Thursday, November 8, 2018



LETRA        kapitulli V



     Më në fund Amarda vendosi ta hapte zarfin. Kishte kaluar mesnata dhe ajo ishte zhytur e tëra në shtratin e saj të ftohtë. Kishte aq shumë nevojë për ngrohtësinë e Arbrit! Megjithëse ishin qindra kilometra larg, ajo kishte letrën e dërguar prej tij. E shtërngonte fort mes duarve të saj, të cilat ishin po aq të bardha sa edhe zarfi. Aty ishin mbyllur mendimet, ndjenjat, ëndrrat dhe dëshirat e Arbrit. Dhe të gjitha i qenë drejtuar asaj. Në mos lumturi, në mos as kënaqësi, së paku një lloj krenarie duhej ta ndjente. Ajo ishte njeriu më i dashur për Arbrin.  Ishte vajza së cilës ai i kishte falur zemrën. Vajza me të cilën donte të kalonte jetën.  Këtë ia kishte thënë vetë ai dhe s’bëhej fjalë për ndonjë fantazi të Amardës.
     As vetë nuk e dinte përse duart i mbërdhinin ndërkohë që në mënyrë të pavetëdijshme shtërngonte zarfin. Po e zhubroste keqazi. Nisi të qeshte pa asnjë motiv të dukshëm me zë të lartë. Aty mund të ishte mbyllur gjithçka veç dashurisë së Arbrit.  Mendoi ta griste pa e lexuar, ta bënte copë e thërrime, por një sekondë më vonë e braktisi këtë ide. Mori një vazo në formë globi, e cila gjendej mbi komodinën ndanë shtratit të saj. Zbrazi pa kujdes gjithë ç’kishte futur e ëma në të: guaska, lule të thata, guralecë lumi e sa e sa vogëlsira të tjera të çuditshme. Mori çakmakun, i cili gjendej në sirtarin e komodinës. Mundohej ta kontrollonte , por e kishte të pamundur të mos e ndizte hera-herës ndonjë cigare. Kishte shpresën se mund t’i shërbente për gjësend, megjithëse s’kishte vënë re ndonjë rezultat të dukshëm. 
     Shihte ngultaz letrën tek merrte flakë, se si digjej e më pas zjarri shuhej, duke u kthyer në hi.  Në këtë botë të gatuar mbrapsh qysh prej zanafillës, çdo gjë ishte  krijuar për t’u kthyer herët a vonë në hi. Të paktën çdo gjë veç dashurisë,- mendoi. Aty ku ka dashuri të vërtetë do ketë gjthmonë vetëm zjarr dhe prush.
      Arbri, dashuria e madhe dhe e vetme e jetës së saj duhet të kishte pak durim. Të nesërmen Amarda kishte diçka tepër të rëndësishme dhe po kaq delikate për të zgjidhur. Ishte çështje shumë delikate, për jetë a vdekje. Vetëm se i duhej dikush për ndihmë. Nuk e mendoi dy herë, por i telefonoi personit të vetëm që iu duk i përshtatshëm dhe i besuar njëkohësisht. Me njërën dorë mbante celularin dhe priste përgjigjen pozitive të tij, me tjetrën trazonte hirin që gjendej në vazo. Ishte plotësisht e bindur se zjarri ishte më i përshtatshmi për të humbur plotësisht gjurmët. Të mbaronte punë. Do ta kishte parasysh të nesërmen. Sa mirë që dhuntitë i qenë kthyer në plotërinë e tyre!
     Ç’përgjigje do t’i jepte Ajla propozimit të Gerit për martesë? Për vite me radhë kishte vrarë mendjen që të gjente një rrugë për t’ia shpërblyer familjes së saj sakrificat që kishte bërë për të. Me pagën që merrte në bankë ishte e pamundur. I dhimbte në shpirt tek shihte vëllain dhe motrën e saj që sfiliteshin duke bërë punët e përditshme dhe të rëndomta të fshatit. Tashmë të dy ishin dorëzuar. Kishin hequr dorë nga ëndrrat e tyre universitare. Progresi i vetëm që mund të ëndërronin ishte të shtonin sipërfaqen e serës ku kultivonin perimet, apo numrin e bagëtive që mbarështonin.
     Ajla kishte në dorë të ndryshonte gjithçka sa hap e mbyll sytë.  Nëse motra dhe vëllai i saj do të nisnin studimet në Tiranë dhe do kishin një apartament tyren ku të jetonin, më në fund edhe prindërve do t’u shkonte shpirti në vend. Ata ishin krenar për atë që kishin bërë për Ajlën dhe i kishin peng në zemër dy fëmijët e tjerë. Ajla kishte në dorë të bënte gjithë familjen e saj të lumtur.
      Nuk duhej të bënte ndonjë gjë të madhe. Duhej që të thoshte thjesht një po. Ajo prej kohësh ishte pajtuar me idenë se nuk do të martohej për dashuri. Mendonte se gjithë sa  i duhej për të shpëtuar familjen e saj ishte një njeri me shumë para dhe që ndoshta do kishte dyfishin e moshës së saj. I duhej ta përtypte edhe këtë.
     Pa bërë asnjë përpjekje, pa e kërkuar askund, pra krejt rastësisht, Ajla e kishte gjetur dashurinë e madhe të jetës së vet. Kishte hequr dorë sakaq. Me siguri që ajo nuk ishte e përsosur, por as egoiste. Nuk mund të mendonte për lumturinë e saj dhe të braktiste një herë e përgjithmonë familjen. Djali me të cilin ishte dashuruar punonte në bankë së bashku me të. Nëse do lidhnin jetën të dy, shuma e të ardhurave mujore do t’u mjaftonte vetëm  për të paguar qeranë dhe për të siguruar jetesën. S’do kishte kurrë mundësinë për të ndihmuar familjen e vet.  Madje, vetë  çifti do të kishte nevojë për ndihmë. Kush e di nëse ndonjë ditë do të mund të bënin tyren një apartament. Me pagat që merrnin nuk shpresonte shumë.
     Me lotë në sy dhe me zemër të thyer i kishte thënë lamtumirë njeriut që donte. E dinte mirë se e kishte bërë të vuante. Edhe ajo vuante me gjithë qenien e saj. Por, edhe sikur të qëndronin pranë për  gjithë jetën, ishte e sigurt se nuk do ishin asnjëherë të lumtur. Ajla s’do të shijonte asnjë grimcë lumturie duke ditur se familja e saj vijonte të zvarritej për të siguruar ekzistencën. Ndaj mendonte që sa më shpejt të ndahej prej njeriut të zemrës, aq më mirë do ishte për të. Nëse do të zgjaste më tepër, ishte e sigurt se ndarja s’do vinte kurrë. Dashuritë e mëdha janë gjithmonë gllabëruese.
     Amarda ishte në dijeni të gjithçkaje. Sa e sa herë Ajla kishte qarë mbi supin e saj. Nuk i kishte marrë asnjëherë për bazë këshillat e shoqes. Sipas Amardës, gjithë familja  do ishte e lumtur vetëm atëherë kur të shihnin Ajlën të lumtur. Asnjëri prej tyre nuk ishte materialist. Ishin njerëz që gjithë sa kishin e vlersonin maksimalisht, sepse e kishin arritur me mjaft mund. Sidoqoftë, Ajla s’kishte bërë asnjë hap pas.  Sipas saj herët a vonë do vinte dikush i përshtatshëm për planet e saj. Dikush,  i krimbur në para.
     Kur sipari ishte gati të hapej dhe në skenë pritej të ngjitej Geri me propozimin e tij për martesë, Amarda s’kishte më asnjë fije dyshimi. Ajla e kishte prej kohësh gati një po. Geri ishte njeriu që ajo kishte pritur gjatë. Madje ishte shumë më mirë nga sa kishte planifikuar me mendjen e vet.
     Kishte pritur një njeri të krimbur në para me sigurinë se një ditë do të vinte. Mendonte se do të ndodhte pas shumë vitesh, krejt papritur po ndodhte tani. Një ofertë për të mos humbur: tre në një. I pasur, i ri dhe pikërisht tani. Sa për karakteristikat e tjera të Gerit, s’kishin kurrfarë rëndësie. As që ishte lodhur ndonjëherë të kishte pritur diçka më të mirë nga jeta, ose dikë që të plotësonte ndonjë lloj standardi më të lartë.
     Ajlën në fillim propozimi i Gerit për martesë e kishte zënë në befasi. E kishte lënë pa fjalë. Mos po e vinte në lojë? Ende i kumbonte në vesh kundërsulmi që ai i kishte bërë në gjimnaz, kur e kishte thërritur “Kothere", siç vepronin gjithë të tjerët. Në fund të fundit ky ishte edhe mbiemri i tij, paçka se të gjithë ia thoshin me një konotacion krejt tjetër. I kishte thënë se kothere ishte ajo, e cila s’kishte as bukë për të ngrënë e as b. për të veshur. Sa inferiore ishte ndjerë atëherë! Dhe jo vetëm ndaj Gerit, por ndaj gjithë të tjerëve. Askush s’kishte thënë qoftë edhe një fjalë të vetme për t’i dalë krahë. Në heshtje të gjithë kishin aprovuar atë që kishte thënë Geri.
     Propozimi i Gerit për martesë, sipas saj e  çlironte atë prej kompleksit të inferioritetit, ndërsa vetë Gerin prej kompleksit të superioritetit. Pas kaq shumë vitesh, për më tepër atëherë kur askush s’e priste, kishte ardhur koha që të dy të gjendeshin në të njëjtin nivel.
     Pavarësisht të gjithave, Ajla ishte munduar të ruante gjakftohtësinë. Pasi ishte bindur se Geri e kishte seriozisht, në vend të përgjigjes së nxituar, i kishte drejtuar një pyetje.
     -Geri, përse krejt papritur vendose të martohesh me mua?
     -Për shumë arsye së bashku.
     -Mua më mjafton të di një arsye të vetme.- i tha Ajla dhe pasi ai s’po denjonte të përgjigjej, vijoi,- Kjo situatë e re më jep të drejtën për të të kërkuar një përgjigje prej teje, apo gaboj?
     -Jo nuk gabon. Ke plotësisht të drejtë e dashur. Dhe mua më pëlqen kaq shumë kur dëgjoj një femër të kërkojë të drejtat e saj! Jam gati t’i bije në gjunjë.
     Ajla pa ironi në sytë e tij. Vitet nuk e kishin ndryshuar. As rritur. Ai ishte sërish Geri i dikurshëm. I pagdhenduri, i paedukuari, mik i vetvetes dhe i askujt tjetër. Mos ishte duke bërë gabimin më të madh të të  gjithë jetës së vet?  Brenda një çasti i dha të drejtë intuitës femërore. Nuk  duhej të rrinte as edhe një sekondë më tepër me atë njeri. Nuk e mendoi dy herë dhe u ngrit  nga karrikja me vrik. As që donte t’ia dinte për rregullat e mirësjelljes. S’kishte nevojë as për ftesën e tij, as për kafen që i kishte ofruar dhe që ende s’e kishte vënë në buzë. Por, mbi të gjitha nuk kishte pikë dëshire të martohej me të. Do ishte një jetë e shkuar dëm.
     Geri e zuri prej dore dhe e pa ngultas. Në sytë e Ajlës nuk gjeti rebelim, por thjesht pavendosmëri dhe dhimbje, shumë dhimbje. I njihte aq mirë sytë femërorë dhe ndjenjat që pasqyroheshin në ta. Nuk do kishte asnjë lloj vështirësie për ta bindur. Në gjithë jetën e tij vetëm një femër kishte guxuar t’i thoshte jo. Amarda. Ishte përjashtimi i vetëm në jetën e tij. S’kishte bërë asgjë për ta bindur me mënyrat e tij të veçanta. E di pse? Ngaqë dashuria që ndjente për të nuk e lejonte t’i përdorte ato mënyra bindjeje që i dinte vetëm ai dhe që ishin jo fort të këndshme për një femër. Ai nuk donte as të hakmerrej ndaj saj. Dashuria që ndjente për të nuk e lejonte. Nga femra si Ajla as kishte marrë si përgjigje një jo e as kishte për të marrë. Në fund të fundit ai ishte dhe do të mbetej Gerian Kotherja.
     Edhe Ajla e vështroi ngultas Gerin. Kuptoi se po jetonte çastin më të rëndësishëm të gjithë jetës së vet. Po t’i jepte përgjigje pozitive do të thoshte t’i dorëzohej përjetësisht një jete të zbrazët nga dashuria. S’do kishte më shans të dytë në jetën e saj. Tjetër gjë ishte ta planifikoje një jetë pa dashuri dhe tjetër gjë ishte të nisje ta jetoje. Ishte një ndjesi aq e ftohtë, e akullt, e cila kurrësesi s’mund të përshkruhet me fjalë. Po ndihej sikur i duhej të shiste shpirtin. Ç’duhej të bënte vallë? Nuk mund të konsultohej me askënd. Absolutisht askujt s’duhej t’ia zbulonte mendimet dhe ndjenjat e saj. E kishte bërë më parë me Amardën, shoqen e saj më të mirë dhe s’kishte funksionuar. Ajo nuk e kishte kuptuar. Askush nuk mund ta kuptonte. Me këdo që të fliste do merrte prej tij, apo prej saj vetëm gjykim dhe jo mirëkuptim. E pra, ishte vetë ajo që duhej të merrte një vendim përfundimtar. Mbi të gjitha duhej ta bënte shpejt.
      Nuk e kuptoi se në cilin moment mori vendimin të ulej. U mundua ta merrte sa më shpejt situatën në dorë. Nuk duhej të dukej e hutuar dhe e shpërqendruar para Gerit. Në mos po ai vetëm do përfitonte prej saj. Ishte specialiteti i tij. Ajla nuk mund ta lejonte këtë. Në fund të fundit gjithçka ka kufij.
     -Po pres përgjigjen tënde Geri!- iu drejtua tashmë e sigurt në vetvete.- Përse krejt papritur do të martohesh me mua?
      -Mua më pëlqen që e ke marrë kaq seriozisht rolin e bashkëshortes, pa e fituar ende këtë status. Por, mos harro e dashur, në një marrëdhënie gjithçka duhet të jetë e ndërsjelltë. Unë jam gati të të jap, jo vetëm një arsye, por gjithë arsyet që më shtyjnë të martohem me ty. Madje, jam gati që këto arsye t’i bëjë edhe publike. Po ti e dashur? Do guxoje t’ia thoje vetes së paku një arsye që të shtyn të martohesh me mua pa u skuqur nga turpi  deri te veshët? A do më jepje të paktën një arsye duke më parë në sy dhe duke mos u turpëruar nga vetvetja? E ke këtë guxim e dashur?
     -E kam guximin të të jap jo një, por një mijë arsye duke të të parë drejt e në sy. Nëse ti më drejtohesh me fjalën e dashur, unë do të të drejtohem me fjalën i urryer. Geri im i urryer, nuk dua të martohem me ty as në këtë jetë e as në tjetrën, sepse je një njeri egoist, një njeri që do vetëm veten, një njeri që nuk di  ç’është respekti, shoqëria, miqësia. Aq më tepër të pretendojë se duhet të dish se ç’është martesa, familja, fëmijët. Nuk ke ditur kurrë as ta respektosh, as ta vlerësosh dhe më pak akoma ta duash një femër.
     Jam plotësisht e bindur se nuk ke për ta bërë këtë deri në fund të jetës tënde. Njeriu i vetëm që ti vlerëson në këtë jetë është vetvetja. Gjëja e vetme me vlerë për ty është paraja. Nuk ka rëndësi mënyra se si mbërrin tek ajo, të mjafton që ajo të mbërrijë te ti.
     -Nuk jam aq i keq sa ç’mund të mendosh ti e dashur. Po të duash mund të ta ilustroj edhe me shembuj: Unë i respektoj dhe i vlerësoj maksimalisht koleget me të cilat kam punuar. Nuk jam futur kurrë në  të njëjtin shtrat me ndonjërën prej tyre. Edhe sikur ta kryeja këtë poshtërsi, do kisha mirësinë t’ia bëja të ditur qysh më parë, se unë kisha thjesht nevojë fizike për të kaluar një natë të shpenguar me të.
     Nëse ajo do pranonte, s’do kishte absolutisht asgjë të keqe. Po flasim për dy njerëz të rritur, madje në rastin më të mirë për dy beqar. Në një shoqëri moderne është diçka krejt normale, apo jo?
     Do ishte krejt tjetër gjë, nëse unë do sillesha me të në vendin e punës si i dashuruari i shekullit. Po  t’i premtoja hënën, botën, martesë dhe në mëngjes të dilja prej shtratit ku kishim kaluar natën dhe ta lija me lotë në sy dhe zemër të thyer. Arsyeja e vetme do ishte mospërmbushja e aspiratave të mia për të ardhmen. Krejt papritur, me lindjen e diellit, do kuptoja se një lidhje me të  nuk më çonte përpara në jetë, por më kthente pas.
     Po t’i thoja se kisha ndërruar mendje, sepse në shtrat ishte një zhgënjim i vërtetë, atëherë po që do isha një njeri i urryer për ty dhe jo i dashur. Madje, me pushtetin që më jep paraja, të ndërhyja te shefi, që ta detyronte të jepte dorëheqjen, vetëm e vetëm që të mos e kisha më nëpër këmbë.
         Sa për faktin që mua më mjafton që paratë të vijnë te mua, pa i kushtuar rëndësi mënyrës si ato mbërrijnë, është një e vërtetë që s’më bën aspak të turpërohem. Në fund të fundit, s’jam njeriu i vetëm në botë që i dua paratë me çfardolloj kushti. 

     I urryer do isha sikur koleges me të cilën kisha kaluar natën, t’i ndodhte përshembull ndonjë aksident automobilistik. Kështu që as unë e askush tjetër  s’do e  shihnim më kurrë. Aq para sa do më duheshin për të paguar projektuesit dhe realizuesit e aksidentit me siguri  s’do më varfëronin. Qetësia ia vlen të sigurohet me çfardolloj çmimi, apo jo e dashur?     
     -Mjaft Geri! Nuk të dëgjoj dot më! Hesht në ke Zot!- Ajla vijonte të dridhej e tëra. Geri dinte gjithçka në  lidhje me dashurinë e madhe të jetës së saj. Madje edhe detajet. Kjo e tmerronte.
     Ajla nuk ndjehej e pushtuar nga ndjenja e turpit. Kishte kaluar një natë me njeriun që dashuronte. Nuk kishte kryer ndonjë krim dhe s’kishte përse t’i jepte llogari askujt. Ishte e rritur dhe beqare.
     Ajo që e tmerronte ishte ideja se Geri mund t’i bënte keq njeriut që ajo dashuronte me gjithë zemër. Heqja nga puna do ishte një plagosje e rëndë për të. Kush e di sa kohë do t’i duhej të gjente një punë tjetër që t’ia vlente. Sa për aksidentin që kishte përmendur Geri, nuk donte as ta sillte nëpër mend. Nëse atij do t’i ndodhte diçka, për Ajlën do ishte njësoj sikur të vdiste ajo. S’mund të jetonte një ditë të vetme duke pasur një vdekje në ndërgjegjen e saj,- Të lutem Geri, mos vazhdo më!
      -S’ke përse të më lutesh e dashur. Mjaft të ma thuash. Dëshira jote është urdhër për mua. Situata e re ta jep këtë të drejtë. Dhe s’ke absolutisht asnjë arsye për t’u ndjerë keq e për t’u dridhur e tëra. Unë s’kam asnjë lidhje me shembullin që të solla më sipër. 
     A e kupton se nuk ekziston qoftë edhe një arsye e vetme në botë që të të detyrojë të më quash të urryer? Përderisa unë të propozoj martesë me qëllimet më të mira në botë, e vetmja gjë që ti duhet të bësh është të shqiptosh me zë të lartë po-në që e the pa zë që në fillim.
     Geri vijonte pa ndërprerje të lexonte gjithë ndjenjat që vdisnin në sytë e Ajlës, duke u lënë vendin ndjenjave të reja që lindnin. E vetmja gjë që ajo s’do bënte kurrë  ishte rebelimi. Geri e kishte në dorë Ajlën. E kishte aq të lehtë për të manipuluar njerëzit, sidomos femrat. Mjeshtëria e lindur, kombinohej me përvojën specifike jetësore, i shtonte dhe paratë. Ishte një përzjerje magjike, e cila funksiononte përherë.
     Tridhjetë minuta më vonë ishin duke zgjedhur unazat e fejesës. Më pas u morën me përzgjedhjen e veshjeve. Posa përfunduan edhe këtë, çifti i ri ishte duke udhëtuar për në fshatin e tyre të lindjes. Geri do  bënte gjithçka siç duhej. Do kërkonte zyrtarisht dorën e Ajlës, i shoqëruar edhe prej babait të vet.
     Kur Geri ua komunikoi prindërve vendimin e tij për martesë, ata fluturuan nga gëzimi. Përgjatë kohës që Geri kishte jetuar në Itali, ata kishin jetuar me frikën e përhershme se ai do të vendoste të martohej me ndonjë vajzë të huaj. Donin aq shumë që ai një ditë të vendoste të kthehej përfundimisht në Shqipëri, të martohej me një vajzë të mirë e të kishte familje. Sipas tyre Ajla ishte idealja për Gerin. Vinte nga një familje e mirë. Prindrit e saj ishin njerëz të ndershëm e punëtor. Po ashtu edhe motra me vëllain e saj. Ndërsa vetë Ajla ishte një vajzë e përsosur sipas mendimit të tyre: e mirë, e ndershme, punëtore, e dashur, e respektueshme, me shkollë. Për më tepër, ata njiheshin nga fëmijëria. Mezi prisnin që t’i shihnin të dy së bashku.  Kush e di? Ndoshta më në fund edhe Geri mund të hynte në rrugë të mbarë, si gjithë të tjerët. Një grua e mirë, me anë të dashurisë së saj mund ta detyronte bashkëshortin për t’u marrë me bisnese më pak të rezikshme.
     Nga ana tjetër edhe familja e Ajlës duhej ta priste mirë këtë rast. Të rinjtë  njiheshin prej një jete të tërë, duheshin që nga koha e gjimnazit, njësoj si Amarda dhe Arbri, paçka se lidhjen e tyre kishin preferuar ta mbanin vetëm për vete e të mos e bënin publike. Tani kishte ardhur koha që lidhja e tyre të bëhej më serioze. Geri vërtet s’ishte deputet, por mund t’i siguronte një të ardhme të shkëlqyer vajzës së tyre. Fakti që ai ishte bërë pjesë e jetës politike të vendit, donte të thoshte shumë. Ai nuk ishte më një njeri i zakonshëm. Ishte një njeri me një të ardhme të ndritur. Në fund të fundit ata e donin aq shumë Ajlën saqë nuk kishin për t’ia prishur.
     Gjithçka rrodhi sipas planit të Gerit. Të premten, posa u kthyen në fshat, Geri jo vetëm me babain, por edhe me nënën e tij shkuan në shtëpinë e Ajlës. Geri e njihte mirë forcën e femrave dhe e shfrytëzonte maksimalisht atë.  Nëna e tij, me atë sinqeritetin, çiltërsinë dhe dashurinë e vet prodhonte një forcë bindëse të jashtëzakonshme. Brenda pak çastesh, dy familjet praktikisht ngjanin si të ishin një e vetme. Darka e përgatitur shpejt, kishte një shije të jashtëzakonshme. Të paktën për disa prej atyre që mundën ta shijonin.
     Të nesërmen ishte e shtunë. Çifti i ri do të drekonte në një lokal në Kodrën e Ardenicës me shoqërinë e ngushtë. Katërshja më e çuditshme në botë. Çifti i cili do të fejohej zyrtarisht të dielën, por që nuk i lidhte as edhe një grimcë e vetme dashurie. Shoqja, të cilën Geri kishte pranuar se e donte me gjithë shpirt, por që më mirë vdiste se të martohej me të. Dhe shoku, i cili e kishte halë në sy Gerin dhe që kishte vite të tëra në pritje për t’u hakmarrë ndaj tij, por kurrë s’kishte kapur çastin e duhur. Dy të ftuarit kishin pranuar t’i shoqëronin vetëm për hir të Ajlës. Si Amarda ashtu edhe Klajdi e donin si ta kishin motrën e tyre. Nëse s’mundën ta ndalonin të kryente gabimin më të madh të gjithë jetës së saj, të paktën të mos lejonin që të ndihej e vetmuar nga braktisja e tyre.

No comments:

Post a Comment