Thursday, May 31, 2018


PRESIONET


Duke jetuar në urgjencën e kohës,
do të bësh shumë gjëra në vetëm një kohë.
Por ti je një, një dhe vetëm një…
S’mund të ndahesh copash, s’ia del dot!
Presion i brendshëm, presion i jashtëm,
gjithmonë… gjithmonë… po në një kohë.
Plot ambicie, dëshirë për t’u shfaqur,
ke vendosur, do ia dalësh… Do ia dalësh dot?!
Ti përpiqesh… stërmundohesh… rropatesh…
ke vendosur, do ia dalësh….Do ia dalësh dot?!
Supozojmë se çdo ditë triumfon...
Haraçin e së gjithës do paguash dot?!

Cikli “T’i rezistosh stresit”
Elda Gjini
2018



HESHT!



Hesht…
Kur  je i tejngopur,
me mërzi e zemërim.
Hesht…
Megjithëse të zbrazesh,
shpesh duket më mirë.
Hesht…
Kur je gati të shpërthesh,
të godasësh pamëshirë.
Hesht…
Duke u sforcuar për buzëqeshje,
teksa kryqëzon krahët e mpirë.
Hesht…
Plotësisht i vetëdijshëm,
që s’është inferioritet, as dorëzim.
Hesht…
Hesht për t’u qetësuar
dhe menduar më mirë.
Hesht…

Cikli “T’i rezistosh stresit”
Elda Gjini
2018





QAJ!


Duron kokëdhimbjen,
sërish, sërish, sërish…
Tashmë ti je burrë,
nuk bën të qash si fëmijë!
Shtërngon  diafragmën,
tkurr mushkëritë,
sforcon muskujt në fytyrë…
S’e lejon veten të qash,
s’e flak dot mërzinë!
Mund të shkosh në qoshe,
s’të sheh asnjeri!
Është e vërtetë, jo mit,
pas lotëve sytë shohin më mirë.


Cikli “T’i rezistosh stresit”
Elda Gjini

2018

Wednesday, May 30, 2018

BUZEQESHJA JOTE ME TRISHTON


Buzëqeshja jote më trishton.
Eh, sa shumë trishtim!
Vetëm se s'kam guxim të ta them,
duke të të parë drejt e në sy.

Buzëqeshja jote më trishton.
Më kujton rrobat, fëmijërinë,
disa masa më të mëdha...
Sa mirë i mbajmë mend të gjithë!

Buzëqeshja jote më trishton.
Eh, sa shumë trishtim!
Proteza përtueshëm lëkundet...
hesht...s'flas... S'gjej guxim!

Buzëqeshja jote më trishton.
S'ka aspak lidhje me ty.
Të eklipson krejt.
Mbushem pafund trishtim...

Elda Gjini
2018

Tuesday, May 29, 2018

A LEXON?


   -A lexon shumë ti?
   -Varet nga çfarë quan ti shumë.
   -Më thuaj sa lexon dhe të bëj përcaktimin!
    -Lexoj çdo mbrëmje para gjumit, megjithëse dita është gjithmonë lodhëse, sfilitëse. Lexoj derisa përgjumem dhe libri më shket prej duarve të mpira.
   Shkëputja e tij më zgjon... I rikthehem leximit, me më shumë dëshirë se më parë. Përqëndrohem në atë që lexoj, madje përhumbem e tëra, derisa gjumi më rrëmben sërish në mënyrë tinëzare.
   Gjithë ëndje mbledh forcat e fundit që dita s'ka mundur të m'i shter dhe lexoj sërish... Gjendem në një tjetër dimension.  Frymoj brenda librit, derisa gjumi më sfidon, duke më bërë rob të tij.
   Çdo mbrëmje humbas betejën me gjumin, por kurrë s'kam për të humbur ndonjë betejë me librin.
    -Sipas numrit të faqeve nuk lexon shumë, përkundrazi...
    -Kurrë s'jam mburrur me sasinë. Ajo që bëj është të shijoj cilësinë. Përzgjedh materiale të mira.
    -Aha! 100% pambuk?
    -Lëri shakatë! Po ti, a lexon?

Elda Gjini
2018

Sunday, May 27, 2018

ÇAST'I FUNDIT ME NËNËN


Nënë! Sa kohë e jetuar në frikë,
mes ankthit që do të të humbas!
Çdo telefonatë pa përgjigje,
teh thike që më  kthehej pas.

Kohë kur jetova çdo çast, çdo çast...
me tmerrin që s'do kish një tjetër pas.
Bisedat deri natën vonë, shumë vonë,
mes dilemës: Dita agon, a s'agon?!

Përqafimet? Për to ç'mund të them?!
Ndihesha krejt fëmijë, fëmija yt...
Dhe për t'u strukur s'gjeja vend,
vendi më i mirë përqafimi yt.

Dhe Zoti për të më dhënë ca lehtësim,
më thirri në të fundit...  të fundit çast.
Grahmat e fundit në kraharorin tim...
Më fluturove mes krahësh sakaq.

Nuk klitha, s'të trazova, s'tu luta,
s'tu luta, s'mund të ktheheshe pas...
Pas kraharorit tim të pushtova,
të pushtova në  të fundit çast.

Elda Gjini
2018

Thursday, May 24, 2018

MBI SUPIN TËND



Së pari mbështeta kokën mbi supin tënd,
fluturuan sakaq gjithë brengat, shqetësimet.
Kuptova që s'do isha më kurrë vetëm, kurrë
prej atëherë u bëre e shtrenjta streha ime.


Dhe rishtas mbështetem mbi supin tënd,
në limanin e qetë pas një deti të trazuar.
Si me magji zhduken brengat, shqetësimet,
e tëra zhytem në paqëtinë e patrazuar.


Elda Gjini
2018

Monday, May 21, 2018

FLIRT


Përsëri po flirton?!
Jo... S'ka mundësi!
Shpresoj të mos jetë e fundit!
Mos u bëftë kurrë dashuri!
I buzëqesh për ta joshur...
Shikim sy ndër sy...
Sërish s'dua ta besoj...
S'mund ta kesh seriozisht!
Po ty s'të mjafton flirti,
buzëqeshjet, shikimet ndër sy...
Provokon tërheqjen e parezistueshme...
S'mund ta kesh seriozisht!
Plotësisht e bindur për ç'ka them:
Kjo s'është dashuri!
Është një britmë e dëshpëruar:
Ju lutem pak vëmendje!
Ca grimca dashuri!
Por has në shurdhëri akute,
në akuten verbëri...
S'e prisje! Po tani?!
Ia nis flirtimit sërish,
me më shumë pasion...
Vërtet mendon se flirtimi yt me vdekjen,
shurdhërinë dhe verbërinë akute shëron?!

Elda Gjini
2018

Saturday, May 19, 2018

FJALAMAN


Ta përshtata këtë emër,
pa ndonjë mundim.
Vampiri Fjalaman!
Sa i parrezikshëm ngjan tani!
Askujt frikë s'i ngjall!
Por ti mbetesh Vampir,
megjithëse Fjalaman...
thith, gllabëron energjinë.
S'do t'ia dish për askënd,
ndjenja askush s'të ngjall.
Të pyes për arsyen. Përse vallë?!
S'je i gatshëm të dialogosh,
të tjerët rëndësi s'kanë.
Mundohem të të zbus,
këtë radhë me sinjal joverbal.
Por është e kotë, po monologon...
S'ka mundësi! Përsëri?!
Kjo është ajo që ti di...
Flet e flet pambarim.
Ti oratori, protagonisti po ti...
Kush s'të njeh nga afër,
ndoshta ende s'e di,
se ligjëratat e Fjalamanit,
të gllabërojnë energjinë...

Elda Gjini
Cikli ''JETË MES VAMPIRËSH''
2018
DUART HOLLAKE

Duart e tua të gjata,
gishtat hollakë,
menjëherë më ranë  në sy.
Duar pjanisteje, mendova.
S'gjeta tjetër shpjegim.
Sapo profesorët na pyesnin,
nëse kishim lexuar:
letërsi, filozofi, psikologji...
dorën gjithmonë gati,
veç ti e dashur Marisë!
Më përshkënditi një ide.
Ide e krisur, natyrisht:
Mos të janë holluar gishtat,
mes faqeve të librave ty?!
Dhe pas kaq shumë vitesh,
mes përmalljes për ty,
sërish do hamendësoj,
për duart e tua hollake, sigurisht:
I janë holluar nga të shkruarit.
Kjo është me siguri!

Elda Gjini
2018

Friday, May 18, 2018

AKTORI DRAMATIK



Ke vërtet talent,
por jo si aktor dramatik.
Funksionon si lupë,
zmadhon ç'të zënë sytë.
Një problem fare të vogël,
çështje për jetë a vdekje e kthen ti.
Të habit! S'gjen më hiperbolik!
Të parëndësishmen e bën shqetësim,
shqetësimin e bën dramë,
dramën tragjedi. Ky je ti!
Ke vërtet talent,
por jo si aktor dramatik.
Kritikat i sheh si sulm personal,
të përshkëndisin, të flakërojnë sytë.
S'të lejoj t'më krijosh ankth,
ia dal të ruaj qetësinë.
Marr frymë thellë. Ndaloj...
Tregohem e sjellshme. Me ty?!
Ke vërtet talent,
por jo si aktor dramatik.
Çdramatizohesh me një batutë...
Ja pra...  t'u kthjelluan sytë!

Elda Gjini
Cikli ''JETE MES VAMPIRESH''
2018
KONTROLLUESI


Dua të jap mendimin tim...
Heeej! Kam dhe unë një mendim!
Por, ti e ke një mendim ngaherë,
s'ke pse dëgjon zërin tim!
Osesionuar për gjithçka nën kontroll,
pothuajse s'ma vë re praninë.
Sipas teje mund edhe të mos flas,
nevojat e mia i njeh më mirë.
Osesionuar për gjithçka nën kontroll,
pothuajse s'ma vë re praninë.
Zgjidhja?!
Sapo ndjenjat m'i anullon,
të shkëpus çdo lidhje me ty...
Por, zemra s'më bën të largohem,
duhet ta mendoj më mirë...
Do qëndroj... pa u kthyer në viktimë.
Pak më shumë besim në vetvete,
do fitoj terren çdo ditë...


Elda Gjini
Cikli ''JETË MES VAMPIRËSH''
2018
VIKTIMA


Sapo të njoha provova keqardhje!
Keqardhje gjithë kohës në vazhdim.
Keqardhje! Keqardhje pambarim...
Tipike për Vampirin Viktimë!
Qysh prej lindjes e ndjen botën kundër!
Prej gjithë botës pret mirëkuptim...
Kërkon me ngulm vëmendje totale,
apatia jote më rrëmben lumturinë!
Lumturinë time e anulloj sërish,
(Lumturia ime është mësuar të presë!),
më duhet të zgjidh një problem tëndin,
si gjithmonë këmbëngul: Është urgjent!
Epo... mjaft më e dashur!
Jam marrë teprueshëm me ty!
Më lodhën problemet inekzistente!
Mbi të gjitha, më lodhe ti!
Sapo mora një vendim të prerë:
Asnjë sekondë më për ty!
Mirëmbetsh me problemet inekzistente!
Për ty s'kam më kohë,
as kohë, as energji...
Veç një këshillë të fundit e dashur:
Provo të jetosh, mjaft më Viktimë!

Elda Gjini
Cikli ''JETE MES VAMPIRESH''
2018

Thursday, May 17, 2018

NARCIZIST


Ti i pari, madje i vetmi.
Ekziston vetëm ti.
Gjithçka vërtitet rreth teje,
as sistemi ynë s'është heliocentrik.
Je i rrezikshëm. Përse?!
Sepse nuk ndjen empati.
S'jep dashuri falas, pafund kushte,
aktori kryesor je veç ti.
Kërkon vëmendje maksimale.
Foltore, skenë, fron... vetëm ti.
Të tjerët janë thjesht figurant,
o spektator me sytë në ty.
Tmerrësisht hakmarrës, ndëshkues,
ndihesh i pathyeshëm, gjithësesi.
Por, kjo botë s'mban të fshehta!
Sekretin tënd unë e di.
Të injoroj, krijoj distancë,
asnjëherë varur nga ty.
Po të të përplas në fytyrë të qeshurën,
i gjallë pastaj varrosesh ti...

Elda Gjini
Cikli ''JETE MES VAMPIRESH''
2018
VAMPIRI EMOTIV


E di ç'është Vampiri Emotiv?
Është rasti yt, është rasti im.
Ti më merr gjithçka kam,
pa më dhënë gjë në këmbim.
Megjithëse s'ka errësirë, as natë,
ka një predator dhe një viktimë.
Madje është ditë, ditë dhe dritë,
ti mbetesh sërish rrezik...
S'ka kasaphanë, as gjak
por të kam frikë, je emotiv!
Ti gjithë botën e sheh ndryshe,
pa jetë, pa forcë, pa dinamikë...
Këto së bashku me kurajon,
i thith prej meje si me magji.
S'më vjen në ndihmë as burrëria,
ti përbën pafund rrezik.
S'më shqyen, as më kafshon,
më thith... më shter gjithë energjinë.
Provoj pastaj të të shmang...
Një jetë e qetë është veç pa ty!
Ti pandalur më sulmon,
më sulmon me prani...
As kundërpërgjigjem, as të largoj,
por, as të mbrohem nga ty s'di.
Troket në derë, telefonon,
më kërkon, ngulmon...
S'mar dot frymë!
E di ç'është Vampiri Emotiv?
Është rasti yt, është rasti im.
Ti më merr gjithçka kam,
pa më dhënë gjë në këmbim.
Unë e di ç'janë, njoh çdo detaj,
ndaj tmerr përjetoj pambarim.
Dua me shpirt të të mbaj larg,
por s'kam më forcë, u shter, u thith...
Ndoshta një ditë do shpëtoj,
pëshpëris nën zë sërish.
Plandosem dërrmuar krejt
pa një fill shpresë mbi shtratin tim.
Duhet të flë, të flë patjetër,
është një mënyrë për karikim.
Duhet durim, ca fat... Po tjetër?!
Do mbijetoj! Por s'di se si!
E në u çlirofsha vërtet një ditë,
s'do kem meritë, as guxim.
Do ndodh vetëm nëse më hedh tej,
kur të zësh preh plot energji.

Elda Gjini
Cikli ''JETE MES VAMPIRESH''
2018

Wednesday, May 16, 2018

ENDRRAT E MIA

Ëndrrat e mia,
prej kohësh s'fluturojnë.
Ëndrrat e mia,
ka kohë që s'shkojnë larg.
Ëndrrat e mia,
s'janë zogj krahëthyer.
S'kanë përse fluturojnë,
kur ty të kam pranë!

Elda Gjini
2018

Tuesday, May 15, 2018

KUR E DO TOKEN


Kur mëson ta duash tokën,
e ndjen veten një filiz.
S'të vjen ndot, s'i do dorezat
e prek me duar, s'ke ngurim.
Mandej mëson t'i numërosh stinët,
me shpërthim sythash, me lulim.
Frytet, s'janë thjesht dhe vetëm fryte,
frytet janë festë, janë gëzim...
Kur mëson ta duash tokën,
ta duash siç duhet, me shpirt,
s'je më një filiz i njomë,
je lidhur fort me të,
si një lis...

Elda Gjini
2018

Monday, May 14, 2018

VRAPON


Vrapon,
prej mëngjesit në mbrëmje.
Vrapon,
nga e hëna në të djelë.
Vrapon,
pa e ndalur vrullin.
Vrapon.
Dhe kuptimin e jetës
dot s'gjen...

Elda Gjini
2018

Sunday, May 13, 2018

VETMON NE VETMI


E dua vetminë time!
E ndiej mbrëmjeve
me hënë në verandë,
dehur prej aromave
të luleve pa ngjyrë.
Mes lëkundjeve të lehta,
në karriken e drunjtë,
zërat e natës
s'ma trazojnë vetminë.

E dua vetminë time!
E shijoj deri vonë,
duke udhëtuar dimesioneve
në dukje pa kthim.
Analizoj kush jam.
Mund të bëhem më mirë!
E dua vetminë time!
Të ëmblën, egoisten,
të shëndetshmen vetmi.

S'e dua vetminë tënde,
vetminë tënde s'e dua!
Pikëlluesen, refuzuesen,
të pakënaqurën, izoluesen,
shkatërruesen vetmi.
Shkaktuar e tëra
nga njerëzit që rrethohesh,
pa një shtërngim dore,
pa një përqafim.

E dua vetminë time,
por jo vetminë tënde,
të padukshmen në dukje,
të sëmurën kronike,
që vetmon në vetmi.

Elda Gjini
2018

Saturday, May 12, 2018

E HËNË

Alarmi nis e ulërin...
Zgjat dorën gjithë përtim...
I jep vetes pesë minuta,
si terapi, pak ëndërrim.
Janë minutat më të bukura,
të vetmet me pak magji,
të cilat do mbajnë mbi vete
një javë të tërë - monotoni.

Friday, May 11, 2018

SEMUNDJE


U sëmur dashuria,
ashtu si unë,
ashtu si ti...
U shëruam ne
rimorëm jetën.
Po dashuria?
Vallë di gjë ti?!
U sëmur dashuria...
Shërim s'ka!
Dashuria e sëmurë
s'është dashuri.

Elda Gjini
2018

Thursday, May 10, 2018

KOSTUMI YT


Kostumin tënd
e zbukuron
e lustron, i jep shkëlqim.
Më kot ma ofron!
Më rri i ngushtë kostumi yt!
E ndjen dhe ti?! A e ndjen?!
Në çdo fjalë tënden
nga një krismë...
Këputen penjtë,
shqyhen astarët...
Më rri i ngushtë
kostumi yt!

Elda Gjini
2018

SHOQJA IME


Ti më zgjat dorën
shoqja ime,
gjithë mirësi,
gjithë çiltërsi.
Çapitem ngadal
jo fort e sigurt,
në shtegun
që ke hapur ti.
Çapitem pas
dhe më jep forcë,
e jotja, e sinqerta
dashuri.
Çapitem unë,
nga pas tërheq
të tjera shoqe,
sikur ti.
Por s'po ia dal...
S'mundem e dashur!
Po mbeten pas...
Oh, sa trishtim!
Tani të lutem,
(jo privatisht):
Ç'sekrete vallë,
mbarten në ty?!

Elda Gjini
2018

MIKLIM

Sytë e tu
më qortojnë.
Korrigjohem.
Sytë e tu
më këshillojnë.
Përmirësohem
Sytë e tu
më miklojnë.
Lumturohem.

Elda Gjini
2018
MREKULLI


Një jetë brenda teje.
Një jetë brenda meje.
Në trupin tënd,
në shpirtin tim.
Një botë lumturi!
Një?! Dy, tri...
Mrekulli!

Elda Gjini
Maj  2018
SE PAKU

Mos fol!
Të lutem!
Të përgjërohem!
Mos fol!
U kris...
Gjithçka u kris!
S'mund të ngjisim.
Së paku...
të mos thyejmë...
Jo sërish...

Elda Gjini
2018
JE TI
Je ti!
Ti që shtyp
pa mëshirë
instiktet.
Je ti!
Ti që zeron
pa mëdyshje
dëshirat.
Je ti!
Ti që shuan
me etje
pasionet.
Je ti!
Ti që pret
me gërshërë
ëndrrat.
Je ti!
Ti që harron
me dashje
fytyrën.
Je ti!
Ti që jeton
një jetë,
pa jetë.

Elda Gjini
2018


Saturday, May 5, 2018


KOHE


Trishtimi yt,
trishtimi im.
Shpirt' i trazuar,
kohë në mbarim.
Mendimi yt,
mendimi im.
Vetullngrysur,
kohë pakthim.
Gazi yt,
gazi im.
Kohë e jona,
pambarim.

Elda Gjini
2018
NDJESI



Ndjesi e lëkurshme.
Ndjesi,
në pritje të depërtojë
përtej saj.
Ndjesi,
e pashpresë,
e pandjenjë,
e pagaz.
Ndjesi,
që do të ngrohë,
të ndez,
të djeg.
Pa zjarr.
Ndjesi,
e vakët,
e ftohtë,
e akullt.
Ndjesi,
e mekur,
e tretur,
e trembur.
Ndjesi e lëkurshme,
që orvatet,
të depërtojë përtej saj.
Ndjesi,
e vdekshme
e vetkonsumueshme
në çast.

Elda Gjini
2018

Friday, May 4, 2018

TJERR


Tjerr të ardhmen
me furkën time
të mendimit,
të ëndërrimit,
të trishtimit.
E tjerr në fill
të hollë,
të këputshëm,
të padukshëm.
Druhem mos shkëputet,
filli - unë
i pashpresi,
i brishti,
i trishti.

Elda Gjini
2018

Tuesday, May 1, 2018





S’E DI




S'e di ç’më mundon më shumë.
Fjalët e shpërndara që the,
koha me mall përzier,
apo e shkuara që më s’vjen.


Elda Koço Gjini
1998








MES MURESH



Flas, flas e buzëqesh.
Jo rrallë edhe këshilla jap.
Por, veç mes katër muresh,
muret e zemrës hap.

Dhe muret nisin rënkojnë,
nxihen e bëhen sterrë.
Këshilla për vete s’kam,
kam harruar të buzëqesh.



IKE


Ti ike
dhe ajri që thitha më rëndoi.
Psherëtiva nga dhimbja,
u përpoqa të të harroj...
E kotë.
Dhe  qava,
me lotin më të hidhur në jetë.
Ti ike,
duke më thënë se zemra
 të ishte shkretuar.
Ti ike,
Mendova atëherë,
atë shkreti zemra
mund ta kishte duruar?
Ti ike...

Elda Gjini







ZEMRA




Eh moj zemër, zemër mjera!
Unë të mbylla në kafaz.
Ti më ike, fluturove,
Në kraharor hekurat mbaj.


Elda Koço Gjini
1997


LOTI



Do t’i mbledh lotët që derdha,
do t’i mbledh t’i mbaj në dorë.
Lotin kurrë s’mund ta harroj,
por ama mund të shterojë.


Elda Koço Gjini
1998


HARRIM



I harrova rrahjet e zemrës,
edhe kohën e shkuar.
S’di nëse sytë e tu,
ndonjëherë kam për t’i harruar.


S’I HOQE


Unë kalova pranë teje,
s’të fola, kokën s’e ktheva.
Dhe ti s’më fole, jo.
Por sytë s’i hoqe prej meje.


S’MBARON

Nëse më do,
përsëritma gjithmonë.
Vetveten të gënjej,
dashuria s’mbaron.


SYTE E TU


Gjithë hapësirën
shoh në ata sy.
S’di përse veç kaltërsisë,
aty s’ka asnjë re.
Ndoshta sepse...
ngaqë lumturish
gjendem në një qiell pa re.


MBOLLA VETMINE


Ndihesha e lumtur atëherë
dhe ti i tepërt m’u duke.
Mund ë shkoje edhe në ferr,
aq më bënte, s’më duheshe.

Tani ndihem krejt e vetmuar.
Vendi yt mbeti bosh.
Ti tashmë me dikë je,
unë vetmi mbolla, në të jetoj.

S’DI


S’di ç’më mundon më shumë.
Fjalët e shpërndara që the,
koha me mall përzier,
apo e shkuara që më s’vjen.








NDARJE



Unë të pres
edhe ti vjen.
Unë gëzohem,
Por ti shkon.
Unë dhe ti,
dikush në mes.
Do t’na ndajë,
apo vallë jo?!
Unë të pres,
por ti s’po vjen.
S’po gëzohem,
qysh kur shkove.
Unë dhe ti,
ti dhe unë.
Vë bashkë fjalët,
ne bashkë jo.
Të tjera fjalë,
më vijnë ndërmend
dhe ndihem krejt e marrë.
Ajo dhe ti,
Ti dhe ajo.
Unë dhe shpirti im
i vrarë...








ME NDJEK




S’di edhe sa kohë kështu,
s’di as përse.
Ndoshta më s’të shoh,
por, kujtimi yt më ndjek.


SHPORRU


Pres terrin me buzën në gaz,
Por as aty s’mungon ti.
Je Mbret’i territ
Dhe Princ’i shpirtit tim.

Ti më afrohesh, më flet.
Fantazma e së shkuarës rilind.
Zemërimi në deje vërshon.
Unë të them “Shporrmu sysh!”


FJALET E TUA


Fjalët e tua më mbetën copëza-copëza.
Në mendje, në zemër, ngado.
Ti ndoshta tashmë bukur i ke thurur
E në vendin tim, dikush tjetër i dëgjon.



KOMIKE


Sa fjalë më ke thënë dikur,
një buzëqeshje për të më marrë.
E unë përpiqesha atëherë,
pamje serioze të marr.

Ta dije se mjaftonte,
që një libër të mbaje në dorë.
Ah, ti duke lexuar!
Pamja më komike në botë.



VEC KOHA QAU


Ftohtë, erë, ngricë,
Ndoshta kjo na ndau.
Ti ike dhe çapat,
shiu më vonë i lau.

Sytë të pikuan urrejtje,
por veç koha qau.
Sytë më qenë bërë basene,
Qysh më parë i kishe tharë.


I VERBER



Mërgove nga jeta ime,
Por jo nga shpirti im.
Një pjesë e tij rendi pas teje,
i verbri, i gjori shpirti im...



SI SYTE E TU


Përse tani që s’të kam pranë,
Përse tani kaq shumë të ndiej?
Me zë shpirti të thërras,
Zërin mbrapsht era ma kthen.

Ku je? Ku je?
Ti je në shpirtin tim.
Po unë, ku jam?
Më ndjen më vallë tani?

Ti s’vjen. Unë pres.
S’di ku të të gjej.
Shumë sy shoh, më kot,
si sytë e tu, jo s’gjej.



HAPAT E TU



Ti shkove dhe hapat kumbuan.
Në shpirt i ndjeva, jehonë...
Për një çast desha të të ndalja,
por nuk gjeta forcë.
Atë jehonë e ndiej edhe sot...
Po ti vallë, përsëri largohesh?!
Jo, diçka të tillë s’e besoj,
Përderisa hapat ende dëgjohen.



MONOTONIA



Nuk di ç’të them.
Nuk di ç’të mendoj.
Ti vjen, të pres,
por sërish shkon.

Dhe ditët, jo...
s’ikin pa ty,
si  për t’më kujtuar,
që s’jemi të dy.

Vate koh’e artë,
të lumturat ditë.
Tani monotonia,
pareshtur më mbyt.


Elda Koço
1998