Tuesday, May 29, 2018

A LEXON?


   -A lexon shumë ti?
   -Varet nga çfarë quan ti shumë.
   -Më thuaj sa lexon dhe të bëj përcaktimin!
    -Lexoj çdo mbrëmje para gjumit, megjithëse dita është gjithmonë lodhëse, sfilitëse. Lexoj derisa përgjumem dhe libri më shket prej duarve të mpira.
   Shkëputja e tij më zgjon... I rikthehem leximit, me më shumë dëshirë se më parë. Përqëndrohem në atë që lexoj, madje përhumbem e tëra, derisa gjumi më rrëmben sërish në mënyrë tinëzare.
   Gjithë ëndje mbledh forcat e fundit që dita s'ka mundur të m'i shter dhe lexoj sërish... Gjendem në një tjetër dimension.  Frymoj brenda librit, derisa gjumi më sfidon, duke më bërë rob të tij.
   Çdo mbrëmje humbas betejën me gjumin, por kurrë s'kam për të humbur ndonjë betejë me librin.
    -Sipas numrit të faqeve nuk lexon shumë, përkundrazi...
    -Kurrë s'jam mburrur me sasinë. Ajo që bëj është të shijoj cilësinë. Përzgjedh materiale të mira.
    -Aha! 100% pambuk?
    -Lëri shakatë! Po ti, a lexon?

Elda Gjini
2018

No comments:

Post a Comment