kishte nënvlerësuar. As që i kishte shkuar në mendje diçka e tillë.
Pas fjalëve që Amarda i pëshpëriti në
vesh, Geri u qetësua dhe nuk u drejtoi asnjë fjalë policëve që ishin ndalur mu
para tyre. Ajla dhe Amarda shihnin nga qentë të tmerruara. Që të vogla kishin
fobi ndaj qenve. Njëri prej policëve, pikërisht shefi i tyre u kërkoi të
katërtve dokumentat identifikuese. Klajdi foli i pari.
-Unë jam avokat dhe i njoh mirë ligjet. Ju
keni të drejtë të na kërkoni dokument identifikimi, por jo të na tmerroni me
ata qen. Ne s’jemi kriminel zotërinj. Siç e shihni jemi edhe të shoqëruar.
Shefi i antidrogës u bëri me shenjë dy
policëve që mbanin qentë të largoheshin, por njëri prej qenve s’i shqitej që
s’i shqitej Amardës. Edhe tjetri
tentonte të rendte drejt saj. Ajo u bë meit në fytyrë. Geri e njihte
mirë fobinë e Amardës. E dinte edhe
çfarë kishte prekur ajo që i bënte qentë të mos shkëputeshin dot prej
saj. Ishte gati t’i mbyste me duar ata dy qen, por veproi me qetësi. Sytë e
Amardës ishin duke i sugjeruar pikërisht këtë.
Amarda ishte e para që nxori kartën e
identitetit. Pas saj edhe të tjerët. Shefi u kërkoi djemve çelësat e makinave.
Sipas tij bëhej fjalë për një kontroll rutinë. Amarda e pa drejt e në sy
Klajdin. Ai duhej të heshtte. Geri u drejtoi çelësat. Ata po prisnin Klajdin.
Ajla e mblodhi veten e para. Ajo e mbajti mend mirë porosinë e shoqes së vet.
-Klajdi s’ka ardhur me makinë, ai s’ka
pasur kurrë makinë.
-Ju lutem, mos ndërhyni zonjë!- iu
përgjigj shefi pa e kthyer fare vështrimin nga ajo.-Ju jeni parë me makinë, më
jepni çelësat ju lutem!- i foli Klajdit me ton autoritar dhe urdhërues në të njëjtën kohë.
-Makina që ka ngarë ai dje dhe sot është
makina ime. Siç e shihni jemi shokë dhe nuk është ndonjë gjë e madhe t’ia lësh
makinën xhiro një shoku. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një makinë që kushton
aq pak.
-Makina që jeni parë ju zotëri, Klajdi ...
me targë, kërkohet nga policia, sepse me të është kryer një krim.
-Ne kemi ardhur të katërt me një makinë.
Urdhëroni e shihni fotot tona zotërinj!- foli Ajla duke u treguar fotot që
kishte postuar në facebook pak më parë. Nëse kishte vendosur të martohej me
Gerin, i duhej gjithashtu të përshtatej shpejt me situatat e reja, krejt të
ndryshme nga ato që i përkisnin jetës së saj të mëparshme. S’kishte ndonjë
zgjidhje tjetër.
Makina e Gerit u kontrollua disa herë. Po
ashtu edhe Klajdit dhe Gerit iu bë disa herë kontrolli fizik. Nga kontrolli nuk
shpëtuan as Amarda me Ajlën. Dukej sheshit se policia kishte ardhur aty vetëm
për ta. Për të mos rënë në sy, i ranë edhe një herë ambjenteve të restorantit
rreth e qark, por dukej se ishte sa për sy e faqe.
Klajdi ra në mendime të thella. Po të
ishte për të nuk do ia kishte dalë mbanë kurrë t’i shpëtonte kësaj situate.
Ishte Amarda ajo që foli në vend të tij. Ajo tha se mund të kontrollonin. Asnjë
makinë nuk ishte regjistruar në emër të Klajdit dhe nuk kishte dëshmitar që të
dëshmonin se e kishin parë me ndonjë makinë të tillë. Ai kishte përdorur vetëm
makinën e mikut të tij, Gerit.
Përse avokati ia kishte dhuruar atë
makinë? A mund të arrinte ai deri këtu? Klajdi kishte zbuluar disa çështje
delikate me të cilat merrej ai. Kjo ishte edhe arsyeja e vetme që ishte
shkëputur prej tij. Ai nuk donte kurrsesi të përfshihej në kësi gjërash.
Pastaj kishte ardhur dhurimi i makinës.
Ajo nuk kishte ndonjë vlerë kush e di se çfarë në treg dhe Klajdi nuk kishte
dyshuar aspak se pas saj mund të fshihej diçka. As targat nuk i kishte
kontrolluar. Avokati i kishte thënë se makina ishte në emër të një miku të tij
dhe brenda pak ditësh do realizonte akt-shitjen. Për momentin Klajdi mund të
lëvizte lirisht me të. Nëse e ndalte ndonjë patrullë policie, mjaft të përmendte
emrin e avokatit dhe ia hidhte.
Po Amarda, si kishte mundur të
parashikonte se ç’do të ndodhte? Klajdi dhe Geri asnjëherë s’kishin besuar te
aftësitë e saj të veçanta, ndërsa Ajla po. Ajo ishte e sigurt se Amarda kishte
shfrytëzuar dhuntitë e saj për të nxjerrë dy djemtë nga telashi ku qenë futur.

No comments:
Post a Comment