Saturday, March 31, 2018


      KOSTUMI   Kapitulli XVIII


    Dashuria është ҫelësi i lumturisë. Trishtimi është kyҫi i saj. M’u desh shumë kohë për ta kuptuar. Tani jam e bindur, s’ka kyҫ në botë që dashuria nuk është e aftë ta hap.
    Ajo është balsam ҫudibërës për gjithë plagët e shpirtit tim. E vërteta është se ato nuk zhduken kurrë, por dashuria, duke më mbushur shpirtin, i kuron në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhimbja e mëparshme, krejt e padurueshme, u zvogëlua si me magji. Dhe jam gati për të jetuar të tashmen, për të ëndërruar të ardhmen. E shkuara mbetet gjithmonë me mua. Ndryshimi i madh është që s’jam më peng i saj.
    Kanë kaluar gjashtë muaj nga martesa civile. Qysh prej atëherë kam njohur vetëm lumturi dhe suksese. Herë-herë më duket sikur jam brenda një ëndrre. Gjithҫka është aq e bukur, saqë e kam të vështirë ta besoj që është e vërtetë.
    Po afrohet një ditë tepër e veҫantë për mua. Së shpejti, në “Sheshin Skënderbej”, do të zhvillohet sfilata me veshjet e krijuara nga tridhjetë nxënësit e mi. Më pëlqen t’i quaj kështu. Ndofta ata e konsiderojnë veten të rritur, ama për mua janë ende fëmijë. Plot ëndrra, plot shpresa, plot frymëzim. Gati për të nisur jetën dhe për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në fushën e mrekullueshme të stilimit.
    Për gjashtë muaj atelieja ime e re ka qenë e mbushur me jetë. Aty nuk u formësuan vetëm profesionist. Aty lindën sa e sa miqësi të sinqerta dhe dashuri të mrekullueshme.
    Duke u mësuar atyre gjithë sa di, në sytë e mendjes më shfaqet ime më. Fytyra e saj e qetë, sytë e mbushur plot dashuri dhe krenaria e padiskutueshme që unë po ecja në të njëjtën rrugë me të, me po atë dashuri. Në sajë të mamasë, një send fare i vogël dhe me vlerë monetare të pakonsiderueshme si gjëlpëra, u bë sendi më me vlerë i jetës sime. 
    Nuk arrijë ta imagjinoj si do kishte qenë jeta ime nëse nuk do isha bërë rrobaqepëse dhe më pas stiliste. Materialet, ngjyrat, linjat dhe gjithë detajet e aksesorët që plotësonin veshjet, nuk ishin gjë tjetër, veҫse produkt i gjendjes sime shpirtërore.
    Në këtë periudhë të jetës sime, kuptova arsyen përse kisha përdorur kryesisht ngjyra të ftohta. Në veshjet që krijoja, pasqyroja gjithë ftohtësinë e shpirtit tim. Më dhimbsen njerëzit që më kanë besuar ndër vite. Gjithë garderoba e tyre e marrë së bashku, nuk është gjë tjetër, veҫse fryt i frymëzimit tim të trishtuar.
    Jam krenare për gjithë sa u kam mësuar nxënësve të mi përgjatë këtyre muajve, por jam plotësisht e bindur se në gjithë këtë histori më e fituara jam unë. Sa shumë kam mësuar prej tyre! Sa shumë entuziazëm!
    Qysh në ditën e parë që u takuam në atelie, ia nisën me vërejtje dhe sugjerime mbi marketingun. Sipas tyre, një stiliste si unë, nuk mund të linte suksesin e saj në dorë të rastësisë.
    I dëgjoja me vëmendje dhe përhumbesha në të shkuarën. Mamaja e bënte me dëshirë rrobaqepësinë dhe falë gjilpërës së saj rriti pesë vajza. Na bëri të mos na mungonte absolutisht asgjë.
    Unë, fillimisht me rrobaqepësinë e më pas me stilimin, kisha mbushur gjithë zbrazëtinë që më kishte krijuar jeta. Të ardhurat e mia ishin të mjaftueshme për të siguruar gjithë sa më duhej. Ndërsa llogaria bankare më jepte sigurinë  për të cilën kisha aq shumë nevojë. Aso kohe isha plotësisht e bindur që do ta mbyllja si një qen i vetmuar dhe i braktisur gjithë jetën time. Së paku, të mos shkoja në azil, por të paguaja dikë që të kujdesej për mua në shtëpinë time, në kohën kur s’do ia dilja vetë.
     Sa për famën dhe suksesin, ato kurrë s’kanë qenë qëllim në vetvete. Ato ishin koraca ime. Kisha nevojë t’i tregoja vetes se unë ende arrija të bëja diҫka siҫ duhet.
    S’kisha nevojë të mendohesha gjatë. I dhashë të drejtë instiktit. Do ua besoja atyre marketingun. Menjëherë u ngrit një grup prej pesë vetësh, tri djem dhe dy vajza. Kishin aq shumë njohuri në informatikë, saqë të krijonin përshtypjen se ishin diplomuar në këtë fushë.
    Menjëherë pasi përfunduam takimin e parë dhe nxënësit e tjerë u larguan nga atelieja, grupi i sapokrijuar më tërhoqi mënjanë dhe të pestë nisën të më shpjegonin strategjinë e tyre.
    Unë s’kisha aspak informacion për rrjetet sociale për të cilat më flisnin. As që e dija si funksiononin. Por, ata nuk hiqnin dorë lehtë. Kur e panë që me teorinë nuk po shkoja mirë, më demostruan faqet që kishin në internet stilistët më të njohur në botë. Ishte një mrekulli.
   Pse jo? Këto fjalë ishin gjithë sa thashë dhe ata ia nisën nga puna. Më hutonin me gjithë sa kërkonin prej meje. Dikush më kërkonte të bëja biografinë time. Një tjetër të zgjidhja një foto profili. Dikush shpejtoi të fotografonte atelienë nga jashtë. Ndërsa dy vajzat kërkuan me ngulm që njëra prej tyre të fotografonte garderobën time dhe tjetra veshjet që kisha ruajtur si krenari ndër krijimet e mia ndër vite.
    Veshjet e garderobës sime mund t’i fotografonin kur të donin. Sa për veshje ndër vite... s’kisha ruajtur pothuajse asgjë. Ky fakt u dukej i pabesueshëm, madje i trishtueshëm, por s’kishim kohë për të humbur. U nisëm së bashku për në dhomën time.
    Katerina na priti në hyrje të vilës dhe i takoi vajzat gjithë entuziazëm. Nuk më besohej që kisha arritur të depërtoja në shpirtin e sime vjerre, i cili fillimisht më qe dukur i ftohtë dhe hermetik. Asaj tanimë i interesonte gjithҫka që kishte të bënte me jetën dhe profesionin tim.
    Na ftoi t’i hidhnim një sy garderobës së saj. Ftesën e pritëm me shumë kënaqësi. Katerina është një grua që vishet gjithë klas dhe stil. Për sytë tanë do ishte një kënaqësi e vërtetë.
    M’u duk e tepruar kur i kërkoi njërës prej vajzave të filmonte. Ajo priti miratimin tim dhe unë s’kisha si të kundërshtoja, megjithëse m’u duk absurde. S’mund të ulja figurën e sime vjerre përpara dy vajzave që sapo i kisha njohur.  Atë video mund ta fshija më vonë në qetësi.
    Katerina më ftoi pranë saj, si të ishim duke xhiruar ndonjë film dokumentar të një rëndësie të jashtëzakoshme. Me zor po mbaja të qeshurën kur shihja që ajo merte poza gjithë pompozitet.
    Hapi të dyja kanatat njëkohësisht dhe nxori prej andej një kostum të bardhë. Jo... Nuk më besohej që e kisha para syve. Ndjeva trupin të më lëshohej i tëri dhe nevojën të ulesha menjëherë në vendin e parë që mundesha. Për fatin tim, shumë pranë gjendej një kolltuk. U plandosa mbi të.   
    Ai kostum më kthente pas në kohë. Plot tridhjetë e pesë vite më parë. Kostumi që ishte duke qepur ime më kur i nisën dhimbjet e lindjes. Silvi kërkonte të vinte në jetë. Ajo ngutej ta mbaronte me ҫdo kusht, përpara se të shkonte në maternitet.
    Aso kohe isha vetëm dymbëdhjetë vjeҫe dhe s’kisha prekur kurrë gjilpërë me dorë. Për herë të parë e ndihmova time më dhe e bëra me shumë dashuri. Ishte kostumi më i bukur që kishte qepur ndonjëherë, për klienten e saj më të rëndësishme, të cilën nuk donte ta humbiste për asnjë  arsye. Përndryshe, si mund t’ia dilte mbanë e vetme  me pesë vajza?
   Nuk më besohej që atë kostum e kisha para syve. Nuk më besohej që Katerina e kishte ruajtur për një kohë kaq të gjatë. Nuk më besohej që ajo po ma dhuronte. Ishte dhurata më e bukur që kisha marrë ndonjëherë.
    E përqafova time vjerrë me lotët që më rigonin faqeve dhe nuk gjeja fjalët e duhura për ta falënderuar. I isha thellësisht mirënjohëse për atë që sapo kishte bërë.
    Disa minuta më vonë isha sërish e emocionuar dhe e mallëngjyer. Ndryshimi i vetëm ishte që sytë e mi ishin të përlotur, por lotën nuk më rigonin më faqeve. Për herë të parë isha duke rrëfyer publikisht hapat e parë të profesionit tim. Pa ndërhyrjen e Kristinës nuk do ta kisha bërë kurrë.
    Shumë shpejt videoja me dhurimin e kostumit të bardhë dhe me rrëfimin tim u publikua në rrjetet e mia sociale të sapohapura. Shikimet, shpërndarjet dhe komentet ishin të pafundme. Gjeje aty nga komplimentat më të mira për një vjerrë të veҫantë dhe të dashur si Kristina, përgëzimet dhe urimet për suksese në profesionin tim. Por, pjesa më e madhe e komenteve ishin për time më. Ajo grua që më kishte frymëzuar mua për ta dashur profesionin dhe për t’ia dalë mbanë në jetë, sapo ishte kthyer në burim frymëzimi për sa e sa njerëz.
        Sapo Fatjoni u kthye nga puna, shpejtova t’i dilja përpara. Megjithëse me paterica, nuk pranonte kurrësesi të qëndronte në shtëpi. Pa punë ndihej i paplotë. E donte dhe kujdesej për spitalin e tij sikur ta kishte fëmijë. Nëse ekzistonte qoftë edhe një njeri i vetëm në botë që e kuptonte, ky njeri isha unë. S’ka më mirë se të ushtrosh ҫdo ditë profesionin tënd me dashuri  të madhe.  
     Fatjoni më përqafoi më fort dhe më gjatë se herë tjetër. Pasi më puthi, më tha se ishte shumë krenar për mua. E kuptova menjëherë që edhe ai si shumëkush tjetër kishte dëgjuar rrëfimin tim.
     Është e papërshkrueshme me fjalë lumturia që ndiej kur arrijë t’i bëjë krenar njerëzit e mi të dashur. Sa do doja që ime më të jetonte ende. Të më shihte sa e lumtur jam dhe të lumturohej bashkë me mua. Sa do doja të ndihej krenare dhe të mos i peshonin mbi supe zgjedhjet e gabuara që kam bërë më parë në jetën time! Do doja me gjithë shpirt të dinte që ajo vijon të jetë busulla ime.



No comments:

Post a Comment