Saturday, November 3, 2018


Ese filozofike
Tema: Nga individi tek turma
Hyrje
     Kundërtia midis psikologjisë individuale dhe psikologjisë shoqërore, apo psikologjisë së turmave, që në vështrimin e parë mund të na duket tepër e rëndësishme, zbutet shumë nëqoftëse studiohet në themel.
     Sigurisht, psikologjia individuale ka si objekt njeriun e izoluar, duke kërkuar të tregojë rrugët, nëpër të cilat ai përpiqet të përfitojë kënaqësi nga impulse e veta, insikteve apo duke e bërë këtë gjë vetëm shumë rrallë në disa rrethana të parealizueshme, – mund të shkëputet nga marrëdhëniet e këtij individi me të tjerët.
    Psikologjia e turmave nuk e sheh njeriun të izoluar, por si hallkë të një zinxhiri, si një anëtar  të një populli, të një klase, të një institucioni, ose si pjesë të një agregati njerëzor që organizohet si turmë për një kohë të caktuar e për një qëllim të caktuar.
    Në turmë, thotë Lë Bon, interesat individuale fshihen,  për pasojë zhduken dhe veҫoritë e tyre. E pavetëdijshmja e mirëfilltë e racës shfaqet, heterogjenia shkrihet te homogjenia. Superstruktura psikike që është aq e ndryshme tek individë të ndryshëm, mposhtet, zhvishet nga forcat e saj, kurse themeli i pavetëdijshëm, i njëjtë për të gjithë, del në pah duke u bërë veprues.

Nga psikologjia tek letërsia
   Shumë shkrimtarë, të cilët e njohin mirë psikologjinë, botën e pavetëdijes, instiktet, impulset  etj, i përdorin të gjitha këto si lëndë në veprat e tyre. Po ashtu si bota e pavetëdijshme struket skutave të shpirtit njerëzor, elementët që përmendëm më sipër struken në vepër midis rreshtave, mbas frazave, veprimeve, apo edhe lëvizjeve të vogla. Dhe një vepër e tillë ka një interpretim psikologjik, ose më saktë psikanalitik, por ky s’mund të jetë interpretimi i vetëm. Le të sjellim një shembull nga Jonesko dhe vepra e tij “Rinoceronti”.
    Baranzheja jeton në një qytet të vogël, i cili infektohet  nga virusi i rinocerontit. Sëmundja evoluon dhe kalon në disa etapa:
1.Ambjenti
2.Nënshtrimi
3.Shndërrimi në rinoceront.
    Paralelisht me këtë, Jonesko jep evoluimin e Beranzhesë, ky evolim i tij lidhet me përpjekjet për të mos ndryshuar, për të mbetur ai që është. Beranzheja është i gatshëm të bëjë edhe deklarata të tilla:  “Do rrezikojë kundër të gjithëve! Jam njeriu i fundit dhe do mbetem i tillë! Nuk nënshtrohem!”, kjo si rrjedhojë e faktit se gjithë të tjerët po “rinecerontizohen”.
     Sipas pohimeve të vet autorit:  “Synimi i dramës ka qenë të përshkruajë procesin e fashistizimit të një vendi”, por nëpërmjet analogjive.  “Rinoceronti” paraqitet si “një dramë kundër histerive dhe epidemive kolektive”.
     Ҫ’ka ndodhur, pra me këta njerëz të qytezës provinciale? Duke ditur se në jetën psikike të individit, të marrë në mënyrë të shkëputur, Tjetri ndëryn tëpër regullisht si model, si përkrahës dhe si kundërshtar, mund të themi se rinoceronti i parë që u shfaq në qytezë shërbeu si model dhe se gjithë banorët u bënë përkrahës (disa më shpejt e disa më vonë), por kjo s’ndodhi me Beranzhenë.
     Në këtë rast  mund të themi se Beranzheja ndaj “modelit” nuk vepron si përkatës, por si kundërshtar. Për ne s’ka rëndësi fakti se banorët u kthyen në rinoceront (kjo është një zgjedhje e Joneskos), por rëndësi ka fakti se nga individë të thjeshtë ose jo, ata të gjithë u kthyen në turmë, siҫ e themi më sipër duke cituar Lë Bon,  heterogjenia shkrihet tek homogjenia. Sipas tij, individi në turmë fiton cilësi të reja, që nuk i kishte më parë.

Analiza e shpirtit të turmës nga Lë Boni dhe Z. Fjord.
         E para: Individi në turmë, për të vetmin fakt të numrit, fiton ndjenjën e një fuqie të pamposhtur, që e lejon t’u hapë rrugë disa instikteve, të cilat kur ishte i vetmuar i kishte të frenuara. Ai do t’u hapë rrugë atyre aq me qejf saqë, duke qenë se turma është antonime, për pasojë e papërgjegjshme, ndjenja e përgjegjësisë, që i pengon gjithmonë individët zhduket plotësisht.
     Po për Frojdin s’kanë  aspak rëndësi “cilësitë e reja”. Sipas  tij, do të mjaftonte të thoshim se në turmë individi gjendet në kushtet që e lejojnë të
ҫlirojë dëshirat e tij instiktive, të pavetëdijshme.
      E dyta: Ngjitja mendore, ndërhyn me forcë për të bërë që te turmat të shfaqen ve
ҫoritë specifike dhe njëkohësisht orientimi i tyre. Te një turmë ҫdo ndjenjë, ҫdo veprim është ngjitës, që do të thotë se individi flijon me mjaft lehtësi interesimin vetjak për interesimin kolektiv. Pikërisht kjo aftësi e kundërt me natyrën e tij e për të cilën ai arrin të bëhet i aftë vetëm kur bën pjesë në turmë.
      E treta: Një shkak shumë më i rëndësishëm, i cili parashtron te individi në turmë  ve
ҫori specifike tepër të kundërta me ato të individit të izoluar. Këtu bëhet fjalë për aftësinë për t’u sugjestionuar, në lidhje me të cilën ngjitja që përmendëm më sipër nuk është gjë tjetër, veҫse një pasojë.
    Vrojtimet e kujdesshme provojnë se individi i zhytur prej kohësh në gjirin e një turme që zien, bie shumë shpejt si rrjedhim i erërave që
ҫlirohen prej tij, apo për një shkak tjetër ҫfarëdo që ne e injorojmë, në një gjendje te veҫantë që i ngjan shumë gjendjes së dehjes së të hipnotizuar në duart e një hipnotizuesi.
    Pak a shumë, kjo është gjendja e individit që bën pjesë në turmë. Ai nuk është më i vetëdijshëm për veprimet e tij. Te turmat ndeshet një vrull edhe më i fuqishëm se te individi i hipnotizuar, sepse sugjestionimi, duke qenë i njëjtë për të gjithë individët, ekzagjerohet duke u bërë i ndërsjelltë. Individi në turmë nuk përfaqëson më vetveten, por një automat që nuk  është më në gjendje ta  komandojë me vullnetin e vet.
    Ҫ’humb individi kur ai përfshihet në turmë? Për të vetmin shkak se bën pjesë në turmë, njeriu zbret shumë shkallë në shkallaren e njerëzimit. I izoluar një individ i kulturuar, në turmë ai nuk është veҫse një qenie instiktive, rrjedhimisht një barbar. Ai ka spontanitetin, dhunën, ashpërsinë e lashtë me to, entuziazmin dhe heroizmin e qenieve primitive. Ai zbret shumë poshtë nga pikëpamja intelektuale, duke u përthithur si individ nga turma.
    Turma është impulsive, e lëvizshme, e irrituar. Ajo udhëhiqet pothuajse vetëm nga e pavetëdijshmja. Impulset, të cilave iu nënshtrohet turma sipas rrethanave, mund të jenë të buta, ose të egra, heroike, ose të dobëta, por në ҫdo rast, ato janë dhe komandohen në mënyrë të tillë, që interesi personal, madje edhe interesi i vetpërmbajtjes të zhduket para tyre. Asgjë s’është e paramenduar tek ajo. Edhe nëse ajo i do gjërat me zjarr, kjo nuk ndodh aspak për një kohë të gjatë, pasi ajo është e paaftë të ketë një vullnet të zgjatur dhe të qendrueshëm.
    Ajo nuk duron asnjë të ҫarë ndërmjet dëshirës dhe realizimit të asaj që dëshiron. Ajo ka ndjenjën e të gjithfuqishmes. Për individin në turmë nocioni i së pamundurës zhduket.
    Turma është tepër e sugjestionueshme dhe e padjallëzuar. Ajo beson me lehtësi dhe është e zhveshur nga syri kritik. E pamundura nuk ekziston për të. Ajo mendon me figura, të cilat i shfaqen njëra pas tjetrës nëpërmjet asosiacioneve, ashtu sikurse i shfaqen njeriut të veҫuar kur i jep liri imagjinatës: për pasojë asnjë instancë e arsyeshme nuk e njeh përshtatjen me realitetin. Ndjenjat e turmës janë gjithmonë tepër të thjeshta dhe tepër të ekzagjeruara. Pra, turma nuk njeh dyshim e as pasiguri. Ajo shkon menjëherë në ekstrem. Dyshimi ia lë sakaq vendin të paparashikueshmes, fillimi i një antipatie kthehet menjëherë në  urrejtje të egër.
    E ҫuar në këtë mënyrë, në gjithë drejtimet në ekstrem, turma nxitet njëlloj nëpërmjet ngacmimeve të skajshme. Kush do të veprojë mbi të, nuk ka nevojë të peshojë logjikën e argumenteve të tij, mjafton të paraqesë tablotë më të fuqishme, duke kzagjeruar dhe përsëritur vazhdimisht të njëjtën gjë. Duke mos pasur asnjë dyshim mbi të vërtetën dhe gabimin dhe për këtë arsye duke pasur një nocion të qartë për forcën e saj të madhe, turma është sa intolerante, aq edhe plot besim në autoritetin e vet. Ajo respekton forcën dhe nuk lejon të ndikohet lehtë nga e mira, e cila për të përfaqëson një lloj dobësie. Nga heronjtë e saj turma kërkon forcë, madje ashpërsi.  Ajo dëshiron të jetë e mundur dhe e shtypur dhe ta ketë frikë sundimtarin e saj. Duke qenë në thelb tërësisht konservatore, ajo ka frikë të tmerrshme nga ҫdo e re dhe ҫdo progres. Nga ana tjetër, ka respekt pa kufi për traditën.
    Z. Frojdi dallon edhe të tjera ndryshime mes individit dhe turmës. Sipas tij, për të gjykuar me saktësi për moralin e turmave, duhet pasur parasysh fakti, se në një grupim individësh në turmë të gjitha veҫoritë individuale zhduken dhe që të gjitha qëllimet e egra, brutale, shkatërruese, mbeturina të barbarisë, që janë të fjetura te gjithsecili prej tyre, zgjohen duke u dhënë liri kënaqje së instikteve. Por, nën ndikimin e sugjestionimit, turmat u hapin rrugë pa kufi adhurimit dhe përkushtimit ndaj një ideali. Ndërsa tek individi i veҫantë, është gati i vetmi motiv. Te turmat kjo ndodh shumë rrallë. Pra, këtu kemi një moralizim të individit nga turma. Ndërsa veprimtaria intelektuale e turmës ndodhet gjithmonë shumë më poshtë asaj të njeriut të veҫuar, sjellja e tij etike, në vend që të zbresë shumë poshtë, mund të ngjitet shumë më lart nga ky nivel.
    Lë Boni zbërthen të tjera tipare karakteristike, të cilat hedhin dritë të qartë mbi ligjshmëritë e identifikimit të shpirtit të turmave me atë të njerëzve primitive.

Në kërkim të iluzioneve dhe “Prijësit”
    Turmat nuk e kanë njohur kurrë etjen për të vërtetën. Ato kërkojnë iluzione, të cilat cilat nuk munden t’i kundërshtojnë. Vet mungesa e realizmit, pra irealja, ndikon mbi to gati njëlloj si realja. Ato kanë një prirje të dukshme për të mos bërë asnjë dallim midis të dyjave.
    Ky ndikim i jetës fantazmagorike të iluzioneve, mbështetur nga dëshira e papërmbushur, na ka treguar se është përcaktues në psikologjinë neurotike. Te neurotikët nuk vepron realiteti objektiv i përgjithshëm, por realiteti psiqik. Një simptomë histerike mbështetet mbi një fantazmë dhe jo mbi përsëritjen e një përvoje të jetuar realisht, një vetëtije obsesionale e fajësisë mbi ekzistencën e një qëllimi të keq, i cili nuk ka arritur kurrë të realizohet.
    Turma është një kope e bindur, e cila nuk mund të jetojë kurrë pa Prijës. Ajo ka etje për t’u bindur, se duhet t’i nënshtrohet dikujt, të cilin e përfytyron si Zotin e saj.

Përfundime
    Psikologjia e individit dhe ajo e turmave, sado të ndryshme të jenë, në thelb kanë pikat e tyre të takimit. Psikologjia e turmës përkon me psikologjinë fëminore (dhe ҫdo individ e ka kaluar këtë periudhë), me psikologjinë e fëminisë së njerëzimit, si dhe me psikologjinë e neurotikëve.
    Vetë fakti i përfshirjes në turmë, i bën njerëzit të zbresin shumë shkallë në shkallaren e qytetërimit. Janë pikërisht mendjet e vogla, të cilat ulin në nivelin e tyre mendjet e mëdha.
    Turma është e etur, por jo për të vërteta. Turma është e etur për iluzione dhe Prijës. Ajo nuk udhëhiqet nga arsyeja, por nga instikti.
    Për turmën asgjë s’është e pamundur, ajo s’e njeh ndjenjën e fajita, a të përgjegjësisë. Ajo është e ekzaltuar dhe e sugjestionuar, gati-gati e hipnotizuar.
    Vetëm Beranzheja mbetet diku atje… i vetmuar… pa tundimin më të vogël për t’u bërë pjesë e turmës…

Elda Gjini

No comments:

Post a Comment