RITAKIMI
Sa e lumtur ishte ndjerë para atij ritakimi! Ishte nisur plot ëndrra dhe shpresa. Ishte ëndërr të ritakohej pas kaq shumë vitesh me shoqërinë e gjimnazit, me të vetmen shoqëri të vërtetë dhe të sinqertë që ka njeriu në jetë. Ndaj ndihej plot shpresa që tani do rikishte gjithë shokët dhe shoqet e dikurshme.
Buzëqeshi... Kur të rigjendej në çaste vetmie dhe trishtimi pa ndonjë arsye konkrete, do të telefononte ndonjë prej tyre dhe do fliste... do fliste çiltër si dikur. Dikur nuk kishte mëdyshje, apo dilema nëse duhej të tregohej deri në fund e sinqertë. Askush prej tyre nuk e kishte zhgënjyer. Kurrë.
Gjithsej u bën dhjetë vetë. Dhjetë djem dhe vajza të dikurshëm. Dhjetë shokë e shoqe shumë të mirë.
Përqafoi me mall secilin prej tyre. Ishte një ndjesi e mrekullueshme të përqafonte kujtimet!
Bisedat e para ishin për familjen dhe fëmijët, bashkëshortët, shëndetin, punën. Të gjitha këto u konsumuan në vetëm pak minuta. U mbetej mjaft kohë tjetër. Simbolikisht ishin takuar rreth orës shtatë e tridhjetë të mëngjesit dhe kishin planifikuar që ai takim do të zgjaste deri në orarin që ata qëndronin bashkë në shkollë, në trembëdhjetë e tridhjetë.
Menjëherë më pas ia nisën bisedat e zhurmshme, të cilat i kthyen të gjithë në të shkuarën.
Çfarë ndjesie e mrekullueshme të udhëtonin në kohë së bashku! Dhe pikërisht këtë bën gjatë orëve në vazhdim. Madje shtynë orarin e vendosur si përfundimin e takimit dhe vendosën të drekonin.
Gjithë kohës dëshiroi që akrepat e orës të ecnin ngadalë, mjaft ngadalë. Madje të ndaleshin. Pavarësisht dëshirës së saj, koha eci shpejt.
Gjithë atë natë nuk fjeti nga emocionet pafundësisht të ndryshme që provonte. Vendosi t'i jepte vetes kohë. Pasi të shuhej gjithë entuziazmi i fillimit do kuptonte më në fund gjithë të vërtetat nga ai ritakim.
Iu desh plot një javë. Pas një jave konstatoi me dhimbje se nuk mund të telefononte askënd prej tyre. Nuk kishte ndërmend të përsëriste informacionet për familjen dhe punën. As të rikujtonte kohën e artë të gjimnazit nuk kishte më nevojë. I duhej dikush që ta dëgjonte dhe ta kuptonte. Mes shoqërisë së sotme nuk kishte një mik, a mikeshë të tillë. Për fat të keq nuk kishte as në shoqërinë e vjetër.
Nisi të sillte me radhë ndërmend secilin prej tyre. I pari ishte Ai. Shoku i ngushtë i dikurshëm. Në fund e kishte përqafuar çuditshëm dhe i kishte kërkuar të takoheshin vetëm për vetëm. Ajo kishte buzëqeshur e hutuar.
Problemet që kishte me bashkëshortin ishin të shumta dhe mjaft serioze. Ai kishte një lidhje jashtëmartesore. Ajo po angazhohej me gjithë shpirt që ai t'i rikthehej familjes.
Nuk do takohej kurrë vetëm për vetëm me ish shokun e saj më të mirë. I njihte qartë interesat e tij të dikurshëm. Ai kishte qenë i vetmi që parashikoi si do përfundonte martesa e saj. I sugjeroi fillimisht të mos hynte në atë lidhje. Më pas i sugjeroi të ndahej. E më pas ta tradhëtonte duke u hakmarrë ndaj tij.
S'kishte gjetur aq guxim sa për t'u vetofruar për tradhëtinë e saj. Së paku jo me fjalë. Ndërsa sot ishte një njeri mjaft i suksesshëm dhe me besim në vetvete. Me siguri do ishte tema e parë që do hapte nëse do ritakoheshin.
Mori me të shpejtë celularin ndër duar dhe fshiu numrin e tij, të cilin e kishte regjistruar si tetë numrat e tjerë. Nuk kishte nevojë për të. Ajo për të cilën kishte nevojë ishte të zgjidhte problemet me të shoqin, të sillte harmoni në familje.
Risolli ndër mend shoqen e saj më të mirë. Sapo i tregoi që kishte tre fëmijë nuk uroi që t'i kishte me jetë e shëndet, por rrudhi buzët, duke thënë se jeta me tre fëmijë nuk është jetë. Sa e lënduar dhe e zhgënjyer u ndje atë çast!
Konstatoi me dhimbje që nuk mund të telefononte askënd prej tyre. Mendimi se do kishte së paku dikë prej tyre për të zbrazur zemrën ishte iluzion.
Ai ritakim kishte shërbyer për të arritur në përfundimin se e shkuara mbetet e shkuar. E shkuara s'mund të bëhet as e tashme, as e ardhme.
Atë natë sërish nuk vuri gjumë në sy. Në mëngjes lotët i ndjente të shterur.
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment