Wednesday, March 14, 2018


        PROJEKTI    Kapitulli   XV


    Kujtoja se lumturia është një  ndjenjë    zgjat vetëm pak sekonda, por qenkam gabuar. Kam disa orë  në shoqërinë e Fatjonit dhe po kaq orë    jam e lumtur. Ai është  mirë. Doktoreshë  Edlira ma tha këtë  duke buzëqeshur plot vetbesim. I është përkushtuar me mish e me shpirt kurimit të tij. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ndjen mirënjohje të jashtëzakonshe për atë që ka bërë Fatjoni ndaj familjes së saj.
    Ndihem e lumtur. Jashtëzakonisht e lumtur. Jam dashuruar marrëzisht, si të isha ende ҫupëlinë. Nuk më besohet që po më ndodhë vërtet. Dhe pikërisht tani, në një periudhë të jetës kur kisha reshtur së shpresuari. S’do resht së falënderuar Zotin që më mbushi shpirtin e zbrazët.
    Fatjoni më kërkon të shkojë në vilë dhe të shlodhem. Të kujdesem për veten, për nevojat e mia. Ҫ’kuptim ka kjo? Mua nuk më nevojitet absolutisht asgjë. Më në fund kam gjithë sa dua. Fatjonin.
    Por, ai di të më bindë në një mënyrë shumë të ëmbël dhe delikate. Bashkëshorten e tij të ardhshme nuk do ta shohë të veshur me pantallona dhe me ngjyra të errëta. Ҫ’duhet të vesh? Këtë ma lë mua në dorë.   
    Kjo do të thotë shumë për mua. Më në fund mund të vishem për sytë e njeriut që dua dhe jo thjesht për inertësi. Nuk e mendoj dy herë. Përshëndes Fatjonin, marr ҫantën dhe jam gati për të plotësuar dëshirën e tij.
    Sapo dal në korridor përballem me kryebashkiakun. Pashmangshmërisht më kujtohet ceremonia e martesës civile, e cila fatkeqësisht nuk u realizua.
    Megjithëse jam me ngut, nuk mund të refuzojë kërkesën e tij për të pirë një kafe. Projekti që më propozon kryebashkiaku ka të bëjë me fushën time profesionale. Në atelienë time të re duhet të trajnojë një grup të rinjsh jetim për stilim, prerës dhe qepës. Finalizimi do jetë një sfilatë me krijimet e tyre më të mira në sheshin “Skënderbej”. Kur ai kalon në detaje, unë s’e ndjek më. Si mundet ky njeri të ketë kaq ide të qarta dhe të vlefshme? Është njeri me vizion. E adhuroj!
    Nëse kam ndihmuar njerëz në jetën time, e kam bërë duke u dhënë para, veshmbathje, apo ushqime. S’kam ndihmuar askënd për të marrë një drejtim në jetë. Vetëm kur e mendoj se kam mundësi ta bëjë tani, magjepsem.
    Njëzet të rinjtë janë jetim. Disa s’i kanë njohur kurrë prindërit, të tjerë kanë përjetuar dhimbjen e humbjes së tyre. Ҫ’të mirë kam bërë në jetën time që Zoti po më shpërblen? Më në fund! Ata janë  privuar nga të pasurit e prindërve, ndërsa unë jam privuar nga të pasurit fëmijë. Një kombinim i përsosur në planin shpirtëror. Secila palë do plotësohet prej tjetrës dhe do ta plotësojë atë. Sa për zhvillimin e tyre personal, as që e vë në dyshim që gjithҫka do shkojë mirë. Mjaft të kenë talent dhe dëshirë për t’u zhvilluar profesionalisht.
    S’kam nevojë të mendohem gjatë për të marrë një vendim. Për herë të parë  do bëj diҫka të vlefshme. Më kalon para syve gjihë jeta ime. Unë s’e kam jetuar, thjesht e kam shpenzuar. Më në fund po më ofrohet një mundësi për të bërë diҫka të vlefshme. Do ta shfryrëzoj maksimalisht.
    Kryebashkiaku ngrihet në këmbë dhe më zgjat dorën. Na mbetet vetëm të vendosnim detajet e projektit. Për të tjerat jemi dakortësuar.
    S’i jap rëndësi dorës së tij të shtrirë. E përqafoj. E zë në befasi të plotë. Është nga njerëzit e paktë që kam përqafuar përgjatë jetës sime. Të gjithë më njohin si njeri të ftohtë dhe që ruaj distancën. Le të them se ky rast përbën përjashtimin e vetëm.
    Shpejtoj e lumtur për te makina. Më duhet të bëjë një dush, të vesh diҫka të këndëshme dhe të jem sa më shpejt pranë Fatjonit. Vendos ҫelësin për të ndezur makinën dhe e zë veten mat duke kënduar. Unë që këndojë? As që më bie ndër mend kur mund të ketë ndodhur për herë të fundit.
    Sapo zbres nga makina hedh sytë nga vila. Nga vila? Por a s’kisha menduar të shkoja në shtëpinë time? Buzëqesh e lumtur. Kjo është shtëpia ime, sepse Fatjoni është njeriu që dua.
    Me hap të shpejtë i drejtohem ateliesë. Ekipi që kam ngarkuar për zhvendosjen dhe sistemimin e saj po punon në mënyrë intensive. Atelieja është vendosur në katin e parë të vilës. Ka shumë hapësirë dhe dritë. Shumë-shumë më tepër se rrobaqepësia që hapa dikur me time më. Largohem e lumtur dhe pa kurrfarë shqetësimi prej aty. Gjithҫka do shkojë në vendin e vet. Nuk kam arsye për t’u shqetësuar.
    Katerina është më e qetë tani. Flas për disa minuta me të dhe me Ilirin dhe vendosim të shkojmë më pas të tre në spital.
    Kur më pyesin arsyen përse jam kaq e lumtur, u rrëfej se përveҫ faktit që tani gjendja e Fatjonit është më e stabilizuar, kam rënë dakort me kryebashkiakun për të realizuar një projekt të rëndësishëm.
   Iliri më përqafon i pari gjithë entuziazëm, më pas edhe Katerina. Kur ata vijojnë me përgëzimet për vendimin që kam marrë, unë mendoj se ky projekt është i bekuar ende pa u vënë në zbatim. Kur u zbut zemra e Katerinës, nuk besoj se ekziston ndonjë zemër me të cilën s’mund t’ia dal.
  
   
   

No comments:

Post a Comment