I TRETI
Kurrë s'kishte ngritur dorë mbi dikë. Kurrë s'kishte kapur dikë prej flokësh, as kur ishte fëmijë. Kurrë nuk e kishte quajtur një femër të përdalë, së paku jo duke e parë drejt e në sy.
Dhe ndihej mirë që i bëri të gjitha këto për herë të parë tani, tani që ishte një mezogrua. Sepse mbrojti atë që i përkiste asaj. Asaj dhe askujt tjetër. Të shoqin.
Ajo ishte e përdala. E përdala që i kishte marrë mendjen atij. Ai ishte mashkull dhe si mashkull ishte joshur nga një femër e përdalë. Por menjëherë gjithçka mori fund në mënyrën më të mirë të mundshme. Të përdalën e pushuan nga puna. Ishte e lehtë për t'u bërë. Ata ishin pronarët.
U kthyen në shtëpi ballëlartë. Ata s'kishin asnjë faj. Faji ishte i së përdalës. Hëngrën një darkë të shijshme, duke u parë herë pas here në sy. Ajo ndihej krenare! Kishte risjellë qetësinë dhe lumturinë mes tyre.
Dhe askush nuk i mbante mëri tjetrit, sepse askush prej të dyve s'kishte asnjë faj. Kështu mendonin.
E përdala ndjente ende dhimbje në kokë nga shkulja e flokëve dhe fytyra i qe mavijosur nga goditjet e gruas së tij të ligjshme. Shtërngonte grushtet me tërbim dhe i betohej vetes se të nesërmen do shkonte të takonte gruan që e kishte quajtur të përdalë.
Do takonte të paaftën. Ajo ishte e paaftë për ta bërë të shoqin t'i qëndronte besnik. Në një çift të aftë për të mbajtur njëri-tjetrin, një i tretë nuk përbën kurrë rrezik. Së paku kështu mendonte e përdala...
Elda Gjini
2018
No comments:
Post a Comment