Saturday, December 1, 2018


 A MUNDET?!

 Mendja e saj nuk ishte e sëmurë. Mendja e saj ishte realiste. Ata jetonim në dy botë të ndryshme. E ndiente. Sa herë ai e mbështillte në krahët e tij, përpiqej ta shijonte përqafimin sikur të ishte i fundit. Mund të ishte i fundit.



    E ndiente gjithmonë e më të largët. Përpiqej të ishte e lumtur, përpiqej me gjithë forcën e shpirtit të vet ta bënte edhe atë të lumtur, por ishte e pamundur. I shoqi nuk i përkiste më. Ndoshta s’i kishte përkitur kurrë. Por, ajo kishte qenë shumë e zënë për ta vënë re. Ishte e zënë me dëshirën e pamatë e të ngutshme për t’u larguar nga shtëpia ku ishte rritur. 
    Nga ajo shtëpi s’kishte dalë e rritur siç kujtonte, nga ajo shtëpi kishte dalë një fëmijë naiv. Nguti i madh për t’ia mbathur prej andej e kishte bërë aso kohe të dukej e rritur në sytë e mendjes së vet. Kishte gabuar. Rëndë madje.
    Pyeste shpesh veten: Përse e humba bashkëshortin tim? Përse nuk luftova për dashurinë e tij?! Në periudha të ndryshme të jetës së vet i kishte dhënë përgjigje të ndryshme këtyre pyetjeve.
     Aso kohe u dorëzua pa luftuar, sepse mendonte që betejën e kishte të humbur. Ai nuk e donte më. Ishte i dashuruar me një femër tjetër. Ç’rëndësi mund të kishte nëse ishte dikush që ajo e njihte, apo dikush që as e njihte.  Ai ishte i largët. E ndiente që ai mendonte për dikë. E kishte humbur, apo ai s’kishte qenë kurrë i saj? Nëse ai s’e kishte dashur, atëherë përse ishin martuar?  
    Sikur ta ndiente që kishte ende shpresë do luftonte. Ajo ishte gati të bënte gjithçka që ai ta donte. Kurrë në jetë s’i kishte përkitur diçka, apo dikush. Donte me gjithë shpirt që kjo t’i ndodhte me të shoqin. Kohë më parë pothuajse kishte qenë e bindur për këtë.
    Pas shumë vitesh nisi t’u përgjigjej dy pyetjeve ndryshe, krejt ndryshe. Ajo e humbi bashkëshortin, sepse nuk ishte rritur dhe edukuar me mendimin se dashuria është bazë dhe domosdoshmëri për një familje. Familja e saj, në të cilën qe rritur, kishte funksionuar në bazë të rregullave të shumta e të ngurta, në bazë të hierarkisë patriakale. Atë s’e kishin rritur dhe edukuar si një femër “të dobët” që duhej të jetonte përkrah të shoqit duke dhënë dhe marrë dashuri.  E kishin rritur dhe edukuar si një femër të fortë.  Një femër që duhet të dëgjonte dhe t’i bindej bashkëshortit pa kundërshtime. Dhe ajo i qe bindur të shoqit pa kundërshtime.  
    E di përse e humbi bashkëshortin?! E humbi,  sepse ajo nuk dinte as të merrte e as të jepte dashuri.  Askush në familje s’ia kishte mësuar. Kurrë.



     Me kohë nisi të ndihej  si e zënë në grackë. Ishte jeta ajo që i kishte ngritur grackë, apo ishte  ajo që i kishte ngritur grackë vetes për të mos qenë kurrë e lumtur?! Këtë s’mund ta thoshte me siguri as atëherë, as sot. Sa e vështirë të jetonte një jetë, të cilën e ndiente që nuk i përkiste!
    Ajo nuk luftoi për dashurinë, sepse askush në jetën e saj s’i kishte thënë që dashuria është e rëndësishme, se për dashurinë duhet të luftosh për ta fituar e mandej duhet të luftosh për ta mbrojtur.
    A mund të falë dashuri dikush që nuk ka marrë kurrë dashuri nga askush? A mund të marrë dashuri dikush që nuk di të jap dashuri?!
    Ajo përpiqej pafund, por s’dinte ç’përgjigje ishte e duhura. E si mund ta dinte?!

Elda Gjini   2018
Shkëputur nga romani “Të jetosh me...”

No comments:

Post a Comment