Friday, March 2, 2018


  SHUPLAKA     Kapitulli XIV



     Vitet kalonin njëri pas tjetrit dhe unë rritesha në sytë e gjithkujt. Sidomos në sytë e motrave të mia. Isha e madhja. Kur të martohesha, bashkëshorti im do ishte mbështetje për gjithë familjen. Dhe familja jonë e kishte jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme një figurë mashkullore. Ishim gjashtë femra në familje.
    Martesë? Unë kisha reshtur së menduari për të. Madje nuk doja as të përmendej në praninë time.
    Mamaja ishte e vetmja që njihte arsyet e mia. Nuk mund të dashuroja. Jo më. Shpirti im ishte gjymtuar një herë e përgjithmonë. Qysh prej ditës që i mora jetën foshnjës sime të pafajshme, s’më kishte mbetur asgjë. Martesë do të thotë të ndërtosh një marrëdhënie. Dhe marrëdhënie do të thotë, që përveҫse të marrësh, edhe të japësh në këmbim. Ҫ’mund të jepja? S’më kishte mbetur absolutisht asgjë.
    Më ishte bërë zakon që kohë pas kohe të vendosja dorën mbi kraharor. Ndieja rrahjet e zemrës. Ҫuditesha që ende rrihte. Sa shumë dhimbje, brenga, mëri, pendime i duhej të mbante brenda saj! Ndonjëherë më dukej se e kisha humbur përgjithmonë. Por jo. Ajo ishte aty. Dhe si për të ma kujtuar, herë pas here shtonte të rrahurat dhe intensitetin e tyre. Në atë kohë ndieja se në mushkëri nuk shkonte mjaftueshëm oksigjen. Ndalesha, merja frymë thellë dhe prisja me durim që të kalonte.
    As që e kisha menduar ndonjëherë të konsultohesha me një mjek. Për mua asgjë nuk kishte më rëndësi sa për t’u brengosur. As shëndeti. Madje në të tilla raste mendoja që Zoti nuk po më mundonte, as po më ndëshkonte. Thjesht po më jepte atë që meritoja.  
    Jetën time ia përkushtova rrobaqepësisë. Për mua nuk ekzistonte orar. Gjithmonë kam ngrënë dhe fjetur pak. Kështu që kisha kohë të konsiderueshme për t’iu përkushtuar rrobaqepësisë. Asaj që u bë pasioni dhe profesioni im. Madje, jeta ime.
    Shumë herë i kaloja me punë njëzetë orë brenda njëzetë e katër orëve. Nuk bëja pushim fundjavave. Nuk festoja asnjë festë zyrtare, apo jozyrtare, kombëtare, apo ndërkombëtare. Nuk ishte sakrificë. Unë s’kisha ndjesi ndryshe ditët e festave. Po të kisha do isha e lumtur të festoja së bashku me motrat e mia.
    E vetmja ditë që nuk punoja ishte përvjetori i vdekjes së babait. Përgjatë asaj dite i qëndroja pranë mamasë. E dija që e vuante tmerrësisht humbjen e babait. Nuk mund ta lija vetëm në këtë dhimbje, e cila nuk i përkiste vetëm asaj, por gjithë familjes.
    Një mbrëmje, kur motrat kishin fjetur prej orësh, ndërsa ne vijonim të qepnim siҫ e kishim zakon, mamaja la gjilpërën, lëvizi karriken dhe u ul përballë meje. E kuptova menjëherë që ishte ҫështje serioze. Kështu kishim biseduar për shkollimin e motrave, për shëndetin dhe mirërritjen e tyre. Bisedonim shpesh për kursimet tona. Prej kohësh donim të hapnim një rrobaqepësi të vërtetë dhe të mos sillnim më në shtëpi klientet tona. Po tani?
    Mamaja, e përskuqur si e zënë në faj më foli për martesë. Nuk u zemërova me të. Nuk ishte faji i saj që isha rritur. As për gabimet që kisha bërë dhe më kishin shenjuar jetën nuk ishte faji i saj, megjithëse ajo ende fajësonte veten. Sipas saj duhej të martohesha.
    Folëm gjatë atë natë. Nuk e kishim bërë prej kohësh. Ҫ’nuk më tha për të më bindur. Por, ia doli të më bindte vetëm me diҫka. S’duhej t’i mohoja vetes të drejtën për t’u bërë nënë. Sipas sime mëje, një femër ndihej e plotë vetëm kur arrinte të falte jetë. Unë ndihesha e zbrazët, sepse jo vetëm që nuk kisha dhënë jetë, por kisha marrë.
     Ҫdo natë sytë e mi rigonin lotë. Lotë dhimjeje, lotë pendimi. Për herë të parë pas aq kohësh pata lotë shprese. Po të isha nënë, a do mundeshin të fashiteshin dhimbjet dhe brengat e shpirtit tim? A mund të zhdukej zbrazëtia e tmerrshme që kishte zënë vend brenda meje?
    Në mëngjes e kisha marrë një vendim dhe ia komunikova mamasë. Pranoja të njihesha me njeriun që kishte kërkuar dorën time për martesë.
    Po sikur të mos dilte siҫ e kisha menduar? U mundova të zhdukja nga mendja këtë dyshim të urryer. Nuk mund të isha plotësisht e pafatë. Zoti nuk mund të luante me mua. Jo më.
    Pas një muaji u zhvendosa në familjen e tim shoqi. Së bashku me prindërit e tij bëheshim katër. Nuk e kisha aspak problem të ngrihesha në mengjes herët dhe të bëja punët që një gruaje shtëpiake i mernin zakonisht gjithë ditën. Laja, hekurosja, gatuaja, pastroja dhe më mbetej dita për të ushtruar profesionin tim.
    Sapo kishim blerë së bashku me mamanë një ambjent për ta përshtatur si rrobaqepësi. Na pëlqeu menjëherë sepse kishte shumë hapësirë dhe dritë. Ishim duke e rregulluar. Po kujdesesha personalisht edhe për detajet.
    Gjithҫka po ecte normalisht. Nuk mund të them se u dashurova marrëzisht me tim shoq, sepse nuk isha më adolehsnte si dikur, por ai po ndikonte pozitivisht në jetën time. Sapo përfundova me zhvendosjen dhe hapjen e rrobaqepësisë, nisa një kurs profesional në fushën e stilimit.
    Në familjen e tim shoqit mbizotëronte një klimë miqësore. S’kishte arsye për të ndodhur ndryshe. Unë kryeja gjithë detyrimet familjare dhe sillja të ardhura të mjaftueshme në shtëpi. Asnjëherë asnjë kontraditë, asnjë debat. Ime më më kishte edukuar për së mbari.
    Një natë, krejt papritur gjithҫka ndryshoi. U përmbys. Im shoq erdhi në të gdhirë. Qelbte era alkool. E pyeta ku e kishte kaluar natën. Nuk kisha vënë gjumë në sy nga shqetësimi për të. Dhe më e  ҫuditshmja ishte se prindërve të tij as që u bëri përshtypje.
    Në vend të përgjigjes mora një shuplakë fytyrës. Për një javë të tërë nuk dola nga shtëpia. Mamasë i thashë në telefon se kisha marrë një virozë të tmerrshme dhe nuk doja t’ua ngjisja. Sigurisht që nuk më besoi. Më sugjeroi të kujdesesha për veten dhe të mos gjunjëzohesha. Sigurisht që nuk e kishte fjalën për virozën.
    U mendova gjatë atë javë. Nuk isha edukuar me dhunë. Duhej të bëja gjithҫka për të qëndruar larg saj. Por, ishte vetëm një shuplakë. A isha e sigurt të shkoja drejt divorcit për kaq gjë? Nëse po, më duhej të hiqja dorë përfundimisht nga ëndrra për t’u bërë nënë. Duhej të privoja veten nga të pasurit e një familjeje timen. Jeta s’ishte lojë dhe unë nuk do kaloja te varianti:  Provo përsëri! Nëse divorcohesha do ta mbyllja jetën e vetme, si një qen i braktisur.
    Një javë reflektim. Pasi përfundova punët e mëngjesit, u bëra gati për në rrobaqepësi. Me pak tualet, e nxira pothuajse nuk dukej. Tashmë e kisha marrë një vendim përfundimtar. Do ia falja tim shoqi, me kusht që të mos e përsëriste më.
    Ia komunikova këtë dhe isha në pritje të mirëkuptimit në sytë e tij. Por, në vend të mirëkuptimit, lexova egërsi jonjerëzore. Ndjeva të dridhura të më përshkonin gjithë trupin. Pata menjëherë një parandjenjë të tmerrshme. Me të drejtë. Një breshëri shkelmash dhe grushtash u derdh mbi mua. Dukej sikur nuk do përfundonte kurrë. Jeta më parakaloj para syve. Ishte fundi.
    Hapa sytë e lodhur. Kisha humbur ndjenjat. S’pashë ku gjendesha, as kë kisha përreth. Mora ҫantën, këpucët dhe dola nga ajo shtëpi për të mos u kthyer më kurrë.
    Sapo hipa në taksi, u drejtova për në komisariat. Do ta denoncoja tim shoq. Mund të më kishte marrë shpirtin. E meritonte të qëndronte pas hekurave për pjesën e jetës që i kishte mbetur.
    Në komisariat u tallën me mua si të isha një femër rrugësh. E njihnin tim shoq. Askush nuk e mori dëshminë time. As që e morën mundimin të më dëgjonin. Më përzunë prej aty me fjalët më të ndyra.
    Taksia u ndal para rrobaqepësisë. Nuk zbrita prej saj. Dërgova taksistin për të thirrur mamanë. Ajo humbi ndjenjat sapo më pa. Kutia e ndihmës së shpejtë kishte pambuk dhe alkool. Por, mamaja sapo erdhi në vete humbi ndjenjat sërish.
    Taksisti më ndihmoi për ta ngjitur deri në apartamentin tonë. Për një muaj asnjëra nga ne nuk shkoi në rrobaqepësi. Nuk shkoi askund. Nuk u ndamë prej njëra-tjetrës. Unë kisha nevojë të ndieja që në këtë botë të ndyrë dikush më donte dhe më mbështeste pa kushte. Mamaja ime. Ndërsa ajo brehej prej ndjenjave të fajit. Bënte veten fajtore për gjithë sa më kishte ndodhur. Edhe me procedurat e divorcit u mor mamaja. Gjithë sa duhej të bëja ishte të nënshkruaja në ҫdo fletë që shfaqej emri im.
    Fatjoni merr frymë qetësisht. Unë përfundova rrëfimin e jetës sime. Nuk do t’i rikthehem më. Kurrë më. Ndihem tmerrësisht e zbrazët dhe e poshtëruar. Jeta më ka dhënë shuplaka pafund.
    Por, tani gjithҫka është ndryshe. Jeta ime është Fatjoni. Dhe unë kam nisur ta dua, me gjithë shpirt. Nuk nguroj për t’ia thënë me zë të lartë, duke i shtërnguar dorën. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë ta njoh. Ai hap sytë dhe më buzëqesh.
    Ndiej që kam gjithë botën.
   

No comments:

Post a Comment