Sa u habit kur përpara saj pa
Klajdin! Vetëm një ditë më parë ai i kishte thënë se ishte i zënë me punë, saqë me zor gjente kohë për t’i folur në telefon. Duhej
të kishte patjetër një arsye të fortë për të cilën ai kishte ardhur. S’bëhej
fjalë për çështjen e pronësisë.
Amarda ia kishte bërë të ditur se tashmë e kishte mbyllur atë kapitull.
As për t’i bërë vizitë shoqes së tij s’kishte ardhur. Me siguri ai e kishte një
arsye tjetër.
Sapo u takuan, Klajdi e pyeti
nëse mund të flisnin pa i dëgjuar dhe pa i ndërprerë ndokush. Me sa mbante mend
Amarda, e cila e njihte Klajdin prej një jete të tërë, ai s’i kishte kërkuar
kurrë diçka të tillë. Duhej të qe me të
vërtetë serioze ajo për të cilën do t’i fliste. E ftoi të shkonin në dhomën e
ndenjies.
Rrugës për atje Amarda solli ndër mend
ngutin e së ëmës dhe mbylljen e saj në dhomën e gjumit, me pretekstin e dhimjes së kokës. Ishte një
dëshmi e gjallë se dhuntitë e saj po viheshin në lëvizje me kohë të plotë. Jo
më kot i kishte thënë të mos e shqetësonte për asnjë lloj arsyeje. Kush e di
nëse mund t’i hynin në punë dhuntitë e së ëmës për të gjurmuar vrasësin e
vërtetë të Klarës! Dhuntitë e Amardës për më shumë se një muaj qenë zhdukur.
Asaj i qe dashur të jetonte në terr të plotë në lidhje me të ardhmen. Dhe ta
mendosh se përgjatë gjithë jetës së vet e kishte dëshiruar me shpirt, madje e
kishte lakmuar qetësinë. Ndoshta tani
ishte tepër vonë për këtë lloj qetësie. Ajo ishte mësuar të jetonte ndryshe.
-Ke këtë letrën nga Arbri. Më
mirë ta hapësh pasi të iki unë,- i tha duke i zgjatur letrën,- nëse e lexon
tani do fillosh të qash, fundja siç bëjnë gjithë vajzat e kësaj bote dhe nuk do
dëgjosh as edhe një fjalë nga ato që do të të them. Dhe më beso! Kam aq shumë
gjëra të rëndësishme për të të thënë, saqë nuk di nga t’ia nis.
-Si ishte Arbri? Kur e takove?-
për Amardën këtu duhej t’ia nisnin, sepse për të kjo ishte më e rëndësishme nga
gjithçka. Ajo s’mund të jetonte një çast të vetëm pa menduar për
Arbrin. Nuk dinte të jetonte ndryshe.
-Arbri është mirë. Gjithë
shqetësimin e ka për ty.
-E ka marrë shumë malli për mua?
-Besoj se e ka marrë malli për
të gjithë. U bë një kohë jo e vogël brenda, apo jo?
-Mos po i bën bisht pyetjes?
Përse nuk më dhe një përgjigje të drejtpërdrejtë?
-Jo, jo Ami! Ti e di se unë jam
gjithmonë i drejtpërdrejtë.
-Mirë atëherë. Sa më shpejt të
mbarojmë, aq më shpejt do arrijmë atje ku më intereson të ndalem. Do të më
përshkruash deri në detaje takimin me Arbrin dhe do të më referosh çdo fjalë,
apo heshtje të bisedës suaj. Një avokati si ti nuk mund t’i shpëtojnë detajet.
Unë kam besim te ti. Atëherë, nga do ia nisësh Klajdi?
Amarda nuk ishte entuziaste për
atë që donte t’i thoshte Klajdi. Ajo me zor priste që të shkonin te biseda që i
interesonte asaj dhe më pas të hapte letrën. Ose, ndoshta nuk donte ta hapte
atë letër menjëherë. Donte të imagjinonte se ç’fjalë të ëmbla e të ndjera i
kishte shkruar Arbri, dashuria e madhe dhe e vetme e jetës së saj. Sa ia kishte
ndjerë mungesën një çasti të tillë. Më në fund në jetën e saj një pritje e
ëmbël, tërësisht e ëmbël. Sytë e kaltër i
morën papritur nuancën e blusë së thellë. Kështu i ndodhte sa herë
zhytej e tërë në mendime për Arbrin.
-Ami! Hapi pëllëmbët e duarve,
bashkoji, shriji krahët përpara dhe në fund, mbylli sytë! –Amardës iu duk një budallëk me brirë,
pavarësisht kësaj veproi siç i tha Klajdi. Po të kundërshtonte, do zgjateshin
edhe më tepër me çështje të cilat nuk paraqisnin ndonjë interes të veçantë për
të. Klajdi, më i lumtur se një fëmijë vendosi diçka në duart e saj. Nuk u dha
rëndësi shenjave që kishin mbetur në pulset e duarve të shoqes së tij.
Pavarësisht vështirësive aktuale jetësore, tashmë ai problem ishte kapërcyer
prej saj. Amarda nuk pati nevojë të bënte duart grusht për të gjetur përse
bëhej fjalë. E kuptoi menjëherë se ishin
çelësa makine.
Klajdi e kishte ëndërruar një
makinë për më shumë se një dekadë. Me sa dukej, më në fund ëndrra e tij ishte bërë realitet. Amarda mund t’ia falte
së paku këtë herë sjelljen e tij prej fëmije. Ai duhet të ishte aq i lumtur! Vërtet s’kishte shanse të kishte
makinën e ëndrrave të tij, por ama kishte një makinë personale.
Priste që Amarda, shoqja e tij
më e mirë ta uronte, madje t’i hidhej në qafë. E kush nuk e dinte se prej
vitesh Klajdi edhe nëpër ëndrra shihte makina? Nuk ndodhi ajo që priste, madje
ndodhi krejt e kundërta. Amarda nisi të dridhej dhe u mbulua e gjitha nga
bulëza djerse, të cilat duke u zmadhuar tentonin të bashkoheshin me
njëra-tjetrën, për të mbuluar gjithë sipërfaqen e trupit të saj. Nisi të
kërciste dhëmbët dhe gishtat e duarve, ndërsa buzët i mblodhi nga brenda saqë
s’dalloheshin më. Si ishte e mundur? Nuk po e uronte për makinën? Ndoshta ishte
e tensionuar, sepse nuk po e gjente dot ç’po mbante në duar. Me siguri ishte
kjo e dyta.
-Janë çelësa makine!- tha Klajdi
si i zënë në faj. Amarda ishte duke kaluar periudhën më të vështirë të jetës së
vet dhe ai donte të bënte lojra. Kishte zgjedhur personin dhe çastin e gabuar.
U ndje menjëherë fajtor. Nëse është diçka të cilën s’mundim t’ua imponojmë të tjerëve, kjo me siguri është lumturia që
ndjejmë vetë. Por, s’bëhej fjalë vetëm për këtë. Klajdi ishte i sigurt se qe
edhe diçka tjetër. Ndoshta kishte të bënte me shqisën e gjashtë që zotëronte
Amarda. Vetëm ky shpjegim bindës i ra ndër mend.
-E kuptova menjëherë që ishin
çelësa makine.- tha Amarda duke hapur sytë. Irisi i syrit i qe zmadhuar dukshëm, sikur të kishte parë
diçka të tmerrshme,- Më sollën ndër mend makinën time. E kisha për aq pak kohë
dhe më dukej sikur e kisha prej një jete,- në këtë mënyrë Amarda u shfajësua më
së miri. Sjellja e saj kishte qenë shumë larg pritshmërive të shokut të saj më
të mirë.
-Të kuptoj! Kam vetëm njëzetë e
katër orë me makinë dhe s’kam pikë dëshire të zbres prej saj,- u përgjigj
Klajdi shumë konfuz. S’dinte në duhej të qe i sigurt, apo jo për atë që kishte
menduar më parë? Cila ishte arsyeja që Amarda ishte mbuluar në djersë?
-Ta gëzosh Klajdi!- e uroi ajo
duke e përqafuar. Ai ndjeu si dridhej Amarda. Nuk ishte mirë. Duhej t’ia
thoshte me takt ato që kishte për t’i thënë. Pastaj ishte edhe letra... Amarda
as që mund ta imagjinonte se ç’përmbante ajo. Sa shumë do zhgënjehej kur ta
hapte atë zarf! Pra, Klajdit i duhej sa më shumë takt. Përndryshe... as që donte të mendonte se
ç’mund t’i ndodhte. E mbante mend mirë kur ajo kishte humbur ndjenjat, në kohën
e arrestimit të Arbrit. Një mankth i vërtetë.
-Më thuaj Klajdi, ç’lloj makine
është?- pyeti Amarda si me përtesë. Nëse ajo donte me të vërtetë të dinte,
mjafton të shihte nga dritarja e dhomës së ndenjjes. Makina ishte parkuar para
portës së shtëpisë. Por, ishte një lëvizje e zgjuar e saj për të fituar kohë.
Ishte shumë e tronditur dhe kishte nevojë të merrte veten.
Klajdi nisi të fliste gjerë e gjatë për llojin e makinës dhe vitin e prodhimit
të saj. Kur më në fund përfundoi ligjëratën, e cila dukej sikur nuk do merrte
fund kurrë, Amarda i drejtoi një pyetje:
-Si munde ta blije Klajdi? Ne e
dimë që paratë janë një problem...
-Nuk e bleva Ami, pikërisht kjo
është gjëja më e mrekullueshme.
-Atëherë e ke vjedhur.- tha
Amarda duke buzëqeshur. Kjo i dha Klajdit një farë qetësie. Nëse ajo shfaqej më
e qetë dhe e çlirët, nuk do ta kishte aq të vështirë t’i thoshte gjithë
ç’kishte për t’i thënë dhe të merrte ndonjë mendim prej saj.
-Unë të vjedh? Ti e di mirë se
unë nuk do isha kurrë në gjendje të vidhja diçka.
-Atëherë...
-Avokati.
-Avokati çfarë?
-Ma dhuroi avokati, për punën që
kam bërë gjatë gjithë kësaj periudhe për të.
-Po a nuk je paguar gjithmonë për punën që ke bërë?
-Sigurisht, por ky është një
shpërblim Ami.
-Beson ti Klajdi te broçkulla të
tilla, si për shembull te shpërblimi?
-Po ti Ami ku dreqin e ke
hallin? S’po të kuptoj. Të vjen keq për shpenzimin që bëri avokati? Ne e dimë
fare mirë që ai fiton para me thasë. Studioja e tij e avokatisë ka tarifat më
të larta në gjithë Tiranën. Për të ajo makinë ka vlerën e një shkuljeje dhëmbi
që bën ti. Mos do të thuash që më duhej të paguaja nëse do vija të shkulja një
dhëmb në klinikën tënde? Do t’u merrje para për diçka të vogël miqve të tu? Apo
mos ndoshta mendon se nuk kam punuar mjaftueshëm sa për ta merituar.
Amarda nuk i ktheu përgjigje. E
pa ngultaz. Klajdi deri diku kishte të
drejtë, por vetëm përsa i përket të ardhurave të mëdha të avokatit dhe punës së
madhe që ai kishte bërë në studion e tij. Sa për të tjerat... Askush veç
Klajdit s’ishte aq naiv sa për të besuar se një punëdhënës mund të të dhurojë
një makinë pa pasur një arsye të fortë, tepër të fortë. Por, Amarda nuk mund
t’i fliste Klajdit për këtë, megjithëse ajo ishte plotësisht e bindur për
arsyen që e kishte shtyrë avokatin për të bërë gjestin më human në botë.
Klajdi, jo vetëm që nuk do ta besonte, por as që do denjonte ta dëgjonte deri
në fund. Ishte më mirë t’i thoshte diçka për ta qetësuar.
-Ti më keqkuptove Klajdi. Unë
nuk thashë se ti nuk e meriton.
-Më thuaj Ami, të dhimbsen paratë
e tij?
-Jo, jo. Absolutisht. Duhet të
të kërkoj falje nëse të kam lënë këtë përshtypje.
-Nuk është nevoja të më kërkosh
falje Ami. Unë e di se ti do gjithmonë më të mirën për mua. Me siguri mendon se
do të më rëndonte në ndërgjegje kjo dhuratë që më bëri avokati. Por, jo. Vetëm
unë e di sa shumë punë kam bërë në atë studio e sa pak jam paguar. E meritoj
atë makinë. S’duhet quajtur dhuratë. Unë e kam blerë nga pak çdo ditë.
-Ke të drejtë Klajdi. I je vënë
punës me mish e me shpirt. E mban mend sa herë na kanë ironizuar në shoqërinë e
përbashkët për orët e gjata që kalojmë në punë? Por, e kemi diskutuar edhe herë
tjetër këtë. Ne të dy edhe kohën e lirë e kalojmë me punë. Kjo është arsyeja që
e marrim si argëtim.- të dy buzëqeshën mendueshëm. Kaq shumë u kishte hyrë puna
në gjak, saqë s’mund të jetonin pa të. Amarda u gëzohej duarve që i forcoheshin
dita-ditës. Me zor priste të fillonte punën. Pati një periudhë në të cilën
plagët s’ishin mbyllur ende dhe mendoi se nuk do ta ushtronte më kurrë
profesionin e vet. Sikur kjo të ndodhte vërtet, brenda saj do të mbetej një
boshllëk aq i madh, saqë s’do të mbushej dot nga asgjë dhe askush përgjatë
gjithë jetës së saj.
-Dhe tani bëhu gati për lajmin
më bombë, jo të vitit, por të të gjithë jetës tënde.
-Jeta ime vetëm për bomba s’ka
më nevojë Klajdi. Mos më thuaj se të ka dalë nga mendja!
-Gerian Kotherja, ka gjetur
vajzën e ëndrrave të tij. Vajzën me të cilën dëshiron të kalojë jetën. Së fundi
është i gatshëm për ta ndarë këtë lajm me gjithë të tjerët, në veçanti me
shoqërinë e vjetër të gjimnazit.
-Nuk më habit. Dhe nuk hyn te
lajmet bombë. Në të vërtetë ka vite që e
ka gjetur vajzën e ëndrrave dhe ky fakt s’përbën ndonjë lajm për mua. Lajm
bombastik do ishte nëse ajo, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë ndonjëherë, të
pranojë të lidhë jetën me të. Kështu që, e ndan apo s’e ndan Geri lajmin e mirë
me gjithë të tjerët, kjo s’ka aspak
rëndësi.
-Po ti si i di të gjitha këto?
-I kam lexuar nëpër libra,- u
përgjigj Amarda me një batutë të Klajdit, të cilën ai e përdorte sa herë
s’donte të tregonte burimin e informacionit.
Geri ia kishte shprehur disa
herë dashurinë Amardës. Ai ishte i gatshëm të martohej me të, megjithëse e
dinte mirë se ajo dashuronte Arbrin. Në shkëmbim ai i kishte premtuar se do
nxirrte Arbrin nga burgu, duke zhdukur gjithë provat që ekzistonin kundër tij
në gjykatë. Përsa i përket mbrojtjes, do
vendoste në dispozicion avokatin, i cili ishte padiskutim më i miri në
fushën e vet.
Si shpjegohej që Geri ende
shpresonte se do t’i ecte e veta? Amarda ia kishte dhënë përgjigjen
përfundimtare. Vetëm e vdekur mund të martohej me dikë që nuk ishte Arbri. Edhe
sikur të paraqitej ndonjë i rënë nga qielli, nuk i interesonte.
-Më pëlqeu batuata jote Ami!
Ishte batuta më e bukur që kam dëgjuar ndonjëherë. Por, duhet të të them diçka.
Nuk e ke lexuar librin deri në fund. Vajza do ta pranojë menjëherë propozimin e
Gerit për martesë. Ai vetë më siguroi për këtë.
-Unë të siguroj për të
kundërtën.
-Ku bazohesh?
-E ku tjetër, në mungesën e
dashurisë.
-Po kush foli për dashuri Ami?
-E për ç’arsye do të martohej
një vajzë me një djalë, nëse në këtë mes s’do kishte dashuri.
-Nëse në këtë mes nuk ka
dashuri, atëherë ka para, shumë para. Ato e eklipsojnë plotësisht dashurinë
-Dëgjo Klajdi! Unë nuk do
pranoja kurrë të martohesha me Gerin. As që dua t’ia di nëse në mes ka para.-
Amardës iu kujtuan mjaft mirë premtimet e Gerit. Nëse ajo pranonte të martohej
me të, veç ndihmës që do t’i jepte me Arbrin do t’i dhuronte një klinikë
dentare në Tiranë, një apartament luksoz pranë qendrës së Tiranës dhe do t’i
ndërtonte një vilë të bukur në vendin që do zgjidhte ajo. Por, gjithë sa i duhej
në këtë jetë ishte Arbri. Ajo do arrinte ta nxirrte nga burgu pa qenë nevoja
t’i shitej Gerit, apo ndokujt tjetër. Habitej si Klajdi mund të besonte që ajo
mund të joshej nga paratë dhe të harronte Arbrin.- Madje edhe sikur Gerian Kotherja të ma
shtronte rrugën me flori, sërish nuk do pranoja të ecja në atë rrugë përkrah
tij. Ai njeri mund të më premtojë botën, por kurrësesi s’mund të më marrë
mendjen.
-Po Ami, për këtë jam plotësisht
i sigurt.
-Nëse je plotësisht i sigurt,
atëherë përse ishte nevoja ta hapje këtë bisedë? Le të flisnim për Arbrin që në
fillim. Ti e di se nuk më intereson askush tjetër në botë veç tij. As që dua
t’ia di nëse Gerit i shkrep të martohet.
-Ty jo, por Ajlës po.
-Përse e përmende Ajlën? Ajo
s’di asgjë për mua me Gerin!
-Mos u ngut për të folur Ami!
Duhej të thoshe se ti nuk di asgjë për Ajlën me Gerin dhe jo se Ajla nuk di
asgjë për ty me Gerin.
-Më duket se ti Klajdi po flet
përçart.
-Që njëri prej nesh po flet
përçart, kjo është pak, por e sigurt. Por, më duhet ta pranoj që nuk jam unë.
Ç’ishte ajo që the Ami? Çfarë nuk di Ajla dhe ne të tjerët për ty me Gerin?
-Më mirë fol ti Klajdi. Thuaj
ç’ke për të më thënë dhe ik!
-Asnjë fjalë Ami! Dhe nuk do
iki, jo. Je ti që më detyrohesh me një shpjegim. Sikur ta dije ç’fjalë të rënda
i kam thënë Arbrit, mikut tim më të mirë sa herë të ka tradhëtuar, apo të ka
bërë të vuaje! Kam qenë gati ta marr me grushta për ta kthyer te ty. Gjithmonë
kam menduar se ju jeni bërë vetëm për njëri-tjetrin.
-Është e vërtetë, ne vetëm kur
jemi bashkë jetojmë plotësisht. E di edhe që ke bërë të pamundurën për ta
kthyer Arbrin tek unë sa herë kemi patur probleme. Dhe të kam falënderuar
vazhdimisht për këtë.
-S’kam aspak nevojë për
falënderime. Unë dua të vërtetën Ami. Tani!
Sytë e Amardës morën pamjen e
një bishe të zënë në kafaz. Mbi këtë temë s’kishte folur me askënd. I qe betuar
vetes që nuk do e bënte kurrë diçka të tillë. Për fatin e saj të keq, situata
dukej pa rrugëdalje. Duhej që patjetër të fliste me Klajdin. Nuk donte që ai
të çonte nëpër mend idenë e çmendur se
mes asaj dhe Gerit kishte pasur ndonjëherë diçka.
Dhe kështu bëri. I tregoi
Klajdit për mbrëmjen e maturës, për faktin se Klara dhe Geri kishin kurdisur
gjithçka bashkë për ta larguar nga Arbri. S’guxoi t’i fliste as për faktin se
gjatë rrugës kishte humbur ndjenjat, as për të nxirat që kishte gjetur më pas
në trupin e vet dhe dyshimet mbi Gerin. Nëse do t’i fliste për këtë do linte
vend për interpretime të gabuara. I tregoi më pas për propozimin që i kishte
bërë Geri për martesë dhe për dhuratat bujare që do t’i bënte, përfshirë këtu
edhe nxjerrjen e Arbrit nga burgu. Klajdi e dëgjoi me vëmendje. Përpiu
pothuajse gjthë sa tregoi Amarda. Deri diku iu duk bindëse. Në fund i drejtoi
një pyetje të drejtpërdrejtë.
-Ç’di Ajla për Gerin nga gjithë
sa më tregove tani?
-Më vjen keq Klajdi. Por...
-Do të thuash se ajo s’është në
dijeni për asgjë? Më thuaj që e kuptova gabim!
-S’mundem!
-Po ajo është shoqja jote më e
mirë. Ju jeni si dy motra, të paktën këtë përshtypje më lini mua. Më duket
absurde që s’i ke treguar asgjë. Përse Ami?
-Sepse nuk mundesha. Mjaftonin
fjalët e Gerit që të ndihesha e ndotur.
Nëse ia tregoja Ajlës, më dukej se ajo do mendonte se unë i kisha dhënë ndonjë
shkas sjelljes së Gerit.
-Sido që po përpiqem të të
kuptoj, përsëri nuk mundem. Ti më the se interesi i Gerit ndaj teje ka qenë i
vazhdueshëm. A mund të ma shpjegosh pak më qartë? Më duket e çuditshme, pasi ai
për vite të tëra ka jetuar në Itali.
-E mban mend kur unë tentova të
vrisja veten duke u hedhur nga ura mbi
lumin Shkumbin, në afërsi të qytetit të Rrogozhinës?
-Po. Shkove edhe në spitalin e
Rrogozhinës atëherë, apo e kam gabim. Të shpëtoi një peshkatar në mos gaboj.
-Nuk gabon për spitalin dhe
qytetin, por gabon për peshkatarin. As që të shkon ndër mend se kush ishte
peshkatari i famshëm. Avokati yt Klajdi.
-Ke gjetur kohën më të
papërshtatshme për të bërë shaka pa kripë.
-S’di ç’të të them as për kripë
e as për piper. Di të them vetëm se ai po më ndiqte. Një zot e di për sa kohë e
kishte bërë. Për këtë e paguante Gerian Kotherja me shuma të majme parash. Unë
e njoha sapo e takova. Dhe gjithçka u vërtetua kur në studion e tij erdhi Geri.
Pikërisht atje më bëri propozimin për martesë dhe më ofroi një kontratë
paramartesore që e kishte hartuar avokati. Avokati i famshëm, peshkatari i
dikurshëm që më shpëtoi jetën.
-Kjo s’mund të jetë e vërtetë.
Nuk e mendoj dot avokatin duke u hedhur në lumë për të të shpëtuar.
-Ndoshta ngaqë s’e ke
njohur vite më parë, siç e kam njohur
unë. Fiziku i tij ishte krejt tjetër, pastaj edhe flokët...
-Përse nuk ma the këtë Ami?
-U përpoqa, por nuk munda të ta
thosha deri në fund. Ai ishte idhulli yt. E mban mend kur të sugjerova ta lije
punën dhe të shkoje të punoje në Lushnjë? Ç’përgjigje të keqe më ktheve!
-Po, e mbaj mend mirë. Të thashë
të mos silleshe si pronare e Tiranës.
-Klajdi, unë mendoj, madje jam e
bindur se avokati merret me çështje shumë delikate. S’di në u shpreha qartë. Me
fjalën delikate dua të them të rrezikshme.
-E di Ami, kjo është edhe
arsyeja përse e lashë punën. Kur e zbulova këtë më kapi një frikë e tmerrshme.
Më në fund shpëtova prej tij. Do punoj me mikun tim noter këtu në Lushnjë, me
atë djalin që të sugjerova të takoje për çështjen e pronësisë.
-Po ti, prej kujt e mësove
lajmin e martesës së Gerit?
-Ma tha ai vetë. Shoku dhe miku ynë i vjetër
i gjimnazit.
-A ia ka bërë propozimin Ajlës?
-Ende jo. E ka lënë për në
mbrëmje. Është i sigurt se ajo do e pranojë propozimin e tij. Do t’i japë
unazën, do vijë të flasë me familjen e saj dhe shumë shpejt do caktohet dita e
dasmës.
-Atëherë është siç e mendova
unë. Geri ta komunikojë këtë lajm që të ma thoshe mua dhe jo për hir të
shoqërisë së vjetër. Të gjithë e dimë mirë që ai s’ka qenë as shoku yt, as imi
dhe i askujt tjetër.
-Ç’mund të bëjmë për ta penguar
Ajlën të pranojë propozimin e tij për martesë?
-Për fat të keq asgjë. Nëse unë
do t’i thosha diçka mbi Gerin, ajo do mendojë se është çështje xhelozie. Po t’i
thuash ti, do mendojë se thjesht po ruan inatin e vjetër. Geri ka thurur plane
të përsosura, fundja siç ka bërë gjithmonë.
-Atëherë na mbetet të festojmë
me shampanjë. Geri më tha se do të na ftonte të dyve në një drekë në Ardenicë.
Bëhët fjalë për atë restorantin që na pëlqen dhe shkojmë gjithmonë. Po unë as
që e shpie ndër mend të festojë me ta. Sidomos tani që i kuptova të gjitha.
Ajla do të pranojë të martohet për para, ndërsa Geri një zot e di, duke u
martuar me shoqen tënde më të ngushtë, do të hakmerret ndaj teje, apo të ketë
mundësinë të të shohë herë pas here.
-Si njëra si tjetra më duket e neveritshme.-
tha Amarda dhe ndërkohë u mbulua nga bulëza djerse, si edhe më parë.- Jeta e
Ajlës përkrah tij do jetë një mënxyrë e vërtetë.
-Atëherë mos të të pyes kot, ne
nuk do shkojmë në festën e lumturisë së tyre,- i foli Klajdi duke u përpjekur
të mbyllte menjëherë bisedën që me sa dukej Amardës i kishte bërë tërësisht
keq. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Ishte thjesht dhe vetëm një kurth i ndyrë.
-Pëkundrazi Klajdi, ne do
shkojmë të dy me makinën tënde, ndërsa ata me makinën e Gerit. I detyrohem
Gerit për diçka dhe duhet patjetër t’ia shpërblej, përndryshe pesha e
mirënjohjes që ndjej ndaj tij do të më rëndojë aq shumë, saqë do jetë e
pamundur për ta duruar.
-Bëhet fjalë për atë që bëri për
babain tënd, apo jo?
-Të lutem Klajdi, kam nevojë të rri vetëm, tha Amarda duke u dridhur e gjitha. Për të tjerat flasim në një
moment tjetër. Ti tani do vazhdosh të qendrosh këtu dhe do kesh më tepër kohë
të lirë.
Klajdi e kuptoi se duhej të ikte
menjëherë, pa bërë asnjë pyetje, asnjë koment, madje edhe pa përshëndetur. E
njihte mirë Amardën, kishte qenë shumë për natyrën e saj të brishtë. Kishte
nevojë për kohë që të mendohej me qetësi. Ajo kishte të drejtë, për të tjerat
mund të flisnin një herë tjetër.
Problemi më i madh do ishte kur të hapte zarfin dhe të lexonte letrën e Arbrit.
Kjo do ishte një provë e madhe për të. Nëse arrinte ta kapërcente me sukses,
kjo do të thoshte se Ajla kishte të drejtë. Ajo thoshte se Amarda ishte bërë
shumë më e fortë se dikur. Dhimbja i kishte dhënë forcën për të përballuar
gjithçka.

No comments:
Post a Comment