FËMIJËS BRENDA MEJE
Falmë! Në mundsh, falmë!
Të kam shpërfillur, tradhtuar, braktisur,
Po kisha frikë të jetoja fillikat.
Kam bërë kompromise në kurrizin tënd,
Kompromise mbi shpirtin tim,
Nga frika e të jetuarit në vetmi.
Më tmerronte braktisja, përse-në s'e di.
Falmë në mundsh! Të përgjërohem!
E sërish, në mundsh... braktismë!
Ti u rëndon kujtimeve të mia,
Gjumin më trazon , ndërsa ëndrrat,
Ëndrrat në makthe i tjetërson.
Ti më bren ndërgjegjen.
U përpoqa gjatë të mos më braktisnin të tjerët,
sa në atë rrugë, harrova e braktisa veten.
Ti strukur, kërrusur, duke qarë me dënesë,
në skutat më të errëta të mendjes sime,
në skutat më të thella të shpirtit tim.
Pastërtia e pranisë tënde gjakos timen mizori.
Ndaj braktismë edhe ti, dhe të lutem falmë!
Ik e më lër në këtë zbrazëti, në timen zbrazëti.
Ndoshta vetëm ajo, do më falë pak lehtësi.
Mos më shih më me ata sy të frikësuar,
unë jam tradhtari që ty të ka mohuar.
e ti je dëshmitari që kurrë s'ka për të harruar.
Nëse zgjas duart e të prek sytë për të të fshirë lotët,
unë vetëm të ndot, ndaj braktismë...
Braktismë para se të të shter edhe ty,
Ti je dëshmitar i rrënimit tim,
Unë s'dua që ndokush të dëshmojë këtë rrënim.
Dua të harrohem... siç unë të harrova ty.
Elda Gjini
Korrik 2026
No comments:
Post a Comment