Amarda dhe Soni e kuptuan shpejt se të paguanin noterin që do merrej me
çështjen e pronësisë së tyre ishte një thikë me dy presa. Madje edhe më keq se
kaq. Por, asnjëra nuk guxonte të
përdorte përcaktimin: është vetëvrasje. Kjo fjalë prej vitesh ishte kthyer në
tabu për secilën prej tyre. E përse të këmbëngulnin për ta çuar këtë çështje më tutje? Të vetmit që
do përfitonin ishin hallë Liljana dhe Ledjo. Mos ishin duke u servirur gjithçka
në një pjatë të argjendtë? Më mirë ta harronin këtë nder.
Ëmë e bijë bënë një marrëveshje
mes tyre. Jo vetëm nuk do shkonin më te noteri, por as nuk do flisnin mbi këtë
temë. Nuk ishte e lehtë t’i përmbaheshin marrëveshjes. Sidoqoftë, nuk munguan
përpjekjet serioze nga të dyja palët për ta respektuar atë.
Kriza ekonomike në vendin fqinj
me sa dukej kishte ndikuar fuqishëm edhe në ekonominë familjare të hallë Liljanës. Ajo kërkonte me
këmbëngulje atë që i takonte në bazë të ligjit, por hë për hë s’kishte as kohë
e as para për të ndjekur gjithë procedurat e nevojshme. Të paktën për një farë
kohe do kishin armëpushim. Ishte një periudhë për t’u shfrytëzuar
maksimalisht.
Amarda e mori për shaka atë që
Soni i tha të nesërmen e marrëveshjes së tyre. Nuk mund ta imagjinonte të ëmën
duke hedhur shtëpinë e tyre në erë. Jo, ajo nuk mund ta bënte një marrëzi të
tillë. E njihte mirë mamanë e vet. Kjo do ishte jashtë natyrës së Sonit dhe në
kundërshtim të plotë me parimet e saj. Shkurt, ishte diçka që Amarda do ta
harronte në çast. Dhe kështu bëri. Si
kapak për të mbyllur bisedën shërbeu buzëqeshja e saj.
Atëherë kur u duk sikur gjithë
temat e bisedave mes tyre shteruan, Soni hapi një temë, të cilën deri atëherë e
kishte konsideruar tabu. Amarda ishte gati të fluturonte nga gëzimi. Mendoi t’i
hidhej në qafë së ëmës dhe ta përqafonte fort e fort. Ta puthte në të dyja
faqet. T’i thoshte një lumë me fjalë mirënjohjeje. Realisht nuk bëri asgjë nga
këto. U mjaftua duke e parë në sy. A e kishte seriozisht atë që tha? Soni nuk
nguroi ta thoshte sërish.
-Ami! Ti duhet të bësh të
pamundurën për ta nxjerrë Arbrin nga burgu!
Amarda nuk u përgjigj. Të paktën
jo menjëherë. Ajo vijonte të shihte të ëmën ngultazi. Më pas u përpoq
seriozisht për të kuptuar domethënien e vërtetë të atyre fjalëve dhe ta
zhbironte sa të mundej. Por, ishte Soni ajo që e përmendi nga gjithë ajo
përhumbje.
-Unë do të të ndihmoj Ami.- tha
ajo shkurt, pa shtuar ndonjë arsye, apo koment.
-Përse mami? Dhe për më tepër,
përse pikërisht tani?
-Unë e di se ç’po mendon. Ke gjithë të drejtën e botës për
të mos besuar tek unë pas asaj që bëra, por kjo është diçka momentale. Do vijë
një ditë që ti do t’i kuptosh gjithë arsyet e mija.
-Unë i kisha premtuar vetes se
nuk do ta hapja e para këtë bisedë. Tani që ti e nise, të lutem, shpjere deri
në fund!
-Me fjalën fund unë kuptoj vetëm
vdekjen Ami. Dhe për fat të keq e vetmja vdekje që as e prisja e as e
imagjinoja ishte ajo e babait tënd.- Soni vendosi dorën mbi zemër. Amarda e
dinte përse-në e këtij veprimi. Ajo e ndjente sërish veten fajtore për atë që
kishte ndodhur. Ndoshta po tregohej një vajzë pa takt, apo më keq akoma, një
vajzë pa ndjenja, por nuk mund ta linte me kaq këtë bisedë. E dinte që një rast
i tillë i artë nuk do t’i vinte për kush e di se sa kohë.
-Ma! Përse e bëre? Përse
ndryshove dëshminë dhe e fute Arbrin në burg? Ti e di se jeta ime pa të pranë
nuk ka as vlerë dhe as kuptim.
Soni nuk po thoshte asnjë fjalë.
Por, heshtja e saj nuk ishte kryeneçe. S’e ç’kishte diçka të veçantë, të cilën
Amarda nuk po mund ta deshifronte. Nëse nuk do kishte ndihmën e së ëmës, nuk do
ia dilte kurrë mbanë.
-Mos e bëre për të më mbrojtur?
– edhe vetë Amardës i dukej absurde kjo pyetje, por iu duk më e përshtatshmja
prej gjithë atyre që i lëvrinin në mendje. Vetëm kjo pyetje kishte ca logjikë
brenda. Pra, Soni mendonte se Arbri po i shkatërronte jetën së bijës dhe
preferoi ta shpinte në burg për ta mbajtur larg saj.- Mos doje të më mbroje ma?
-Po, por jo ty.
-Kë tjetër do mbroje dreqi e
mori?- Amarda e kuptoi menjëherë që bëri dy gabime njëherazi. Iu drejtua së
ëmës me fjalë jo të përshtatshme dhe ngriti zërin në një mënyrë të tillë që s’i
kishte aspak hije. Në gjendjen shëndetësore që gjendej Soni edhe një gabim i
vetëm mund të rezultonte fatal. Amarda mblodhi gjithë forcat e veta. Do t’i
nevojiteshin për të kontrolluar më mirë mendimet dhe emocionet. - Kë po mbroje
ti ma?
Amarda u mundua t’i thoshte këto fjalë me qetësi, por ajo ishte qetësia
më e paqetë në botë. Mendimet që i lëvrinin në mendje ishte pak t’i quaje të
mbrapshta. Kë ishte duke mbrojtur Soni? Ajo ishte në gjendje të kuptonte se
duke futur Arbrin në burg, e kishte bërë të bijën të vuante pafundësisht.
Atëherë me siguri duhej ta dinte cili ishte vrasësi i vërtetë dhe po e mbronte
atë. Pra, bëhej fjalë jo vetëm për një njeri të njohur, por njëkohësisht edhe
të afërt e të dashur. Po ta vinte trurin në punë mund ta gjente.
Mos ishte Sokoli? Amarda ndjeu
një dridhërimë në gjithë trupin. Menjëherë nisi kërcitjen e dhëmbëve dhe gishtave.
Nervozizmi i saj kishte arritur kulmin. Sakaq buzët e tulta iu kthyen nga
brenda sa thuajse u zhdukën. Po të qe e vërtetë, atëherë... E kishte thënë
shpesh kohët e fundit se kjo botë qe gatuar mbrapsht qysh nga zanafilla, por
nëse dyshimi i saj vërtetohej, atëherë kishte ardhur koha e apokalipsit.
Në fillim Klara dhe Arbri, Geri e më pas Arbri e Klara, sërish
Klara, mamaja e saj, së fundi hallë Liljana dhe Ledjo. Njerëzit më të afërt dhe
më të dashur për të e kishin zhgënjyer dhe e kishin bërë të vuante
pafundësisht. Nuk mund të ndodhte edhe me Sokolin diçka e tillë. Ai kishte qenë
dhe do të mbetej përjetësisht idhulli i saj. Asgjë dhe askush nuk duhet të
përbalte kujtimin e tij. Sokoli kishte sakrifikuar gjithçka kishte vetëm për
pak dashuri. Kur u ndërgjegjësua plotësisht që nuk mund ta merrte, iku nga kjo
botë. Ai u largua në po atë mënyrë që edhe jetoi. Pa zhurmë, pa bujë. Me atë
heshtjen e tij të përvuajtur, ai përgjërohej për dashuri, për asgjë
tjetër.
Vetëm tani Amarda nisi të kuptonte
se në ç’aspekt ngjasonte me të atin. Ata prisnin me kënaqësinë më të madhe edhe
grimcat më të vogla të dashurisë që u falte njeriu i dashur. Nëse nuk u
mjaftonin për të shuar urinë e shpirtit, ishin të gatshëm të... Këtu ndryshonin
kryekëput prej njëri-tjetrit. Sokoli nuk do bënte kurrë diçka me dorën, apo
vullnetin e tij kundër jetës së vet. Ai e dinte se kjo do t’i bënte njerëzit e
tij të dashur të vuanin dhe këtë s’mund t’ia falte vetes as përtej jetës.
Ndërsa Amarda, sapo kuptonte që dashuria e saj kishte lënë pas vetëm disa
grimca, ishte e gatshme të largohej nga kjo botë, pa menduar për asgjë dhe për
asnjë tjetër. Kështu ishte ajo. Boshti i vetëm i jetës së saj ishte dashuria. S’dinte të jetonte pa të.
-Të lutem ma, më thuaj cilin
ishe duke mbrojtur kur dërgove Arbrin drejt e në burg?
-Atë vetë Ami.
-Ma! Më thuaj të vërtetën të
lutem!
-Kjo është e vërteta bija ime.
-Kjo është vetëm një
gënjeshtër.- Amarda i urrente gënjeshtrat. Ishte e gatshme të përballej edhe me
realitetet më të hidhura e të dhimbshme. Gënjeshtra nuk mund e as nuk duhej përdorur si koracë mbrojtëse.
-Nëse në këtë botë do të më
besonte një njeri i vetëm, ky njeri duhej të ishe ti. Harrove në çfarë ngjajmë?
I harrove dhuntitë bija ime?
-Unë nuk kam harruar asgjë. Por,
ajo që nuk po mundem të arrijë, është të bëjë ndonjë lidhje mes dhuntive dhe
realitetit. Në fakt nuk më rezulton asgjë e përbashkët. Është e kotë ta shtrydh
edhe më shumë trurin si të qe një limon.
-A mund ta pyesësh veten përse
refuzove propozimin e Arbrit për martesë?
-Kjo s’ka asnjë lidhje me atë
për të cilën po flasim.
-Ka lidhje zemër. Ti pate një
parafytyrim të së ardhmes tënde dhe u mundove të largoje Arbrin nga jeta jote
që ai të mos e pësonte. Ti nuk po thua asgjë. Heshtja jote pohon, apo jo Ami?
-Nuk shkoi tamam kështu.
-E ç’rëndësi kanë detajet? Unë e mbrojta Arbrin
në po atë mënyrë që e mbrojte edhe ti.
-Po ti na bëre të vuanim kaq
shumë ma.
-Mos do të më thuash se refuzimi
i propozimit për martesë të Arbrit nuk e bëri të vuante atë, apo edhe ty vetë?
-Refuzoj të pranoj se ka ndonjë
lidhje, qoftë edhe fare të vogël mes dy rasteve.
-Je e lirë të mendosh dhe të
besosh ç’të duash zemra ime.
-Dhe ti nuk do këmbëngulje për
të mbrojtur tezën tënde?- kur e ëma mohoi me kokë, Amarda nuk duroi më. Sido që
karakterizohej nga një natyrë e qetë, herë pas herë kalonte në shpërthime
emocionale. Më pas pendohej. Gjithmonë pendohej kur bëhej preh e impulsivitetit
të momentit. Dhe fatëkeqsisht idetë e saj të çmendura për të fshirë pjesë nga e
shkuara nuk mund të merrnin jetë.
-A nuk të duket edhe ty që është
e pamundur të jetojmë kështu? Ne s’bëjmë gjë tjetër, veçse ia bëjmë të pamundur
jetën njëra-tjetrës.
-Do flasim për marrëdhënien tonë
sapo të përfundojë përkujtimorja e Kolit. Secila prej nesh mund të presë edhe
pak ditë. Dakort Ami?
-Në rregull ma.
-Ajo çështje që s’mund të presë
është çështja e Arbrit. Duhet të shkosh në shtëpinë e Klarës. Me siguri atje do
gjesh diçka që do të të ndihmojë. Mos u vono më tepër se nesër në mëngjes Ami.
Dhe tani më fal, por kam një dhimbje koke të tmerrshme. Do pi diçka dhe do
shtrihem. Të lutem Ami, kushdo që të vijë, mos më shqetëso.
-Në rregull ma!- Amarda i tha
këto fjalë duke e puthur të ëmën. Nuk iu duk e nxehtë, as me dhimbje koke nuk
iu duk. Madje ajo as nuk piu diçka për dhimbjen për të cilën ishte duke folur
vetëm një çast më parë. U fut në dhomën e gjumit dhe tërhoqi derën pas. Për një
çast Amarda mendoi se e ëma e gënjeu për të mos folur më për temat e shumta që
ishin hapur paralelisht. Një çast më vonë e shfajësoi me mendjen e vet. Pas
asaj që u kishte ndodhur s’kishte ndonjë ditë pa dhimbje koke për ndonjërën
prej tyre. Kjo ishte më se e natyrshme. Amarda
nisi të bënte ecejake vërdallë, siç bënte zakonisht kur ishte nervoze
dhe donte të mendonte. Ajo që e solli në realitet ishte zilja e derës. Kush
mund të ishte?

No comments:
Post a Comment