Wednesday, October 3, 2018

DIELLI DIMËROR



    Atë natë s'vuri gjumë në sy. Nuk ishte nata e parë. E shihte teksa flinte dhe nuk arrinte të kuptonte kur... kur ishte shuar pasioni?! Nuk mundej ta përcaktonte dot. Ndoshta pak nga pak. Ngadalë... aq ngadalë saqë nuk e kishte kuptuar as vet.
    Gjithë atë natë qau... Qau duke kujtuar rininë e tyre. Vitet e kaluara bashkë. Aso kohe mendonte se pasioni i lidhte fort. Aq fort saqë s'mund të qëndronin për shumë kohë larg njëri-tjetrit. Mendonte se pasioni i jepte ngjyra dhe ngrohtësi jetës së tyre, së cilën problemet e përditshmërisë e hirnosnin. Pasioni ishte dielli i shdritshëm që u jepte jetë.
    Po a mund të jetonin kështu?! E shihte teksa flinte qetësisht dhe nuk ndjente si dikur gjakun t'i vërshonte nxehtësisht në deje.
    Lotët nuk i shterën gjithë natën... Në agim jastëku ishte depërtuar tejpërtej prej tyre.
    Hapi dritaren dhe vendosi jastëkun në parvazin e saj, pasi ia hoqi këllëfin.
   Diellit dimëror përpiqej të shkëlqente dhe të ngrohte. Përpiqej...
    Dhoma u ftoh nga dritarja e hapur. E kishte humbur sensin e kohës duke soditur diellin me sy të trishtuar. Duke u dridhur mbylli dritaren.
    E pa tek flinte... Qetësisht... U zhyt qetësisht në shtrat. E përqafoi... A ishte shuar plotësisht zjarri i pasionit të tyre?! S'dinte të përgjigjej.
    Ndoshta ishte një fazë kalimtare, ashtu si dielli i dimrit... Nuk mund ta dinte. Por pasioni nuk ishte e vetmja gjë që i lidhte. E shtërngoi fort, sikur do t'i ikte...
   Ndoshta kështu duhet vepruar, mendoi. Njerëzit dhe gjithçka duam duhen shtërnguar fort që të mos na largohen kurrë...
    Rrezet dimërore të diellit mbushnin dhomën e heshtur...

Elda Gjini
2018
 

No comments:

Post a Comment