Saturday, September 29, 2018

 
UDHËTIM




    Sikur të kisha mundësinë për t'u kthyer pas në kohë, nuk do zgjidhja kurrë të rikthehesha fëmijë. Asnjëherë jeta e një fëmije nuk më ka pëlqyer më shumë se jeta e një të rrituri. Ajo që më mërziste pafund  ishte se të rriturit ishin gjithmonë aty, për të më komanduar si një objekt të vogël lëvizës. Dhe unë lëvizja, por brenda meje ziente dëshira për t'u rritur sa më parë. Ëndërroja të isha zonjë e vetes.
    Në vrapimin e ngutshëm për t'u rritur, rruga m'u kryqëzua me dashurinë. Ajo nuk ishte pjesë e planeve të mia, ndaj u përpoqa pafund për ta nxjerrë nga rruga ime... Ishte e pamundur...
    Njoha dashurinë, pikërisht atëherë kur isha duke njohur veten. A e di përse u përpoqa ta nxirrja nga rruga ime? Sepse ajo u ngjante të rriturve. Po po, të rriturve, po si ata të jepte komanda. Dhe unë nuk e doja këtë. Nuk e doja, sepse s'mund të isha zonjë e vetes.
    Ecja drejt rrugës së të rriturve... përpiqesha pafund të shporrja dashurinë nga rruga ime... M'u deshën vite për ta kuptuar që përpjekjet për të ndarë rrugët tona ishin të kota. Rrugët tona prej kohësh ishin bërë një.
    Dashuria me të drejtë  më ngjante dikur me të rriturit, sepse ajo është diçka e madhe, më e madja. Por, ajo nuk të komandon. Ajo të drejton. Të drejton kah lumturia.
    Nëse do kisha mundësinë të kthehesha pas në kohë, s'di në do përpiqesha sërish të  luftoja me dashurinë...
    E meqenëse nuk kam mundësinë e udhëtimit në kohë, kthehem herë pas here në kujtime. Buzëqesh e lumtur kur mendoj se dashurinë që u përpoqa ta largoja dikur nga rruga ime, është vet rruga ime.
    Në gjysmën e parë të jetës sime kam udhëtuar drejt saj. Në gjysmën e dytë kam udhëtuar bashkë me të. S'do ta ndërroja kurrë pjesën e dytë me të parën.
    Jam gati të udhëtoj drejt pjesëve të tjera të jetës sime. E ardhmja nuk më tremb. Asgjë nuk më tremb. Ditëlindjet janë thjesht shifra. Dhe rruga e jetës sado e vështirë të jetë prej dashurisë bëhet më e lehtë.

Elda Gjini
2018
    
    

No comments:

Post a Comment