KAPITULLI V - NË
KRAHËT E LUMTURISË
U
pozicionova pranë dritares në dhomën e
gjyshërve. Nga aty mund të shihja Bledin dhe të mos shihesha prej tij. Kishte
veshur kostumin e zi, me shkëlqim verbues. Në mes të varfërisë, e cila aso
kohe kishte hedhur rrënjë gjithandej,
kriteri im kryesor për të çmuar një veshje ishte shkëlqimi. Sipas
meje, sa më verbues të ishte ai, aq më të reja dhe cilësore ishin veshjet. Kisha
gjithashtu përshtypjen se kushdo që mbante veshje të tilla, i lexohej lehtësisht
shkëlqimi i pasqyruar edhe në pamjen e fytyrës. Dhe Bledi jo thjesht shkëlqente,
por vinte si ylli i mëngjesit në sytë e mi.
Kravatën në ngjyrë të artë ia kisha zgjedhur unë, në
mënyrë që të kombinonte me fustanin tim. S’ishte vetëm mashkulli më i bukur që
kisha parë ndonjëherë, por dhe më i bukur nga cilido përfytyrim. S’kishte si
ndodhte ndryshe. Kisha nisur ta shihja
me sytë e dashurisë.
Sa për buqetën me lule që mbante në duar,
ishte një surprizë vërtet e këndshme. Këtë veprim do ta vlerësonte çdo
vajzë. Ndërsa unë që isha rritur në një familje ku femrave nuk u dëgjohej zëri
dhe nuk u lejohej të kishin asgjë përtej nevojave bazë, sepse në të kundërt u
hapej syri, e vlerësoja si mrekulli gjestin e tij. Për herë të parë jeta po tregohej bujare me mua,
duke më dhënë më tepër nga sa kisha ëndërruar. Më mbetej vetëm të isha në
lartësinë e duhur për ta merituar.
Dola nga dhoma vetëm kur më njoftoi Alda. Në
zemër ndjeva një shtërngim të paprovuar kurrë më parë. Pothuajse mbeta pa frymë
për disa sekonda. S’ishte diçka fizike, në mos analizat dhe kontrollet nëpër të
cilat më kishte bërë të kaloja Vjollca
do ta kishin nxjerrë këtë problem.
Po
lija pas një periudhë të jetës sime, adoleshencën. Jo më e mira që mund të
ëndërroja, apo të kisha, ndoshta mijra
vite dritë larg ideales, por tani po ikte përgjithmonë. E kisha jetuar aq pak
në kohë dhe intensitet! Me dorën që më dridhej i fshiva ato pika lotë që më
riguan faqeve. Iu betova vetes se nuk do kishte më lotë pendimi për çaste të
pajetuara.
Me
hap të lehtë, por më të sigurt se kurrë, po shkoja drejt asaj që do ishte e
ardhmja ime. I dhashë forcë vetes, tashmë i përkisja botës së të rriturve,
dobësitë ishin adoleshenteske.
Të
gjithë po më prisnin dhe sapo u shfaqa në derë ndesha vështrimet e tyre. Pata
një ndjesi të veçantë. Më në fund provova vetëkënaqësi. Kuptova përse Vjollca
ishte gjithmonë rrëzëllitëse. Kuptova përse zëri i Aldës dhe e qeshura e saj
kumbonin aq ëmbël në rrugët e qytetit tonë të vogël. Kuptova gjithashtu, se për
faj të ditëve gri në familje, sytë e mi kishin pothuajse gjithmonë ngjyrë kafe
dhe mungesë shkëlqimi.
S’doja të vijoja si më parë, as edhe një çast të vetëm. Duhej të
largohesha një ditë e më parë nga ajo shtëpi. Bashkëshorti im i ardhshëm duhej
të më merrte me vete në çfardolloj mënyre. Në fund të fundit, a nuk ishte ai
Shpëtimtari im?
Bledi shkëlqente i tëri. Më dhuroi buqetën me lule duke më mbështjellë
duart me duart e tij. Lumturia më pushtoi të gjithën, aq sa më bëri të mpihesha.
Pa ardhur akoma në vete, ai më puthi në faqe. Dhe unë nuk mendova as për atë që
do të thoshin me vete nëna dhe mamaja, as për ndjesitë që do ishte duke shtypur
babai, siç i duhej të bënte gjithmonë
nën hijen e të atit, madje as për hungërimat nën zë që me siguri ishte duke
lëshuar gjyshi nga tërbimi që diçka e tillë po ndodhte brenda në shtëpinë e
tij, para syve të tij. Autoriteti i padiskutueshëm i Vjollcës bënte që ai t’i
mbante për vete gjithë mendimet që ngërthenin mentalitet të vjetëruar për kohën. Nuk kishe si të mos e
adhuroje një grua të tillë. Sikur kjo botë të kishte më shumë femra të tilla,
burrave si gjyshi im do t’u duhej të gjenin vend ku të strukeshin.
U
ndjeva në qiell, mes reve të bardha të lumturisë. Kjo ishte puthja e parë që
merja nga Bledi. Megjithëse s’kishte ardhur në një çast që të ishte vetëm yni, nuk
më pengoi aspak që të ndjeja shijen e ëmbëlsisë së saj deri në labirintet më të
errëta e më të largëta të zemrës sime. Befas, ndjeva si m’u ndriçua dhe m’u ngroh
zemra. Dashuria e Bledit e gjeti menjëherë rrugën e duhur labirinteve, ishte dashuria ime që e
udhëhiqte. Një dashuri e etur për dashuri. Një dashuri që më çonte peshë dhe më
bënte të humbja nocionet vend dhe kohë.
Kur
zbrita në tokë ndjeva faqet prush. Provova ta injoroja këtë detaj dhe me pak
vetbesim ia dola mbanë. Makiazhi që më
kishte vendosur Alda më bënte të ndihesha e qetë. Ajo më kishte siguruar se
përskuqjen e fytyrës sime nuk do ta vinte re askush përveç meje.
Më
pas takova Vjollcën. Ajo dukej rrëzëllitëse me një fustan të kuq. Ndërsa i
shoqi me kostum blu e kravatë të kuqe. Vëllai i Bledit, Nikoja me kostum bezhë
dhe këmishë të zezë. Ndërsa Koli kishte marrë një pamje krejt tjetër. Për herë
të parë në jetën e vet kishte një kostum të ri, ngjyrë kafe dhe këmishën ngjyrë
panë. Kush e di sa kohë kishte pa mbathur një palë këpucë të reja? Ndërsa
këpucë të tilla, me siguri s’kishte mbathur kurrë.
Ka
një arsye përse kam përshkruar gjithmonë
veshjen e Vjollcës dhe jo të sime mëje. Ajo dhe gjyshja kishin vetëm nga
një kostum për atë periudhë të vitit. Ishte i njëjti model, fund treçereksh me
të çarë pas dhe xhaketë e gjatë me mëngë të shkurtra me dy të çara nga anash.
Të qepur te e njëjta rrobaqepëse, ndoshta më e keqja në botë dhe jo vetëm më e
keqja në qytetin tonë të vogël. Ishte po ai material, ndryshonte veç ngjyra.
Mamaja të kaltër, ndërsa gjyshja kafe. Deformimet e copës në çdo tegel, u
shkonin për shtat deformimeve në personalitetin dhe karakterin e tyre. Kushdo
që do t’i shihte, paçka se nuk i njihte, do ndjente për to keqardhje dhe
trishtim. Në familjen tonë ishte fatkeqësi e vërtetë të ishe femër.
Gjyshi dhe babai mbanin gjithashtu kostume të vjetëruara dhe pa shije.
Kostume që u shkonin për shtat me mendësitë dhe mentalitetin e tyre. Fakti që
s’kishin mbathur këpucë e bënte edhe më të paplotë figurën e tyre. Ata ishin vendosur si gjithmonë brenda
kornizave të ngrira. Sa doja që t’i shkrinin një herë e mirë ato korniza! Sikur
të mund të jetonim të gjithë të qetë e të lumtur! Por, unë isha e sigurt që kjo
s’kishte për të ndodhur, së paku jo për aq kohë sa të jetonte gjyshi. Dhe kur
të vinte ora e tij, gjithmonë nëse zemrat e gjyshes dhe e prindërve të mi do
mund të mbijetonin aq gjatë, ai do t’i kishte shndërruar aq shumë karakteret e
tyre, saqë ata nuk do ia dilnin mbanë të njihnin veten.
Koha
po kalonte shpejt. Ndoshta kështu më dukej, ngaqë për herë të parë në jetën
time po ndihesha plotësisht e lumtur. Alda hynte e dilte së bashku me time më,
duke sjellë mbi tabaka gjithë sa duhej sjellë për një rast të tillë.
Ime
më ishte një kuzhiniere e shkëlqyer. Ajo përgatiste vetë pijet, bonbonet,
biskotat e kështu me radhë deri te torta. E thënë shkurt, dukej sikur po
zhvillohej ndonjë panair i kuzhinës tradicionale. Kjo e bënte gjyshin të merrte
një pozë krenare në krye të tryezës. Meritat për gjithçka në atë shtëpi i
merrte ai.
Mysafirët hëngrën me shije, duke i provuar të gjitha dhe duke lëvduar
kuzhinieren. Vjollca pyeste time më për përbërësit dhe e përgëzonte për
rezultatin e gatimit. Jam e sigurt se mamaja s’kishte marrë kurrë në jetën e
saj aq lëvdata. Nuk i dhashë rëndësi përskuqjes që mori në fytyrë, por
shkëlqimit në sytë e saj.
Ajo
e dinte sa vlente, pavarësisht se jetonte në një familje, ku sipas
kryefamiljarit nuk bënte asgjë të jashtëzakonshme veç detyrës së saj. Ajo
meritonte më shumë nga sa i kishte dhënë jeta, shumë më shumë. E megjithatë,
kurrë nuk guxonte të thoshte një fjalë për të mbrojtuar veten, për të kërkuar
ç’ka me të drejtë i takonte.
Shkëmbimi i unazave ishte një çast idilik. S’di nëse duhej të
falënderoja fatin tim, apo Bledin për gjithë atë lumturi që na kishte
mbështjellë në krahët e saj.
No comments:
Post a Comment