Friday, November 2, 2018


MBI KULLË




-Akoma nuk e kuptoj përse u trembe aq shumë! Pothuajse ndryshova mendimin që kisha për ty.
-Hahaha! S'më ke thënë ndonjëherë që të dukem trimëreshë.
-Por e kam menduar ama...
-Do doja të të shihja në vendin tim mikja ime! Megjithëse po ta mendoj mirë, s'do doja të shihja askënd në atë situatë.
-Kaq shumë u trembe?!
-Ëhë! Mos harro se u përplasa me një mjet fluturues!
-Ishte vetëm një dron e dashur! Një helikopter i vockël e i pafajshëm me katër helika.
-Oh, jo! Do ia nisësh sërish predikimin?!
-S'predikoj kurrë shpirt! Vetëm se kam guximin të t'i them të vërtetat në sy.
-Qëllo pra! Çfarë pret?
-Ti nuk ishe duke ecur, apo jo?! Ti ishe ndaluar kur droni u përplas në xhamin e makinës tënde. Ti e fsheh nga të gjithë këtë të vërtetë, madje edhe nga mua që jam shoqja jote më e mirë.
-Ti je e ligë! E ligë!
-Sinqeriteti nuk është ligësi!
-Jo?
-Mund të më thuash përse nuk e pranon që kishe ndalur makinën dhe po shihje të sapomartuarit, të cilët po filmoheshin nga droni mbi Kullën 360G?
-Nuk mund të ta them arsyen... thjesht nuk mundem...
-Po a nuk më ke thënë ti se çdo femër që pozon me fustan nusërie mbi atë kullë të duket e marrë?!
-Po... Unë ...
-Atëherë? Mund ta di ç'ndodhi që ndryshove mendim?!
-A e di çfarë?! Më vjen turp të ta them... Unë kam nisur t'i kem zili gjithë ato nuse që pozojnë mbi kullën 360G në Divjakë dhe janë të lumtura sikur pozojnë në kullën Eifel.
-Zili? Po përse vallë?!
-Sepse atyre  dhe bashkëshortëve iu mungojnë paratë për të pozuar mbi kullën Eifel, por jo dëshira për të ndjekur ëndrrat e tyre.
-Arsyetim absurd!
-Jo shoqja ime dashur jo! Nuk është aspak arsyetim absurd!
-S'po të ndjek...
-Ti s'po më ndjek mua, ndërsa unë s'po ndjek prej kohësh ëndrrat e mia...
-Nëse ëndrra jote është të vizitosh kullën Eifel, mjaft t'i thuash tët shoqi. Paratë nuk janë problem për të.
-Paratë nuk janë problem për të, ndërsa ëndrrat po...
-Shoqja ime dashur! Ndaj t'i po e shihje atë nuse me fustan nusërie mbi kullë... Çfarë po mendoje ndërkohë?!
-Për të ndjekur ëndrrat nuk duhen para, duhet shpirt...

Elda Gjini
2018

No comments:

Post a Comment