Mbërrijmë në spital. Është pothuajse mesnatë. Pavarësisht këmbënguljes që
së paku Katerina të mos vinte kaq vonë, por të pushonte dhe premtimit që të
shkoja ta merrja në mëngjes herët, ajo s’u lëkund nga vendimi i saj.
Kujdesi që kanë treguar për veshjen dhe
pamjen prindërit e Fatjonit më duket i tepruar. Përse vallë kur shoh ata, harroj që kam bërë të njëjtën gjë?!
S’guxoj të ul sytë dhe të shihem. Por, nuk mund ta shmang për shumë kohë. Së
shpejti do gjendem në ashensor. Aty ka pasqyra gjithandej. Dua apo s’dua, ngado
që të kthejë sytë nuk mund të shmang përballjen me veten.
Nis të sforcohem për t’u përhumbur në
mendime. Nuk dua të shoh shëmbëlltyrën time të përkryer. I kushtova kaq shumë rëndësi
pamjes për t’i pëlqyer njeriut që dua. Pavarësisht vetsigurisë që më buron prej
gjithë qenies sime, më bren një dyshim, i cili më bën të dridhem. Po sikur
Fatjoni të mos dojë një martesë të vërtetë me mua? A do jem e gatshme të jetojë
përkrah tij dhe të vuaj që ai s’është
imi!? Qortoj veten rëndë nën zë: Mos guxo të sjellësh ndër mend diҫka të tillë!
S’kam kohë të reagoj ndaj qortimit që marr.
Në ashensor hyjnë doktor Besniku dhe Ema. Janë dy njerëzit e fundit që do doja
të kisha përballë. Nuk arrijë të kuptojë si e ruaj gjakftohtësinë. Më ndihmon
prania e Ilirit dhe Katerinës. S’di ҫ’mund të më ndodhte sikur të isha vetëm për vetëm me ta. Gjendem duke u përshëndetur dhe duke
shtërnguar duart gjithë mirësjellje me dy armiqtë e mi. Po po, armiqtë e mi. Kanë
patur fatin të jenë njerëzit më të afërt të Fatjonit, por në mënyrën më tinëzare
kanë shpërdoruar besimin e tij. Armiqtë e njeriut që dua janë edhe armiqtë e
mi.
Herët
a vonë, Fatjoni do ua tregojë vendin të dyve. Madje, jam e sigurt
se nuk do ndodhë vonë. U hedh një sy të dyve. Mos vallë është dita e të
veshurit me stil?
Menjëherë më pas kërkoj shëmbëllimin tim.
Ndrojtja e mëparshme u zhduk. Sy ndër sy
gjithë vetbesim. Fatjoni është imi, vetëm imi. Jam e gatshme ta mbroj nga gjithҫka dhe gjithkush.
Më në fund dera e ashensorit
hapet. Sapo përfundoi ngjitja më e gjatë e jetës sime. Tentoj të mbush mushkëritë me ajër, por përfundoj të mbetem
pa frymë. Hutohem papritur. Korridori është pushtuar sërish nga familja ime e
madhe. Por, ajo që më le pa frymë është kujdesi që kanë treguar për veshjen dhe
pamjen e tyre.
Këtu diҫka po ndodh. Por, ҫfarë?
S’kam kohë të më kalojë hutimi. Gjendem ballë për ballë me kryebashkiakun. Më
buzëqesh dhe më thotë se kemi lënë diҫka të papërfunduar dhe kjo është kundër
natyrës së tij.
Zemra më dridhet e tëra. Në kaq
pak ditë duket se jam bërë tjetër njeri. Kam kaluar punën në plan të dytë dhe i
kam pranuar vetes me zë të lartë se dua të jem e lumtur. Njeriu i vetëm që mund
të më bëjë të lumtur është Fatjoni. E dua më shumë se veten. Ai është jeta ime.
Me sy të përlotur dhe me hap të
shpejtë drejtohem për nga dhoma e Fatjonit. Me siguri ai do donte të kishte
veshur kostumin gri që i kam stiluar. Por, s’mundet për shkak të gjendjes së
tij shëndetësore.
Mbetem sërish pa frymë kur shoh Fatjonin. I
veshur me kompletin e pizhameve të gjelbërta me logon e spitalit që ia mbulojnë
në mënyrë të përsosur allҫinë, me pantoflat blu po me logon e spitalit, është dhëndri më i bukur në
botë. Është ulur në një karrike të
përshtatshme për gjendjen e tij shëndetësore. Më buzëqesh. Përlotem sërish.
Zoti po më kthen gjithҫka që më ka munguar prej kohësh. Dëshirën për të jetuar. Por, është duke
më dhënë diҫka që s’e kam pasur kurrë dhe as që e dija që ekzistonte. Një
lumturi të pafund.
Përqafoj Fatjonin me gjithë etjen
time për të jetuar, me gjithë dashurinë që më gufon nga shpirti. E puth ku të
mundem dhe i them me zë të lartë se jam gati ta bëjë njëmijë copash
marrëveshjen tonë martesore. Unë dua një martesë të vërtetë, si dashuria që
ndiej për të.
Kthej kokën pas dhe habitem që
në dhomë janë të gjithë. Madje edhe dy operatorë. Në vend që të përskuqem nga
turpi, jam gati ta përsëris edhe një
herë me zë të lartë propozimin tim.
Fatjoni e mer shpejt situatën në
dorë. Nxjerr nga xhepi i xhaketës së
pizhameve një letër të palosur me kujdes më katërsh. E shpalos po me kujdes dhe
ma zgjat. Jam e lirë ta gris.
Nuk ia bëj fjalën dy. Dhoma është
e mbushur me njerëz, por ky ҫast është
vetëm yni. E copëtoj aq sa mundem dhe i
fluturoj në ajër copëzat e saj. Nuk e quaj marrëveshje të mallkuar. Ajo shërbeu
si katalizator në afrimin tonë. Do t’i jem mirënjohëse përjetë. Por, tani nuk
më duhet më, kurrë më.
Fatjoni më thotë duke më pëshpëritur,
se ajo marrëveshje e kishte kryer tashmë misionin e vet. Që në fillim e dinte
se do kërkoja ta grisja përpara se ta zbatoja. Ai kishte qenë i sigurt për
dashurinë time. Thjesht më kishte dhënë kohë t’ia pranoja vetes dhe mw pas atij.
E përqafoj sërish, duke u ulur nw
prehrin e tij. Më duhet patjetër ta kem pranë, për t’u vetbindur që s’jam duke ëndërruar,
por duke jetuar. Një jetë plotësisht të lumtur, për të cilën kisha reshtur së
shpresuari prej më shumë se ҫerekshekulli. Por, nga tani do ta lë pas të shkuarën.
As për të ardhmen s’kam përse të ëndërroj. Mjaft të jetoj të tashmen, e cila është
më e bukur se ëndrrat.
Kryebashkiaku na fton t’i
bashkohemi në këndin e dhomës që është improvizuar për kryerjen e martesës sonë
civile. Me zor pres të nënshkruaj dhe të
lidhem në martesë me njeriun që dua.
Në mendje më beh një shkëndijëz
që dikur do e kisha quajtur marrëzi. Do mar mbiemrin e bashkëshortit. Gjithmonë
më është dukur absurd ndërrimi i
mbiemrit, por tani jo më. Kur në mes është dashuria, gjithҫka merr tjetër
kuptim.
Të gjitha fjalët e tjera i
dëgjojnë të tjerët. Unë dëgjoj vetëm pohimet tona. Nënshkruajmë. Menjëherë pas
kësaj vërshon një lum me urime, përqafime dhe puthje. Të gjithë këta njerëz i
dua, janë duke më uruar me gjithë shpirt jetë të lumtur. Sa për urimin
tradicional me trashëgime, do kishin bërë mirë ta shmangnin. Tingëllon absurd
dhe qesharak. Mundohem të mos i jap rëndësi.
Besniku dhe Ema qëndrojnë të
heshtur në një kënd të dhomës. Afrohen të fundit dhe na urojnë në mënyrë
formale. Fatjoni u përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Jam e lumtur kur vë re disa
detaje, të cilët më sinjalizojnë se ata ndihen të tepërt në jetën tonë.
Pason një tortë gjigante dhe
disa shishe shampanjë. Vërshon sërish lumi i urimeve, përqafimeve dhe puthjeve.
I dua të gjithë këta njerëz, e di që lumturia ime i lumturon.
Pavarësisht të gjithave, me zor
pres që të largohen dhe të mbetem vetëm për vetëm me tim shoq. Lumturia nuk
vjen si pasojë e organizimit të ceremonive të mëdha. Ne mund të jemi shumë të
lumtur edhe pa ceremoni.

No comments:
Post a Comment