Saturday, March 31, 2018


      KOSTUMI   Kapitulli XVIII


    Dashuria është ҫelësi i lumturisë. Trishtimi është kyҫi i saj. M’u desh shumë kohë për ta kuptuar. Tani jam e bindur, s’ka kyҫ në botë që dashuria nuk është e aftë ta hap.
    Ajo është balsam ҫudibërës për gjithë plagët e shpirtit tim. E vërteta është se ato nuk zhduken kurrë, por dashuria, duke më mbushur shpirtin, i kuron në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhimbja e mëparshme, krejt e padurueshme, u zvogëlua si me magji. Dhe jam gati për të jetuar të tashmen, për të ëndërruar të ardhmen. E shkuara mbetet gjithmonë me mua. Ndryshimi i madh është që s’jam më peng i saj.
    Kanë kaluar gjashtë muaj nga martesa civile. Qysh prej atëherë kam njohur vetëm lumturi dhe suksese. Herë-herë më duket sikur jam brenda një ëndrre. Gjithҫka është aq e bukur, saqë e kam të vështirë ta besoj që është e vërtetë.
    Po afrohet një ditë tepër e veҫantë për mua. Së shpejti, në “Sheshin Skënderbej”, do të zhvillohet sfilata me veshjet e krijuara nga tridhjetë nxënësit e mi. Më pëlqen t’i quaj kështu. Ndofta ata e konsiderojnë veten të rritur, ama për mua janë ende fëmijë. Plot ëndrra, plot shpresa, plot frymëzim. Gati për të nisur jetën dhe për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në fushën e mrekullueshme të stilimit.
    Për gjashtë muaj atelieja ime e re ka qenë e mbushur me jetë. Aty nuk u formësuan vetëm profesionist. Aty lindën sa e sa miqësi të sinqerta dhe dashuri të mrekullueshme.
    Duke u mësuar atyre gjithë sa di, në sytë e mendjes më shfaqet ime më. Fytyra e saj e qetë, sytë e mbushur plot dashuri dhe krenaria e padiskutueshme që unë po ecja në të njëjtën rrugë me të, me po atë dashuri. Në sajë të mamasë, një send fare i vogël dhe me vlerë monetare të pakonsiderueshme si gjëlpëra, u bë sendi më me vlerë i jetës sime. 
    Nuk arrijë ta imagjinoj si do kishte qenë jeta ime nëse nuk do isha bërë rrobaqepëse dhe më pas stiliste. Materialet, ngjyrat, linjat dhe gjithë detajet e aksesorët që plotësonin veshjet, nuk ishin gjë tjetër, veҫse produkt i gjendjes sime shpirtërore.
    Në këtë periudhë të jetës sime, kuptova arsyen përse kisha përdorur kryesisht ngjyra të ftohta. Në veshjet që krijoja, pasqyroja gjithë ftohtësinë e shpirtit tim. Më dhimbsen njerëzit që më kanë besuar ndër vite. Gjithë garderoba e tyre e marrë së bashku, nuk është gjë tjetër, veҫse fryt i frymëzimit tim të trishtuar.
    Jam krenare për gjithë sa u kam mësuar nxënësve të mi përgjatë këtyre muajve, por jam plotësisht e bindur se në gjithë këtë histori më e fituara jam unë. Sa shumë kam mësuar prej tyre! Sa shumë entuziazëm!
    Qysh në ditën e parë që u takuam në atelie, ia nisën me vërejtje dhe sugjerime mbi marketingun. Sipas tyre, një stiliste si unë, nuk mund të linte suksesin e saj në dorë të rastësisë.
    I dëgjoja me vëmendje dhe përhumbesha në të shkuarën. Mamaja e bënte me dëshirë rrobaqepësinë dhe falë gjilpërës së saj rriti pesë vajza. Na bëri të mos na mungonte absolutisht asgjë.
    Unë, fillimisht me rrobaqepësinë e më pas me stilimin, kisha mbushur gjithë zbrazëtinë që më kishte krijuar jeta. Të ardhurat e mia ishin të mjaftueshme për të siguruar gjithë sa më duhej. Ndërsa llogaria bankare më jepte sigurinë  për të cilën kisha aq shumë nevojë. Aso kohe isha plotësisht e bindur që do ta mbyllja si një qen i vetmuar dhe i braktisur gjithë jetën time. Së paku, të mos shkoja në azil, por të paguaja dikë që të kujdesej për mua në shtëpinë time, në kohën kur s’do ia dilja vetë.
     Sa për famën dhe suksesin, ato kurrë s’kanë qenë qëllim në vetvete. Ato ishin koraca ime. Kisha nevojë t’i tregoja vetes se unë ende arrija të bëja diҫka siҫ duhet.
    S’kisha nevojë të mendohesha gjatë. I dhashë të drejtë instiktit. Do ua besoja atyre marketingun. Menjëherë u ngrit një grup prej pesë vetësh, tri djem dhe dy vajza. Kishin aq shumë njohuri në informatikë, saqë të krijonin përshtypjen se ishin diplomuar në këtë fushë.
    Menjëherë pasi përfunduam takimin e parë dhe nxënësit e tjerë u larguan nga atelieja, grupi i sapokrijuar më tërhoqi mënjanë dhe të pestë nisën të më shpjegonin strategjinë e tyre.
    Unë s’kisha aspak informacion për rrjetet sociale për të cilat më flisnin. As që e dija si funksiononin. Por, ata nuk hiqnin dorë lehtë. Kur e panë që me teorinë nuk po shkoja mirë, më demostruan faqet që kishin në internet stilistët më të njohur në botë. Ishte një mrekulli.
   Pse jo? Këto fjalë ishin gjithë sa thashë dhe ata ia nisën nga puna. Më hutonin me gjithë sa kërkonin prej meje. Dikush më kërkonte të bëja biografinë time. Një tjetër të zgjidhja një foto profili. Dikush shpejtoi të fotografonte atelienë nga jashtë. Ndërsa dy vajzat kërkuan me ngulm që njëra prej tyre të fotografonte garderobën time dhe tjetra veshjet që kisha ruajtur si krenari ndër krijimet e mia ndër vite.
    Veshjet e garderobës sime mund t’i fotografonin kur të donin. Sa për veshje ndër vite... s’kisha ruajtur pothuajse asgjë. Ky fakt u dukej i pabesueshëm, madje i trishtueshëm, por s’kishim kohë për të humbur. U nisëm së bashku për në dhomën time.
    Katerina na priti në hyrje të vilës dhe i takoi vajzat gjithë entuziazëm. Nuk më besohej që kisha arritur të depërtoja në shpirtin e sime vjerre, i cili fillimisht më qe dukur i ftohtë dhe hermetik. Asaj tanimë i interesonte gjithҫka që kishte të bënte me jetën dhe profesionin tim.
    Na ftoi t’i hidhnim një sy garderobës së saj. Ftesën e pritëm me shumë kënaqësi. Katerina është një grua që vishet gjithë klas dhe stil. Për sytë tanë do ishte një kënaqësi e vërtetë.
    M’u duk e tepruar kur i kërkoi njërës prej vajzave të filmonte. Ajo priti miratimin tim dhe unë s’kisha si të kundërshtoja, megjithëse m’u duk absurde. S’mund të ulja figurën e sime vjerre përpara dy vajzave që sapo i kisha njohur.  Atë video mund ta fshija më vonë në qetësi.
    Katerina më ftoi pranë saj, si të ishim duke xhiruar ndonjë film dokumentar të një rëndësie të jashtëzakoshme. Me zor po mbaja të qeshurën kur shihja që ajo merte poza gjithë pompozitet.
    Hapi të dyja kanatat njëkohësisht dhe nxori prej andej një kostum të bardhë. Jo... Nuk më besohej që e kisha para syve. Ndjeva trupin të më lëshohej i tëri dhe nevojën të ulesha menjëherë në vendin e parë që mundesha. Për fatin tim, shumë pranë gjendej një kolltuk. U plandosa mbi të.   
    Ai kostum më kthente pas në kohë. Plot tridhjetë e pesë vite më parë. Kostumi që ishte duke qepur ime më kur i nisën dhimbjet e lindjes. Silvi kërkonte të vinte në jetë. Ajo ngutej ta mbaronte me ҫdo kusht, përpara se të shkonte në maternitet.
    Aso kohe isha vetëm dymbëdhjetë vjeҫe dhe s’kisha prekur kurrë gjilpërë me dorë. Për herë të parë e ndihmova time më dhe e bëra me shumë dashuri. Ishte kostumi më i bukur që kishte qepur ndonjëherë, për klienten e saj më të rëndësishme, të cilën nuk donte ta humbiste për asnjë  arsye. Përndryshe, si mund t’ia dilte mbanë e vetme  me pesë vajza?
   Nuk më besohej që atë kostum e kisha para syve. Nuk më besohej që Katerina e kishte ruajtur për një kohë kaq të gjatë. Nuk më besohej që ajo po ma dhuronte. Ishte dhurata më e bukur që kisha marrë ndonjëherë.
    E përqafova time vjerrë me lotët që më rigonin faqeve dhe nuk gjeja fjalët e duhura për ta falënderuar. I isha thellësisht mirënjohëse për atë që sapo kishte bërë.
    Disa minuta më vonë isha sërish e emocionuar dhe e mallëngjyer. Ndryshimi i vetëm ishte që sytë e mi ishin të përlotur, por lotën nuk më rigonin më faqeve. Për herë të parë isha duke rrëfyer publikisht hapat e parë të profesionit tim. Pa ndërhyrjen e Kristinës nuk do ta kisha bërë kurrë.
    Shumë shpejt videoja me dhurimin e kostumit të bardhë dhe me rrëfimin tim u publikua në rrjetet e mia sociale të sapohapura. Shikimet, shpërndarjet dhe komentet ishin të pafundme. Gjeje aty nga komplimentat më të mira për një vjerrë të veҫantë dhe të dashur si Kristina, përgëzimet dhe urimet për suksese në profesionin tim. Por, pjesa më e madhe e komenteve ishin për time më. Ajo grua që më kishte frymëzuar mua për ta dashur profesionin dhe për t’ia dalë mbanë në jetë, sapo ishte kthyer në burim frymëzimi për sa e sa njerëz.
        Sapo Fatjoni u kthye nga puna, shpejtova t’i dilja përpara. Megjithëse me paterica, nuk pranonte kurrësesi të qëndronte në shtëpi. Pa punë ndihej i paplotë. E donte dhe kujdesej për spitalin e tij sikur ta kishte fëmijë. Nëse ekzistonte qoftë edhe një njeri i vetëm në botë që e kuptonte, ky njeri isha unë. S’ka më mirë se të ushtrosh ҫdo ditë profesionin tënd me dashuri  të madhe.  
     Fatjoni më përqafoi më fort dhe më gjatë se herë tjetër. Pasi më puthi, më tha se ishte shumë krenar për mua. E kuptova menjëherë që edhe ai si shumëkush tjetër kishte dëgjuar rrëfimin tim.
     Është e papërshkrueshme me fjalë lumturia që ndiej kur arrijë t’i bëjë krenar njerëzit e mi të dashur. Sa do doja që ime më të jetonte ende. Të më shihte sa e lumtur jam dhe të lumturohej bashkë me mua. Sa do doja të ndihej krenare dhe të mos i peshonin mbi supe zgjedhjet e gabuara që kam bërë më parë në jetën time! Do doja me gjithë shpirt të dinte që ajo vijon të jetë busulla ime.



Monday, March 26, 2018


          PA CEREMONI   Kapitulli XVII



    Mbërrijmë në spital. Është  pothuajse mesnatë. Pavarësisht këmbënguljes që së paku Katerina të mos vinte kaq vonë, por të pushonte dhe premtimit që të shkoja ta merrja në mëngjes herët, ajo s’u lëkund nga vendimi i saj.
    Kujdesi që kanë treguar për veshjen dhe pamjen prindërit e Fatjonit më duket i tepruar. Përse vallë  kur shoh ata, harroj që kam bërë të njëjtën gjë?! S’guxoj të ul sytë dhe të shihem. Por, nuk mund ta shmang për shumë kohë. Së shpejti do gjendem në ashensor. Aty ka pasqyra gjithandej. Dua apo s’dua, ngado që të kthejë sytë nuk mund të shmang përballjen me veten.
    Nis të sforcohem për t’u përhumbur në mendime. Nuk dua të shoh shëmbëlltyrën time të përkryer. I kushtova kaq shumë rëndësi pamjes për t’i pëlqyer njeriut që dua. Pavarësisht vetsigurisë që më buron prej gjithë qenies sime, më bren një dyshim, i cili më bën të dridhem. Po sikur Fatjoni të mos dojë një martesë të vërtetë me mua? A do jem e gatshme të jetojë përkrah tij dhe të vuaj  që ai s’është imi!? Qortoj veten rëndë nën zë: Mos guxo të sjellësh ndër mend diҫka të tillë!
    S’kam kohë të reagoj ndaj qortimit që marr. Në ashensor hyjnë doktor Besniku dhe Ema. Janë dy njerëzit e fundit që do doja të kisha përballë. Nuk arrijë të kuptojë si e ruaj gjakftohtësinë. Më ndihmon prania e Ilirit dhe Katerinës. S’di ҫ’mund të më ndodhte sikur të isha vetëm për vetëm me ta. Gjendem duke u përshëndetur dhe duke shtërnguar duart gjithë mirësjellje me dy armiqtë e mi. Po po, armiqtë e mi. Kanë patur fatin të jenë njerëzit më të afërt të Fatjonit, por në mënyrën më tinëzare kanë shpërdoruar besimin e tij. Armiqtë e njeriut që dua janë edhe armiqtë e mi.
    Herët a vonë, Fatjoni  do ua  tregojë vendin të dyve. Madje, jam e sigurt se nuk do ndodhë vonë. U hedh një sy të dyve. Mos vallë është dita e të veshurit me stil?
    Menjëherë më pas kërkoj shëmbëllimin tim. Ndrojtja e mëparshme  u zhduk. Sy ndër sy gjithë vetbesim. Fatjoni është imi, vetëm imi. Jam e gatshme ta mbroj nga gjithҫka dhe gjithkush.
    Më në fund dera e ashensorit hapet. Sapo përfundoi ngjitja më e gjatë e jetës sime. Tentoj të mbush mushkëritë me ajër, por përfundoj të mbetem pa frymë. Hutohem papritur. Korridori është pushtuar sërish nga familja ime e madhe. Por, ajo që më le pa frymë është kujdesi që kanë treguar për veshjen dhe pamjen e tyre.
    Këtu diҫka po ndodh. Por, ҫfarë? S’kam kohë të më kalojë hutimi. Gjendem ballë për ballë me kryebashkiakun. Më buzëqesh dhe më thotë se kemi lënë diҫka të papërfunduar dhe kjo është kundër natyrës së tij.
    Zemra më dridhet e tëra. Në kaq pak ditë duket se jam bërë tjetër njeri. Kam kaluar punën në plan të dytë dhe i kam pranuar vetes me zë të lartë se dua të jem e lumtur. Njeriu i vetëm që mund të më bëjë të lumtur është Fatjoni. E dua më shumë se veten. Ai është jeta ime.
    Me sy të përlotur dhe me hap të shpejtë drejtohem për nga dhoma e Fatjonit. Me siguri ai do donte të kishte veshur kostumin gri që i kam stiluar. Por, s’mundet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
    Mbetem sërish pa frymë kur shoh Fatjonin. I veshur me kompletin e pizhameve të gjelbërta me logon e spitalit që ia mbulojnë në mënyrë të përsosur allҫinë, me pantoflat blu po me logon e spitalit, është dhëndri më i bukur në botë.  Është ulur në një karrike të përshtatshme për gjendjen e tij shëndetësore. Më buzëqesh. Përlotem sërish. Zoti po më kthen gjithҫka që më ka munguar prej kohësh. Dëshirën për të jetuar. Por, është duke më dhënë diҫka që s’e kam pasur kurrë dhe as që e dija që ekzistonte. Një lumturi të pafund.
    Përqafoj Fatjonin me gjithë etjen time për të jetuar, me gjithë dashurinë që më gufon nga shpirti. E puth ku të mundem dhe i them me zë të lartë se jam gati ta bëjë njëmijë copash marrëveshjen tonë martesore. Unë dua një martesë të vërtetë, si dashuria që ndiej për të.
     Kthej kokën pas dhe habitem që në dhomë janë të gjithë. Madje edhe dy operatorë. Në vend që të përskuqem nga turpi, jam gati ta përsëris edhe  një herë me zë të lartë propozimin tim.
    Fatjoni e mer shpejt situatën në dorë.  Nxjerr nga xhepi i xhaketës së pizhameve një letër të palosur me kujdes më katërsh. E shpalos po me kujdes dhe ma zgjat. Jam e lirë ta gris.
    Nuk ia bëj fjalën dy. Dhoma është e mbushur me njerëz, por ky  ҫast është vetëm yni. E copëtoj aq sa mundem  dhe i fluturoj në ajër copëzat e saj. Nuk e quaj marrëveshje të mallkuar. Ajo shërbeu si katalizator në afrimin tonë. Do t’i jem mirënjohëse përjetë. Por, tani nuk më duhet më, kurrë më.
    Fatjoni më thotë duke më pëshpëritur, se ajo marrëveshje e kishte kryer tashmë misionin e vet. Që në fillim e dinte se do kërkoja ta grisja përpara se ta zbatoja. Ai kishte qenë i sigurt për dashurinë time. Thjesht më kishte dhënë kohë t’ia pranoja vetes dhe mw pas atij.
    E përqafoj sërish, duke u ulur nw prehrin e tij. Më duhet patjetër ta kem pranë, për t’u vetbindur që s’jam duke ëndërruar, por duke jetuar. Një jetë plotësisht të lumtur, për të cilën kisha reshtur së shpresuari prej më shumë se ҫerekshekulli. Por, nga tani do ta lë pas të shkuarën. As për të ardhmen s’kam përse të ëndërroj. Mjaft të jetoj të tashmen, e cila është më e bukur se ëndrrat.  
    Kryebashkiaku na fton t’i bashkohemi në këndin e dhomës që është improvizuar për kryerjen e martesës sonë civile. Me zor pres të nënshkruaj  dhe të lidhem në martesë me njeriun që dua.
    Në mendje më beh një shkëndijëz që dikur do e kisha quajtur marrëzi. Do mar mbiemrin e bashkëshortit. Gjithmonë më është dukur absurd  ndërrimi i mbiemrit, por tani jo më. Kur në mes është dashuria, gjithҫka merr tjetër kuptim.
    Të gjitha fjalët e tjera i dëgjojnë të tjerët. Unë dëgjoj vetëm pohimet tona. Nënshkruajmë. Menjëherë pas kësaj vërshon një lum me urime, përqafime dhe puthje. Të gjithë këta njerëz i dua, janë duke më uruar me gjithë shpirt jetë të lumtur. Sa për urimin tradicional me trashëgime, do kishin bërë mirë ta shmangnin. Tingëllon absurd dhe qesharak. Mundohem të mos i jap rëndësi.
    Besniku dhe Ema qëndrojnë të heshtur në një kënd të dhomës. Afrohen të fundit dhe na urojnë në mënyrë formale. Fatjoni u përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Jam e lumtur kur vë re disa detaje, të cilët më sinjalizojnë se ata ndihen të tepërt në jetën tonë.
     Pason një tortë gjigante dhe disa shishe shampanjë. Vërshon sërish lumi i urimeve, përqafimeve dhe puthjeve. I dua të gjithë këta njerëz, e di që lumturia ime i lumturon.
    Pavarësisht të gjithave, me zor pres që të largohen dhe të mbetem vetëm për vetëm me tim shoq. Lumturia nuk vjen si pasojë e organizimit të ceremonive të mëdha. Ne mund të jemi shumë të lumtur edhe pa ceremoni. 

Tuesday, March 20, 2018


   PA FRIKE                            Kapitulli XVI



   Me shpejtësinë më të madhe që mundem, bëj dush, cumbis diҫka në vend që të ha një darkë të vërtetë dhe shpejtoj të bëhem gati. Dua të jem sa më shpejt pranë njeriut që dua. Kur jam larg tij nuk jetoj, thjesht marr frymë.
    Sapo kam shtrirë flokët me pjastër, por më japin një pamje serioze dhe hijerëndë. Kjo është zakonisht ajo që e quaj pamje të përsosur, por jo sot. Marr mashën dhe pres me padurim që të nxehet. Bëj disa valëzime në flokë. Kjo është pamja që dua!
    Sikur t’më shihte Silvi!  Do ishte më e lumtura në botë.  Çdo gjë që lidhet me kozmetikën dhe me kujdesin për veten më vjen prej saj. Nuk më sheh dot kur vesh xhinsa dhe atlete, një triko ҫfarëdo, mbledh flokët bisht dhe pa më shkuar aspak ndërmend të bëjë grim, shpejtoj për në punë.
     Zakonisht kaloj në atelie rreth pesëmbëdhjetë orë në ditë dhe për një kohë kaq të gjatë nuk mund të qëndroj as mbi taka, as e grimuar. Më jep të drejtë vetëm kur më sheh të sfilitur. Por, unë kështu kam qenë, puna ishte pasioni im, vet jeta ime. Tani jo më. Tashmë puna është thjesht dhe vetëm punë. Jeta ime, pasioni im është Fatjoni.
    Radha e grimit. Sjell ndër mend këshillat e sime motre, duke mbuluar gjithë sipërfaqen e fytyrës nga kremi pudër me efekt mat. Grimi duhet të jetë  i rafinuar, i përshtatshëm për mbrëmje. Ngjyrat e rekomanduara portokallija dhe roza. Buzët i grimoj lehtë, i kuqi është me efekt mat, pa shkëlqim dhe theksi bie te sytë, të cilët gjithashtu i grimoj lehtë. Në fund ruzhi. Me kujdes, duke ndjekur vijëzimin natyral të mollëzave. Përfundoj! Por, nuk ishte e vështirë. Mjaft të kujtoja këshillat e Silvit dhe të mendoja se më në fund kisha një arsye që të përpiqesha seriozisht për t’u dukur bukur.
    Nuk kam dilema për të vendosur  ҫfarë duhet të vesh. Meqenëse ngjyra që më shkon më tepër është e bardha, zgjedh të vesh një fustan të bardhë, me tyl francez në pjesën e mëngëve dhe dekoltesë. Ka prerje në formën e shkronjës A dhe arrin pak mbi gju. Është një veshje e lirshme në formë trapezi, që është më i ngshtë në krye dhe pastaj shkëlqen duke zbritur në formë zileje. Fustani krijon një siluetë tërheqëse. Një mrekulli. Heq dorë nga trikot. Zgjedh një xhaketë të shkurtër ngjyrë pjepri, të cilën nuk e shoh të nevojshme ta vesh tani. Nuk ndiej të ftohtë. Unë kam ftohtë, madje shumë ftohtë në momentet më të vështira të jetës sime, por tani është ndryshe, krejt ndryshe.
    Vesh këpucët me takë dymbëdhjetëshe prej lëkure, të cilat janë miqësore me këmbët e mia. Efekti i lëkurës është i mrekullueshëm. Marr ҫantën, e cila është gjithashtu prej lëkure dhe jam gati. I buzëqesh sërish shëmbëllimit tim. Buzëqeshja ka një shkëlqim verbues. Ndihem e lumtur. Druhem mos e kam tepruar. Fatjoni është i sëmurë, dergjet në shtratin e spitalit, ndërsa unë jam bërë si për festë. Sytë më përloten.  Ҫ’po ndodh me mua?!
    Nuk e mbaj mend veten kaq të bukur, me përjashtim të ditës që duhej të kryenim ceremoninë e martesës civile. Ndërsa kaq të lumtur nuk e mbaj mend ta kem parë ndonjëherë shëmbëllimin tim, për faktin e thjeshtë që s’ka ndodhur kurrë më parë.
    Për më shumë se ҫerekshekulli, ndihem e vetbindur se jam divorcuar një herë e përgjithmonë me lumturinë. Po a firmos dashuria divorce?!
   Nëse s’kam qenë e lumtur për gjithë këto vite, ka një arsye të vetme. Unë s’kam dashur të jem e lumtur. E si mund të tregohesha aq egoiste sa për të pretenduar të isha e lumtur, pasi dënova foshnjën tim të mos e shihte kurrë dritën e diellit?
    Por unë e kam shlyer mëkatin tim. Prej asaj dite unë nuk jetova. Gjithë sa bëra ishte të dënoja veten me Ferrin këtu në tokë. Tkurra zemrën, tkurra shpirtin dhe u vetbinda se meritoja të mbyllja jetën e vetmuar, si një qen i braktisur. Dhe atëherë kur nuk e prisja, ndodhi mrekullia. Fatjoni më solli jetë, më solli dritë, më solli gjithë sa më mungonte.
    Propozimi i tij për martesë ishte i pazakontë. Jo një martesë si gjithë të tjerat, por një marrëveshje në letër. Unë pranova. Nëse do bëhej fjalë për një martesë të vërtetë, do ta kisha refuzuar menjëherë. Nuk isha gati për ta pranuar. Unë s’mund të isha e lumtur, nuk meritoja të isha. Së paku jeta po më ofronte një mundësi për të mos qenë plotësisht e vetmuar. Falënderova Zotin.
    M’u desh kohë për t’i pranuar vetes të vërtetën. Unë e doja Fatjonin. E kisha dashur prej kohësh. Dhe prej atëherë kuptova që edhe ai kishte ndjenja për mua. Atëherë përse s’më kishte folur kurrë për dashurinë? Po kjo është fare e thjeshtë. Nëse do ta kishte bërë, do isha larguar menjëherë prej tij.
    Po sikur të këmbëngulte që mes nesh të mbetej gjithmonë ajo marrëveshje e mallkuar? Ҫ’do bëja vallë? Do mund të jetoja pranë njeriut pas të cilit isha dashuruar si një ҫupëlinë dhe të isha e privuar nga dashuria e tij?
    Ndiej të dridhura të më përshkojnë gjithë trupin. Mendoj më të keqen. Fatjoni që heq dorë nga marrëveshja jonë. Martesa civile nuk kryhet. Atelieja zhvendoset përsëri në ambjentin e mëparshëm, ndërsa unë kthehem në apartamentin tim.
    Jam gati të marr veten me shpulla për gjithë marrëzitë që sjell ndër mend.  Do të jemi të lumtur së bashku me Fatjonin, shumë të lumtur. Jam gati të bëj gjithҫka për t’ia arritur.
    S’kam frikë as nga Ema, as nga doktor Besniku. Fatjoni tashmë është mirë dhe i gatshëm për t’u përballur me situatën. Ema ka dalë prej jetës së tij qysh nga koha e divorcit. Doktor Besniku s’mund të jetë shok për Fatjonin dhe me siguri nuk ka qenë kurrë i tillë. Mjafton ta pushoj nga puna, duke e larguar prej syve dhe prej jetës së tij. Duke mos harruar edhe aleaten e tij besnike, laboranten.
    Dhe sa për djalin, nuk besoj se dashuria dhe afrimiteti që ka për të birin do lëkundet. Ai mund të mos jetë fëmija i tij biologjik, por është djali i shpirtit të tij. Këtë s’mund ta ndryshojë as Ema, as Besniku dhe askush tjetër në botë. E kam parë si i shkëlqejnë sytë kur flet për djemtë. Për ta ndjen pafundësisht dashuri dhe krenari. Ka bërë maksimumin për shkollimin dhe edukimin e tyre.
    E vërteta e hidhur do ta bëjë të vuajë, do t’i thyejë zemrën, do t’i lëndojë krenarinë. Por sidoqoftë, është më mirë një e vërtetë e hidhur, sesa gënjeshtrat e ëmbla që i kanë mbushur jetën prej dhjetra vitesh.
    Fatjoni do ia dalë mbanë të vendos rregull në jetën e vet. Jam e sigurt për këtë. Kam besim të plotë te njeriu që dua.
    Gjithë sa më mbetet është të nisem pa frikë pranë njeriut që dua. Të nisem pa frikë drejt së ardhmes. Askush dhe asgjë nuk mund të më pengojë të jem e lumtur.  

Wednesday, March 14, 2018


        PROJEKTI    Kapitulli   XV


    Kujtoja se lumturia është një  ndjenjë    zgjat vetëm pak sekonda, por qenkam gabuar. Kam disa orë  në shoqërinë e Fatjonit dhe po kaq orë    jam e lumtur. Ai është  mirë. Doktoreshë  Edlira ma tha këtë  duke buzëqeshur plot vetbesim. I është përkushtuar me mish e me shpirt kurimit të tij. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ndjen mirënjohje të jashtëzakonshe për atë që ka bërë Fatjoni ndaj familjes së saj.
    Ndihem e lumtur. Jashtëzakonisht e lumtur. Jam dashuruar marrëzisht, si të isha ende ҫupëlinë. Nuk më besohet që po më ndodhë vërtet. Dhe pikërisht tani, në një periudhë të jetës kur kisha reshtur së shpresuari. S’do resht së falënderuar Zotin që më mbushi shpirtin e zbrazët.
    Fatjoni më kërkon të shkojë në vilë dhe të shlodhem. Të kujdesem për veten, për nevojat e mia. Ҫ’kuptim ka kjo? Mua nuk më nevojitet absolutisht asgjë. Më në fund kam gjithë sa dua. Fatjonin.
    Por, ai di të më bindë në një mënyrë shumë të ëmbël dhe delikate. Bashkëshorten e tij të ardhshme nuk do ta shohë të veshur me pantallona dhe me ngjyra të errëta. Ҫ’duhet të vesh? Këtë ma lë mua në dorë.   
    Kjo do të thotë shumë për mua. Më në fund mund të vishem për sytë e njeriut që dua dhe jo thjesht për inertësi. Nuk e mendoj dy herë. Përshëndes Fatjonin, marr ҫantën dhe jam gati për të plotësuar dëshirën e tij.
    Sapo dal në korridor përballem me kryebashkiakun. Pashmangshmërisht më kujtohet ceremonia e martesës civile, e cila fatkeqësisht nuk u realizua.
    Megjithëse jam me ngut, nuk mund të refuzojë kërkesën e tij për të pirë një kafe. Projekti që më propozon kryebashkiaku ka të bëjë me fushën time profesionale. Në atelienë time të re duhet të trajnojë një grup të rinjsh jetim për stilim, prerës dhe qepës. Finalizimi do jetë një sfilatë me krijimet e tyre më të mira në sheshin “Skënderbej”. Kur ai kalon në detaje, unë s’e ndjek më. Si mundet ky njeri të ketë kaq ide të qarta dhe të vlefshme? Është njeri me vizion. E adhuroj!
    Nëse kam ndihmuar njerëz në jetën time, e kam bërë duke u dhënë para, veshmbathje, apo ushqime. S’kam ndihmuar askënd për të marrë një drejtim në jetë. Vetëm kur e mendoj se kam mundësi ta bëjë tani, magjepsem.
    Njëzet të rinjtë janë jetim. Disa s’i kanë njohur kurrë prindërit, të tjerë kanë përjetuar dhimbjen e humbjes së tyre. Ҫ’të mirë kam bërë në jetën time që Zoti po më shpërblen? Më në fund! Ata janë  privuar nga të pasurit e prindërve, ndërsa unë jam privuar nga të pasurit fëmijë. Një kombinim i përsosur në planin shpirtëror. Secila palë do plotësohet prej tjetrës dhe do ta plotësojë atë. Sa për zhvillimin e tyre personal, as që e vë në dyshim që gjithҫka do shkojë mirë. Mjaft të kenë talent dhe dëshirë për t’u zhvilluar profesionalisht.
    S’kam nevojë të mendohem gjatë për të marrë një vendim. Për herë të parë  do bëj diҫka të vlefshme. Më kalon para syve gjihë jeta ime. Unë s’e kam jetuar, thjesht e kam shpenzuar. Më në fund po më ofrohet një mundësi për të bërë diҫka të vlefshme. Do ta shfryrëzoj maksimalisht.
    Kryebashkiaku ngrihet në këmbë dhe më zgjat dorën. Na mbetet vetëm të vendosnim detajet e projektit. Për të tjerat jemi dakortësuar.
    S’i jap rëndësi dorës së tij të shtrirë. E përqafoj. E zë në befasi të plotë. Është nga njerëzit e paktë që kam përqafuar përgjatë jetës sime. Të gjithë më njohin si njeri të ftohtë dhe që ruaj distancën. Le të them se ky rast përbën përjashtimin e vetëm.
    Shpejtoj e lumtur për te makina. Më duhet të bëjë një dush, të vesh diҫka të këndëshme dhe të jem sa më shpejt pranë Fatjonit. Vendos ҫelësin për të ndezur makinën dhe e zë veten mat duke kënduar. Unë që këndojë? As që më bie ndër mend kur mund të ketë ndodhur për herë të fundit.
    Sapo zbres nga makina hedh sytë nga vila. Nga vila? Por a s’kisha menduar të shkoja në shtëpinë time? Buzëqesh e lumtur. Kjo është shtëpia ime, sepse Fatjoni është njeriu që dua.
    Me hap të shpejtë i drejtohem ateliesë. Ekipi që kam ngarkuar për zhvendosjen dhe sistemimin e saj po punon në mënyrë intensive. Atelieja është vendosur në katin e parë të vilës. Ka shumë hapësirë dhe dritë. Shumë-shumë më tepër se rrobaqepësia që hapa dikur me time më. Largohem e lumtur dhe pa kurrfarë shqetësimi prej aty. Gjithҫka do shkojë në vendin e vet. Nuk kam arsye për t’u shqetësuar.
    Katerina është më e qetë tani. Flas për disa minuta me të dhe me Ilirin dhe vendosim të shkojmë më pas të tre në spital.
    Kur më pyesin arsyen përse jam kaq e lumtur, u rrëfej se përveҫ faktit që tani gjendja e Fatjonit është më e stabilizuar, kam rënë dakort me kryebashkiakun për të realizuar një projekt të rëndësishëm.
   Iliri më përqafon i pari gjithë entuziazëm, më pas edhe Katerina. Kur ata vijojnë me përgëzimet për vendimin që kam marrë, unë mendoj se ky projekt është i bekuar ende pa u vënë në zbatim. Kur u zbut zemra e Katerinës, nuk besoj se ekziston ndonjë zemër me të cilën s’mund t’ia dal.
  
   
   

Friday, March 2, 2018


  SHUPLAKA     Kapitulli XIV



     Vitet kalonin njëri pas tjetrit dhe unë rritesha në sytë e gjithkujt. Sidomos në sytë e motrave të mia. Isha e madhja. Kur të martohesha, bashkëshorti im do ishte mbështetje për gjithë familjen. Dhe familja jonë e kishte jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme një figurë mashkullore. Ishim gjashtë femra në familje.
    Martesë? Unë kisha reshtur së menduari për të. Madje nuk doja as të përmendej në praninë time.
    Mamaja ishte e vetmja që njihte arsyet e mia. Nuk mund të dashuroja. Jo më. Shpirti im ishte gjymtuar një herë e përgjithmonë. Qysh prej ditës që i mora jetën foshnjës sime të pafajshme, s’më kishte mbetur asgjë. Martesë do të thotë të ndërtosh një marrëdhënie. Dhe marrëdhënie do të thotë, që përveҫse të marrësh, edhe të japësh në këmbim. Ҫ’mund të jepja? S’më kishte mbetur absolutisht asgjë.
    Më ishte bërë zakon që kohë pas kohe të vendosja dorën mbi kraharor. Ndieja rrahjet e zemrës. Ҫuditesha që ende rrihte. Sa shumë dhimbje, brenga, mëri, pendime i duhej të mbante brenda saj! Ndonjëherë më dukej se e kisha humbur përgjithmonë. Por jo. Ajo ishte aty. Dhe si për të ma kujtuar, herë pas here shtonte të rrahurat dhe intensitetin e tyre. Në atë kohë ndieja se në mushkëri nuk shkonte mjaftueshëm oksigjen. Ndalesha, merja frymë thellë dhe prisja me durim që të kalonte.
    As që e kisha menduar ndonjëherë të konsultohesha me një mjek. Për mua asgjë nuk kishte më rëndësi sa për t’u brengosur. As shëndeti. Madje në të tilla raste mendoja që Zoti nuk po më mundonte, as po më ndëshkonte. Thjesht po më jepte atë që meritoja.  
    Jetën time ia përkushtova rrobaqepësisë. Për mua nuk ekzistonte orar. Gjithmonë kam ngrënë dhe fjetur pak. Kështu që kisha kohë të konsiderueshme për t’iu përkushtuar rrobaqepësisë. Asaj që u bë pasioni dhe profesioni im. Madje, jeta ime.
    Shumë herë i kaloja me punë njëzetë orë brenda njëzetë e katër orëve. Nuk bëja pushim fundjavave. Nuk festoja asnjë festë zyrtare, apo jozyrtare, kombëtare, apo ndërkombëtare. Nuk ishte sakrificë. Unë s’kisha ndjesi ndryshe ditët e festave. Po të kisha do isha e lumtur të festoja së bashku me motrat e mia.
    E vetmja ditë që nuk punoja ishte përvjetori i vdekjes së babait. Përgjatë asaj dite i qëndroja pranë mamasë. E dija që e vuante tmerrësisht humbjen e babait. Nuk mund ta lija vetëm në këtë dhimbje, e cila nuk i përkiste vetëm asaj, por gjithë familjes.
    Një mbrëmje, kur motrat kishin fjetur prej orësh, ndërsa ne vijonim të qepnim siҫ e kishim zakon, mamaja la gjilpërën, lëvizi karriken dhe u ul përballë meje. E kuptova menjëherë që ishte ҫështje serioze. Kështu kishim biseduar për shkollimin e motrave, për shëndetin dhe mirërritjen e tyre. Bisedonim shpesh për kursimet tona. Prej kohësh donim të hapnim një rrobaqepësi të vërtetë dhe të mos sillnim më në shtëpi klientet tona. Po tani?
    Mamaja, e përskuqur si e zënë në faj më foli për martesë. Nuk u zemërova me të. Nuk ishte faji i saj që isha rritur. As për gabimet që kisha bërë dhe më kishin shenjuar jetën nuk ishte faji i saj, megjithëse ajo ende fajësonte veten. Sipas saj duhej të martohesha.
    Folëm gjatë atë natë. Nuk e kishim bërë prej kohësh. Ҫ’nuk më tha për të më bindur. Por, ia doli të më bindte vetëm me diҫka. S’duhej t’i mohoja vetes të drejtën për t’u bërë nënë. Sipas sime mëje, një femër ndihej e plotë vetëm kur arrinte të falte jetë. Unë ndihesha e zbrazët, sepse jo vetëm që nuk kisha dhënë jetë, por kisha marrë.
     Ҫdo natë sytë e mi rigonin lotë. Lotë dhimjeje, lotë pendimi. Për herë të parë pas aq kohësh pata lotë shprese. Po të isha nënë, a do mundeshin të fashiteshin dhimbjet dhe brengat e shpirtit tim? A mund të zhdukej zbrazëtia e tmerrshme që kishte zënë vend brenda meje?
    Në mëngjes e kisha marrë një vendim dhe ia komunikova mamasë. Pranoja të njihesha me njeriun që kishte kërkuar dorën time për martesë.
    Po sikur të mos dilte siҫ e kisha menduar? U mundova të zhdukja nga mendja këtë dyshim të urryer. Nuk mund të isha plotësisht e pafatë. Zoti nuk mund të luante me mua. Jo më.
    Pas një muaji u zhvendosa në familjen e tim shoqi. Së bashku me prindërit e tij bëheshim katër. Nuk e kisha aspak problem të ngrihesha në mengjes herët dhe të bëja punët që një gruaje shtëpiake i mernin zakonisht gjithë ditën. Laja, hekurosja, gatuaja, pastroja dhe më mbetej dita për të ushtruar profesionin tim.
    Sapo kishim blerë së bashku me mamanë një ambjent për ta përshtatur si rrobaqepësi. Na pëlqeu menjëherë sepse kishte shumë hapësirë dhe dritë. Ishim duke e rregulluar. Po kujdesesha personalisht edhe për detajet.
    Gjithҫka po ecte normalisht. Nuk mund të them se u dashurova marrëzisht me tim shoq, sepse nuk isha më adolehsnte si dikur, por ai po ndikonte pozitivisht në jetën time. Sapo përfundova me zhvendosjen dhe hapjen e rrobaqepësisë, nisa një kurs profesional në fushën e stilimit.
    Në familjen e tim shoqit mbizotëronte një klimë miqësore. S’kishte arsye për të ndodhur ndryshe. Unë kryeja gjithë detyrimet familjare dhe sillja të ardhura të mjaftueshme në shtëpi. Asnjëherë asnjë kontraditë, asnjë debat. Ime më më kishte edukuar për së mbari.
    Një natë, krejt papritur gjithҫka ndryshoi. U përmbys. Im shoq erdhi në të gdhirë. Qelbte era alkool. E pyeta ku e kishte kaluar natën. Nuk kisha vënë gjumë në sy nga shqetësimi për të. Dhe më e  ҫuditshmja ishte se prindërve të tij as që u bëri përshtypje.
    Në vend të përgjigjes mora një shuplakë fytyrës. Për një javë të tërë nuk dola nga shtëpia. Mamasë i thashë në telefon se kisha marrë një virozë të tmerrshme dhe nuk doja t’ua ngjisja. Sigurisht që nuk më besoi. Më sugjeroi të kujdesesha për veten dhe të mos gjunjëzohesha. Sigurisht që nuk e kishte fjalën për virozën.
    U mendova gjatë atë javë. Nuk isha edukuar me dhunë. Duhej të bëja gjithҫka për të qëndruar larg saj. Por, ishte vetëm një shuplakë. A isha e sigurt të shkoja drejt divorcit për kaq gjë? Nëse po, më duhej të hiqja dorë përfundimisht nga ëndrra për t’u bërë nënë. Duhej të privoja veten nga të pasurit e një familjeje timen. Jeta s’ishte lojë dhe unë nuk do kaloja te varianti:  Provo përsëri! Nëse divorcohesha do ta mbyllja jetën e vetme, si një qen i braktisur.
    Një javë reflektim. Pasi përfundova punët e mëngjesit, u bëra gati për në rrobaqepësi. Me pak tualet, e nxira pothuajse nuk dukej. Tashmë e kisha marrë një vendim përfundimtar. Do ia falja tim shoqi, me kusht që të mos e përsëriste më.
    Ia komunikova këtë dhe isha në pritje të mirëkuptimit në sytë e tij. Por, në vend të mirëkuptimit, lexova egërsi jonjerëzore. Ndjeva të dridhura të më përshkonin gjithë trupin. Pata menjëherë një parandjenjë të tmerrshme. Me të drejtë. Një breshëri shkelmash dhe grushtash u derdh mbi mua. Dukej sikur nuk do përfundonte kurrë. Jeta më parakaloj para syve. Ishte fundi.
    Hapa sytë e lodhur. Kisha humbur ndjenjat. S’pashë ku gjendesha, as kë kisha përreth. Mora ҫantën, këpucët dhe dola nga ajo shtëpi për të mos u kthyer më kurrë.
    Sapo hipa në taksi, u drejtova për në komisariat. Do ta denoncoja tim shoq. Mund të më kishte marrë shpirtin. E meritonte të qëndronte pas hekurave për pjesën e jetës që i kishte mbetur.
    Në komisariat u tallën me mua si të isha një femër rrugësh. E njihnin tim shoq. Askush nuk e mori dëshminë time. As që e morën mundimin të më dëgjonin. Më përzunë prej aty me fjalët më të ndyra.
    Taksia u ndal para rrobaqepësisë. Nuk zbrita prej saj. Dërgova taksistin për të thirrur mamanë. Ajo humbi ndjenjat sapo më pa. Kutia e ndihmës së shpejtë kishte pambuk dhe alkool. Por, mamaja sapo erdhi në vete humbi ndjenjat sërish.
    Taksisti më ndihmoi për ta ngjitur deri në apartamentin tonë. Për një muaj asnjëra nga ne nuk shkoi në rrobaqepësi. Nuk shkoi askund. Nuk u ndamë prej njëra-tjetrës. Unë kisha nevojë të ndieja që në këtë botë të ndyrë dikush më donte dhe më mbështeste pa kushte. Mamaja ime. Ndërsa ajo brehej prej ndjenjave të fajit. Bënte veten fajtore për gjithë sa më kishte ndodhur. Edhe me procedurat e divorcit u mor mamaja. Gjithë sa duhej të bëja ishte të nënshkruaja në ҫdo fletë që shfaqej emri im.
    Fatjoni merr frymë qetësisht. Unë përfundova rrëfimin e jetës sime. Nuk do t’i rikthehem më. Kurrë më. Ndihem tmerrësisht e zbrazët dhe e poshtëruar. Jeta më ka dhënë shuplaka pafund.
    Por, tani gjithҫka është ndryshe. Jeta ime është Fatjoni. Dhe unë kam nisur ta dua, me gjithë shpirt. Nuk nguroj për t’ia thënë me zë të lartë, duke i shtërnguar dorën. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë ta njoh. Ai hap sytë dhe më buzëqesh.
    Ndiej që kam gjithë botën.