Saturday, October 6, 2018

  ENGJËLL


   Qëndroi në shkallën e fundit. Para se të futej në avion e ndjeu të nevojshme ta kthente edhe njëherë kokën pas. Për herë të fundit, mendoi,  për herë të fundit po e shoh këtë vend. Nuk do kthehem më këtu, nuk do kthehem kurrë, çfarëdo që të ndodhë.
   -Eja Eva! Po pengon njerëzit të futen në avion,- i foli i shoqi me zë të ultë. Kur e pa që ajo s’lëvizi nga vendi, e zuri për dore dhe e tërhoqi pas.
    -Po më nxjerr kyçin e dorës, mos më shtërngo kaq fort! Mos ki frikë, nuk kthehem pas,- i foli ajo me zë të thekshëm, por aq të ultë, saqë vetëm ajo e dëgjoi.
    Ndenjësja e Kristit ishte pranë dritares, por ai shkëmbeu vendin me Evën. Ndoshta asaj i bënte mirë të qëndronte pranë dritares. Duke qenë natyrë romantike medoemos do ta çmonte veprimin e tij dhe do shijonte pamjen gjatë udhëtimit.
    Vendosi çantat e dorës në vendin e caktuar dhe u ul pranë bashkëshortes së tij. I hodhi dorën në qafë. Ajo ishte e dëshpëruar, kishte nevojë të ndjente praninë e tij.
    Ndërkohë, stjuardesat nisën të jepnin udhëzimet për raste emergjence. Eva ndiqte e përhumbur herë stjuardesat e herë monitorin ku ilustroheshin pamjet.
   -As mos i shih e as mos i dëgjo! Nëse e bën, truri do nis të mendojë më të keqen. Mjaft të fikësh celularin dhe të vendosësh rripin e sigurisë.
    Pa mbaruar ende fjalën Kristi, ajo dëgjoi zhurmën që bëri tokaja metalike e rripit dhe ndjeu shtërngimin e tij. Vuri buzën në gaz. Kristi vuri buzën në gaz gjithashtu. Buzëqeshja e tij s’kishte asgjë të përbashkët me buzëqeshjen e saj.
   Buzëqeshja e Evës ishte një vetironi. Ai rrip që e kishte mbështjellë dhe e shtërngonte mbante brenda tij vetëm një trup. Një trup pa shpirt. Një trup që merrte frymë, por që s’jetonte.
    E fiku më në fund celularin, pas ngulmimit të të shoqit. Ai ishte gjithmonë korrekt në gjithçka. Të jepte përshtypjen se gjithë rregullat në botë ishin bërë për t’u zbatuar prej tij, ose prej njerëzve të tillë.
    Pas ecjes në pistë  që dukej sikur do ishte e pafund, avioni u shkëput nga toka dhe nisi të ngrihej në ajër. Kristi e përqafoi fort Evën, së cilës fytyra e shtangët nuk i ndryshoi pamje. Kur ai përqafim përfundoi, Eva provoi po atë lehtësim si në nisjen e avionit.
    U përpoq t’i jepte një buzëqeshje. Funksionoi me sa dukej. Ajo pa sytë e tij të shkëlqenin. Sa do donte që edhe sytë e saj të shkëlqenin kështu kur shkëmbenin vështrimet! E sforconte veten aq sa mundej, madje edhe jashtë mundësive të saj. Për fat të keq nuk ia dilte.
    Pa përtej krahut të avionit. Dhe për sa kohë do fluturonin mbi Shqipëri? Mezi priste të ishte jo vetëm larg tokës, por edhe larg qiellit të saj.
    Në gjithçka që kishte bërë në vitet e jetës së saj kishte vënë shpirtin. Si këmbim? Si këmbim i kishin marrë shpirtin. Tani s’ishte gjë tjetër, veçse një trup pa shpirt.
    Kështu shpërblehesh kur jep shpirtin, mendoi e trishtuar, mbetesh pa të.
    Shihte përtej dritares. Avioni fluturonte në të njëjtën kuotë, këtë ia konfirmonte monitori, i cili paraqiste të dhënat në kohë reale.
    Ishin duke fluturuar mbi retë e bardha puplore. Por ajo s'arrinte të merrte asnjë lloj kënaqësie shpirtërore. Ndihej plotësisht e zbrazët.
    Kur avioni preku pistën ndjeu të dridhura në trup. Mezi kishte pritur t'i ikte vendit dhe jetës së mëparshme. Por, nuk ndihej ende gati për një vend dhe jetë të re. Si do ia bënte?
    -Eja Eva!- i tha i shoqi,- është koha për të zbritur. Është koha të fillojmë jetën tonë nga e para!
    E pa Kristin në sy. Ai kishte hedhur të dyja çantat në njërin sup, ndërsa dorën tjetër e mbante të shtrirë drejt saj.
    -Ç'lloj njeriu ishte ky?- mendoi. Pas gjithë poshtërsive që ajo kishte bërë mbi kurrizin e tij, ai ishte sërish aty, duke zgjatur dorën drejt saj.
    Ai e kishte falur dhe nuk i mbante mëri. Ndërsa ajo, jo vetëm që nuk e kishte falur veten, por s'kishte për ta falur kurrë.
    -Ky nuk është njeri!- mendoi duke e zënë nga dora që i kishte zgjatur.- Ky është një bekim. Është një engjëll që Zoti e ka dërguar për mua në tokë.

Elda Gjini
2018

No comments:

Post a Comment