ZBRAZËTITË
S'e kupton përse ndihesh i zbrazët,
Përse asgjë nuk të hyn në sy...
Gjithçkaje i është venitur shkëlqimi,
Të duket krejt pa rëndësi e pa vlerë ty.
S'e kupton përse ndihesh i zbrazët,
Ndoshta ngaqë jemi në vjeshtë...
Zbrazëtinë ia atribuon motit,
Gjykimin tënd quan të drejtë.
Po zbrazëtia s'është gjethe vjeshte,
Atë as erërat nuk e marrin pas...
Zbrazëtia kur zë vend në shpirt,
Mizorisht krejt shpirtin të zbraz.
Zbrazëtitë të lodhin, të shterin...
Zbrazëtitë të pamëshirshme janë,
Drobisin pareshtur shpirtin,
Zbrazëtitë stinë nuk kanë.
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment