Tuesday, March 20, 2018


   PA FRIKE                            Kapitulli XVI



   Me shpejtësinë më të madhe që mundem, bëj dush, cumbis diҫka në vend që të ha një darkë të vërtetë dhe shpejtoj të bëhem gati. Dua të jem sa më shpejt pranë njeriut që dua. Kur jam larg tij nuk jetoj, thjesht marr frymë.
    Sapo kam shtrirë flokët me pjastër, por më japin një pamje serioze dhe hijerëndë. Kjo është zakonisht ajo që e quaj pamje të përsosur, por jo sot. Marr mashën dhe pres me padurim që të nxehet. Bëj disa valëzime në flokë. Kjo është pamja që dua!
    Sikur t’më shihte Silvi!  Do ishte më e lumtura në botë.  Çdo gjë që lidhet me kozmetikën dhe me kujdesin për veten më vjen prej saj. Nuk më sheh dot kur vesh xhinsa dhe atlete, një triko ҫfarëdo, mbledh flokët bisht dhe pa më shkuar aspak ndërmend të bëjë grim, shpejtoj për në punë.
     Zakonisht kaloj në atelie rreth pesëmbëdhjetë orë në ditë dhe për një kohë kaq të gjatë nuk mund të qëndroj as mbi taka, as e grimuar. Më jep të drejtë vetëm kur më sheh të sfilitur. Por, unë kështu kam qenë, puna ishte pasioni im, vet jeta ime. Tani jo më. Tashmë puna është thjesht dhe vetëm punë. Jeta ime, pasioni im është Fatjoni.
    Radha e grimit. Sjell ndër mend këshillat e sime motre, duke mbuluar gjithë sipërfaqen e fytyrës nga kremi pudër me efekt mat. Grimi duhet të jetë  i rafinuar, i përshtatshëm për mbrëmje. Ngjyrat e rekomanduara portokallija dhe roza. Buzët i grimoj lehtë, i kuqi është me efekt mat, pa shkëlqim dhe theksi bie te sytë, të cilët gjithashtu i grimoj lehtë. Në fund ruzhi. Me kujdes, duke ndjekur vijëzimin natyral të mollëzave. Përfundoj! Por, nuk ishte e vështirë. Mjaft të kujtoja këshillat e Silvit dhe të mendoja se më në fund kisha një arsye që të përpiqesha seriozisht për t’u dukur bukur.
    Nuk kam dilema për të vendosur  ҫfarë duhet të vesh. Meqenëse ngjyra që më shkon më tepër është e bardha, zgjedh të vesh një fustan të bardhë, me tyl francez në pjesën e mëngëve dhe dekoltesë. Ka prerje në formën e shkronjës A dhe arrin pak mbi gju. Është një veshje e lirshme në formë trapezi, që është më i ngshtë në krye dhe pastaj shkëlqen duke zbritur në formë zileje. Fustani krijon një siluetë tërheqëse. Një mrekulli. Heq dorë nga trikot. Zgjedh një xhaketë të shkurtër ngjyrë pjepri, të cilën nuk e shoh të nevojshme ta vesh tani. Nuk ndiej të ftohtë. Unë kam ftohtë, madje shumë ftohtë në momentet më të vështira të jetës sime, por tani është ndryshe, krejt ndryshe.
    Vesh këpucët me takë dymbëdhjetëshe prej lëkure, të cilat janë miqësore me këmbët e mia. Efekti i lëkurës është i mrekullueshëm. Marr ҫantën, e cila është gjithashtu prej lëkure dhe jam gati. I buzëqesh sërish shëmbëllimit tim. Buzëqeshja ka një shkëlqim verbues. Ndihem e lumtur. Druhem mos e kam tepruar. Fatjoni është i sëmurë, dergjet në shtratin e spitalit, ndërsa unë jam bërë si për festë. Sytë më përloten.  Ҫ’po ndodh me mua?!
    Nuk e mbaj mend veten kaq të bukur, me përjashtim të ditës që duhej të kryenim ceremoninë e martesës civile. Ndërsa kaq të lumtur nuk e mbaj mend ta kem parë ndonjëherë shëmbëllimin tim, për faktin e thjeshtë që s’ka ndodhur kurrë më parë.
    Për më shumë se ҫerekshekulli, ndihem e vetbindur se jam divorcuar një herë e përgjithmonë me lumturinë. Po a firmos dashuria divorce?!
   Nëse s’kam qenë e lumtur për gjithë këto vite, ka një arsye të vetme. Unë s’kam dashur të jem e lumtur. E si mund të tregohesha aq egoiste sa për të pretenduar të isha e lumtur, pasi dënova foshnjën tim të mos e shihte kurrë dritën e diellit?
    Por unë e kam shlyer mëkatin tim. Prej asaj dite unë nuk jetova. Gjithë sa bëra ishte të dënoja veten me Ferrin këtu në tokë. Tkurra zemrën, tkurra shpirtin dhe u vetbinda se meritoja të mbyllja jetën e vetmuar, si një qen i braktisur. Dhe atëherë kur nuk e prisja, ndodhi mrekullia. Fatjoni më solli jetë, më solli dritë, më solli gjithë sa më mungonte.
    Propozimi i tij për martesë ishte i pazakontë. Jo një martesë si gjithë të tjerat, por një marrëveshje në letër. Unë pranova. Nëse do bëhej fjalë për një martesë të vërtetë, do ta kisha refuzuar menjëherë. Nuk isha gati për ta pranuar. Unë s’mund të isha e lumtur, nuk meritoja të isha. Së paku jeta po më ofronte një mundësi për të mos qenë plotësisht e vetmuar. Falënderova Zotin.
    M’u desh kohë për t’i pranuar vetes të vërtetën. Unë e doja Fatjonin. E kisha dashur prej kohësh. Dhe prej atëherë kuptova që edhe ai kishte ndjenja për mua. Atëherë përse s’më kishte folur kurrë për dashurinë? Po kjo është fare e thjeshtë. Nëse do ta kishte bërë, do isha larguar menjëherë prej tij.
    Po sikur të këmbëngulte që mes nesh të mbetej gjithmonë ajo marrëveshje e mallkuar? Ҫ’do bëja vallë? Do mund të jetoja pranë njeriut pas të cilit isha dashuruar si një ҫupëlinë dhe të isha e privuar nga dashuria e tij?
    Ndiej të dridhura të më përshkojnë gjithë trupin. Mendoj më të keqen. Fatjoni që heq dorë nga marrëveshja jonë. Martesa civile nuk kryhet. Atelieja zhvendoset përsëri në ambjentin e mëparshëm, ndërsa unë kthehem në apartamentin tim.
    Jam gati të marr veten me shpulla për gjithë marrëzitë që sjell ndër mend.  Do të jemi të lumtur së bashku me Fatjonin, shumë të lumtur. Jam gati të bëj gjithҫka për t’ia arritur.
    S’kam frikë as nga Ema, as nga doktor Besniku. Fatjoni tashmë është mirë dhe i gatshëm për t’u përballur me situatën. Ema ka dalë prej jetës së tij qysh nga koha e divorcit. Doktor Besniku s’mund të jetë shok për Fatjonin dhe me siguri nuk ka qenë kurrë i tillë. Mjafton ta pushoj nga puna, duke e larguar prej syve dhe prej jetës së tij. Duke mos harruar edhe aleaten e tij besnike, laboranten.
    Dhe sa për djalin, nuk besoj se dashuria dhe afrimiteti që ka për të birin do lëkundet. Ai mund të mos jetë fëmija i tij biologjik, por është djali i shpirtit të tij. Këtë s’mund ta ndryshojë as Ema, as Besniku dhe askush tjetër në botë. E kam parë si i shkëlqejnë sytë kur flet për djemtë. Për ta ndjen pafundësisht dashuri dhe krenari. Ka bërë maksimumin për shkollimin dhe edukimin e tyre.
    E vërteta e hidhur do ta bëjë të vuajë, do t’i thyejë zemrën, do t’i lëndojë krenarinë. Por sidoqoftë, është më mirë një e vërtetë e hidhur, sesa gënjeshtrat e ëmbla që i kanë mbushur jetën prej dhjetra vitesh.
    Fatjoni do ia dalë mbanë të vendos rregull në jetën e vet. Jam e sigurt për këtë. Kam besim të plotë te njeriu që dua.
    Gjithë sa më mbetet është të nisem pa frikë pranë njeriut që dua. Të nisem pa frikë drejt së ardhmes. Askush dhe asgjë nuk mund të më pengojë të jem e lumtur.  

No comments:

Post a Comment