Thursday, November 8, 2018

PËRGJEGJËSITË  kapitulli  II



     Të nesërmen në mëngjes Amarda ishte në këmbë më herët se zakonisht. I duhej të përfundonte punët e përditshme, për t’u marrë më pas me problemet e reja që i qenë shfaqur vetëm një ditë më parë, por edhe me çështje të tjera, të cilat prej kohësh qëndronin pezull. Ajo mund t’ia dilte mbanë të gjithave. 
     Nëse jeta e vë njeriun në provë për ta bërë edhe më të fortë, atëherë ky ishte çasti për Amardën. Provat jetësore kishin qenë të njëpasnjëshme, njëra më e vështirë se tjetra  dhe ajo duhej t’ua dilte mbanë që të gjithave, patjetër. Vetëm vdekja e të atit bënte përjashtim. Ajo për fat të keq ishte e pandreqshme.
     Edhe Soni u bashkua me të bijën. Ishte bukur ta shihte të ëmën në këmbë. Hallë Liljana dhe Silvio  ishin përpjekur ta shkatërronin. Për fat nuk ia kishin dalë mbanë. Megjithëse Soni ishte e lodhur prej dhimbjes dhe sëmundjes, Amarda arrinte t’i lexonte një shkëlqim të ëmbël në sytë enigmatik. Ishte bukur kur shkëputeshin prej punëve dhe kalonin në intervale përqafimesh. Mund të quhej një fillim i mbarë. 
     Sapo përfunduan me punët, ëmë e bijë u ulën në dhomën e ndenjies. Amarda i telefonoi Klajdit. Ai i bëri aq shumë pyetje në lidhje me vitin në të cilin ishin martuar prindrit e saj, vitin në të cilin ishte martuar halla, vitin në të cilin qe ndërtuar shtëpia, saqë Amardës iu duk vetja se po jepte një provim me gojë në lëndën e historisë familjare. Po të kishe parasysh se lëndën e historisë gjatë viteve shkollore e kishte urryer, arrije ta kuptoje përse-në e sfilitjes së saj gjatë telefonatës. Por, kishte edhe diçka tjetër. Ajo ishte përgjigjur në mënyrë mekanike. As që e kishte idenë ç’i hynin në punë Klajdit gjithë ato data. Pa kaluar ende ky hutim i parë, Klajdi vijoi ta pyeste për aktin e pronësisë  së tokës, për legalizimin e shtëpisë dhe sa e sa pyetje të tjera, saqë Amarda u hutua plotësisht.
     Atëherë ai i kërkoi të konsultohej për gjithçka me mamanë e vet, të mblidhnin gjithë dokumentat përkatëse që kishin në shtëpi dhe të flisnin më konkretisht në mbrëmje, kohë në të cilën Klajdi do të ishte i lirë. Duhej të merrnin gjithçka me radhë.
     Klajdi s’mund të ndiqte këtë çështje, pasi ajo do t’i hante shumë kohë dhe mbi të gjitha ishte jashtë fushës së tij. Klajdi ishte specializuar në çështjet penale. Ai njihte dikë në Lushnjë, të cilin e kishte mik për kokë dhe që mbi të gjitha ishte noter mjaft i zoti. Do fliste me të, në mënyrë që ai t’i këshillonte dhe t’i ndihmonte që të kryenin të gjitha procedurat. Ishin aq shumë, saqë të vetme s’kishin për t’ia dalë mbanë kurrë. Noteri do t’i këshillonte hap pas hapi. Në po të njëjtën mënyrë edhe Klajdi do mbetej i informuar. Ai e kishte shumë për zemër të mirën e tyre.
     Të nesërmen Amarda do ishte e lirë të nisej që në mëngjes e të takonte noterin në Lushnjë. Në shtëpi nuk ishte më halla, e cila si zakonisht do ta ndalonte duke i thënë se nëse do të shkonte diku përveçse kishës do hidhte baltë mbi kujtimin e të atit. Po kush kishte hedhur në të vërtetë baltë mbi kujtimin e Sokolit? Sa larg ishin ndonjëherë fjalët nga veprimet!
      Zemra i copëtohej kur i sillte ndër mend të gjitha. Por, s’duhej të bënte qoftë edhe përpjekjen më të vogël për të harruar. Ndoshta kjo është e keqja më e madhe që mund të bëjmë në jetë, të përpiqemi të harrojmë diçka nga e shkuara. Vetëm mbi themelet e saj ne mund të ndërtojmë siç duhet të tashmen dhe të ardhmen, duke vigjëluar ndaj gjithçkaje dhe gjithkujt që na ka bërë keq. Sepse, e keqja nuk tkurret e as zhduket. Me sa duket, ne jemi të detyruar të pranojmë kthimet ciklike që ajo bën në jetën tonë.  
     Pavarësisht se halla s’do ishte më në shtëpinë e tyre për t’i kujtuar detyrën e saj si bijë, të ndizte çdo pasdite një qiri te varri i të atit, ajo do ta bënte sërish. Megjithëse kur dilte nga porta e kishës ndjente më shumë dhimbje dhe ishte shumë më e dërrmuar se në kohën kur hynte, ajo sërish do shkonte. Ishte babai i saj. Do bënte gjithçka për të. 
     Por, kur e mendonte thellë-thellë, arrinte në përfundimin se nuk ishte vetëm e dhimbshme. Ishte edhe pafundësisht e padrejtë. Pas një jete me shpresa, ëndrra, përpjekje për t’u përmirësuar në çfardolloj aspekti, kursimi dhe stërmundimi për të shtuar të mirat materiale, njeriu përfundon dy metër nën dhe. Përse? Përgjigjen e kësaj pyetjeje s’kishte për ta gjetur as ditën e dyzetë. Edhe sikur të shkonte aty për dyzetë vite me radhë, sërish nuk do mund të gjente një përgjigje bindëse dhe njëkohësisht të pranueshme.  Por, nëse jeta është shpesh e padrejtë me ne njerëzit, a kemi të drejtë të pretendojmë se vdekja duhet të jetë ndryshe?
     Qysh prej humbjes së babait Amarda ishte e bindur që bota ishte e padrejtë dhe qe ngjizur mbrapsht, por vetëm tani po kuptonte se ligjet, jo vetëm që ishin të padrejta, por mund t’i përcaktoje si një çmenduri më vete. Për këtë s’mund t’ia hidhje fajin asaj krijesës supreme, e cila qëndron diku lart në qiell. Njerëzit, në përpjekje për të bërë ligje e për të vendosur rregull, ia dilnin gjithmonë të krijonin kaos.
     Toka që kishin përfituar gjyshrit e saj sipas ligjit numër  7501 do të ndahej në dy pjesë të barabarta në mes fëmijëve të tyre. Tani që Sokoli nuk jetonte më, të drejtën e pronësisë së tij e trashëgonte Amarda. Hallë  Liljanës i takonte sipas ligjit gjysma e shtëpisë dhe gjysma tjetër sipas ligjit i takonte Amardës.
     Po Sonit? Çfarë i takonte asaj sipas ligjit? Ç’të mira materiale do trashëgonte ajo pas vdekjes së bashkëshortit? Asgjë. Po, po asgjë. Ajo ishte martuar në vitin 1986. Që prej atëherë kishte punuar si mësuese dhe gjithë pagën e saj e kishte sjellë në buxhetin e përbashkët familjar. Prej andej merte sa të mundej më pak. E dinte se me ato para ishin për t’u mbuluar sa e sa nevoja. I qe dashur të priste e përcillte njerëzit që i vinin në shtëpi, të përgatiste e të shtronte dreka e darka. Asnjëherë përgjatë atyre viteve ajo nuk pati mundësinë t’ua kthente mysafirëve mirësjelljen me vizita, pasi ishte gjithmonë e zënë me punë. Por, mysafirëve s’u mbetej që s’u mbetej qejfi. Sa vinte dhe i dendësonin vizitat. Me sa dukej një herë vinin nga ana e tyre dhe një herë tjetër për të zëvendësuar vizitën që s’kishin mundësinë t’ua kthenin.
     I qe dashur të fillonte të ndërtonte shtëpinë nga guri i parë i themelit. Sa e mundimshme kishte qenë! Për të reduktuar shpenzimet Sokoli kishte vendosur ta ndërtonte shtëpinë me blloqe betoni dhe jo me tulla. Për të reduktuar sërish shpenzimet i qe dashur të priste së bashku me të shoqen blloqet e betonit. Sa e lodhshme kishte qenë! Më pas i kishte rënë sërish lapsit, vendosi të bënte vetë punën e muratorit, ndërsa Soni do ishte ndihmësja e tij e vetme. Sa e sa netë kishin kaluar pa gjumë nga dhimbjet që ndjenin në gjithë trupin prej punës së sforcuar. Përsëri asnjëri prej tyre s’ishte ankuar. E dinin që po ndërtonin një shtëpi që do të ishte përgjithmonë e tyrja dhe e askujt tjetër. Në atë shtëpi do plakeshin të lumtur, madje edhe vdekja aty do t’u dukej e ëmbël.
     Po Liljana, ku ishte Liljana gjatë kësaj kohe? Ajo studionte gjithashtu për mësuesi, si vëllai i saj. Prindrin nuk donin t’i ndanin fëmijët dhe i donin të dy me arsim të lartë, por ja që ajo nuk ishte aspak si i vëllai. Ama, kjo s’kishte kurrfarë rëndësie për ta. 
     Sokolit i duhej që të merrte udhën e të shkonte deri në Gjirokastër ku studionte e motra dhe të gjente ndonjë mik për të ndërhyrë te pedagogët. Edhe sikur të mos u jepte asnjë qindarkë, mjafonte rruga lartë e poshtë, fjetja në hotele, e ngrëna vend e pa vend për ta nxjerrë me këpucë të kuqe.
     Soni asnjëherë s’ishte ankuar. Herët a vonë Liljana do t’i mbaronte studimet dhe do niste punën. Më në fund nuk do t’u duhej të shpenzonin për të. Por, ja që ishte gabuar. Liljana u njoh që kur ishte studente me bashkëshortin e saj të ardhshëm dhe Sokolit me Liljanën iu desh të bënin një fejesë madhështore. Miqtë që vinin nga Greqia meritonin një pritje të denjë.
     Pa larë akoma borxhet që kishin marrë për fejesën, iu desh të merrnin borxhe të reja. Liljana do të martohej. Paja duhej të bëhej sipas zakonit. Absolutisht asgjë nuk duhej t’i mungonte pajës së Liljanës. Dasma e saj duhej të qe madhështore dhe duhej t’i tregonin miqve grek se si tunden dasmat shqiptare. Sonit i kishin mbetur në mendje fjalët e vjerrit të saj: Kam punuar një jetë të tërë si qeni, s’dua t’i lë gjë mangut sime bije!
     Soni u pataks nga fjalët që dëgjoi dhe iu desh të kafshonte buzën për të mos folur. Kur ishte martuar kishte gjetur vetëm një kasolle në vend të shtëpisë dhe ca vjetërsira pa vlerë në vend të mobiljeve. Si mund t’i thoshte i vjerri ato fjalë? Së paku të mos ia thoshte asaj. Me miqtë nga Greqia me siguri ato fjalë mund të kishin ndonjë farë kuptimi, por jo me të.        
      Sokoli e çmonte shumë Sonin për sjelljen e saj, por e dinte se gjithë familja e tij i kishte hyrë në hak. Ishte sikur ajo të kishte një samar dhe t’i mbante të gjithë mbi shpinë, ata që përgjatë gjithë jetës së tyre kishin punuar si qeni. Le më Liljana sa kishte punuar! Kur vinte në shtëpi përgjatë kohës së studimeve mbyllej në dhomën e vet. Duhej të studionte, sepse do bëhej mësuese. As edhe një herë nuk preku punë shtëpie me dorë. Edhe nëse ndonjëherë bënte sikur kryente ndonjë punë, e vjerra ia vinte në dukje Sonit se Liljana po e ndihmonte. Soni sërish nuk bënte zë. Mos të gjithë në atë shtëpi ishin njerëz dhe ajo ishte kafshë pune?
     Për fat të mirë, pas martesës së Liljanës gjithçka në shtëpinë e tyre ishte kthyer në normalitet. Prindërit e bashkëshortit silleshin shumë mirë me të dhe e falënderonin shpesh për gjithçka kishte bërë për Liljanën dhe për gjithë të tjerët. Amardën e mbanin si të ishte një princeshë. Ca nga ca gomarit po i lehtësohej barra e rëndë mbi shpinë, shkarpat sa vinin e pakësoheshin. Edhe miqtë dikur pothuajse shterën. Me ndarjen e tokës dhe me mbajtejen e gjësë së gjallë pothuajse askush s’kishte më as kohë e as mundësi të lëvizte prej shtëpisë së vet. Tani vinin për vizitë vetëm njerëzit më të afërt, të cilët sillnin kënaqësi me praninë e tyre.
      Dikur Soni e ndjeu shpinën të lehtë. Mundimet kishin marrë fund. Pas kaq shumë kohe dhe pas kaq shumë mundimesh ajo nisi të ndjehej nuse në atë shtëpi, madje vajzë, ndonjëherë edhe zonjë shtëpie. Kishte gjithçka i duhej, madje gjithçka kishte ëndërruar. Sa shumë kishte punuar për t’ia arritur! Kjo e bënte të ndihej me të vërtetë krenare. Asnjëherë nuk ishte ndarë prej Sokolit dhe s’e kishte lënë t’i bënte i vetëm punët, sado të vështira dhe mashkullore të ishin. Punët e saj i përfundonte deri në mesnatë, apo në mëngjes herët, madje mjaft herët. Kështu ishte ajo, s’e vinte asnjëherë veten para të tjerëve, sidomos kur bëhej fjalë për Amardën, as që mendonte për ekzistencën e vet, i përkushtohej si të qe një robot dhe jo një qenie njerëzore.
     Ndërsa tani, tani që dhimbja për humbjen e të shoqit ishte kaq e madhe, një plagë ende e hapur dhe e përgjakur, Liljana vinte të xhvaste pjesën e vet. Si ishte e mundur që asaj t’i jepte ligji gjysmën e shtëpisë? Ajo s’kishte vënë dorë në atë shtëpi as për ta pastruar e jo më për ta ndërtuar. As prindrit e Liljanës dhe Sokolit nuk kishin dhënë ndonjë lloj kontributi në ndërtimin e shtëpisë. Ata s’kishin qenë të shkuar në moshë kur martuan djalin e tyre, por gjatë kohës kur Soni dhe Sokoli sfiliteshin për të ndërtuar që nga guri i parë i themelit, ata shfaqeshin krejt indiferent. Vite më vonë Soni me veten e vet i kishte shfajësuar plotësisht.  Ndoshta ishin edhe të pafuqishëm për t’u ardhur në ndihmë. Vdekja e parakohshme e të dyve mund ta përligjte indiferencën e tyre,- të paktën deri diku. 
     Pas përfundimit të shtëpisë, në kohën kur do bëhej legalizimi, Soni i kërkoi të shoqit që të vendoste edhe emrin e saj si bashkëpronare. Të dyve u kishte rënë njësoj bretku për ta ndërtuar atë shtëpi. Ndërkohë që ata ranë dakort me njëri-tjetrin dhe ua komunikuan këtë edhe prindërve të Sokolit, mbetën pa fjalë. I ati i Sokolit e kishte legalizuar shtëpinë në emrin e vet. Dhe më e keqja ishte se kishte deklaruar se shtëpia ishte ndërtuar në vitin 1985, pra para martesës së Sokolit me Liljanën. Sigurisht që ky nuk ishte një lapsus. Gjithçka e kishte menduar në favor të familjes së tyre dhe në disfavor të nuses, që është derë e botës.
   Po përse në emrin e vet? Ishte ai kryefamiljari, vetëm kur të vdiste ai mund të bënin ç’tu donte qejfi. Në fund të fundit edhe trualli ishte në emër të tij.
      Për herë të parë Sonit i qe zgjidhur goja.
      -Meqë është shtëpia jote mos do të na kërkosh edhe qera për qëndrimin tonë?
      Sokoli i kishte bërë me shenjë. Ajo që ishte bërë s’mund të ç’bëhej më. Dhe vërtet, vetëm tani pas kaq shumë vitesh Soni u kujtua se nuk kishin bërë pas vdekjes së vjehrrit kthimin e shtëpisë në emrin e tyre. Ligji tani i njihte të drejtë trashëgimie Liljanës. 
      Kurrë, kurrë nuk do t’i jepte asaj asnjë pëllëmbë tokë dhe asnjë dhomë nga shtëpia e saj. Vetë shpirti i Sonit e dinte sa ishte sfilitur për të pasur gjithë ç’kishte. Por, ligji as që donte t’ia dinte se cili kishte punuar dhe cili kishte ndërtuar. Ligji njihte pronarin e ligjshëm, jo ndërtuesin.
     Aq ishte rënduar situata, saqë nënë e bijë s’mund të kishin asnjë bisedë që t’i shlodhte, apo t’i bënte të shtynin kohën. Gjithë bisedat tashmë mund t’i quaje të angazhuara. Ato s’mund të shëronin plagë, dukej sikur i përkeqësonin, madje i gangrenizonin ato. Sa për Arbrin, ajo ende s’kishte guxuar t’i fliste së ëmës gjerë e gjatë. Por, nga ana e vet as Soni nuk e kishte trazuar këtë bisedë. Nëse s’mund të ushqente ndaj tij instiktin e nënës si dikur, të paktën të mos ushqente neveri dhe urrejtje. Supet e Amardës s’mund të mbanin më një peshë të tillë. Soni s’kishte asnjë të drejtë t’i diktonte së bijës ç’duhej të bënte me jetën e vet. Ajo gjithashtu s’duhej të ndërmerrte asnjë nismë që do të binte në kundërshti me interesat e Arbrit.  Kishte ardhur koha që secila prej tyre të pozicionohej në vendin e vet dhe të mbante përgjegjësitë përkatëse.

No comments:

Post a Comment