Saturday, October 20, 2018

ËNDRRAT

    Më mjaftuan vetëm pak sekonda për të regjistruar gjithçka në kujtesën time fotografike. Markën e makinës, markën e syzave të diellit, pamjen e saj, tatuazhet... Vetëm aroma e tymit të cigares nuk erdhi tek unë, megjithëse u përplas pas xhamit të makinës nëpërmjet të cilit po shihja përtej...
    Ajo përkundrazi, kishte preferuar të ulte xhamat në atë vapë përvëluese gushti... Ndoshta ishte një mënyrë për t'u vetekspozuar më mirë duke ecur përmes qytetit. Ndoshta...
    Sapo jeshilja e semaforit u ndez, ajo fluturoi së bashku me makinën e saj. Prej nga? Për ku? S'e di. Ndoshta... ndoshta.
    Kujtoj vështrimin e saj sfidues. Kishte gjysmën e viteve të mia dhe ishte ulur pas timonit të makinës. Unë isha ulur në vendin e pasagjerit. Ndiej ankth kur vihem përballë timonit. Sikur ta përplas makinën? Më dhimbset. Kushton sa rroga ime vjetore shumëzuar për dy vjet.
    Po makina e saj sa kushton? Nuk guxoj të bëj llogarinë e viteve, apo jetëve që do më duheshin për të blerë një makinë të tillë.
    E di cili është një ndër aspektet më interesante të jetës? Ëndrrat e gjithsecilit prej nesh janë të ndryshme.
    E ndërsa ëndrrat e saj kanë nevojë për shumë zero... ëndrrat e mia kanë nevojë për shpirt...

Elda Gjini
2018

No comments:

Post a Comment