Thursday, May 17, 2018

VAMPIRI EMOTIV


E di ç'është Vampiri Emotiv?
Është rasti yt, është rasti im.
Ti më merr gjithçka kam,
pa më dhënë gjë në këmbim.
Megjithëse s'ka errësirë, as natë,
ka një predator dhe një viktimë.
Madje është ditë, ditë dhe dritë,
ti mbetesh sërish rrezik...
S'ka kasaphanë, as gjak
por të kam frikë, je emotiv!
Ti gjithë botën e sheh ndryshe,
pa jetë, pa forcë, pa dinamikë...
Këto së bashku me kurajon,
i thith prej meje si me magji.
S'më vjen në ndihmë as burrëria,
ti përbën pafund rrezik.
S'më shqyen, as më kafshon,
më thith... më shter gjithë energjinë.
Provoj pastaj të të shmang...
Një jetë e qetë është veç pa ty!
Ti pandalur më sulmon,
më sulmon me prani...
As kundërpërgjigjem, as të largoj,
por, as të mbrohem nga ty s'di.
Troket në derë, telefonon,
më kërkon, ngulmon...
S'mar dot frymë!
E di ç'është Vampiri Emotiv?
Është rasti yt, është rasti im.
Ti më merr gjithçka kam,
pa më dhënë gjë në këmbim.
Unë e di ç'janë, njoh çdo detaj,
ndaj tmerr përjetoj pambarim.
Dua me shpirt të të mbaj larg,
por s'kam më forcë, u shter, u thith...
Ndoshta një ditë do shpëtoj,
pëshpëris nën zë sërish.
Plandosem dërrmuar krejt
pa një fill shpresë mbi shtratin tim.
Duhet të flë, të flë patjetër,
është një mënyrë për karikim.
Duhet durim, ca fat... Po tjetër?!
Do mbijetoj! Por s'di se si!
E në u çlirofsha vërtet një ditë,
s'do kem meritë, as guxim.
Do ndodh vetëm nëse më hedh tej,
kur të zësh preh plot energji.

Elda Gjini
Cikli ''JETE MES VAMPIRESH''
2018

No comments:

Post a Comment