Sunday, November 25, 2018




KAPITULLI I – SHTËPIA JONË
    Kisha kaluar një ditë të zakonshme në shkollë dhe po kthehesha në shtëpi si zakonisht me Aldën, shoqen time më të mirë. Ajo rrëfente histori gazmore pa fund dhe i shoqëronte me atë të qeshurën e saj karakteristike, të ëmbël e të shkujdesur, që buçiste në rrugët e qytetit tonë të vogël. Kalimtarët e rastit kthenin kokat drejt nesh dhe vështronin me habi. Por, Alda s’u jepte kurrë rëndësi gjërave të tilla, për të ishin thjesht  çikërrima.
   Ajo ishte e shoqërueshme, e sinqertë, e çiltër, e hapur, e pavarur dhe e pandikuar nga dikush në vendimet që merrte. Plotësisht e vendosur në atë  ç’ka thoshte e ç’ka bënte. Jeta  e vet i përkiste asaj dhe askush s’kishte të drejtë t’i diktonte  sjelljen, apo zgjedhjet që duhej të bënte.  
   Unë isha krejt e kundërta e saj. Vetpërmbahesha në veprime dhe  në të shprehur. Kur më vinte për të qeshur me të madhe, mjaftohesha duke vënë buzën në gaz. Por, as vetë nuk arrija ta kuptoja përse atë ditë edhe buzëqeshja po më ngrinte. Kisha një parandjenjë të çuditshme, e cila po më zinte frymën. Nëse do ia thosha Aldës, ajo me siguri do qeshte me të madhe dhe do më jepte një të shkundur të mirë që të vija në vete.
    Sipas saj, isha fiks si gjyshja ime. Në këtë përfundim arrinte duke u nisur nga jeta që bëja. Këshilla e saj ishte të konsultohesha me fjalorin e gjuhës shqipe dhe më në fund të njihesha me kuptimin e fjalës adoleshente. Ishte një fjalë e ndryshme nga gjyshe.
   Të jetoje në familjen time ishte krejt e kundërta nga të jetuarit në familjen e Aldës. Atje kishte diskutime të gjata e të pafundme edhe për çështje fare të parëndësishme. Gjatë një bisede  çfarëdo, nuk arrije të kuptoje cilët ishin prindërit dhe cilët fëmijët. Alda dhe dy motrat e saj kishin fatin të flisnin dhe të dëgjoheshin.
   Krejt e kundërta ndodhte në familjen tonë. Aty kishte hierarki. Dhe çfarë hierarkie! Gjyshi ishte shtylla e shtëpisë. Ai merrte vendimet dhe thoshte fjalën e fundit pothuajse në gjithçka. Babai i ngjasonte shumë, por s’e kishte forcën e karakterit dhe autoritetin e padiskutueshëm të tij. Për të tjerat edhe ai ishte i prerë.
   Vetëm një herë babai guxoi ta kundërshtonte dhe të ngulte këmbë t’i shkonte e veta. Dajat e mi donin ta merrnin tim vëlla në Greqi. Ishin emigrantë ilegalë prej tri vjet.
   Gjyshi kundërshtonte prerazi. Sipas tij një familje duhej të qëndronte e bashkuar, në të mirë e në të keq. Por, ne ndodheshim në situatën ekonomike më të keqe të mundshme. Fabrika ku punonin prindërit e mi ishte mbyllur një vit më parë dhe tashmë ata s’merrnin më asistencë. Një familje prej gjashtë personash kishte tashmë si burim të vetëm të ardhurash pensionin e gjyshit dhe të gjyshes. E si mund të mbijetonim? Për jetesë as që bëhej fjalë.
   Vëllai im ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç kur iku. U trishtova aq shumë! Ishte gjëja më e dhimbshme që më kishte ndodhur në jetë. Aso kohe mendoja se s’mund të më ndodhte më keq.
   Sa shumë e përjetova largimin e Marios! Më merrte malli për bisedat që bënim. Ato nisnin kur gjithë të tjerët flinin. Më në fund kuzhina, improvizohej si dhomë gjumi. Ishte e gjitha për ne. S’mund të thyenim rregullin duke ndezur dritën. S’mund të shihnim njëri-tjetrin në sy teksa flisnim. Por, në fund të fundit, ç’rëndësi kishte? Ne arrinim të shihnim shpirtin e njëri-tjetrit. Bisedat i bënim nën zë.
   Ato përshpëritje të përnatshme na jepnin mundësinë të shfrynim sadopak nga gjithë sa të tjerët na detyronin pa mëshirë të mbyllnim brenda nesh.
   Askush në familje s’kishte kërkuar ndonjëherë mendimin tonë për gjësend. Ndërsa ne, ne na mungonte plotësisht guximi që nevojitet në të tilla raste për të ndryshuar situatën mjerane në të cilën na kishin degëdisur që prej lindjes sonë.
   Kishin kaluar plot tri muaj nga ikja e tim vëllai. Përgjatë gjithë atyre ditëve dhe netëve, goja ime kishte qëndruar e kyçur. Të  vetmet funksione që luaja në shtëpi ishin pohimi dhe bindja. Nëse kisha nevojë që dikush në familje të më përqafonte, duhej të prisja të vinte Viti i Ri, ose ditëlindja ime.
   Gjyshi këshillonte shpesh gjyshen dhe mamanë që të mos na puthnin e përqafonin rast e pa rast mua dhe vëllain. Rrezikonim të llastoheshim dhe s’mund t’ia dilnim mbanë  jetës së vështirë që na priste kur të rriteshim. Dhe ato si përherë bindeshin, pa e vënë kurrë në diskutim fjalën e tij. Ndërsa ndjenjat dhe nevojat tona, gjithmonë kalonin në plan të dytë. 
   Me Aldën s’mund të hapesha për situatën mbytëse në të cilën ndodhesha. E njihja prej një jete të tërë dhe e dija qysh më parë këshillën që do të më jepte.
  Sipas saj, unë  duhej t’u shprehja familjarëve të mi gjithë sa mendoja dhe ndieja. Kështu, sa hap e mbyll sytë, çdo gjë do shkonte në vendin e vet. Sa të lehtë e kishte të më jepte këshilla! Ajo s’kishte qenë ndonjëherë në shtëpinë time. Gjyshi kurrë s’na kishte lejuar as mua, as vëllain të sillnim shokë, a shoqe në shtëpi. Madje, s’na kishte lejuar as të shkonim për vizitë në shtëpitë e tyre.
   Pak a shumë, kjo ishte jeta ime familjare. As kisha bërë e as do bëja ndonjëherë përpjekje për të ndryshuar gjësend. Kur s’ia kishte dalë gjyshja që ishte aq kryelartë, kur s’ia kishte dalë mamaja që ishte aq e zgjuar e punëtore, ç’mund të bëja unë? Në fund të fundit isha një vajzë e dobët. Përderisa këtë përcaktim e kishin bërë njerëzit që më njihnin më mirë, s’duhej  ta vija në dyshim. 
   Vetëm në kështjellën e ëndrrave të mia ata s’ia dolën të hynin kurrë. Ishte vendi i vetëm në botë, që pavarësisht të qenit ireal, më jepte një strehë të ngrohtë dhe qetësi shpirtërore reale. Vetëm aty isha vetvetja. S’më derigjonte njeri dhe askush s’e kishte autoritetin e nevojshëm për të më dhënë të drejtën e fjalës, apo për të ma hequr atë.
   Kur fikej drita unë s’flija, por nisja të ëndërroja për të ardhmen. E mendoja veten larg prej asaj shtëpie, ku isha ndjerë gjithmonë e huaj dhe e privuar prej vëmendjes së njerëzve të mi më të afërt. Ëndërroja të isha larg prej qytetit tim të vogël, në të cilin isha ndjerë përherë e zënë në grackë. Dhe më në fund, nëse do kisha sadopak fat, mund të isha pranë vetvetes.
   Ëndërroja sikur dikush vinte më merrte dhe më shpinte larg, shumë larg. Një Shpëtimtar. E ndieja që kjo ditë ishte gjithmonë e më pranë. Nëse e do diçka me gjithë forcën e mendjes dhe shpirtit tënd ajo realizohet, medoemos. Dhe unë e doja...
   I kisha mbushur tetëmbëdhjetë vjeçe. Ishte java e fundit e shkollës e mandej më mbeteshin vetëm Provimet. Ëndërroja që sapo të më merrte Shpëtimtari im, të krijonim një familje së bashku.
   Unë do t’u jepja fëmijëve të mi gjithçka për të cilën kisha pasur aq shumë nevojë në jetën time dhe kurrë s’e kisha marrë: vëmendje, mirëkuptim, përkrahje, mbështetje, përkushtim dhe dashuri, shumë-shumë dashuri.
   Kur mbërritëm përpara shtëpisë, Alda më përqafoi fort dhe më puthi në të dyja faqet, siç vepronte zakonisht. Sa herë më kishte qortuar mamaja për këtë! Sipas saj ishte e pahijshme që dikush të më puthte ashtu në mes të rrugës, qoftë edhe shoqja ime më e mirë. Unë qëndroja në heshtje, duke shmangur vështrimin në sy, ose i premtoja se nuk do përsëritej më, kurrë më.
   Kur gjendesha para së njëjtës situatë ditën tjetër, s’bëja asgjë për të shmangur përqafimin dhe puthjet e Aldës. Ishte e vetmja ëmbëlsi që mbartja fshehurazi me vete brenda asaj shtëpie. Pas largimit të tim vëllai, ishte njeriu i vetëm në botë që ia dilte të më jepte dashuri.
    Sapo hapa portën pas meje, u gjenda në kopshtin e mrekullueshëm të shtëpisë. Shumë nga mysafirët tanë e quanin Kopështi i Edenit. Ai ishte rrethuar me mure të larta, për t’u mbajtur larg syve kureshtar.
   Gjyshi  punonte çdo pëllëmbë tokë të kopshtit dhe hiqte barërat e këqija. Nuk ankohej asnjëherë dhe s’e përdorte kurrë fjalën lodhje. Dukej se ishte një punë që e bënte me shumë dëshirë dhe pasion.
   Gjyshja mbillte lulet dhe kujdesej me një përkushtim të admirueshëm për to. Ndërsa në pjesën e pasme të shtëpisë kultivonte gjithë perimet e stinës.
   Kurrë nuk e lejonte time më të merrej me kësi  punësh. Duart e saj duhej të qëndronin gjithmonë të pastra, pasi detyra e saj ishte gatimi dhe higjiena e shtëpisë.
   Im atë kishte sajuar disa stola të këndshëm dhe praktik nën drurët frutorë jogjetherënës. Drurët frutorë gjetherënës ndodheshin në pjesën pas shtëpisë.
   Ky kopësht kishte një efekt magjik mbi mua. Sa herë isha e trishtuar, apo e ngarkuar me ndjenja dhe mendime, të cilat s’mund t’ia shprehja askujt, gjeja qetësi dhe prehje në gjirin e tij. Lexoja ndonjë roman, e rehatuar në stol dhe ishte një mrekulli. Vetmija zhdukej sa hap e mbyll sytë dhe unë bëhesha banore e një tjetër bote. E një bote pa mure, pa kufij.
     Kopështi ishte vendi që më shtynte natyrshëm të meditoja mbi  jetën time. Ndërsa jeta ime më ngjasonte me një palë këpucë të bukura, por që më rrinin të ngushta. Ishte më mirë të ecja zbathur përgjatë rrugës së jetës dhe t’i flakja sa më larg këpucët, të cilat nuk ishin masa ime dhe në vend të këmbëve më shtërngonin shpirtin. Vetëm se nuk kisha guximin e nevojshëm.
   S’di  ç’do kishte ndodhur me brengat e mia nëse do jetoja në ndonjë apartament të ngushtë. Kopshti më kishte falur ngaherë  hapësirë,  për të cilën kisha aq shumë nevojë. Vetëm ai më jepte ndjesinë e lirisë që lakmoja dhe s’mund ta kisha.
   Veranda e shtëpisë ishte e gjerë. E mbushur nga vazo me lule krijonte një ambjent mjaft të këndshëm. Por, kishte një rregull edhe këtu. E si mund të bëhej pa rregulla në shtëpinë tonë? Në vazo s’mund të mbilleshin të njëjtat lule si në kopësht. Përndryshe ç’kuptim do të kishte?
   Në verandë, mes luleve ndodhej një tavolinë dhe disa stola të vegjël. Edhe këto i kishte sajuar im atë nga degët dhe pemët e prera. Bëhej fjalë për të njëjtën mënyrë në të cilën kishte realizuar edhe stolat që ndodheshin në kopësht.
   E pra, kjo ishte shtëpia ku banoja. E rrethuar me mure të larta, me një kopësht të mrekullueshëm me lule shumëngjyrëshe dhe drurë frutorë jogjetherësës para saj, me një kopësht me perime të stinës dhe drurë frutorë gjetherënës pas saj. Në verandë dhe në kopësht kishte stola për t’u shlodhur, ndërsa brenda saj jetonin njerëz të lodhur e të ndrydhur nga rregullat absurde dhe autoriteti i padiskutueshëm i kryefamiljarit, shtyllës së shtëpisë.
      Kurrë s’e kisha quajtur shtëpia ime. Kjo për faktin e thjeshtë, se aty s’kishte asgjë që të më përkiste vetëm mua. Mos gaboja edhe kur e quaja  shtëpia jonë?

No comments:

Post a Comment